Ministria e Tregtisë dhe Industrisë shënon Ditën Botërore të Turizmit me aktivitete në Pejë

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka shënuar Ditën Botërore të Turizmit me disa aktivitete të organizuara në bashkëpunim me Komunën e Pejës dhe me shoqatat turistike të Kosovës. Hapjen zyrtare të këtij aktiviteti e bëri ushtruesja e detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi. Krasniqi theksoi se ministria që ajo e drejton i ka dhënë prioritet zhvillimit të turizmit me gjëra konkrete, duke themeluar Departamentin e Turizmit. “Për të dëshmuar përkushtimin ndaj turizmit, si sektor strategjik i zhvillimit ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka themeluar Departamentin e Turizmit, për të mundësuar që të iniciohen dhe zhvillohen politika të favorshëm si dhe për të promovuar Kosovën si destinacion turistik. Ndër tjerash, gjatë këtij viti, kemi filluar edhe me krijimin e infrastrukturës ligjore si një bazë për zgjerimin e ofertës turistike dhe sigurinë e turistëve si dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre”, deklaroi ministrja Krasniqi. Ajo ka treguar edhe për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit me Agjencinë Japoneze të Turizmit, në kuadër të shkëmbimit të përvojave me vendet mike. “Vëmendje të veçantë po i kushtojmë zhvillimit të marrëdhënieve të mira me vendet mike në mënyrë që Kosova të jetë një destinacion i veçantë i turizmit. Së fundmi kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi në fushën e turizmit me Agjencinë Japoneze të Turizmit, ku synohet shkëmbimi i dyanshëm i informatave, përvojave dhe njohurive në fushën e turizmit përmes rritjes së numrit të turistëve ndërmjet dy vendeve”, theksoi Krasniqi. Iniciativat e reja të MTI-së  për zhvillimin e turizmit të Kosovës do të ndikojnë që Kosova të jetë destinacion i rëndësishëm turistik.

Kontrolloni gjithashtu

U përmbyll me sukses edhe një edicion i festivalit të folklorit “Anadrinia jehon”

U përmbyll me sukses edhe një edicion i festivalit të folklorit “Anadrinia jehon” në komunën …