Mospranimi i Kosovës në UNESCO, dështimi i radhës i Qeverisë, pasojë e bisedimeve me Serbinë

           Mospranimi i Kosovës në UNESCO, shtron shumë pyetje, në të cilat do të duhej të përgjigjeshin, në radhë të parë ata,  që po pretendojnë të na bindin se janë angazhuar shumë në këtë drejtim. Tani kur u shpall rezultati përfundimtar i angazhimit të tyre, ata i mbështeten Zotit me shpresë se herën tjetër Kosova do të pranohet në këtë organizatë, e cila po shihet se çfarë disponimi mbanë ndaj Serbisë dhe kundër Kosovës.


         Rrokullisja e seriozitetit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare ka filluar me pranimin e bisedimeve me Serbinë, edhe pse Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë, gjashtë vjet më parë kishte shpallë  verdiktin pro pavarësisë. Pikërisht nga ky lëshim fatal i krerëve tanë, kanë stagnuar edhe njohjet e shumë vendeve të botës, meqë asnjë shtet serioz i botës  nuk bindet lehtë ta njohë pavarësinë e një vendi, i cili pranon bisedime pa kusht me shtetin, nga i cili është ndarë, qoftë me dëshirë, apo dhunshëm dhe me luftë, sikur rasti ynë.


Pranimi i bisedimeve me Serbinë, e kemi thënë atëherë, e themi edhe sot, ka qenë një tradhti e madhe që i është bërë vendit dhe që ka përkeqësuar e degjeneruar shumë nga proceset e  ndërtimit të shtetit dhe integrimit në organizata ndërkombëtare.


            Bisedimet me Serbinë, kanë qenë “Kali i Trojës” i vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk janë pajtuar me pavarësinë e Kosovës, nuk e kanë njohur as e njohin këtë pavarësi, e cila sipas tyre është meritë e intervenimit të Amerikës dhe disa shteteve pro-amerikane në NATO.


            Pranimi i bisedimeve me Serbinë,  në fillim, sikur thuhej e propagandohej se do të zhvilloheshin vetëm disa  biseda për disa çështje teknike, më vonë duke lëshuar pe në të gjitha çështjet, deri e dhe te lejimi i krijimit të një shteti të Serbisë brenda Kosovës, që mund të quhet vetëm  Asociacion, bëri që të degradojë tërë procesi i pavarësisë. Prej asaj kohe e deri tani, do të thotë në gjashtë vitet e fundit  Kosovën e kanë pranuar krejt pak shtete dhe asnjë nga ato me ndikim dhe peshë në politikën ndërkombëtare.


 


             Përpjekjet e Qeverisë së koalicionit PDK-LDK, për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në kohën kur në tërësi ka stagnuar procesi i njohjeve nga shtetet, të cilat ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e vendit tonë, rezultoi me një përpjekje të dështuar të radhës, pas dështimeve në dialog me Serbinë në Bruksel, ku Beogradi zyrtar ka arritur të realizojë të gjitha kërkesat e veta, të cilat kanë rezultuar me dëmtim të rëndë të interesit të Shtetit të Kosovës. Pretendimet e Mustafës dhe Thaçit, për t’ia mbyllur gojën opozitës me pranimin e Kosovës në UNESCO, pësuan si mos më keq. Tani opozita ka edhe një fakt më tepër për të kërkuar llogari nga Qeveria dhe anulim të të gjitha marrëveshjeve me Serbinë, e cila ka bërë dhe po bën çmos për ta neutralizuar dhe stërkequr pavarësinë e vendit tonë.


Duke analizuar rezultatin e votimeve, hetohet se shtetet arabe dhe islame, madje disa sosh, të cilat edhe e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, kanë votuar kundër pranisë në UNESCO, e disa të tjera kanë abstenuar. Qeveria duhet të tregojë se si dhe a ka lobuar fare në këto shtete. Duhet të tregojë me fakte e dëshmi se cilat shtete i ka bindur konkretisht në votimin pro Kosovës në UNESCCO?


 


            Qeveria duhet të japë përgjegjësi për këtë dështim. Do të ishte e natyrshme që edhe disa zyrtarë parazitë të Ministrisë së Jashtme të japin dorëheqje, sepse gjatë tërë kësaj periudhe janë krekosur e dreqosur para opinionit duke propaganduar punën dhe aktivitetin e tyre, të bindur qind për qind se Kosova do të shënojë fitoren më të madhe pas pavarësisë.  Tani po shihet fare mirë se “fitoret” kundër Serbisë po mbesin vetëm me retorikë pompoze e bombastike, ndërsa Serbia realisht ka arritur dhe po arrin fitore. Ka arritur të nënshkruajë të gjitha marrëveshjet që e dëmtojnë Kosovën dhe tani ka arritur të bind jo pak shtete se Kosova nuk e ka vendin në UNESCO, madje në asnjë organizatë ndërkombëtare, sepse është njëlloj Shteti me fusnotë, me një preambulë, një shtet i papranuar nga një shumicë vendesh të botës.


             Dështimi në UNESCO nuk është dështim i Kosovës, por dështim i Ministrisë së Jashtme, dështim i radhës i koalicionit qeveritar. Për këtë dështim dikush duhet të tregohet “burrë” dhe të japë dorëheqje, por mjerisht deri tani praktika e dorëheqjeve ka qenë dhe po mbetet,  ekuacion me asnjë të njohur.


            Është pak e besueshme të japë dorëheqje, ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, sepse ai është pjesë e domosdoshme e koalicionit qeveritar dhe  koniukturave politike me BE-në. Dorëheqje nuk pritet të japë as zëvendës-ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, të cilin para disa viteve Thaçi e kishte marrë nga rruga dhe e kishte bërë deputet. Disa orë para votimit, ai,  për mediet serbe, ishte shprehur fare i  sigurt lidhur me  pranimin e Kosovës në UNESCO. Madje  në mënyrë kategorike kishte deklaruar  se “nuk duhet të shtyhet procesi i pranimit në UNESCO, për diçka që ka përfunduar”, i bindur definitivisht në mendjen dhe logjikën e tij të perceptimit të realitetit, sipas dëshirës, fudullëkut dhe arrogancës dhe jo sipas matematikës së numrave të shteteve që e kanë pranuar, apo nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.


 


9. 11. 2015


Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …