Mr. Eroll Sejdiu: Të shkruajmë shqip

Mr. Eroll Sejdiu: Të shkruajmë shqip

Bukurinë e një teksti të shkruar ia jep jo aq leksiku sesa sintaksa e tij, lidhja e fjalëve në sintagma, e këtyre në fjali të thjeshta dhe e fjalive të thjeshta në fjali të përbëra sipas rregullave sintaksore të shqipes, mënjanimi i fjalëve parazite që nuk i shtojnë gjë të re përmbajtjes, rendi i natyrshëm i fjalëve, fraza e ngjeshur në përmbajtje dhe stili i rrjedhshëm.

Kur këto kërkesa nuk zbatohen, teksti bëhet i mërzitshëm për t’u lexuar e dëgjuar dhe, kur kjo ndodh në tekste shkollore, sidomos të gjuhës shqipe, atëherë kjo ndikon për keq te nxënësi, pasi i japin atij modele të gabuara të ligjërimit të shkruar.

Sintaksa është sot sistemi gjuhësor më i rrezikuar i gjuhës shqipe nga ndikimi i gjuhëve të huaja. Rreziku është më i madh në fushën e sintaksës, sepse, ndërsa fjalët e huaja bien lehtë në sy si të tilla, ndërtimet e huaja sintaksore nuk janë aq të lehta për t’u vënë re dhe, si rrjedhim, mund të përdoren nga ai/ajo që flet a shkruan pa e ditur se ka të bëjë me një ndërtim që nuk është në natyrën e shqipes.

Ia bjerrin bukurinë gjuhës edhe shprehjet e ndërtuara me një fjalë të huaj dhe një shqipe, si: në realitetin e përditshëm; komunikoj anglisht; sferë e jetës; reflektoj në sjelljen time; riformuloni fjalët; nxirr mesazhin; ç’kuptim transmetojnë ato; pjesë integrale e lëndës; në raport me postën tradicionale; marr në konsideratë; identifikim i tipareve etj.

Këto shprehje mund të shihen si gjysmëkalke të panevojshme, përderisa shqip dhe bukur mund të thuhen: në jetën e përditshme; flas anglisht; fushë e jetës; pasqyroj në sjelljen time; rindërtoni fjalët; nxirr idenë; ç’kuptim përcjellin ato; pjesë përbërëse e lëndës; në krahasim me postën tradicionale; marr në shqyrtim a marr parasysh; gjetje e tipareve etj.

Drejtshkrim

Fjalët me sh- / zh- / ç- nistore shkruhen kështu:

Eroll Sejdiu

• Shkruhen me sh-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e shurdhët (f, k,p, q, t, th etj.): shfajësoj, shkëput, shpalos, shqep, shtrydh, shthur etj.

• Shkruhen me zh-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e zëshme (b, d, g, gj, v): zhbart, zhdëmtoj, zhgënjej, zhgënjim, zhgjëndërr, zhvat etj.

• Shkruhen me ç-, kur kjo ndiqet nga një zanore ose nga një bashkëtingëllore e tingullt (l, r, rr, m, n, nj, j): çarmatos, çlodhje; çregjistroj, çregjistrim; çrrënjosje; çmallem, çmend, çnderoj, çnjerëzoj, çjerr etj.

Shënim. Shkruhen me sh- fjalët: shmang, shlyej, shndërroj, shndrit dhe ato që formohen prej tyre.

Shënim. Pavarësisht nga bashkëtingëllorja që e pason, shkruhen me “ç”: çdo, çdokush, çdonjëri, çfarë, çfarëdo, i çfarëdoshëm, çka, diçka, gjithçka.

DREJTSHKRIMI I FJALËVE TË HUAJA

Në gjuhën shqipe ka shumë fjalë me prejardhje nga gjuhë të tjera, si nga latinishtja, greqishtja, turqishtja, por edhe nga anglishtja, frëngjishtja e italishtja. Ato kanë hyrë në kohë të ndryshme, por janë përshtatur në gjuhën shqipe. Për drejtshkrimin e tyre duhet të kemi parasysh disa rregulla:

1. Fjalët që kanë në trupin e tyre -ia-,-ie-,-io-,-iu- shkruhen me -ia-,-ie,-io,-iu dhe jo me -ja-,-je,-jo-,-ju-:

-aziatik (jo azjatik), diagonale, financiar, material, special etj.

-bankier (jo bankjer), higjienë, karrierë, minierë, tastierë etj.

-aksiomë (jo aksjomë), aviacion, bibliotekë, biologji, radio etj.

-herbarium (jo herbarjum), kalium, natrium, stadium etj.

2. Fjalët që vijnë nga greqishtja e vjetër dhe në këtë gjuhë kanë “y”, në shqip shkruhen me “i”:

gjimnastikë (jo gjymnastikë), gjimnaz (jo gjymnaz), hidrogjen (jo hydrogjen), himn (jo hymn), simbol (jo symbol), sintezë (jo syntezë) etj.

3. Fjalët me burim nga latinishtja ose greqishtja, që në shqip kanë “c” të ndjekur nga zanorja “e” ose “i” shkruhen me “c” dhe jo me “ç” ose me “s”:

central (jo çentral), certifikatë (jo çertifikatë), koncesion (jo konçesion), procedoj (jo proçedoj), licensë (jo liçencë), recensë (jo reçensë), deficit (jo defiçit), agjenci (jo agjensi), elektricist (jo elektriçist), publicist (jo publiçist), proces (jo proçes), etj.

Por në pajtim me shqiptimin e ngulitur prej kohësh, shkruhen me ç: biçikletë, çiklizëm, çimento etj.

4. Shkruhen me “ks” dhe jo me “kc” fjalët e huaja që në shqipe kanë “ks” të ndjekur nga “io”:

aksion (jo akcion), funksion (jo funkcion), sanksion (jo sankcion), fraksion (jo frakcion), leksion (jo lekcion), infeksion (jo infekcion).

5. Shkruhen me “h” edhe këto fjalë:

halucinacion (jo alucinacion), heterogjen (jo eterogjen), homogjen (jo omogjen) etj.

Theksi dhe rrokja

Në procesin e të folurit një rrokje të fjalës e shqiptojmë me fuqi, me lartësi dhe me gjatësi më të madhe se rrokjet e tjera. P.sh., në fjalën: lum-tu-rí, rrokjen e fundit -ri e shqiptojmë më me fuqi  dhe me gjatësi më të madhe se rrokjet e tjera.

Pra, shqiptimi i një rrokjeje të fjalës me fuqi dhe gjatësi më të madhe se rrokjet e tjera quhet theks, ndërsa rrokja, që spikat nga të tjerat për nga shqiptimi quhet rrokje e theksuar e të tjerat rrokje të patheksuara.

Në gjuhën shqipe mund të theksohet vetëm një rrokje e fjalës dhe këtë rrokje e karakterizon më tepër fuqia, që do të thotë është theks dinamik dhe se rrokja e theksuar shqiptohet me fuqi shumë më të madhe se rrokjet e patheksuara. P.sh.: gëzím, këmíshë, kalá, rrëké, punój etj.

Me përjashtim të një numri të kufizuar, të gjitha fjalët: emrat, mbiemrat, numërorët, foljet, ndajfoljet etj., kanë theks. Por disa fjalë njërrokëshe të pandryshueshme, nuk kanë theks. Këto janë: nyjat: i, e, të, së; trajtat e shkurtra të përemrave vetorë: më, të, i, e, ju, u; parafjalët njërrokëshe: me, më, në, te etj.; pjesëzat: le, mos, mu, ja etj.; përemri pyetës: ç’ dhe përemri lidhor: që, si dhe një numër i lidhëzave njërrokëshe: e, se, si, ku etj.

Në gjuhën shqipe theksi nuk bie vetëm mbi një rrokje të caktuar. Ai mund të bjerë në rrokje të ndryshme: mbi rrokjen e fundit: alfabét, babá, puním, shtëpí etj., dhe këto quhen fundore ose oksitone; mbi rrokjen e parafundit: aníje, bésë, mótër, shkóllë etj., dhe këto quhen parafundore ose paroksitone; mbi rrokjen, që ndodhet dy ose më shumë para asaj të fundit: flútura, plúhuri, fshéhurazi, kúmbulla etj., dhe quhen tejfundore ose proparoksitone.

Por pasi të bjerë mbi një rrokje, theksi bëhet i qëndrueshëm, do të thotë nuk lëviz brenda fjalës te pjesët e ndryshueshme: mál, máli, i málit, i máleve; láj, láva, lája, kam lárë etj.

Te togjet e zanoreve theksi bie mbi elementin e parë të togut: díell, qíell etj.

• Theksi kalon nga morfema rrënjore në atë prapashtesore te fjalët me anë të prapashtesimit: qytét – qytetár, lúftë -luftëtár, spórt – sportíst, shkóllë – shkollór, mál – malór etj. Por theksi NUK KALON te prapashtesat: -as, -ës, -je, -të. P.sh.: Gjilán – gjilánas, nxë – nxënës, bléj – blérje, ár – i ártë etj.

• Rrallë theksi kalon dhe mbi prapashtesën trajtëformuese të shumësit të disa emrave: dhëndër – dhëndúrë, gjárpër – gjarpërínj, shkëmb – shkëmbínj etj.

• Në bazë të gjatësisë ndonjëherë bëhet edhe dallimi kuptimor i disa fjalëve, si, p.sh.: dhe (lidhëz), dhé (emër), para (parafjalë), pará (emër) etj.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …