Rizah Sheqiri

Muhamed Krasniqi: Një botë me det e qiell dashurie, lirie, mirëkuptimi dhe mirësie

Rizah Sheqiri: ”Deti i peshqve të vegjël” – përmbledhje me tregime për fëmijë nga 1-101 vjeç, 2019).

Ky libër me tregime është një det i bukur idesh e projektesh i ngritur nga imagjinata dhe fantazia e pafund e fëmijëve për ta bërë botën më të mirë, me më shumë mirëkuptim, dashuri, paqe, liri e mirësi, ngjashëm me botën fantastike të detit të peshqve të vegjël, aty ku jetohet lirshëm e në harmoni, pa frikën nga grepat dhe nga peshqit e mëdhenj.

 Rizah Sheqiri deri më tash ka publikuar mbi dyzetë libra për fëmijë, siç janë: ”Hëna e di lojën”, ”Kujt i buzëqeshin lulet”, ”Zemër krejt dashuri”, ”Shëngjergjat e mi”, ”Magjistari i shtatë ngjyrave”, ”Shoferi i lojës”, ”Pak më ndryshe”, ”Zemra e lojës”, etj. Ai jo vetëm që është shpërblyer, por edhe është vlerësuar lartë nga kritika letrare duke e quajtur si H.Anderseni e A.Lindgreni shqiptar.

Të lexosh shkrimtarin Rizah Sheqiri do të thotë të bashkëndjesh e bashkëjetosh me një botë të pasur krijuese, me plot imagjinatë, me një botë krijuese që të bën të përjetosh të bukurën dhe artin e saj. I tillë është edhe libri ”Deti i peshqve të vegjël” – një përmbledhje me tregime të mbarështruara bukur e rrjedhshëm, ku autori e lartëson të mirën, respektin, dashurinë dhe lirinë qoftë në planin individual, qoftë në atë të përgjigjithshëm.

Gjitha tregimet e kësaj përmbledhje autori i skalit bukur përmes zgjedhjes befasuese të fabulës rrëfimtare dhe duke hyrë thellë në botën e fëmijëve; në imagjinatën, në fantazinë, në lojën, në shoqërinë, në përditëshmërinë tyre, qoftë në familje, në shkollë a gjatë kohës së lirë. Që nga tregimi i parë hetohet qartë angazhimi, ëndrra dhe dëshira e fëmijëve për të ndryshuar e për ta bërë botën më të mirë për të gjithë, qoftë duke e krijuar edhe atë detin e tyre të imagjinatës pa grepa e pa peshq të mëdhenj që i han të vegjëlit. Por jo vetëm kaq, temat që trajtohen në këto tregime janë nga më të ndryshmet, tema që rrallë ose fare nuk janë trajtuar më parë në letërsinë tonë për fëmijë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm, e këtë e dijnë edhe fëmijët se jo gjithçka në këtë jetë e në këtë botë është një kopsht i lulëzuar. Ka plot probleme me të cilat edhe fëmijët ballafaqohen përditë. Autori i shtjellon bukur edhe shumë nga këto probleme me qëllimin e vetëm që vetë fëmijët t’i shohin, t’i kuptojnë e të reflektojnë për to dhe natyrisht t’i zgjidhin a t’i ndryshojnë qoftë me forcat e tyre, qoftë me ndihmën e të rriturëve. Pra, thuaja në të gjitha tregimet e R. Sheqirit del qartë porosia se dituria, mësimi nga pësimi apo nga përvoja paraprake njerëzore, dashuria, urtësia, mirëkuptimi, pendimi për veprimet e gabuara, kërkimfalja, dëgjimi i këshillave dashamirëse, të prindërve apo mësuesëve, ia vë themelet edukatës, përparimit, zhvillimit dhe formimit të dinjitetshëm njerëzor.  Mësimi nga pësimi, kërkimfalja dhe pendimi për veprimet e gabuara, në këto tregime zë një vend meritor dhe ku autori i përdorë me qëllimin e vetëm që brezat e rinj të edukohen mirë, të dijnë të ballafaqohen me probleme e vështirësi, të rriten pa brenga, të bëhen të ditur e të mirëkuptueshëm, të bëhen të zotët e vetës dhe ta jetojnë jetën e tyre sa më mirë.

Mos bëj keq se e keqja sjell vetëm të këqija, ose bëj mirë se e mira e begaton jetën… – këto dhe shumë e shumë moto tjera, qoftë direkt apo indirekt, dalin bukur dhe natyrshëm nga shumica e tregimeve të këtij libri. Forma se si shkrimtari R.Sheqiri, i zbërthen këto dhe prarimet tjera të jetës në këto tregime është shumë e pranueshme për të gjithë, për botën e fëmijëve dhe të rriturëve, sepse ato nuk janë thjeshtë një mësim didaktik, por më shumë janë një përjetim dhe një ndjesi estetike që ndjehet e përjetohet thellë nga të gjithë. Prandaj edhe për këtë arsye këto tregime, konsideroj unë, bëhen më tërheqëse, më të lexuara, më atraktive dhe ky libër faktikisht bëhet një shkollë edukimi njerëzor e estetik për fëmijë e të rinj, ku ata vetë janë aktorë ngjarjesh, rrethanash e situatash ku tërthorazi apo drejtpërdrejtë ballafaqohen me devijime të ndryshme shoqërore, me sjellje të liga, me gabime, e me shumë padrejtësi.

Pra, shtylla kryesore të tregimeve të librit ”Deti i peshqeve të vegjël” janë dy botëra, që autori i trajton bukur; në njërën anë ajo bota e qapkënllaqeve qëllimkëqija, prirja për të përqeshur, për të ngacmuar, a për t’u bërë keq të tjerëve, dhe në anën tjetër, bota e mirësisë, e ndihmës, e sinqeritetit dhe e dashurisë, dy botëra këto që vazhdimisht përballen me njëra-tjetrën me synimin e vetëm për krijimin e një të ardhmje më të lumtur e më të mirë për të gjithë.

Ky libër me tregime është një det i bukur idesh e projektesh i ngritur nga imagjinata dhe fantazia e pafund e fëmijëve për ta bërë botën më të mirë, me më shumë mirëkuptim, dashuri, paqe, liri e mirësi, ngjashëm me atë botën fantastike të detit të peshqve të vegjël, aty ku jetohet lirshëm e në harmoni, pa frikën nga grepat dhe nga peshqit e mëdhenj.

Një libër – shkollë edukimi, me një botë me det e qiell dashurie, lirie, mirëkuptimi dhe mirësie, i realizuar bukur me një gjuhë të pasur figurative, me një rrjedhëshmëri të këndshme rrëfimi, me fabula interesante dhe me plot risi e befasi, veshur bukur me figura letrare e artistike, që lexuesve fëmijë por edhe atyre të rritur ju ofron përjetim dhe kënaqsi leximi.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …