Mustafë Shaqiri: Në kujtim të 20 vjetorit të Betejës së Rahovicës së Preshevës 12-15 MAJ 2001

Mustafë Shaqiri: Në kujtim të 20 vjetorit të Betejës së Rahovicës së Preshevës 12-15 MAJ 2001

Në harkun kohor, luftërat tona çlirimtare, pavarësisht periudhave historike kanë shënuar faqe të re me plot lavdi në historinë e kombit shqiptar. Njëkohësisht, këto luftëra kanë shënuar shumë sfida, shumë dhimbje, shumë vuajtje. Lavdi sepse kemi pasur fitore në kuadër të kryengritjeve për ç lirim; sfidë sepse e gjithë organizimi jonë për shtet ndërtim, ka qenë i organizuar në baza vullnetare- prandaj kjo është sfidë në vete; dhimbje sepse lufta për liri merr djemt dhe vajzat më të mira të kombit.

Në kuadër të kësaj përpjekje, është dhe beteja e Rahovicës së Preshëvës, e cila filloi më 12 Maj 2001. Në këtë 20 vjetorë të kësaj beteje ne luftëtarët e kujtojmë me krenari këto data, të cilat ngjallin kujtimet për të gjithë ata që morën pjesë në këto ngjarje të rëndësishme historike. Natyrisht këto beteja, dhe pse ende pa u krijuar sa duhet distanca kohore, sado pak ndriçojnë shumë fakte të tjera rreth luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Çdo luftë çlirimtare e ka karakterin, përveç tjerave si një luftë për ti dhenë fund luftës me synim për ta siguruar lirinë dhe paqen.

Zona Operative e Preshevës në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dha një shembull të dalluar për nga organizimi, disiplinës ushtarake si dhe më guximin e luftëtarëve në beteja të njëpasnjëshme duke filluar nga ajo e Bukocit 08.12.2000; Shoshajës, 21-28. 01. 2001; e Caravajkës, 26-27.03. 2001, në të cilën betejë kishte rënë dëshmor dhe komandant Nijazi Azemi që udhëhiqte Brigadën 115 dhe ishte njëkohësisht zëvendës komandant i Zonës Operative të Preshëvës. Si e tillë, kjo brigadë kishte shtrirje nga fshati Sefer, Lafet, Caravajkë e deri në Kurbali

Ndërsa brigade 113 Ibrahim Fejzullahu, operonte nga Fshati Ranatoc, Xhinaj, Maxhere, Gosponicë, Bukocë, Shoshajë dhe Rahovicë. Këto dy brigade gjatë betejave të zhvilluara kishin marr nën kontroll po thuajse të tërë Karadaken e Preshevës

Që nga dita e parë e daljes publike të UÇPMB-së, çdo luftëtarë që vinte, në baza vullnetare, synim kishte të rreshtohej në vijat e para të frontit. Kështu numri i luftëtarëve të lirisë rritej dita ditës.

Ndërsa forcat ushtarake serbe, të paisur me teknikë luftarake të dorës së fundit, me një numër të madh forcash tokësore e të motorizuar ishin përqendruar në majat më të larta strategjike si te Maja e Zabelit mbi qytetin e Preshevës, në Kondrën e Drenit, të Livadhi Shehut, Kodra e Ilincës, Shkolla e Caravajkës ku dhe këtu kishin pikë kontrollin në magjistralen Preshevë-Gjilan që malltretonin popullatën civile, ishin mbi Fshatin Norcë e deri në Majen e Kodrës së Ostrovicës. Nga ana veriore, pozicionimi i tyre ishte dhe në Pishat e Corroticës dhe mbi Fshatin Raincë, mbi fshatin Shoshajë e Poshtme, fshatin Tërrla e deri të Kisha e Rahovicës. Kjo konsiderohej si vija e parë e tyre. Ndërsa si vijë e dytë forcat serbe ishin pozicionuar të Varret e Zhunicës, Fshatin Leran dhe fshatin Bushtran, pozicione që kontrollonin autostradën dhe hekurudhën deri në Bujanoc dhe deri në kufi me Maqedoninë.

Pra Presheva ishte nën një rrethim të hekurt sepse të gjithë këto forca ushtarake serbe, si pasojë e humbjes së luftës në Kosovë, ishin dislokuar në Luginë të Preshevës.

Nga ky rrethim popullsia civile shqiptare kishte të vetmen shpresë në mbrojtjen e tyre, pra te luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Frika e tyre ishte plotësisht logjike sepse njësitet e specializuara serbe tani më pas dislokimit në Preshevë, veç kishin filluar kidnapimin dhe likuidimin e qytetarëve shqiptarë si strategji e futjes së frikës në palcë me synim shpopullimin e kësaj treve, gjë që dhe një numër shumë i madh i shqiptarëve u shpërngulën për Kosovë.

Prandaj çdo vonesë e jona mund ti kushtonte shqiptarëve të këtyre trevave nga një ushtri që për nga doktrina e saj ishte dhe vazhdon të mbetet gjenocidale, e cila kishte bërë krime mbi popullsinë civile shqiptare në Kosovë të nivelit edhe më të rëndë se periudha e inkuizicionit.

Në rrafshin politik, përkundër asaj se bisedimet vazhdonin në mes të Përfaqësuesve të  Këshillit Politik të UCPMB-së dhe përfaqësuesve të Serbisë me ndërmjetësim të përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, luftimet nuk ishin të ndalur dhe atëherë kur flitej për armë pushim. Fillonin si luftime sporadike e përfundonin deri në luftime disa ditësh. Vijat e luftimeve na ndanin me forcat serbe diku nga 100 metra e diku dhe më afër se 100 metra, siç ishte Shoshaja, Brija e Bukocit ku luftimet herë pas herë janë zhvilluar në distancë dhjetëra metrash. Në këto luftime ka rënë dëshmorë Qenan Rahimi. Në shenjë nderimi, Komanda e Zonës me vendim të posaçëm ka emëruar Bataloinin e Dytë të Brigadës 113 Ibrahim Fejzullahu me emrin e tij, pas rënies.

Në rrafshin ndërkombëtar, pas ndryshimeve politike në Beograd, ku ishte rrëzuar nga pushteti krimineli Millosheviq dhe ishte zëvendësuar po nga i njejti soj- Koshtunica, strukturat ndërkombëtare, të cilat ndërmjetësonin bisedimet, me synim arritjen e paqes, në një far forme presupozonin se Serbia po demokratizohej. Prandaj dhe muaji maj i vitit 2001 bisedimet filluan të marrin karakter në dëme UÇPMB-së. Flitej për një polici multietnike; kërkohej demilitarizimi, fillimisht i Luçanit dhe Turisë në Zonën Operative të Bujanocit; nga ana tjetër, forcat ushtarake policore serbe filluan përforcimet dhe lëvizjet në terren për të rrethuar të gjithë brigadat tona, duke shfrytëzuar marrëveshjet që negocionin përfaqësuesit ndërkombëtar për armëpushim; më vonë filluan ti shtonin kërkesat për ta marr nën kontroll dhe pesë kilometërshin tokësor për rreth brezit kufitarë me Kosovën pa pajtimin e NATO-s, e cila ishte e siguruar me marrëveshjen e Kumanovës të vitit 1999.

Më datën 07 Maj të vitit 2001, në një takim të radhës në Konçul, në mes të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Clirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe ndërmjetësuesve të të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, na u kumtua lajmi se kemi afat të mendojmë deri më 24 Maj të vitit 2001 lidhur me demilitarizimin e rajonit- vijës pesë kilometërshe tokësore, ose tejkalone këtë vijë jasht kësaj zone, në të kundërtën do iu lejohet ushtrisë Jugosllave të vepronte me të gjithë kapacitetet në luftën kundër UCPMB-së

Nga ky takim që patëm me përfaqësuesit ndërkombëtar dhe lajmin që na u referua, ne si Zonë e Preshevës, po atë ditë kërkuam mbledhjen e Shtabit të Përgjithshëm me të gjithë sektorët për një takim të veçantë dhe konsultativ. Pas këtij lajmi, që morëm, ne si përfaqësues të Zonës Operative të Preshevës dhe në cilësinë e zv. Komandantit të Përgjigjëm, në mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm propozuam që në kuadër të dy alternative- tërheqjes nga zona e sigurisë dhe tejkalimin e zonës tokësore të sigurisë, ta zgjedhim të dytën: pra hapjen e frontit jashtë zonës së sigurisë dhe ti marrim në mbrojtje popullsinë civile shqiptare.

Në mënyrë unanime, Shtabi i Përgjithshëm e miratoi propozimin e drejtuesve të Zonës Operative të Preshevës. Ndoshta dhe pa e menduar se vendimet ushtarake qoftë dhe me jetë duhen të jetësohen. Për nga natyra, komandantët e luftës, kanë mision: vendimet jetësohen qoftë dhe me çmimin e jetës të çdo kujt dhe ndryshimin e raportit të forcave në terren, me qëllim që kauzën që e drejton ta çosh deri në tavolinën e negocimit për përfaqësuesit politik.

Andaj mbi këtë marrëveshje në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm dhe parimeve të misionit të luftëtarit, Zona Operative e Preshevës, filloi përgatitjen, fillimisht me njësitet për përgatitje të terrenit për një luftë në shkallë të gjerë, sipas vendimit që u morë në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm. Fillimisht, si zonë dislokuam në Preshevë njësitet e zbulimit, të cilat raportonin në kohë për gjithçka që kishte të bënte me përgatitje e luftës. Në kuadër të brigadës 113 Ibrahim Fejzullahu, u ndanë detyrat për të gjithë eprorët drejtues duke filluar nga komandant Batalionesh deri në komandant kompanisë. Zona e veprimit tonë, sipas vendimit të Shtabit të Përgjithshëm ishte përcaktuar nga fshati Raincë deri në kufi me Maqedoninë. Ndërsa pjesa tjetër i takonte brigadave të Zonës Operative të Bujanocit.

Kështu që më 12 Maj 2001, ditë e shtunë ora 15.00 filloi beteja e Rahovicës. Batalioni i Dytë i udhëhequr nga Shaban Ukshini, arriti që për disa orë luftime të bashkohet me batalionin e Rahovicës, ndërsa kompania e Shoshajës e udhëhequr nga Bardhyl Osmani përkundër luftimeve shumë të ashpra mbante krahun verior të vijës së frontit. Ndërsa nga zona e Bujanicit nuk vinte asnjë lajm për nisjen e betejave atje, sipas marrëveshjes paraprake. Ndërsa gjatë betejës që po zhvillonim, luftëtarët tanë diku rreth mbrëmjes arritën ta marrin nën kontroll lagjen e parë të qytetit të Preshevës. Që në fillim, i tërë fshati Rahovicë na u bashkua dhe u mobilizua, për të cilët iu jemi mirënjohës për jetë. Brenda nate arritëm të i sigurojmë pozicionet për luftëtaret e sidomos vija e parë e zjarrit.

Dhe dita e diel, 13 Maj 2001vazhduan luftimet por vetëm në zonën tone. Në këtë datë në luftime bien dëshmor Agim Haliti dhe Shaban Shahini nga Rahovica, ndërsa plagoset rënd Xhemajl Ajvazi. Po në këtë datë, me kërkesë të OSBE-së, është mbajtur një takim me ne me qëllim të hapjes së një korridori të kalimi të 300 forcave serbe që i mbanin nën rrethim në fshatin Rahovicë të vendi i quajtur Kisha. Takimi ka përfunduar pa marrëveshje, por në parim u dakorduam që trupat serbe nëse nuk ndërmarrin ndonjë lëvizje, forcat tona nuk do të sulmojnë. Kështu që për katër ditë, praktikisht, të gjithë ato forca serbe që tani më veç i kishim nën rrethim, u bënë në një farë mënyrë si rob lufte. I mungonte vetëm ngritja e flamurit të bardh.

Nga njëra ana, Serbia duke e parë se po humbte terren, me urgjencë kishte thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa nga ana tjetër në drejtim të Preshevës kishte mobilizuar gati të gjithë armatën e saj. Ndërsa nga ana e Zonës së Bujanocit, nuk kishte asnjë lloj komunikimi apo komunikatë dhe reagim.

Gjatë ditës së 14 Majit, ditë e hënë, pas varrosjes së Agim Halitit dhe Shaban Shahinit, filluan luftimet. Gjatë këtyre luftimeve plagoset komandanti i Batalionit të Dytë Shaban Ukshini dhe Kastriot Arifi. Ndërsa po atë ditë bie dhe dëshmori Mitat Musliu nga fshati Hashan. Gjatë këtyre luftimeve në ndihmë erdhi Bardhyl Osmani- Dellta, i cili i jep ndihmën e parë të plagosurve dhe së bashku më Sami Ukshinin- Qingjin nisen për ti dërguar deri në pikën e Maxheres. Në rrugëtim e sipër bien në pritë të Penda e Rahovicës dhe në luftim e sipër bien dëshmorë.

Më datë 15 Maj, ditë e martë, në një takim me përfaqësuesit ndërkombëtar që erdhën, ata insistonin që zona jonë të tërhiqet në pozicionet e më pashme. Ashtu dhe vepruam dhe tani më veç e kuptuam se është fundi i një luftë e cila bëri përpjekje për të arritur qëllimin e saj për çlirim dhe bashkim kombëtar. Data 20 majë, nënshkruhet një deklaratë politike në mes të përfaqsuessve të UCPMB-së dhe përfaqësuesve ndërkombëtare. Përkundër garancive që kishin dhënë përfaqësuesit ndërkombëtare që ndërmjetësuan procesin e paqes, ende nuk janë realizuar të drejtat historike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Andaj në këtë 20 vjetorë të betejës së Rahovicës me respekt të madh i kujtojmë të gjithë të rënët e luftës dhe të plagosur e saj. Një respekt të madh meritojnë të gjithë luftëtarët dhe ata që e ndihmuan në një formë a tjetër luftën e Ushtrisë Çlirimtare.

Lavdi Dëshmorëve

Mustafë Shaqiri -kom.Shpëtimi Zv.kom.  Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandat i Z.O.P.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Gjenerali Hammerstein ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kapaciteteve të MM dhe FSK

Sot zyrtarisht miku ynë Gjeneral Ralph Hammerstein, Drejtor i deritanishëm i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës …