leoni

Nazim Kadri Bakiu (10.8.1974 - 11.5.1999)

Nazim Kadri Bakiu (10.8.1974 – 11.5.1999)

Në mesin e trimave e trimëreshave që Bitija e Epërme i fali Kosovës, ishte edhe Nazim Bakiu, i biri i Kadriut dhe Halimes. Nazimi u lind në fshatin Biti e Epërme të komunës së Shtërpcës, më 10 gusht të vitit 1974. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, prej klasës së parë deri në të katërtën, kurse prej të pestës e vazhdoi në fshatin Popaj, fshat i banuar me Serb. Shkollën e Mesme Ekonomike e kreu në Ferizaj. Rrjedh prej një familje me traditë atdhetare. Nazim Bakiu ishte nip i lagjes së Palojve. Dajallarët e tij qenë larguar prej pushtetit jugosllav duke ikur për në Shqipëri dhe nuk kishin të drejtë të ktheheshin në Kosovë. Pasi që Nazmiu ishte djali më i vogël i kësaj familje, frymëzimin e parë atdhetar e mori nga e ëma, e cila çdo herë i kujtonte vëllezërit që rronin në Shqipëri dhe i rrëfente sugarit për të këqijat që kishte pësuar familja e saj nga pushtuesit serbë.
Nazmiu qysh i ri e ndien mbi supe peshën e robërisë. Policët serbë familjen e tij e kishin në shënjestër. Ia kërkonin vëllain Faikun, por edhe këtë e gjurmonin, meqë kishte qenë i dënuar dy muaj me burg, në vitin 1997. Ka marrë pjesë në demonstratat e viteve 90, në kohën kur policët serbë arrestonin dhe torturonin shumë shqiptarë liridashës. Ata ushtronin presion me tërë mekanizmin e tyre shtetëror, me qëllim që shqiptaret të shpërngulen nga kjo anë. Kushëriri i Nazmiut, Samiu, ishte rrahur nga policët serbë deri në vdekje. Ata kishin torturuar rëndë edhe vëllanë e Nazmiut Nesretin, të cilin e kishin rrahur në shtator të vitit 1998, kur edhe është sulmuar Bitia e Epërme.
Pas kthimit të Ahmet Kaçikut nga Gjermania, i cili ishte bashkëfshatar i Nazimit, në Zonën e Pashtrikut të UÇK-së, Nazimi si dhe dhjetë bashkëfshatarë të tjerë të fshatit, gjeti të gatshëm për t’u futur në radhët e UÇK-së. Nazimi ishte inteligjent. Dallohej në mesin e shokëve, meqë fliste pak por bënte shumë punë
Më 18 Korrik të vitit 1998, Nazim Bakiu kyçet në UÇK, në fillim në pikat e frontit Dardhishtë – Suharekë – Budakovë, si pjesëtar i Skuadrës së Parë, Togu i Dytë, Kompania e Tretë të Batalionit të Dytë të Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut. Bashkëluftëtarët e tij të ngushtë ishin:Ahmet Kaçiku, Agim Murati, Vahid Hyseni, Adem Sokoli, Gani Asllani, Afrim Bislimi, Izri Qerimi e shumë të tjerë.
Qysh në fillim të inkuadrimit në UÇK, ai dëshmon zell dhe shkathtësi në përdorimin e armëve dhe vendosmëri të paepur për të luftuar në vijat e para të frontit. Edhe pse i ri në moshë, ai fiton simpatinë e eprorëve të tij posaçërisht të Komandant Ahmet Kaçikut, i cili njihej me angazhim, disiplinë dhe përkushtim atdhetar.
Nazimi ishte pjesëmarrës në luftimeve që u zhvilluan në Rokopeq të Therandës (ish-Suharekë). Ai mori pjesë edhe në aksionin e luftimeve kur u godit helikopteri serb prej forcave të UÇK-së.
Në fillim të tetorit të vitit 1998, Nazimi me bashkëluftëtarë u transferua nga Zona e Pashtrikut, në Zonën Operative të Neredimes. Që prej momentit të sistemimit në Zonën Operative të Neredimes, Togu i Parë, Kompania e Dytë, Batalioni i Praë i Brigadës 161, ai gjithashtu tregoi vendosmëri të paepur për të luftuar në vijën e parë të frontit. Këtë e dëshmoi gjatë tërë kohës e posaçërisht në ofensivën e dytë të Jezercit. Detyrat të cilat i ka kryer asokohe kanë qenë detyra të diversantit, vëzhguesit dhe udhëheqësit të grupit të përbërë prej 15 ushtarësh.
Më 11 maj 1999, forcat serbe, mësyjnë me arsenal të madh ushtarak drejt pozicioneve të UÇK-së në Ceravik, afër Mollapolcit të Shtimes. Mirëpo, ata ndeshen me zjarrin e pandërprerë të çlirimtarëve. Kjo zonë patjetër duhej të mbrohej, pasi në këto anë gjendej Komanda e Zonës Operative të Neredimes, si dhe popullata civile. Prandaj, gjokset e luftëtarëve të lirisë bëhen fortesa të pathyeshme.
Në orët e pasditës së 11 majit intensifikohet sulmi armik, por edhe kundërsulmi i çlirimtarëve bëhet më i ashpër. Luftëtarët trima të UÇK-së arrijnë t’iu afrohen pozicioneve të armikut, deri në afërsi. Në atë moment, disa prej forcave serbe largohen në gjendje paniku, duke braktisur edhe radhët e veta. Ndërkohë, forcat armike pasi kishin identifikuar paraprakisht vendpozicionin e luftëtarëve të UÇK-së, intensifikojnë zjarrin e armëve, me ç’rast bie në altarin e atdheut, ushtari i UÇK-së, Nazim Bakiu dhe bashkëluftëtari i tij, Qamil Metë Osmani. Po atë ditë, nga radhët e popullatës civile u vrarë: Halil Hyseni nga Petrova, Hasan Beqa (13 – vjeçar) nga Reçaku, si dhe një plak nga Jezerci. Ky i fundit dhe Halil Hyseni edhe masakrohen nga forcat serbe. Kufomat e dëshmorëve tërhiqen nga bashkëluftëtarët dhe merren masat e nevojshme për organizimin e varrimit të tyre.
Trupin e dëshmorit Nazim Bakiu, bashkëluftëtarët, me nderime ushtarake e varrosin më 12 maj të vitit 1999, në fshatin Rancë. Në qershor të vitit 1999, bashkëluftëtarët, trupin e dëshmorit Nazim Bakiu e rivarrosin në varrezat e Dëshmorëve në fshatin Mollopolc të Shtimes.
Bashkëluftëtarët e Nazimit evokojnë kujtimet më të mira për shokun e tyre të luftës. Ata spikasin moralin luftarak, meqë ishte frymëzuar edhe prej Komandantit, Ahmet Kaçiku, me të cilin ishte në veprim deri në rënien e tij në mbrojtje të kufomave të popullatës së masakruar në Reçak, më 18 janar të vitit 1999. Evokojnë kujtime për luftimet që ka bërë në Dardhishtë, Budakovë, Llanishtë, Maçitevë, Rokopeq e më vonë edhe në Zonën e Neredimes, në Jezerc e Mollapolc. Nazimi dallohej edhe me humorin e lehtë e kuptimplotë. Bashkëluftëtarët i kujtojnë shakatë e tij, duke iu thënë: “Numëroni deri në dhjetë, se vetëm aq larg e kemi lirinë. Pastaj do të shëtisim të lirë nëpër Ferizaj, kurse policia dhe ushtria serbe do të shporren nga Kosova”.
Me vendimin e Komandës së Zonës Operative të Neredimes, për caktimin e vendit të varrezave të dëshmorëve, në shtator 1999, trupi i dëshmorit Nazim Bakiu rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve, në Ferizaj.
Përmendorja i është ngritur në vendin e rënies në Cerovik të Shtime, në Fshatin Brod me bashkëluftëtarët e tij dhe te Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj. Mirënjohje i janë ndarë nga Zona e Neredimes, nga SHP i UÇK-së dhe Ministria e Mbrojtjes e QPK – së.
Prindërit e Nazimit, Halimja e Kadriu, birin e tyre e kishin rritur dhe edukuar me përkushtim të lartë prindëror. Nazimi pas vetes ka lënë nënën, Halimen, si dhe vëllezërit Faikun, Skënderin, Nusretin, Sevdaimin, e Menduhin dhe motrat: Salën, Sabrijen, Imrijen dhe Dritën.
Për Nazimin është shfaqur një film dokumentar në “TV Liria”. Për jetën dhe veprën e tij ka shkruar Nazmi Krasniqi, në librin “Kohë të Zjarrta”. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Mazllom Soba (28.4.1971 - 18.10.1998)

Ilir Mazllom Soba (28.4.1971 – 18.10.1998)

Menjëherë pas krismave të para të lirisë në Prekaz e Gllogjan në mars të vitit …