Në shkollën “Tefik Çanga” në Ferizaj zhvillohet simulim i evakuimit nga zjarri

Në shkollën fillore “Tefik Çanga” në Ferizaj është zhvilluar një ushtrim simulues për evakuimin dhe reagimin në rast zjarri, me qëllim rritjen e sigurisë dhe gatishmërisë së komunitetit shkollor për përballimin e situatave emergjente.

Në këtë aktivitet morën pjesë Policia e Kosovës, Brigada e Zjarrfikësve, ekipet e urgjencës mjekësore, Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të tjera relevante.

Gjatë simulimit, në objektin e shkollës u krijua një situatë e simuluar zjarri dhe tymi, ndërsa ekipet emergjente ndërhynë për evakuimin e nxënësve dhe stafit. Zjarrfikësit dhe policia u futën në hapësirat e tymosura artificialisht për të nxjerrë nxënësit dhe mësimdhënësit nga klasat.

Një ekip tjetër realizoi nxjerrjen e një personi të lënduar nga bodrumi i shkollës. I lënduari u nxor me barelë, iu dha ndihma e parë nga ekipet mjekësore dhe më pas u transportua me autoambulancë për trajtim të mëtejshëm.

Operacioni zgjati rreth dhjetë minuta dhe u zhvillua në kushte të kontrolluara. Pas përfundimit të ushtrimit, në oborrin e shkollës u zhvillua një diskutim me nxënësit, personelin e shkollës dhe ekipet emergjente, ku u analizua mënyra e reagimit, përparësitë dhe aspektet që mund të përmirësohen në raste të ngjashme.

Zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Ferizajt, Jeton Avdiu, tha se ekipet emergjente gjatë ushtrimit reaguan njësoj sikurse në një rast real.

“Me të marrë lajmin, kemi dalë në vendin e ngjarjes, e kemi bërë evakuimin e të lënduarve dhe tërheqjen e qetë dhe të ngadalshme të nxënësve që kanë qenë në shkollë”, deklaroi Avdiu.

Ai theksoi rëndësinë e këtyre ushtrimeve për rritjen e vetëdijes dhe përgatitjes së nxënësve për situata të ndryshme emergjente.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, bëri të ditur se institucionet përgjegjëse janë duke punuar që të gjitha shkollat e komunës të kenë plane të qarta evakuimi.

Sipas tij, një ushtrim i ngjashëm ishte zhvilluar edhe vitin e kaluar në shkollën “Tefik Çanga”, ndërsa aktivitete të tilla po vazhdojnë me qëllim të rritjes së sigurisë dhe gatishmërisë së komunitetit shkollor.

Ushtrimi u realizua nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, në bashkëpunim me Shoqatën e Pensionistëve të TMK-së/FSK-së “Simpatizantët”, shoqatën “Elita”, e cila merret me menaxhimin e emergjencave, Drejtorinë e Arsimit, Policinë e Kosovës, Brigadën e Zjarrfikësve, Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Kryqin e Kuq dhe institucione e organizata të tjera që kanë rol në menaxhimin e situatave emergjente.

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte që nxënësit, mësimdhënësit dhe personeli i shkollës të jenë më të përgatitur për të reaguar në mënyrë të qetë, të organizuar dhe të sigurt në rast të një emergjence reale.

Kontrolloni gjithashtu

U përurua Qendra e Mjekësisë Familjare në Kijevë

Sot, në fshatin Kijevë, u përurua objekti i ri i Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF). …