Mevlan Saraçi është drejtori i ri i Teatrit “Adriana” në Ferizaj, ka njoftuar kryetari i komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu. Ai ka takuar drejtorin e ri të tetarit pët të cilin ka thënë se është një aktor i dëshmuar, profesionist i rrallë e mbi të gjitha emblemë e artit skenik jo vetëm në Ferizaj por edhe më gjerë.
“Kënaqësi të takohemi bashkë për të vënë në tryezën tonë të punës, planet e së ardhmes për Teatrin “Adriana” në Ferizaj.
Me këtë rast, falënderojmë edhe drejtorin e deritanishëm të Teatrit, Fatmir Hyseni për kontributin e tij dekadësh në drejtimin e institucionit, ka shkruar kryetari Aliu.
Teatri “Adriana” në Ferizaj nis një kapitull të ri të funksionimit me emërimin e aktorit Mevlan Saraçi në pozitën e drejtorit.
Me një përvojë të gjatë në skenë dhe një kontribut të njohur në artin teatror, Mevlan Saraçi si drejtues i Teatrit “Adriana”, pritet të sjellë përvojën dhe përkushtimin e tij profesional në shërbim të zhvillimit të jetës teatrore në Ferizaj.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport shpreh mirënjohje të veçantë për Fatmir Hysenin, i cili për plot 21 vjet udhëhoqi Teatrin “Adriana”. Përgjatë më shumë se dy dekadave, angazhimi i tij në drejtimin e këtij institucioni ka qenë pjesë e rëndësishme e zhvillimit dhe vazhdimësisë së veprimtarisë teatrore në qytetin tonë. E falënderojmë për punën, përkushtimin dhe kontributin e tij të çmuar në shërbim të teatrit dhe kulturës ferizajase.
Mevlan Saraçit i urojmë suksese në detyrën e re, me besimin se bashkëpunimi institucional do të vazhdojë në funksion të zhvillimit artistik dhe të krijimit të mundësive të reja për Teatrin “Adriana”
Në takim me drejtorin e ri të teatrit ishte edhe Drejtori komunal për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Bytyqi.