Në Viti u mbajt tryezë për shqyrtimin e Draft Strategjinë komunale kundër dhunës në familje

Organizuar nga Zyra e Kryetarit të komunës së Vitisë, respektivisht zyra për Barazi Gjinore dhe në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSCE, është mbajtur tryeza për shqyrtimin e Draft Strategjisë Komunale kundër Dhunës në Familje dhe Planit të Veprimit 2019 – 2023. Gazmend Murseli nga OSCE, fillimisht ka theksuar se misioni i OSCE-së, pos aktiviteteve të tjera, është i fokusuar edhe në parandalimin e dhunës në familje. Ai po ashtu ka thënë se do të vazhdojnë të kenë fokusim edhe në vetëdijesimin e shoqërisë në parandalimin e këtij fenomeni. Kurse zëvendëskryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu, ka përgëzuar grupin punues që ka hartuar këto dy dokumente, të cilat i cilësoi si shumë të rëndësishme për komunën e Vitisë. Lidhur me dy dokumentet që u shqyrtuan në këtë tryezë, foli zyrtarja për barazi gjinore në Viti Ibadete Hyseni, e cila tha se Draft strategjia komunale kundër dhunës në familje është një prej dokumenteve të rëndësishme të komunës , hartimi i së cilës ka ndjekur një proces të gjatë diskutimesh dhe kontributesh konkrete të shumë institucioneve relevante që punojn në këtë fushë. Ajo ndër tjerash ka përmendur edhe fushat e veprimit siç janë: eliminimi i pabarazive dhe dhunës në familje, arsimimi dhe informimi, fuqizimi i bazës ekonomike, fuqizimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional etj. Më tej, ka prezentuar edhe një statistikë të rasteve të dhunës në familje dhe numrin e divorceve si pasojë e dhunës në familje. Pjesëmarrësit e kësaj tryeze paraqitën vërejtje dhe sugjerimet e tyre rreth draft strategjisë komunale kundër dhunës në familje, ndërkaq si problem u ngrit mungesa e mjeteve për strehimin e viktimave të dhunës në një nga strehimoret e komunave fqinje, pasi që Vitia ende nuk e ka një të tillë. Ky takim , kishte për qëllim bashkërendimin e aktiviteteve të akterëve që punojnë në parandalimin e dhunës në familje, si dhe mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave, e të cilat aktivitete do të inkorporohen në Planin e Veprimit për periudhën 2019 – 2023.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …