leoni

Edi Rama

Nertil Jole: Nuk mjafton të shajmë Ramën, por duhet logjikuar realisht

Që takimi Rama-Vuqiç-Zaev në Shkup do të ngjallte interes e diskutime është padyshim normale, sepse bëhet fjalë për një zhvillim jotradicional në marrëdhëniet mes vendeve të rajonit të Ballkanit. Ka brenda tij politikë, ekonomi, marrëdhënie rajonale e fqinjësore, por edhe më shumë se aq.

Nëse do të doje ta ndërlikoje idenë e formalizuar në Shkup si “Ballkani i Hapur”, mundësitë i ke pafund. Mund të përdoresh fakte të hidhura historike të marrëdhënieve në Ballkan, mund të bësh interpretime, edhe të natyrës folklorike, për të mbetur në të njëjtat ujëra të turbullta marrëdhëniesh dy e më shumë palëshe, megjithëse jetojmë në vitin 2021.

Ka tre reagime, në të tre shtetet ku banojnë shqiptarë që më tërhoqën vëmendjen. Kim Mehmeti në Maqedoninë e Veriut, Milazim Krasniqi në Kosovë dhe Lulzim Basha në Tiranë. Reagimet e tyre kanë një të përbashkët: Mjafton të shajmë Ramën. Nuk ka rëndësi problemi, nuk ka rëndësi zhvillimi, madje nuk ka rëndësi as fakti që të tre liderët janë të zgjedhur e kanë mandate përfaqësimi. As produkti nuk ka rëndësi. Mjafton të shajmë Ramën!

Zoti Mehmeti është tashmë i zakonshëm në “gjetjet” e tij anti-Ramë. Kurse profesor Krasniqi në një reagim plot kontradikta e zgjeron konspiracionin me zotin Ali Ahmeti, por dorëzohet edhe ai, kur pranon se e vetmja e ardhme për të tre vendet është BE.

Dhe pastaj Lulzim Basha, që në një takim me Kryetarin e Komunës së Preshevës zotohet se do t’i zgjidhë hallet e saj. Duke fajësuar Ramën natyrisht. Por duke “harruar” qëndrimet e Berishës për UÇK-në dhe Rambujenë.

Askush prej të treve më sipër nuk gjen arsye të nxisë kryeministrin e Kosovës të jetë pjesë e tryezave, pavarësisht qëndrimit të tij. Edhe ai është i zgjedhur e ka mandat përfaqësimi. Ndërkohë që, të tre janë duke i qarë hallin Kosovës. Flasin për historinë dhe gjenocidet serbe, patriotizmin apo tradhtinë, e për çdo konspiracion të sotëm në dëm të shqiptarëve, por jo për të ardhmen e përbashkët të vendeve të rajonit drejt Europës. Mjafton të shajnë Ramën.

Për dy të palët vlen të kujtohet se roli i kryeministrit Rama në zhvillimet në rajon është ndërkombëtarisht i vlerësuar, e se të vërtetat e Kosovës janë thënë si asnjëherë më parë në Beograd po prej tij. Faktori shqiptar në rajon është gjithnjë e më i rëndësishëm dhe Edi Rama ka meritën e vet për këtë. Patriotizmi folklorik e konspiracionet nuk i vlejnë më kujt.

Kurse Lulzim Basha nuk duhet të harrojë se vetëm para tre muajsh ka humbur për të katërtën herë përballë Ramës e se në shtator do të fillojë mandatin e tij të tretë si opozitë. Natyrisht ka arsye pse ka ndodhur kështu.

Ndaj, të tre palët duhet ta dinë se “Nuk mjafton të shani Ramën”!

Ajo që mjafton dhe i vlen gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, është perspektiva për të rritur bashkëpunimin ekonomik në rajon duke zhvilluar Tregun e Përbashkët Rajonal, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, për të rritur atraktivitetin dhe konkurrencën e rajonit dhe për të sjellë rajonin më afër tregjeve të BE-së.

Një shumicë dërrmuese e qytetarëve dhe bizneseve e mirëpresin bashkëpunimin rajonal. Arritjet në fushat e tregtisë, investimeve, lëvizshmërisë, energjisë, transportit, infrastrukturës dixhitale dhe sektorëve të tjerë i kanë bërë njerëzit më të afërt dhe kontaktet e biznesit në rajon më të lehta dhe më të lira, dhe kanë krijuar mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset.

Hapat drejt Tregut të Përbashkët Rajonal janë edhe një instrument i rëndësishëm për të trajtuar efektet afatmesme dhe afatgjata të pandemisë. Një integrim i përmirësuar i vendeve të Ballkanit perëndimor në treg, parashihet se mund të sjellë një shtesë prej 6.7% të rritjes së PBB-së në rajon, ndaj agjenda e përbashkët e tregut rajonal do të gjenerojë mundësi të reja për qytetarët dhe komunitetet e biznesit, sidomos për Shqipërinë dhe Kosovën.

Forcimi i bashkëpunimit në disa boshte kryesore, siç janë lëvizja e mallrave, lëvizja e njerëzve, liria e sigurimit të shërbimeve, lëvizja e lirë e kapitalit, rritja e investimeve në të gjithë rajonin, krijimi zonës free-roaming dhe zvogëlimi i tarifave të roamingut midis Ballkanit Perëndimor dhe BE, sigurimi i aksesit në internet broadband në secilën ekonomi, mbulimi i të paktën një korridori kryesor rajonal me 5G deri në fund të vitit 2025, zvogëlimi i kostove të pagesave në rajon dhe përgatja për t’u bashkuar me Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), janë të gjitha hapa dhe progrese të domosdoshme që gjithë rajoni, sidomos Shqipëria e Kosova të përgatitet për realitetet e sotme dhe sfidat e së nesërmes.

Ndaj, më shumë sesa të gjenden shkaqe dhe arsye për të zhvilluar një politikë të mbyllur për interesa politike vetjake apo inate absurde personale, është e nevojshme që të shëndoshim këtë bashkëpunim, e ta pasurojmë atë me më shumë ide, veprim e bashkëpunim të ndërsjellë, si interes dhe emërues i përbashkët për mirëqenie më të lartë dhe integrim më të shpejtë në familjen e Bashkimit Europian.

Kontrolloni gjithashtu

Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj; Faktorët që ndikojnë tek fëmijët për t’u bërë të dhunshëm e për të kryer krime janë shumëdimensionalë II

Faktorë ekonomik: varfëria, veçanërisht në zonat rurale e të izoluara nga pjesët e tjera të …