Ramush Haradinaj

Nëse flasim për meritat e sakrificën, Ramush Haradinaj ka merituar më shumë sesa postin e kryetarit të Kosovës

Tani kur po bëhen përpjekje për formimin e koalicionit të ri qeveritar, Albin Kurti e Vjosa Osmani, kanë biseduar sa për sy e faqe  me ish-kandidatët për kryetar e kryeqeveritar, që dolën nga  zgjedhjet e 14 shkurtit,  jo për të kërkuar ndonjë mbështetje  apo bashkëqeverisje, por thjesht për t’ iu kujtuar, se epoka e tyre, epoka e komandantëve të luftës ka marrë fund, edhe pse kjo mbetet për t’ u parë, por kurrë për t’ u bindur paraprakisht.

Ftesës së dy krerëve të ardhshëm të institucioneve të Kosovës, iu ka përgjigjur edhe Ramush Haradinaj, si gjithnjë pa komplekse, pa inate e vija të kuqe, edhe pse i vetëdijshëm për pozitën e palakmueshme në zgjedhjet e fundit.

Kryetari i AAK-së në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit,  kishte paraqitur kandidaturën e tij për kryetar të Kosovës, i bindur se do të fitonte  të paktën njëherë më shumë  deputetë, sesa ka fituar aktualisht dhe duke besuar se është kandidati më serioz për postin e kryetarit të Shtetit,  në këtë periudhë plot me sfida për të ardhmen e vendit.

Ramush Haradinaj është ndër më meritorët e luftës së UÇK-së, çlirimit dhe ndërtimit të vendit, por kjo as është çmuar as pritet të çmohet edhe për një kohë në vendin tonë, sepse luftën për liri e kanë përkrahur dhe kanë marrë pjesë në të,  vetëm rreth 15, apo 20 për qind të qytetarëve tanë.  Kjo pjesë militante e kombit e ka bërë historinë më të re të  Kosovës, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari dhe ushtarët e eprorët e UÇK-së. Mund të spekulojmë pa fakte se luftën e UÇK-së e kanë simpatizuar edhe 20 për qind e atyre që kanë ikur nga vendi gjatë kohës së luftës, për të shpëtuar kokat e veta dhe të familjeve të tyre. Por me asnjë fakt, me asnjë shifër, qoftë edhe paradoksale nuk mund të vërtetohet e të dëshmohet se luftën e UÇK-së e ka mbështetur tërë populli, apo shumica dërrmuese, sepse kjo nuk ka ndodhur, andaj edhe ndodh kështu sikur ndodhi në zgjedhjet e fundit dhe jo vetëm në këto të fundit.

Ramush Haradinaj me krejt luftëtarët e lirisë, invalidë, veteranë, familjarë dëshmorësh, simpatizantë,  ka marrë pak më shumë se 60. 000 vota, pesë  herë më pak sesa ka marrë, Vjosa Raif Osmani, e vetme, apo aq vota sa ka marrë një deputet i Albin Kurtit, një njeri që as ka qenë në luftë, as i ka interesuar fare ajo, as i ka munguar një qime floku nga regjimi i Milosheviqit, përkundrazi…

Duhet kujtuar këtu faktin se në zgjedhjet e delegatëve të Krahinës së Kosovës e Metohisë pas mbarimit të luftës së Dytë Botërore, edhe më shumë vota sesa ka marrë sot Vjosa,  kishte marrë “komshia” i babait të saj,  Ali Shukria dhe shumë të tjerë si ai dhe ata. Andaj nuk duhet të habitemi lidhur me “pagabueshmërinë” e popullit. Ndërsa ata që kishin luftuar kundër ripushtimit serb të Kosovës, ishin pushkatuar me gjyq e pa gjyq, ishin dënuar prej një deri në 20 vjet, burg dhe familjet e tyre i kishin katandisur në mënyrën më çnjerëzore.

Nuk është pa vend të kujtohet me këtë rast edhe një fakt i palavdishëm i historisë sonë “lavdiplote” pasi  për Marshall Titon kanë votuar hiq më pak se 8o për qind e shqiptarëve të Kosovës,  gjatë tërë kohës së sundimit  të tij, kur Adem Demaçi me përkrahësit e tij ndodheshin  në burgjet e Jugosllavisë, duke kërkuar drejtësi, barazi e liri.

Duhet ta sjellim në kujtesë edhe rastin e  pas vdekjes së Titos, në qershor të vitit 1980, kohën kur disa qindra mijëra shqiptarë jo vetëm nga Kosova, kanë bërë pelegrinazh te varri i tij,  në Dedinje, për afër një vit  duke kryer një “haxhillëk komunist” dhe pikërisht  në atë Dedinje,  ku Milosheviqi kishte hapur varrezën më masive për shqiptarët që i kishte vrarë  e kidnapuar makineria e tij e krimit gjatë luftës në Kosovë,  në vitin 1999.

Tani aktualisht, 21 vjet pas luftës  nuk kemi të bëjmë me krahasime, që kanë për bazë meritat dhe gjakun e derdhur për liri, por me “njerëzit e lirë të botës së re”, të cilët e duan Kosovën për ta qeverisur vetë, duke e  “çliruar”  atë me fuqinë e votës, duke e “çliruar”  nga komandantët e luftës, të cilët e kishin çliruar vendin  nga regjimi kriminal e barbar serb, me tytën e armëve dhe gjakun e derdhur rrëke për liri.

“Populli politik ka dalë në Referendum” dhe ia ka dhënë votën  “krijuesve të botës së re”, të cilët nuk pyesin për meritat e qytetarëve të vendit tonë  para dhe gjatë luftës, por për meritat pas çlirimit të vendit, për sakrificat nëpër protesta e  demonstrata kundër protektorëve të huaj, por edhe kundër institucioneve të vendit.

Pjesës së popullit që ia ka falë besimin,  Albin Zaim Kurtit e Vjosa Raif osmanit, nuk iu bën përshtypje fakti kur Ramush Haradinaj me plagë në trup, në maj të vitit 1997  kishte ngarkuar mbi supe trupin e  vëllait, Luanit, i rënë  nën breshërinë e armëve serbe, në luftë kundër forcave vrastare të Milosheviqit, në përpjekje për ta kaluar kufirin dhe për të sjellë në Kosovë, armë municion dhe luftëtarë.

Pjesës së popullit që ia ka falë besimin,  Albin Zaim Kurtit e Vjosa Raif osmanit, nuk iu bën përshtypje lufta e Ramush Haradinajt në Zonën e Dukagjinit, pavarësisht se ai  mbartur mbi supe pjesën më të rëndë të luftës së UÇK-së, as iu ka bërë përshtypje rënia e vëllait tjetër dëshmor gjatë luftës, Shkëlzen Haradinaj, as vrasja mizore e vëllait tjetër, Enverit, pas luftës, as rënia e martirizimi  i  sa familjarëve dhe të afërmeve të tij, çlirimtarë të Kosovës, as lufta e pandërprerë e vëllait tjetër, Daut Haradinaj dhe e Haradinajve e më gjerë. Meritat e Ramush Haradinajt në luftë për çlirimin e Kosovës, janë të pamatshme. Vetëm një ditë, nga 500 ditët e luftës së komandant Ramushit e bashkëluftëtarët e tij, ka më shumë vlerë sesa  aktiviteti politik i një kandidati që ka fituar qindra e mijëra vota në zgjedhjet e fundit.

Po ja që tani pas çlirimit të Kosovës nga robëria gati njëshekullore e Serbisë, ka rënë shumë poshtë çmimi i lirisë së vendit.

Disa madje edhe qeshin e i përbuzin meritat e gjakun e derdhur për liri.

Disa të tjerë mohojnë deri edhe ekzistencën e luftës çlirimtare.

Disa fyejnë dhe e shajnë atë përditë  nëpër medie mercenare, gazeta e portale, që janë mbetje ideologjike e  gazetarisë titiste e rankoviçiste.

Ky popull votues kurrë nuk ia fali besimin, Adem Demaçit, nëse ka qenë ndonjëherë  fjala për mëritë, qëndresë, dinjitet, burrëri, trimëri, sakrificë, besnikëri ndaj kombit e atdheut, dituri, kulturë, emancipim kombëtar e human e mbi të gjitha njerëzi e humanizëm.

Populli që ka votuar Albin Zaim Kurtin dhe Vjosa Raif Osmanin nuk mund të fajësohet pse u ka dhënë votat të zgjedhurve të vet, nëse nuk ka qenë i manipuluar dhe na mbetet të besojmë se shumica e këtij populli votues, nuk ka qenë e manipuluar. Andaj nuk ka pse na mbetet hatri, pse kjo pjesë e 20 përqindëshit nga populli afër dy milionë, kësaj radhe nuk iu ka  falur më shumë besim: Ramush Haradinajt, Enver Hoxhajt, Fatmir Limajt.

Ky “populli tjetër”, pakicë politike,  që identifikohet  me luftën, ose nga ata që nuk kanë marrë pjesë në luftë, por e kanë  përkrahur atë,  e di më së miri pse nuk ua dha besimin komandantëve.

Deri diku këtë e dinë edhe vetë komandantët.

Ata nuk treguan me vepër se  e duan sa duhet njëri tjetrin, andaj edhe i ndëshkoi me votë populli votues i UÇK-së.  Po të ishin bërë bashkë, ashtu sikur në luftën e UÇK-së, sot do të kishin numëruar të paktën 30 apo 35 deputetë, në mos më shumë.

Populli që i harron apo i anashkalon meritat e sakrificat e çlirimtarëve është i gjykuar të mësojë sërish pjesë nga historia e pamësuar, nga historia  e pa mbajtur mend.

“Mos na rafte ta provojmë”, por po na ra, do të na përsëritet e njëjta. Çlirimtarët sërish do t’ i rrokin armët, ikanakët me makinat e tyre, tani nëpër rrugët e asfaltuara nga qeveritë e komandantëve, sakaq do të marshojnë për  në Stankovec, në Shkup, në Kukës, në Tiranë e gjithandej nëpër qytet e Evropës e të botës.

Dhe sërish do të na shajnë e do të na fyejnë se ua kemi prishur rehatinë… Pastaj sapo të kthehen nga “ferri” që kanë përjetuar gjatë ikjes do të kërkojnë të na qeverisin.

Këta trima që shohin ëndrra  trimërie në pikë të ditës, mendojnë se Kosova është krijuar vetëm që ata ta qeverisin, sepse qenkan të “pa korruptuar” edhe pse qindra prej tyre i kanë bërë të ditura pasuritë  milionëshe, të fituara me “djersën e ballit” dhe jo si komandantët që i paskëshin fituar,  pa djersë.

Meritat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të shënohen ne faqet më të ndritura të historisë së Kosovës dhe të kombit në përgjithësi, pavarësisht përpjekjeve të jo pak mohuesve  shqipfolës e shqipshkrues, për ta përbaltur e për ta deformuar këtë luftë, vetëm sepse ata nuk kanë marrë pjesë në të, por e paskan kërkuar çlirimin në mënyrë paqësore, pa u prishur me fqinjët e me përkrahësit e tyre.

 

Ahmet Qeriqi

16. 3. 2021

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …