Nexhmi Lajçi: Gëzuar 30 Dhjetorin

Sot është 30 dhjetori DITA E VETERANIT TË UÇK-së, ditë të cilën pas padrejtësive të mëdha dhe roberisë gati njëqind vjeçare Kosova dhe populli i saj e kanë merituar.
Jo vetëm sot po sot e për mot, ne duhet t’i nderojmë të gjithë ata që përdorën trupin e tyre si armë, dhe armën si pjesë të trupit, ata që në kohët më të veshtira me sherbimin e tyre, çliruan kombin dhe i kthyen nderin atdheut, duke mos i harruar kurrë por duke i përkujtuar gjithmonë ata që dhanë jetën e tyre për të shpetuar jetën tonë, deshmorët e atdheut. Bashkluftetarët tanë-Dëshmorë, nuk i kemi fizikisht pranë në çaste gëzimesh, por ata gjithmonë na mbajnë afër ne, duke i bërë roje Atdheut, le ti mbajmë në mendje e zemër gjithëherë, ti kujtojmë sa herë që përmendim Atdheun, të kujdesemi për familjet e tyre, tua gëzojmë fëmijët e tyre, ti ledhatojmë ata sa herë që ti ledhatojmë fëmijet tanë.
Ashtu si në ditën e Dëshmorëve të Atdheut që vargu i popullit do të duhej derdhur lum pranë varreve të atyre që derdhen heroizëm në fushë-beteja e me gjak ngjyrosen flamurin kombetarë, po ashtu edhe sot, sheshet e qyteteve të Kosovës do të duhej mbushur plot me popull për ti ledhatuar plagët e luftës e nderuar uniformat e Ushtrisë së shenjtë Çlirimtare të ndriçuara nga emblema e artë e UÇK-së gjatë buçitjes së kalldremëve nga marshimi i vashave dhe djemve trima – veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në ditën e veteranit do të organizohej në mënyrën më madheshtore nga shteti i ndertuar me sakrificën e tyre të madhe.
Sa shumë na mungoi ngrohtësia e popullit tonë deri më sot, ledhatimi e buzëqeshja si shenjë rrespekti e mirënjohjeje për gjithçka që përjetuam e bëmë për ketë atdhe. Ishte e dhimbshme përbuzja ndaj nesh gjatë përpjekjeve të para të përgatitjes për luftë, sa zhgenjyese po aq edhe e rrezikshme deri afër deshtimit të luftës sonë për liri ishte mos mbeshtetja kur ne kërkonim t’na i shtonin radhët e Kosova po digjej flakë. Përherë në fushëbeteja me njërin sy shikonim kah armiku e me tjetrin kah populli se ishim pak, shumë pak e kishim nevoj për shokë e luftetarë, për armë e përforcime për përkrahje morale e fizike ndërsa ato nuk na erdhen kurrë. Përkundër gjithë kësaj në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk peshuan ata që nuk erdhen e as ata që iken e na lanë vetëm, por, ata pak që mbetën i dhanë forcë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke bashkjetuar me vdekjen fituan përkrahjen e popujve liridashes dhe bashkë me ta e udhëhoqën Kosovën drejtë fitorës së madhe.
Përderisa ushtria serbe e maste forcën e vet pushtuese me numrin e ushtarëve, aeroplanëve, tankseve dhe armatimit modern duke përfshi edhe armet kimike të shkatërrimit në masë, forcën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e bënte atdhedashuria, shpirti liridashes dhe guximi për të vazhduar luftën deri në çlirim e bashkim kombetarë. A e meritojnë të pakten sot, në ditën e tyre, një përshendetje të sinqertë a një fjalë miradie ata që lanë lodrat për ti kapur pushkët e lirisë, lanë shkollat për t’i mbushur malet si çlirimtarë, lanë shtëpitë për t’i kthyer atdheut lavdinë, lanë mergimin për t’i sjell popullit lirinë, ATA që sot vazhdojnë jetën të vetëdijshëm se kanë vdekur njëherë.
Ditën e Veteranit duhet ta shenojmë çdo ditë duke i nderuar e rrespektuar ata që në ditët më të veshtira që përjetoi populli ynë, nderuan kombin e atdheut i dolen zot.
Lavdi e përjtshme Dëshmorëve ndër breza, lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …