Nexhmi Lajçi: Politika evropiane e shitur në Serbi e Rusi ka kthyer timonin në kah të padëshirueshëm për shqiptarët

Nexhmi Lajçi: Në prag të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës, marrëzira evropiane nuk ka të ndalur

Mësymjet e fqinjëve agresorë kundër kombit e tokave Iliro- shqiptare nuk patën të ndalur kurrë, prandaj edhe përpjekjet e shqiptarëve për ta mbrojtur atdheun dhe qenien e vet para orekseve të çmendura të tyre nuk reshtën asnjëherë. Secila periudhë historike pati ngjarje të mëdha nga të cilat dolën figura legjendë të kombit dhe data të mëdha si 28 nëntori që bashkë me kombin shqiptar u shenjtëruan ndër shekuj për mbijetesën e tyre nëpër vuajtjet golgotiane dhe gjakun e derdhur për trojet stërgjyshore. Nëntori ndër shqiptarë është muaji i shenjtë, sepse mban në vete ngjarjet më të mëdha historike që kombin shqiptar e shpëtuan nga zhdukja si qenie dhe i dhanë shpresë për të vazhduar drejt ribashkimit të të gjitha pjesëve të atdheut, të copëtuara dhunshëm nga armiqtë. Duke shfletuar historinë tonë, kuptojmë se fitoret e njëpasnjëshme të Gjergj Arianitit kundër Perandorisë Osmane i hapën rrugë Gjergj Kastriotit të kthehet në atdhe dhe me 28 nëntor 1443 ta ngritç flamurin e Kastriotëve në Krujë, flamurin i cili i bashkoi shqiptarët dhe u shenjterua me gjakun e trimave e trimëreshave nëpër beteja, dhe duke udhëtuar nëpër flakët e luftërave shekuj me radhë arriti në Vlorë për tu ngritur madhërishëm nga plaku urtë Ismail Qemali dhe nga aty mbuloi gjithë shqiptarinë. Sigurisht që ngritjes së flamurit dhe shpalljes së pavarësisë së Shqiperisë i parapriu bashkimi gjithshqiptarë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimi gjithshqiptarë në Rilindjen Kombëtare shqiptare dhe shumë bashkime të tilla gjithshqiptare që edhe sot do të duhej ti merrnim si mësim dhe frymëzim për të arritur fitorën e madhe, Ribashkimin e Atdheut, edhe përkundër kundërshtimeve të pabaza të Evropës Plakë historikisht aleate e armiqëve tanë.

Nuk duhet harruar kurrë se vuajtjet dhe mjerimin shqiptarëve pos dëbimeve masive, vrasjeve, masakrave, gjenocidit e spastrimit etnik nga trojet e tyre siç ndodhi më 1878 me shqiptarët e Sanxhakut të Nishit dhe rajonit të Toplicës më ç’rast Serbia përmes tokës së djegur ushtroi gjenocid dhe spastrim etnik në mbi 700 vendbanime dhe dëboi mbi 300 000 shqiptarë, ia shtuan edhe vendimet e padrejta e të pamëshirshme të fuqive të mëdha në të gjitha kohërat, si në Paqën e Shën Stefanit, Kongresin e Berlin, Konferencën e Londrës, të Parisit etj të cilat përkrahën, përligjën dhe vulosën zgjerimin e Greqisë, Bullgarisë, Serbisë e Malit të Zi në dëm të trojeve të lashta shqiptare. Kjo padrejtësi ndaj kombit shqiptar, ndër më të vjetrit në Evropë dhe më i vjetri në Gadishullin Ilirik (Ballkani i sotëm) vazhduan edhe pas mizorive që ushtroi Aleanca Ballkanike në luftërat balkanike me 1912-1913. Formimi i kësaj aleance ( Greqi, Bullgari, Serbi dhe Mal i Zi) u bë me qellim të ndarjes së Shqiperisë dhe Maqedonisë në të mire të shovenistëve fqinj, ndërsa Traktati e fshehtë i Londrës mbahet me 26 prill 1915 në mes të fuqive të Antantës dhe qeverisë së Italisë për të plotësuar pretendimet e imperializmit Italian në Shqiperi dhe lakmitë ekspasioniste të Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore në Konferencën e Paqës të mbajtur në Paris me 1919 dhe krijimin e Jugosllavisë së Versajës u hartuan projekte për të ardhmen politike të Shqiperisë në të cilat parashikohej coptimi i shtetit shqiptar dhe zhdukja e tij nga faqja e dheut. Po në këtë vit Beogradi zyrtar solli Ligjin për Reformën Agrare dhe në vitin 1931 edhe Ligjin për Kolonizimin e Viseve Shqiptare të mbetura nën Jugosllavi. Në vitin 1938 midis Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Mbretërisë Jugosllave u nënshkrua konventa famëkeqe për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi e cila parashihte shpërnguljen e 40 000 familjeve me mbi 300 000 banorë. Edhe në mes të Greqisë dhe Turqisë më 30 janar 1923 në Lozanë të Zvicrrës ishte nënshkruar marrëveshja për shkëmbimin e popullsive nga e cila marrëveshje më së keqi e pësuan shqiptarët e sidomos ata të Çamerisë.

Pas Luftës së Dytë Botërore edhe përkundër faktit se shqiptarët ishin aktive në Luftën Antifashiste përkrah të të gjithë popujve tjerë liridashës, dy të tretat e territorit shqiptar mbetën nën Greqi dhe Jugosllavi ku permes politikës së tokës së djegur edhe fillon spastrimi etnik i trojeve shqiptare. Pason marrëveshja e radhës për shpërnguljen e shqiptarëve tani në mes të Turqisë, Greqisë dhe Jugosllavisë në shkurt të vitit 1953 e njohur si Pakti Ballkanik, ku sipas statistikave të publikuara del se gjatë kësaj periudhe deri në vitin 1965 për në Turqi janë shpërngulur 452 371 shqiptarë. Pos shpërnguljeve proceset për asimilimin e shqiptarëve ishin të pa ndërprera dhe më të pamëshirshme. Shqiptarët e besimit ortodoks për ti shpetuar shpërnguljeve, vrasjeve e barbarive serbo-greke u asimiluan në serb e grek, ndërsa shqiptarët e besimit islam duke mos i mbijetuar dhunës serbo-malazeze u kthyen në boshnjak. Pjesa e mbetur e kombit shqiptarë vazhdoi luftën për mbijetesë, dhe rrezja e pare e shpresës së shqiptarëve nën Jugosllavi ishte Ademi i Parë (Adem Demaçi) i cili vuri themelet e organizatës patriotike Levizja Revolucionare për bashkimin e Shqiptarëve ku edhe korri fitorët e para kundër Jugosllavisë ; flamur e kushtetutë si Gjergji i Parë (Gergj Arianiti) me fitorët e tij kundër Perandorisë Osmane, bashkoi shqiptarët si Gjergji i Dytë (Skenderbeu) me 28 nëntor me ngritjen e flamurit në Krujë dhe me Besa Besë në Lezhë, ringjalli shqiptarët për 68-tën, 81-tën, 89-tën deri në Luftën e Madhe (Luftën e UÇK-së) si në kohën e Rilindjes Kombetare për tu bashkuar nga plaku i urtë Ismail Qemali në ditën e madhe me 28 nëntor në Vlorë.

Për ta përcaktuar fatin e kombit tani Ademit të Parë po i bashkangjitej Ademi i Dytë kur me 28 nëntor lind Adem Jashari i cili me një heroizëm të paparë e me gjakun e tij dhe pothuajse të të gjithë familjes i dha vulë lirisë së Kosovës. Po në këtë datë, me 28 nëntor 1997 pas një rrugëtimi disa vjeçar nëpër akcione e luftëra kundër maqinerisë vrastare ushtarako-policore serbe, del në skenë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila u mbijeton sulmeve, shantazheve, etiketimeve, tradhtive etj, si nga Serbia, politika shqiptare si në Kosovë e Shqipëri aq ma shumë nga politika Evropiane e cila tënton pamëshirshëm e pa të drejtë edhe ta fus në listën e organizatave terroriste e islamike, siç ndodhi edhe më të ngarkuarin amerikan për Ballkanin Richard Gelbart, etiketimin e të cilit Serbia e mori si dritë jeshile nga përendimi për ti vazhduar masakrat mbi shqiptarët. Mirpo Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe bartësit e saj ishin të vendosur në kauzën e tyre dhe pavarësisht kërcenimeve euroatlantike u rritën u forcuan dhe vazhduan luftën për liri. Kjo vendosmëri më vonë i detyroi Evropë e Amerikë që Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ta pranojnë si ushtri që lufton për lirinë dhe ekzistencën e popullit të vet duke i dal në krah me aleancën më të fuqishme ushtarake në botë NATO-n deri në fitorën përfundimtare kundër Serbisë.

Përvoja historike na meson se vetëm vendosmeria jonë deri në rrezikshmëri na i sjell fitorët e merituara, prandaj edhe kësaj radhe të bëhemi bashkë si në kohërat e Gjergjave e Ademave e me Besa-Besë tu bëjmë ball presioneve të pa arsyeshme e të rrezikshme që na vijnë nga një pjesë e diplomacisë evropiane tani fatkeqësisht në krye me NATO-n.

Tani historisë sonë të re si muaj i shenjtë shqiptar po i shtohet edhe dhjetori, fitorja e parë e komandantit legjendar Adem Jashari me 30 dhjetor 1991 në Prekaz kundër forcave federale ushtarako-policore Jugosllave. Kjo datë shenohet sot edhe si Dita e Veteranit të UÇK-së. Pra 30 Dhjetori ishte shkëndija e parë e shpresës për liri të shqiptarëve nën okupim, shkëndijë nga ku lindi Ushtrija Çlirimtare e Kosovës e cila vulosi fatin e atdheut dhe u bë shtylla kryesore e themelimit të shtetit të Kosovës. Edhe 14 Dhjetori që pritët të jetë dita e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, doli nga gryka e pushkës së komandantit të UÇK-së Mujë Krasniqi i rënë me 14 dhjetor 1998 me mbi 40 bashkluftetarë në përpjekje mbinjerëzore për armatosjen dhe forcimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Si përfundim: Për ta përshkruar rrugëtimin dymijë vjeçar golgotian të shqiptarëve nuk do të arrinin as Krishti e Muhameti, nuk do të mjaftonin as Bibla e Kurani, por më së miri e më se drejti do ta bënte At Gjergj Fishta në Lahutën e tij të Malesisë e që për ne shqiptarët do të mbetej libri i vetëm i shenjtë si udhërrefyes i mbijetesës nga përndjekja dymijë vjeçare e popullit të shenjtë ILIRO-SHQIPTAR nga biblistët e kuranistët euro-aziatik.

  1. Me jetëshkrimet e tre Gjergjave e të tre Ademave duke shpresuar në Ademin e tretë që do të jetë ai i cili do ta përmbyllte lahutarinë e golgotës iliro-shqiptare me ribashkimin e atdheut dhe kombit e popullin shqiptar do ta shpallte si popull të shenjtë me tre qendra kulti; Krujë, Janinë dhe Skenderaj e me Trininë; Në emer të Gjergjit e Ademit e Kombit të Shenjtë do të shenonte fundin e gjakderdhjeve nga lindorët dhe të padrejtësive nga përendimorët dhe heqjen e trekëndëshit gjembor ortodokso-katoliko-musliman mbi TOKËN E SHENJTË ILIRE.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …