Nezir Myrtaj: Apetitet kolonialiste të një rezolute

Siç dihet, Kuvendi i Serbisë, vitin 2007 e përmbylli edhe me një rezolutë të re lidhur me Kosovën. Kësaj radhe me një rezolutë që mohon dhe zhvlerëson paraprakisht çdo formë të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, e cila do të mund të shpallej nga institucionet e Kosovës dhe e cila do të mund të pranohej nga vende të tjera. Përmes këtij akti, institucionet shtetërore dhe qytetarët e Serbisë ngarkohen edhe me obligimin që ta pamundësojnë shkëputjen e Kosovës, siç thuhet, me të gjitha përpjekjet, obligim që buron nga detyrimi kushtetues i përcaktuar edhe në preambulën e Kushtetutës së Serbisë, e cila e përkufizon Kosovën si pjesë të patjetërsueshme të territorit të këtij vendi.
Qendrat e ndryshme të diplomacisë, apo siç është bërë traditë të thuhet, faktori ndërkombëtar, rezolutën e fundit serbe, së shumti e cilësuan si të padobishme për procesin që ka të bëjë me Kosovën. Ç’është e vërteta, këto qendra, apo ky faktor, edhe nuk mund të reagonin ndryshe, pasi janë vetë ata që realisht shumë herë më parë kishin aprovuar në heshtje edhe rezoluta dhe akte të tjera të ngjashme, të cilat kanë bërë që, mbështetur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, në Kosovë të ndërtohet një realitet kushtetues sa më i favorshëm për Serbinë.
Sikurse edhe në rastet e tjera të mëparshme, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, veprimin e fundit të Beogradit zyrtar e komentuan në mënyrë të mjerë e qyqare, duke e cilësuar rezolutën e tij si të pavlefshme e të parëndësishme për Kosovën, thuajse ajo i kushtohet ndonjë vendi të humbur afrikan, e jo një vendi që Serbia, para një dekade e kishte bërë shkrumb e hi, kurse sot këmbëngul ta paraqesë si Jerusalem të saj, në kuptimin e pretendimeve rikolonizuese.
Duhet rikujtuar faktin se veprim të paefekt për Kosovën, institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre e kishin cilësuar dikur edhe përkufizimin e këtij vendi si pjesë e patjetërsueshme e territorit të Serbisë, në kushtetutën e ish-Unionit Serbi-Mali i Zi, union i formuar nga Solana me bekimin e Bashkimit Evropian. Mirëpo, dihet mirëfilli se ky farë lloj unioni nuk e largoi Kosovën nga Serbia, por e afroi edhe më shumë, duke trasuar një rrugë të qartë të komunikimit e të lidhjeve të drejtpërdrejta, ndërprerja e të cilave po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe gjithnjë e më e pamundshme.
Po në të njëjtën mënyrë u cilësua edhe riformulimi i Kosovës si pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, në pjesën hyrëse të kushtetutës së këtij vendi në tetor të vitit 2006, pas zhbërjes së asaj që quhej Solania Serbi-Mali i Zi. Dallim bën vetëm fakti se atëbotë, Kuvendi i Kosovës nxori një deklaratë kundër, siç thuhej, agresionit kushtetues, që po i bëhej Kosovës përmes përkufizimit të saj në prembulën e kushtetutës serbe. Mirëpo, kjo deklaratë u harrua pothuajse para se të publikohej dhe po të mos ishte kështu, pa dyshim nuk do të hartohej e ofrohej nga institucionet e Kosovës, disa muaj më vonë, i ashtuquajturi memorandum i mirëkuptimit e bashkëpunimit me Serbinë! Kjo lloj oferte e institucioneve të Kosovës nuk mund të konsiderohej naive dhe as e pasinqertë, por si një vendim politik dhe përcaktim i qartë pë rsa i përket të ardhmes së Kosovës në raport me lidhjet e saj me Serbinë. Prania e Kosovës në pjesën hyrëse të kushtetutës serbe, prani e siguruar përmes një rezolute si kjo e fundit, në njërën anë dhe në anën tjetër Memorandumi i mirëkuptimit Kosovë-Serbi (kemi parasysh mirëkuptimin e një vendi ndaj të cilit është bërë agresion kushtetues, me vetë agresorin!), pa dyshim nuk mund të konsiderohen si dy anë të kundërta të një absurdi, por si një fakt fare i shpjegueshëm.
Se sa të parëndësishme e të paefektshme janë aktet e miratuara si ai i rezolutës serbe kundër pavarësimit dhe shkëputjes së Kosovës nga Serbia, mjafton ta kujtojmë praktikën e kriminelit Millosheviq për të shfrytëzuar instrumentet institucionale, duke zbatuar madje edhe referendumin popullor, si mjet për të mbështetur veprimet dhe politikën e tij të krimit. Edhe këto veprime dhe këtë politikë kriminale i kishte miratuar dikur një kuvend serb dhe me vendime e rezoluta të po këtij kuvendi ishte miratuar edhe gjenocidi në Kosovë. Prandaj, duke pasur parasysh këtë të kaluar, do të ishte veprim tepër naiv në qoftë se do të nënçmohej rreziku që paraqesin edhe rezolutat e reja serbe, si mjete juridike në funksion të një politike kolonialiste. Ato sigurisht nuk bëhen vetëm për konsum të brendshëm, siç jemi mësuar të dëgjojmë dhe as me qëllim të frikësimit të ariut me shoshë.
Kërcënimet që sot vijnë nga Beogradi, jo vetëm përmes rezolutash, janë fare të qarta, kurse objekt i tyre janë Kosova dhe shqiptarët. Në përputhje të plotë me rezolutën e 26 dhjetorit të vitit që shkoi, po dëgjojmë dhe mund të dëgjojmë përditë kërcënimet e kreut serb të shtetit, se do të mbrojnë me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet sovranitetin mbi Kosovën. Prandaj ato duan edhe kundërpërgjigjen përkatëse. Pa dyshim, jo me gjuhën memece si ajo e institucioneve të sotme të Kosovës, por me gjuhën e mprehtë të forcës së të gjithë atyre shqiptarëve në Kosovë dhe kudo në trojet etnike, të cilët ishin dhe vazhdojnë të jenë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për mbrojtjen dhe shpëtimin e Kosovës nga apetitet ripushtuese të Serbisë kolonialiste. Këto apetite nuk mund t’i sfidojë kurrfarë memorandumi i mirëkuptimit e i fqinjësisë së mirë, por as mejdani i ofruar, duke e vënë KFOR-in në fushën e tij. Ato mund t’i sfidojë vetëm organizimi dhe përgatitja e njëmendtë e popullit të Kosovës për t’u përballur në çdo kohë dhe rrethanë me agresionin e mundshëm serb. Në të kundërtën, këtij populli mund t’i përsëriten edhe eksode të tjera biblike.
Rezoluta e fundit e kuvendit të Serbisë, kundër pavarësisë së Kosovës, u nxor në kohën që zërat në Kosovë dhe rreth saj lidhur me shpalljen e një pavarësie të gjymtë, mbështetur në të ashtuquajturën pako të Ahtisarit, u bënë fare bizarë, ndërsa vetë konceptit pavarësi i doli boja fare. Si e tillë, ajo pretendon të shërbejë bazë juridike e shfuqizimit paraprak të një vendimi të mundshëm të Kuvendit të Kosovës për shpalljen qoftë edhe të një pavarësie të gjymtë. Për sa kohë që pavarësia e Kosovës, si shprehje e një procesi dekolonizues, të trajtohet si akt politik pa fuqi referendumi popullor, i një kuvendi të pafuqishëm, të pamëvetësishëm, të mbikëqyrur, të dirigjuar e pa legjitimitet të plotë, siç është kuvendi i saj, veprimi i rezolutave serbe do të jetë efektiv. Ato do të jenë të pa efekt e të pafuqishme vetëm para vendimeve madhore që i vulos referendumi i popullit të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi: Një marrëveshje me Serbinë, pa njohjen në qendër, do të zgjasë procesin e dialogut dhe status-quonë në Kosovë

Memli Krasniqi: PDK-ja asnjëherë nuk ka pasur vija të kuqe me asnjë subjekt tjetër politik, nuk ka as me Vetëvendosjen

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas pajtimit me kërkesën e Albin Kurtit për mundësinë e  …