Nezir Myrtaj: Për kë bie kambana?

 


Spanjolli Havier Solana, shef i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, më 6 dhjetor, pas vizitës në Beograd qëndroi edhe në Prishtinë. Qëllimi i ardhjes së Solanës në Kosovës ishte i vetëkuptueshëm. Pra, për ta trimëruar dhe përpunuar moralisht të ashtuquajturin Grup Negociator, për sfidat që e presin në procesin e gjatë të bisedimeve me Qeverinë e Serbisë.
Anëtarët e këtij grupi u mblodhën në vilën-rezidencë të Ibrahim Rugovës, në Velani dhe të prirë nga ky i fundit, i bënë temenanë zotëriut nga Brukseli. Se ç i thanë këtij zotërie argatët e tij në Prishtinë, opinioni i gjerë nuk arriti ta kuptojë, pasi nuk dëgjoi tjetër fjalë përveç formulës së zakonshme të pagëzimit të pavarësisë formale, të cilën e shqiptoi si zakonisht zotëri Rugova, në fund të takimit. Këtë formulë, mbase edhe do t’ ia kenë përkthyer zotëriut Solana, por ajo nuk besohet t’i ketë bërë ndonjë përshtypje.
Megjithatë, e rëndësishme është ajo që opinioni në vendin tonë dëgjoi nga goja e Solanës. Në kontest të procesit për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, ai paralajmëroi se në këtë proces pritet të ketë sakrifica të dhembshme! Sa shprehje të frikshme dhe të tmerrshme shqiptoi zotëriu Solana në Kosovë! Këtë gjuhë ai madje nuk e përdori as mbrëmjen që shpalli vendimin për të nisur fushatën bombarduese të NATO-s mbi Serbinë e Milosheviqit, në marsin e vitit 1999.
Cili do të jetë ai njeri dhe ai shqiptar që ka përjetuar të zezat e robërisë së gjatë serbe, e në mendjen e të cilit nuk tingëllon frikshëm shprehja sakrifica të dhembshme? Cili do të jetë ai njeri dhe ai shqiptar që do të ketë mbijetuar tmerret e luftës për jetë a vdekje kundër forcave gjakpirëse serbe, e ndjenjat e të cilit nuk i trishton shprehja! sakrifica të dhembshme? Cili do të jetë ai njeri e ai shqiptar, që ka bërë shumë sakrifica e ka duruar shumë dhembje deri në çastin e heqjes nga qafa të shtypjes, dhunës, çnderimit dhe barbarizmit serb, e të cilin nuk e dëshpëron shprehjasakrifica të dhembshme? Me gjithë shijen e hidhur të këtyre ndjenjave, Solana dhe çdo kush tjetër duhet ta di se shqiptarët do të jenë të gatshëm edhe për të tjera sakrifica të dhembshme. Mirëpo, vetëm në shërbim të lirisë së tyre të Kosovës e jo në asnjë mënyrë në interes të kompromisit, i cili nënkupton rikolonizimin e sigurt të Kosovës dhe riskllavërimin e sigurt të popullit shqiptar që jeton në të. Dhe, fjalët kobndnejllëse të Solanës sakrifica të dhembshme,aludojnë pikërisht në këtë kompromis, telit të të cilit po i bien edhe qendrat e tjera të rëndësishme të vendosjes. Në këtë kuptim, çdo shqiptar që e ka paguar shtrenjtë, me gjak e me kockë çmimin e çlirimit nga sundimi serb, do ta konsiderojë paradoksale kërkesën për sakrifica e dhembje të reja, për të cilat shqiptarët kanë shpresuar se tashmë janë e shkuara, jo vetëm e dhembshme, por edhe shumë e përgjakur e Kosovës.
Natyrisht, për spanjollin Solana këto fakte mund të jenë fare të parëndësishme, në krahasim me rëndësinë që paraqet përmbushja e misionit të politikës që përfaqëson. Në këtë aspekt është e kuptueshme që ai të mos vlerësojë dhe gjykojë me logjikën tonë dhe se në lëmshin e madh të interesave, mbi të cilat është ngritur politika e Bashkimit Evropian, Kosova dhe shqiptarët e saj mund të paraqesin një fije fare të hollë. Mirëpo, ajo që i lejohet Solanës, nuk do t’ i arsyetohet të ashtuquajturit Grup Negociator, anëtarët e të cilit, fjalët kërcënuese të Solanës i dëgjuan me qëndrim gatitu. Ky grup i vetëzgjedhur njerëzish që pretendon të ngrejë famën e anëtarëve të vet mbi fatkeqësinë e Kosovës, asnjëherë deri tani nuk mori kurajën qytetare të deklarojë para opinionit të Kosovës se ç’ kuptim ka fjalakompromis i dhembshëmpër shqiptarët, parathënë tash e më parë. Ndonëse me tingëllimë të vrazhdë dhe i shqiptuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, paralajmërimi i Solanës, megjithatë paraqet, pa hiri, një ndihmesë të madhe për shqiptarët në situatën aktuale. Fjalët që ai tha në Prishtinë, nga shqiptarët duhet kuptuar seriozisht, madje më shumë sesa paralajmërim, ato janë kambanë alarmi, që bie për dike dhe bie pikërisht për shqiptarët.
Kjo kambanë alarmi duhet ta zgjojë nga gjumi ndërgjegjen e secilit shqiptar, që ta kuptojë drejt kuptimin e mesazhit lidhur mesakrificat e dhembshme, të cilat do ta shoqërojnë statusin final, politik të Kosovës. Në këtë kuptim, opinioni qytetar duhet të kërkojë shpjegime dhe llogari nga anëtarët e të ashtuquajturit Grup Negociator, lidhur me qëndrimet e shprehura publikisht të zotëriut Solana. Por, jo vetëm kaq. Këtij grupi duhet t’i kërkohet të shpjegojë publikisht edhe pozicionin e vet në raport me qëndrimet e kryediplomatit evropian. Kurse fjala e fundit, natyrisht sa i përket popullit shumicë të Kosovës, sepse ende nuk është vonë, që ai t’i parandalojë proceset, të cilat do të mund të kërkojnë prej tij sakrifica të dhembshme. Nezir Myrtaj

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …