Nga sa shkruan autori i këtij postimi, i nderuari dhe i respektuari Ahmet Qeriqi, mendoj se ai bën një analizë të thellë dhe të ndershme, duke e paraqitur figurën e udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha si një figurë madhore të gjithë popullit shqiptar. Enver Hoxha ishte një politikan i vërtetë, diplomat i madh dhe udhëheqës që e bëri shtetin dhe popullin shqiptar të lirë dhe sovran. Ai e çoi vendin përpara në ekonomi, arsim, shkencë e kulturë, në mbrojtje dhe në një politikë të pavarur, ku ai vetë ishte “prijësi” i politikave.
Idealeve të tij, ky gjigant i politikës shqiptare u dha jetë dhe frymë si komandant në luftë dhe si udhëheqës i gjithë aktivitetit ekonomik e shoqëror gjatë gjithë jetës së tij, deri sa ndërroi jetë. Arritjet ishin të mëdha, edhe pse gjatë gjithë udhëheqjes së tij Shqipëria ishte e izoluar dhe nën bllokada ekonomike.
Po të shohësh Shqipërinë që Enver Hoxha udhëhoqi – nga një vend i pushtuar për shekuj, i prapambetur, pa shkolla e universitete, pa shtet sovran e dinjitoz në botë – ai, hap pas hapi, me plane zhvillimi, e ktheu në një shtet me arsim dhe universitete, me akademi e shkencë, me mjekësi dhe ushtri, me bujqësi moderne, agronomi e zooteknikë të zhvilluar, me industri minerare e përpunuese, me pasuri nafte e gazi, me industri mekanike, elektrike, energjetike, kimike, farmaceutike dhe plehrash azotike e fosfatike, si dhe me një jetë më dinjitoze për shqiptarët.
Këtë ai e bëri gjatë gjithë jetës së tij dhe, për çdo kundërshtar që i dilte përpara, përmes diktaturës së proletariatit, mbrojti planet e zhvillimit dhe ecurinë e shtetit shqiptar. Enver Hoxha “qethi” me këtë diktaturë shumë kundërshtarë që dolën kundër programeve madhore, por fatkeqësisht nuk arriti të “qethte” disa kundërshtarë të fshehur, të cilët i kishte pranë si bashkëpunëtorë.
Këta bashkëpunëtorë ishin shumë të maskuar; e qanë udhëheqësin bashkë me popullin, por e qanë për të marrë fronin. Qoftë “doktori” apo politikanë të tjerë që i kishte në krah, kishin plane të tjera, ndoshta në shërbim të “ustallarëve” të tyre. Nga këta politikanë të besuar, u spiunuan shumë njerëz të pafajshëm si kundërshtarë politikë dhe u dënuan si të tillë. Spiunët pa shtyllë kurrizore nuk lanë specialistë të naftës, minierave apo ushtarakë, nuk lanë intelektualë, mësues, doktorë, artistë apo shkencëtarë pa i njollosur si agjentë apo sabotatorë. Bashkë me “të thatin” që duhej djegur, u dogjën edhe “të njomët”, duke i vënë njollë edhe sistemit, edhe vetë Enver Hoxhës.
Në shkrimin tuaj ju shpreheni: “Edhe sot në Shqipëri sundon klasa politike që ka fituar besimin e shumicës, ashtu si ndodh në shumicën e vendeve të botës.” Sipas mendimit tim, këtu gaboheni, ndikuar nga media dhe nga politikanët e sotëm shqiptarë. Unë do të thosha se janë politikanë që i lindi partia e R. A., kur mori timonin në vitin 1985, dhe pas vitit 1989 hapi thesin e grumbulluar gjatë gjithë jetës, duke zhvilluar politikën e saj.
Këta krijuan disa struktura politike, me njerëz të veshur me kostume blu, jeshile apo të tjera, dhe u shndërruan në “liderë” të respektuar në Evropë dhe më gjerë. Shqipëria nën drejtimin e këtyre “liderëve” ka arritur, sipas meje, vetëm një “sukses” të dukshëm: emigrimin masiv të popullsisë. U largua inteligjenca, klasa punëtore dhe një pjesë e madhe e fshatarësisë, për shkak të mungesës së punës dhe perspektivës. U shkatërrua prona kolektive, si dhe u dobësuan arsimi, shkenca dhe mbrojtja.
Ka njerëz që kujtojnë racionin e kafesë, por nuk dinë për bllokadat ekonomike të asaj kohe. Sot kafe ka kudo, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërish mirëqenie. Dikur, me një pension prej 350 lekësh, një kafe kushtonte 0.70 lekë, ndërsa sot raporti mes të ardhurave dhe çmimeve është ndryshe.
E njëjta vlen edhe për ushqimet bazë: dikur çmimet ishin të ulëta, ndërsa sot, pavarësisht rritjes nominale të të ardhurave, fuqia blerëse mbetet e diskutueshme. Edhe pushimet, që dikur ishin më të aksesueshme, sot shpesh kërkojnë kosto të larta për qytetarët.
Këto janë disa nga reflektimet e mia personale, duke respektuar çdo mendim tjetër.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
