KEK
Fillimi / Analiza / Një shkrim i njëanshëm dhe cinik për Luftën e Koshares e Slivovës të 20 dhe 21 prillit të vitit 1981, nga Blerim Latifi
Mic Sokoli dhe Sefë Kosharja

Një shkrim i njëanshëm dhe cinik për Luftën e Koshares e Slivovës të 20 dhe 21 prillit të vitit 1981, nga Blerim Latifi

(Në portalin “Epoka e Re”, u botua një shkrim i njëanshëm dhe cinik për luftën e Koshares e Slivovës të 20 dhe 21 prillit të vitit 1981, nga Blerim Latifi)

Autori i shkrimit, Blerim Latifi, që pretendon të jetë, “koment shkarazi  duke kalëruar nëpër histori”, pa cituar asnjë burim apo dokument historik, nuk i bën nder askujt, aq më pak historisë së kombit,  sepse njollosja e Ali Pashë Gucisë, mohimi i  varjes së Sefë Koshares dhe  rënies së shumë dëshmorëve nga Kosharja, Shtimja e fshatrat përreth, më 20 dhe 21 prill të vitit 1881,  janë dëshmi e argumente të zbuluara me kohë dhe të pasuruara  sidomos gjashtë vite më parë, që nuk mund të kontestohen me gjuhën e fakteve dhe argumenteve  historike e shkencore.

Natyrisht se  me këtë rast, nuk kemi të bëjmë me një studim historik  nga ana e z. Latifi, sepse për studimet të tilla duhet shpalosur literatura, e cila as ka munguar as mungon, dhe tashmë është pasuruar edhe me katër faqe dokumente të kohës.

Dy dokumenteve të kohës së Austro-Hungarisë, të datuara më 23 prill 1881, në konsullatën e Austro-Hungarisë në Shkup ofrojnë shumë të dhëna deri tani të panjohura, lidhur me këtë betejë.

Në saje të dokumenteve të zbuluara  nga pasardhësit e Sefë Koshares  dhe të përkthyera nga gjuha gjermane nga studiuesi, Selver Islamaj, i Institutit të Historisë së Kosovës,  në vitin 2015, të botuara në faqen zyrtare të Radios-Kosova e Lirë,  bëhet e ditur se Sefë Kosharja  ka qenë njëri ndër personalitetet më të njohura të Ligës ( Lidhjes Shqiptare të Prizrenit). Ishte shumë i afërt me Mic Sokolin, për të cilin thuhet se e kishte liruar nga burgu i Pejës, në rastin kur ushtarët turq po bënin përpjekje ta nisnin për në Stamboll. Në prill të vitit 1881, ai do të bëhet i njohur në kreun e Betejës së Koshares e Slivovës.

Kryeneqësia dhe pretendimi i individëve të caktuar  për ta shkelmuar dhe për ta deformuar historinë, pa fakte, pa cituar asnjë burim, nuk mund të pranohen, qofshin ato edhe “revolta patriotësh të sotëm” që akuzojnë gjyshstërgjyshërit, pse nuk paskan menduar sikur ne sot. Këto janë thjesht përpjekje, të cilat nuk meritojnë  vëmendje, por të shkruash  qoftë edhe një rresht për Betejën e Kosharës e të Slivovës e cila është zhvilluar 140 vjet më parë, duhet të pakën minimumi i përgjegjësisë,  i shkruesit dhe i botuesit.

Askujt nuk i lejohet ta njollosë historinë e kombit, mjaft na kanë njollosur  dhe po na njollosin serbët, grekët, bullgarët…

Ja si shkruan  Blerim Latifi sot në “Epoka e Re” ( 20 prill 2021)

… Në të hyrë të prillit Dervish Pasha e mori pa rezistencë Shkupin. Paniku ishte përhapur gjithandej Kosovës. Në ato ditë ndodhi goditja e parë e madhe ndaj Lidhjes: pjesa më e madhe e anëtarëve të saj shkuan dhe u dorëzuan në shtabin e Dervish Pashës. Një veprim të tillë të turpshëm e bëri edhe vetë i njohuri Ali Pashë Gusia. Vetëm krahu gjakovar i Lidhjes vendosi të mos dorëzohej me asnjë çmim. Rreth 5000 luftëtarë të drejtuar nga Sylejman Vokshi dhe Mic Sokoli zunë pritat në malet afër fshatit Slivovë. Me 20 prill 1881, si sot 140 vjet më parë, aty nisi beteja tragjike, fati i të cilës dihej qysh në fillim. rreth 5000 luftëtarë shqiptarë, të armatosur vetëm me pushkë, nuk mund të ndalnin dot 30 batalionet e ushtrisë osmane, të mbështetura nga artileria e rëndë. Megjithë pabarazinë e madhe të forcave, rezistenca shqiptare zgjati tërë ditën. Në përpjekje për të neutralizuar artilerinë osmane që po sakatonte vijat e frontit të luftëtarëve shqiptarë, do të vritej vetë prijësi i tyre, Mic Sokoli nga Malësia e Gjakovës. Në mbrëmjen e asaj dite tragjike malet dhe fushat e Slivovës nxinin nga trupat e të vrarëve. Dervish Pasha, para se të nisej për në Prizren, lëshoi urdhrin që trupat e shqiptarëve të vrarë të mos lejohej të varroseshin por të mbeteshin ashtu mbi tokë si ushqim për kafshët e egra. Sylejman Vokshi, me luftëtarët e fundit të tij, u tërhoq në Malësinë e Gjakovës, prej nga do të rezistonte edhe për katër vite të tjera, derisa u kap nga ushtria osmane gjatë një akti tradhtie. Kështu u mbyll tragjikisht edhe një kapitull në historinë e shqiptarëve…

Asnjëri prej këtyre konstatimeve nuk është ilustruar me fakte e dëshmi historike, nga asnjë burim edhe pse historiografia  shqiptare dhe e huaj disponon, jo  dhjetëra por qindra burime të kohës. Këto janë fjalë koti, janë komente për fejsbuk dhe nuk kanë asnjë dëshmi të vetme që i ilustron  shkencërisht pretendimet e tilla paushalle, krejtësisht të papërgjegjshme.

Pastaj injorimi i kryetrimit të Betejës, Sefë Kosharja, që nuk ishte gjakovar, por një veteran i Luftës së Plevnes, nga fshati Koshare në afërsi të Shtimes,  njeri me shumë ndikim në Lidhje, është një lëshim i qëllimshëm për ta dëshmuar se gjoja vetëm gjakovarët paskan luftuar në Fushën e Shtimes, 140 vjet më parë. Dëshmitë historike të kohës flasin ndryshe: “Në afërsi të Shtimes, Dervish Pashës ia sollën një shqiptar të moshuar, me një sy, i cili i kishte bllokuar ushtarët turq dhe kishte marrë peng një oficer turk. Ai, ishte  i njëjti Sevo ( Sefa), për të cilën  flitej se kishte shumë ndikim në Ligë, (në Lidhjen e Prizrenit). Javën e kaluar kishte  shkuar në Shtabin e  Përgjithshëm te Dervish Pashai dhe i kishte kërkuar atij që të mos e dërgonte ushtrinë në drejtim të kryengritësve, sepse gjakderdhja do të ishte e pashmangshme. Atij i kishin thënë se rrugën  e ushtrisë turke nuk mund ta ndalonte askush”. Dokumenti nr. 2.

Fyerja dhe etiketimi i Ali pashë Gucisë, është kulmi i papërgjegjësisë, por edhe i ligësisë dhe shpërfilljes së historisë kombëtare, nga Blerim Latifi. Pretendimi për të dëshmuar se vetëm gjakovarët paskan marrë pjesë në luftimet e 20 dhe 21 prillit të vitit 1981, është po ashtu një lëshim i qëllimshëm edhe për faktin se luftëtarët vinin nga Malësia e Gjakovës, Tropojës dhe Dukagjinit dhe jo nga bejlerët e agallarët e Gjakovës. Injorimi i luftëtarëve vendorë të fshatrave të rrethit të Shtimes në betejë, është injorimi i gjakut të dredhur të rreth 300 luftëtarëve shqiptarë, shumica syresh luftëtarë dhe banorë të fshatrave: Koshare, Slivovë, Shtime etj. Ky injorim vërehet në konstatimin se vetë gjakovarët paskan marrë pjesë në betejën e vitit 1981 në “Fushë të Shtimes”.

Nuk e di se  si e percepton dhe e përdorë aq lehtë fjalën turp, njeriu i cili pa asnjë fakt të qëndrueshëm, veprimin e Ali Pashë Gucisë e quan veprim të turpshëm…

Disa nga burimet dhe referencat për Betejën e Kosharës  të prillit të vitit 1881

 

Dokumenti në katër faqe i raportuesit, Schmucke, në gjuhën gjermane. 23. 4. 1881.

Konsullata e Austro-Hungarisë në Shkup në prill të vitit 1981.

Dokumenti i dytë i një raportuesi anonim, po në gjuhën gjermane, faqja e fundit, nuk ka datë të caktuar, meqë është fletë e shkëputur… Dokumente të përkthyera nga studiuesi, Selver Islami.

Historia e Popullit Shqiptar, II, Toena f. 224.

Epika historike II, Tiranë 1981, f. 306.

Të dhëna gojore nga familjarët:

Ilaz Mahmut Ilazi, Koshare.

Afrim Mahmut Ilazi, Ferizaj.

Haki Emrush Hysiqi, Shtime.

Tv-Dielli Sefë Kosharja, film dokumentar.

TV-Dielli, Mic Sokoli, film dokumentar,

Radio-Kosova e Lirë, Sefë Koshrja dhe Mic Sokoli, rubrika: Personalitete

 

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

  1. 4. 2021

Ahmet Qeriqi: Sefë Mahmut Kosharja (1825-1881) në dritën e dokumenteve të reja historike

Kontrolloni gjithashtu

Gëzim Kelmendi

Gëzim Kelmendi: 11 milion euro është padrejtësi, krim, zullum dhe vjedhje!

Në reagimin e Partisë, FJALA, lidhur me pagesën nga buxheti i Kosovës 11 milion euro ...