UCK

Njëzet e një vjet nga Çlirimi i Kosovës dhe lufta gati dyvjeçare e UÇK-së, ende në dilema e dyshime

Sot në  21-vjetorin e  çlirimit të Prishtinës, në nderim dhe përkujtim të  kësaj date me rëndësi për luftën e UÇK-së dhe çlirimin e vendit u mbajtën  një varg aktivitetesh tematike e kulturore. Kjo datë shënon hyrjen e forcave të UÇK-së të Zonës Operative të Llapit, në Prishtinë, me qëllim për mbrojtjen e popullatës nga masakrat që kishin filluar të kryenin serbët gjatë fillimit të tërheqjes nga Kosova pas nënshkrimit  të Marrëveshjes së kapitullimit në Kumanovë, më 9 qershor të vitit 1999 dhe ditës kur NATO-ja kishte ndërprerë bombardimin mbi caqet serbe. Të përkujtojmë me këtë rast se forcat guerile të UÇK-së kishin vepruar në kryeqytet gjatë tërë kohës, ndërsa në muajin qershor kishin intensifikuar veprimet luftarake duke sulmuar në prita patrullat serbe…

Duke folur për Çlirimin e Prishtinës, eprori dhe  luftëtari i UÇK-së, Fatmir Sopi, ka kujtuar momentet e 21 viteve më parë nga betejat e UÇK-së, duke përmendur edhe hyrjen e këmbësorisë së NATO-s, në Prishtinë më 12 qershor  të vitit 1999. Ai ka saktësuar se  11 qershori i vitit 1999  kthen kujtesën tonë 21 vite më parë ku u zhvillua njëra nga betejat më të guximshme të UÇK-së në rajonin e Prishtinës. Qysh në ditët e para të qershorit të atij viti u mor vendimi që njësitet e  gueriles  BIA-s,  të cilat kishin përgjegjësinë e veprimeve  ushtarake, në Prishtinë të merreshin me sigurimin e bazave të nevojshme dhe informacioneve mbi lëvizjet, aktivitetin, dhe pozicionet e forcave serbe. Pas analizave të nevojshme dhe informacioneve të forcave policore, ushtarake, serbe, kanë filluar plaçkitjet, djegiet shtëpitë nëpër lagjet periferitë e Prishtinës, u dha urdhri që njësitet më elite Brigadës 153 dhe të gueriles  BIA të cilat e mbanin të rrethuar Prishtinën të futeshin në kryeqytet. Forcat serbe të ndodhura përballë sulmeve të UCK-së dhe kërcënimeve të vazhdueshme të NATO-s dhe bombardimeve të tyre, u detyruan të fortifikohen nëpër kazerma duke pritur momentin e tërheqjes përfundimtare nga Prishtina. UÇK-ja kontrollonte pothuajse tërë Prishtinën dhe me datë 11 qershor 1999 ngriti flamurin kombëtar duke shpallur kryeqytetin të lirë. Në këtë moment u realizua ëndrra shekullore e popullit tonë”, ka deklaruar  njëri ndër komandantët e UÇK-së në Zonën e Llapit gjatë luftës,  Fatmir Sopi.

Më 12 qershor mbarë Kosova përkujton 21-vjetorin e hyrjes së forcave tokësore të Aleancës Veriatlantike, në vendin tonë. Një festim madhështor gjithsesi i merituar, por  disa qarqe,  politike e  mediale dhe qarqe që mohojnë luftën e UÇK-së e kanë ekzagjeruar deri në infinit ndërhyrjen e NATO-së kundër Serbisë, me  qëllim për ta vënë në hije luftën e Ushtrisë Çlirimtare gati dyvjeçare, rënien e Komandantit Legjendar  Adem Jashari e të Jasharëve, rënien e mijëra dëshmorëve dhe përgjithësisht luftën e UÇK-së, në të cilën morën pjesë rreth 20.000 luftëtarë dhe shumë të tjerë që e kishin ndihmuar këtë luftë nga të gjitha trojet shqiptare, nga mërgata dhe nga miqtë tanë kudo në vendet e botës.

Nuk mohohet dhe nuk ka si mohohet sidomos kontributi që kanë dhënë për çlirimin e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe,  por edhe i disa shteteve të tjera aleate dhe pjesëtare të NATO-s. Por duhet të mos harrojmë edhe një fakt real se kurrë dhe në asnjë rast, Amerika, Anglia por as Komanda  e NATO-s nuk kanë deklaruar se ata vetë e kanë çliruar Kosovën. Ata kanë deklaruar dhe deklarojnë hapur se lufta e tyre në radhë të parë ka pasur karakter humanitar, me qëllim që të mos lejohej tragjedia edhe më e madhe  e këtij populli, ashtu sikur kishte ndodhur në Bosnje e Hercegovinë.

Është e vërtetë se UÇK-ja, me të drejtë e ka konsideruar dhe e konsideron NATO-n si aleat, por nuk është e vërtetë që NATO-ja të ketë deklaruar se i ka shkuar në ndihmë UÇK-së, pa përjashtuar faktin se luftohej kundër të njëjtit regjim. NATO-ja  dhe asnjë shtet tjetër nuk e kishte armatosur UÇK-në, me qëllim që ajo të luftonte dhe të çlirohej vetë.

Po ashtu 21 vjet më parë, me rastin e hyrjes së trupave të Aleancës në Kosovë, nuk ka deklaruar askush nga qarqet ndërkombëtare se Kosova ka fituar luftën,  dhe Serbia ka humbur atë, edhe pse ashtu kishte ndodhur realisht.

 NATO-ja kishte për mision ta gjunjëzonte  regjimin e Milosheviqit, por në asnjë mënyrë shtetin e Serbisë. Trupat e NATO-s u vendosen si forcë paqeruajtëse në kundër të KFOR-it, mision të cilin e ushtrojnë edhe sot.

Asnjë autoritet amerikan, britanik apo i ndonjë vendi tjetër nuk thotë se ne e kemi çliruar Kosovën, por thonë me gojën plot ne  kemi ndihmuar popullin e Kosovës, duke ndjekur regjimin,  shqiptarë-vrasës të Milosheviqit.

Nuk duhet harruar edhe një fakt shumë kokëfortë, se ishte pikërisht lufta e UÇK-së, ajo që e solli Kosovën në agjendat ndërkombëtare të kohës dhe që e kishte filluar luftën pa e pyetur Amerikën apo shtetet e tjera, të cilat në mënyrë unanime kishin qenë kundër luftës, madje në fazën e parë të zhvillimit UÇK-së, disa nga ata e  kishin shpallur organizatë terroriste.

Ndihma që i ka dhënë Kosovës bota përparimtare demokratike, për t’ u çliruar nga robëria,  është e çmuar dhe e tillë do  të trajtohet edhe në të ardhmen, por lufta dhe qëndresa e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  është faktori kyç i luftës dhe i çlirimit të vendit, sepse po ta kishte ndërprerë luftën UÇK-ja, pas Konferencës së Rambujesë dhe po të ishin larguar të gjithë shqiptarët nga Kosova, sikur u larguan dhe ikën  gati gjysma e popullatës, çfarë kuptimi dhe çfarë përfundimi do të kishte pasur ajo luftë?

Përpjekje për margjinalizimin e rolit të UÇK-së në radhë të parë ka qenë dhe ka mbetur projekt i Lëvizjes pacifiste shqiptare të Kosovës, e cila deri në fund të luftës nuk e kishte ndryshuar qëndrimin injorues, madje në një segment edhe kishte bashkëpunuar me organizma të caktuar të huaj, për ta paraqitur fajtore UÇK-së, njëjtë si regjimin e Milosheviqit, duke e akuzuar për vrasjen e kundërshtarëve politikë.

Kjo Lëvizje e cila pas luftës i gëzoi 90% të favoreve që kishte sjellë gjaku i lirisë, nuk e pushoi as e ka pushuar luftën kundër UÇK-së, sepse ajo bashkëpunoi me të gjitha organizmat ndërkombëtarë në Kosovë e më gjerë me qëllim që kjo luftë të minimizohet, të etiketohet dhe të demonizohet, ashtu sikur e ka ndodhur dhe po ndodh realisht.

Njëzet e një vjet pas çlirimit, Kosova ende ndodhet në udhëkryq, statusi i saj është degraduar, një numër shtetesh, sa do të parëndësishme qofshin ato,  e kanë hequr njohjen e pavarësisë.  Evropa zvarrit liberalizimin e vizave dhe na mbanë në geto.  Po kështu, njëzet e një vjet pas çlirimit flitet për kompromis të ri që Kosova duhet t i bëjë Serbisë, në një kohë kur kriza politike në Shqipëri ka arritur kulmin dhe kur shqiptarët e papunë dhe pa perspektivë, ikin nga të mundin në shtetet e botës.

Së shpejti do të fillojë ngritja e aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër UÇK-së dhe do të vihet në pikëpyetje edhe pavarësia e Kosovës, meqë ajo në radhë të parë  ishte është dhe do të mbete rezultat i kësaj lufte dhe jo i shteteve që na kanë ndihmuar.

Në këtë kaos, në këtë gjendje pa rrugëdalje, ne, për një ditë të vetme festojmë, kujtojmë, argëtohemi, dalldisemi dhe qysh nesër fillojnë të na konfigurohen problemet si, papunësia,  skamja  e varfëria në njërën anë e luksi i milionerëve e miliarderëve shqiptarë në anën tjetër, pasuria enorme e zyrtarëve, të cilët qesëndisim popullin fukara me konstatimin se dy tre milionë euro në duar i ka çdo politikan, madje si minimum, e në anën tjetër  qindra mijëra të papunë që jetojnë me  një euro e gjysmë shpenzime në ditë, shto tani edhe pasojat e pandemisë që kanë lënë pa punë dhjetëra mijëra të tjerë. Tërë kësaj  i shtohet edhe zezona e përçarjes e luftës së ashpër për pushtet, e cila po merr përmasa të një ndeshjeje të çoroditur politike, jo për Kosovën, jo për popullin e saj të shumëvuajtur e të degdisur, por për mujsharët e politikës, të cilët bëjnë luftë për jetë a vdekje me qëllim për ta marrë në shfrytëzim buxhetin e Kosovës, për t’i larguar nga puna ata që janë të një partie tjetër dhe për t i vendosur të vetët, për t’u pasuruar dhe për të blerë votat për të siguruar edhe zgjedhjet në vazhdim.

21 vjetori i Çlirimit të Prishtinës dhe i tërë Kosovës më 11 dhe 12 qershor të vitit 1999, mbeten dy datat ndër më të rëndësishmet të historisë sonë më të re, por edhe 21 vjet pas çlirimit nuk kemi unifikuar një qëndrim kombëtar lidhur me këto data. Ata që injorojnë dhe përjashtojnë si datë 11 qershorin, injorojnë luftën e UÇK-së, ndërsa datë të çlirimit të Kosovës konsiderojnë hyrjen e trupave të këmbësorisë së NATO-s në Kosovë, fakt që nuk mund të mohohet, por edhe fakt që nuk përjashton hyrjen e forcave të UÇK-së në kryeqytet një ditë më parë.

Po ashtu është edhe një fakt tjetër që e fshehin me dredhi, madje edhe disa analistë e komandantë të luftës.

Dihet botërisht se shumë zona të luftës që i mbante nën kontroll UÇK-ja, ishin zona të çliruara dhe të mbrojtura, pavarësisht se ishin zona rurale, sepse ato ishin fortifikatat e pathyeshme të UÇK-së, në të cilat nuk ka shkelur  kurrë këmba e asnjë ushtari apo polici serb. Ato zona ishin çliruar dhe ishin mbrojtur me gjakun e mijëra dëshmorëve e martirëve. Po të bëjmë një analizë sado të përgjithësuat  të shtrirjes së UÇK-së në territorin e Kosovës, atëherë del në pah  kjo e vërtetë e pamohueshme, se një pjesë e madhe e territorit rural të Kosovës ishte çliruar me forcat e veta, qysh në verë të vitit 1998. Po të mos ishte kështu, ku do të kishin gjetur strehim shumica dërrmuese e popullatës së zhvendosur nëpër gryka malesh, në pllaja apo lugina, e cila mbrohej nga luftëtarët e lirisë. E them me përgjegjësi duke u mbështetur në fakte e të dhëna së një e treta e luftëtarëve të lirisë kanë rënë në mbrojtje të popullatës së zhvendosur, që në të njëjtën kohë ishin edhe baza të UÇK-së, pavarësisht se forcat serbe numerikisht ishin shumë më të mëdha dhe në raste të caktuara kishin  arritur  të depërtonin e ta masakronin popullatën civile. Në mbrojte të popullatës dhe vijave të fronit ka rënë Komandanti i Zonës së Drenicës, Fehmi Lladrovci, pastaj komandanti, Ilaz Kodra, Komandanti i Zonës së Neredimës, Qamil Ilazi, Komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku, Komandanti i Brigadës 121, Ismet Jashari, Kumanova, dhe jo pak të tjerë.    Të gjitha këto fakte dalin të jenë reale në biografitë e dëshmorëve  të prezantuara në vëllimet e monografisë, “Feniksët e Lirisë” dhe në libra të tjerë, të shkruara me profesionalizëm dhe korrektësi nga disa autorë pjesëmarrës në luftën e UÇK-së.

11. 6. 2020

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …