Nuhi Bytyqi: Përgjigjet e mia dhënë Prokurorisë Speciale kanë qenë në shërbim të së vërtetës së luftës çlirimtare të UÇK-së

NUHI BYTYÇI: Të mbrohen vlerat e luftës së shenjtë të UÇK-së

Të gjithë kemi besuar në drejtësinë ndërkombëtare dhe askush nuk ka menduar se ajo do të merret vetëm me qitjen në bankën e të akuzuarve vetëm të pjesëtarëve të një etnie, të cilët kanë luftuar për liri dhe kanë qenë viktima. Tashmë jemi dëshmitarë se akuza kryesore e Rezolutës për formimin e Gjykatës speciale të iniciuar nga senatori Dick Marty dhe miratuar nga Këshilli i Evropës për ndriçimin e “trafikimit të organeve nga UÇK-ja”, nuk përmendet askund në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Hagës ndaj krerëve të UÇK-së.

Ngritja e aktakuzës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Kosovës, sipas mendimit tim janë bazuar në disa akuza të fabrikuara nga ish-regjimi dhe regjimi aktual i Serbisë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Sipas tyre pretendohet se nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me akuzën se të akuzuarit paskan bërë “ndërmarrje të përbashkët kriminale, kryer krimet e luftës, të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes së civilëve serbë, romë, ashkalinj, katolikë, anëtarë të LDK-së dhe të partive tjera”. Padyshim, kjo është një ndër akuzat më të rënda ndaj tërë një ushtrie, e cila zhvilloi luftë të drejtë dhe të shenjtë për liri dhe pavarësi të popullit të Kosovës. Akuza e tillë është fyerja dhe njollosja më e pashembullt që u bëhen të gjithë çlirimtarëve dhe popullit të Kosovës, që e mbështeti luftën e UÇK-së, por edhe të faktorëve relevantë ndërkombëtarë, miqve tanë ndërkombëtarë, që ndihmuan në çlirimin e Kosovës nga regjimi militarist e gjenocidal i Serbisë në krye me Sllobodan Millosheviqin dhe largimin përfundimtar të administratës serbe nga Kosova.

Përpjekjet për balancimin, barazimin e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krimeve që ka bërë regjimi okupues serb, amnestimi dhe përkdhelja e Serbisë, janë në kundërshtim me të gjitha normat pozitive të drejtësisë ndërkombëtare dhe kontribuojnë në destabilizimin e shtetit të Kosovës dhe të rajonit.

Ndërtimi i aktakuzës nga dosjet e Prokurorisë së Serbisë dhe të disa shërbëtorëve të saj në Kosovë, është nxitur nga disa qarqe antishqiptare dhe antiamerikane, që u vunë në agjendën e shërbimeve serbe dhe ruse në Ballkan. Kjo padyshim është pjesë e skenarëve të regjimit aktual serb, që është vazhdimësi e ish-regjimit kriminal të Millosheviqit kundër shtetit të ri të Kosovës.
Synimi për margjinalizimin dhe para së gjithash për kriminalizimin e luftës së shenjtë të popullit të Kosovës udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, largimin nga skena politike dhe publike e Kosovës krerëve të UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës, janë pjesë e skenarëve të kahmotshëm të disa qarqeve anti UÇK dhe anti Kosovë. Po të ishte gjallë edhe Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, me siguri se edhe emri i tij do të ishte në mesin e të akuzuarve. Dihet se burimi i akuzave është pikërisht në Beograd, i cili nuk i ka dënuar kryesit kryesorë të krimeve mbi shqiptarët në Kosovë, ende nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra ndaj civilëve shqiptarë dhe vazhdon ti mohojë ato dhe po i fsheh  gjurmët e krimeve të luftës.

Gabimet në shtetbërje, e sidomos përçarja e faktorit politik shqiptar dhe defaktorizimi i tij në Ballkan, pikërisht në momentin kur është dashur që ai të unifikohet dhe të veprojë me një strategji të përbashkët dhe largpamëse për të rrumbullakuar procesin e ndërtimin të shtetit demokratik të Kosovës dhe të njohjes ndërkombëtare të tij, ka ndikuar që pikërisht tani edhe Prokuroria speciale të ngrisë aktakuzat ndaj krerëve të UÇK-së, gjë që ka gëzuar kundërshtarët e shtetit të pavarur të Kosovës.

Prandaj, bartësit aktualë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe liderët e të gjitha forcave politike shqiptare të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, duhet të unifikohen dhe ta hartojnë strategjinë e bashkëveprimit si komb me qëllim të kundërshtimit të tendencave për destabilizimin e Kosovës, që të mbrojnë sakrificën sublime të popullit të Kosovës, të mbrojnë vlerat e lirisë dhe të shtetit të ri të Kosovës.

Kosova e ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë. Tani është koha që projekti i lirisë dhe shtetit ti hiqet mjegulla, që pengon ecjen përpara. Vlerat e luftës së shenjtë të UÇK-së nuk duhet lejuar që të njollosen nga askush. Ashtu si kanë sakrifikuar, madje edhe duke qenë të gatshëm që edhe të flijohen për lirinë e saj, jam i bindur se krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do ta fitojnë edhe betejën përfundimtare para drejtësisë ndërkombëtare. Bota e di se shqiptarët nuk ishin kriminelë, por viktima. Prandaj, viktimat nuk duhet të ndëshkohen sërish, as të nëpërkëmben, sepse e ardhmja duhet të ndërtohet mbi themele të shëndosha, humane dhe të qëndrueshme.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …