Nuk fitoi drejtësia në Hagë, por iu kursye “fytyra” Karla del Pontes dhe Prokurorisë ( RKL)

Dhoma e Gjykatësve e Tribunalit të Hagës, dje e peshoi drejtësinë, e cila përfundoi me një kompromis në dëm të eprorëve të UÇK-së, të cilët qenë akuzuar për krime lufte nga kryeprokurorja e këtij Tribunali, zonja e mirënjohur, Karla del Ponte, e cila fytyrën e saj të vërtetë dhe disponimin antishqiptar e shprehu publikisht në ditën e fillimit të gjykimit kundër ish komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe dy eprorëve të UÇK-së Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Me fjalimin e saj paragjykues dhe të pandejë për një autoritet, që përfaqëson një gjykatë ndërkombëtare, ajo mundohej ta vuloste që në fillim fatin kundër këtyre tre të akuzuarve. Ajo ishte shprehur me një gjuhë fyese e përçmuese nën çdo nivel të korrektësisë së përfaqësimit të një institucioni. Kryeprokurorja me fjalimin e saj fyes e akuzues, asokohe bënte përpjekje që paraprakisht t’i demonizonte çlirimtarët e Kosovës dhe në këtë mënyrë pretendonte ta njolloste edhe tërë luftën heroike çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së. 
Trupi gjykues kishte dëgjuar me vëmendje të gjithë dëshmitarët, në mesin e tyre edhe policë dhe kriminelë serbë, të cilët kishin vrarë dhe kishin masakruar popullatën civile shqiptare në Kosovë. Prokuroria duke u mbështetur në deponimet e tilla, bëri përpjekje që tre të akuzuarit të shpalleshin fajtorë për krime lufte dhe të denoheshim me nga 25 vjet burg. Mbrojtja e bindur në pretendimet e prokurorisë, që në fillim mori pozicion pasiv sa i përket ballafaqimit të fakteve, e bindur se akuzat e tilla nuk ishin valide, as mund të merreshin si rrethana reale, me faktin se dëshmitarët ishin nga radhët e regjimit kriminal të Milosheviqit.
Në fund të këtij gjykimi, Dhoma e Gjykatësve, pasi kishte analizuar në hollësi të gjitha deponimet, më 3 prill 2008, mori vendim për shpalljen e pafajësisë për ish komandantin e Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe për eprorin, Idriz Balaj, i cili sipas të njëjtave akuza po mbahet në vuajtje të dënimit, që ia ka shqiptuar një gjykatë ndërkombëtare në Kosovë. Ai në fakt, as u lirua nga akuza, as u lirua nga burgu. Dhe për ta shpëtuar procesin, Trupi gjykues shpalli fajtor, ish eprorin e UÇK-së Lahi Brahimaj, të cilin e dënoi gjashtë vjet burg. Po kështu ishte vepruar edhe në Gjykimin kundër Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haradin Balës. Shpallja fajtor e Haradin Balës, u bë me qëllim të mos dështonte procesi kundër luftëtarëve të UÇK-së.

Nga do që të analizohen këto dy procese politike nga Tribunali i Hagës, fitohet përshtypja se ky Tribunal është i ndikuar politikisht dhe në shumë raste nuk bën dallim mes palëve ndërluftuese, Po ashtu, Tribunali ka bërë dhe po bën përpjekje që të gjitha palët e përfshira në luftë dhe në konfliktet ndëretnike në ish Jugosllavi, t’ i paraqesë së palë të implikuara në krime. Në këtë mënyrë hetohet tendenca e relativizmit, tendencë kjo e cila e dëmton rëndë çdo institucion të drejtësisë, meqë kurrë dhe asnjëherë nuk mund të trajtohen njëjtë dhunuesit, kriminelët, vrastarët me ata që janë detyruar të mbrohen, me ata, të cilët për të mbijetuar janë detyruar që nganjëherë t i ndërprejnë edhe lidhjet e disa bastardëve, të cilët kanë bashkëpunuar me regjimin. Kështu ka ndodhur dhe ndodh kudo në të gjitha luftërat çlirimtare dhe në të gjitha vendet e botës. Kështu ka ndodhur gjatë tërë historisë së civilizimit, kudo në botë. 

Pretendimet e pamatura të disa analistëve tanë për ta paraqitur Hagën si institucion të drejtësisë, për të konstatuar se në Hagë paska fituar drejtësia, janë pretendime të ngjyrosura me “natyrën” pacifiste, me trashëgiminë e mentalitetit të robit. Sepse të shpallësh të pafajshëm të akuzuarin, i cili ka vuajtur tri vjet në burg, çdo kund në botë tërë procesi cilësohet si dështim, jo vetëm i Prokurorisë por edhe i Gjykatës, e cila nuk ka lejuar që pala e akuzuar të mbrohet në liri. Praktika e tillë e mbrojtjes në liri nuk është aplikuar vetëm për shqiptarët në Tribunalin e Hagës, ndërsa në formë selektive është aplikuar për të akuzuarit në Serbi, në Bosnje dhe në Kroaci.
Familja e njohur atdhetare, Haradinaj, e cila ka kaluar nëpër sfida shumë të rënda dhe të rrezikshme ka arsye të gëzohet për lirimin e Ramushit, por askush nuk ka arsye të festojë, sepse në Tribunalin e Hagës nuk ka fituar drejtësia, por është kursyer Prokuroria dhe veçanërisht Karla del Ponte, e cila sikur është dëshmuar me fakte dhe argumente në mjetet e informimit, nuk i ka publikuar dokumentet me të cilat do të fajësohej regjimi i Beogradit për krimet e luftës në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. 
Në Burgun e Sheveningenit ndodhen duke vuajtur dënimet edhe dy luftëtarë të lirisë, në burgjet e Kosovës ndodhen me qindra, po ashtu edhe në burgjet e Sllavomaqedonisë. Nuk duhet ushqyer iluzione se nuk do të ketë edhe akuza të tjera gjithnjë duke u bazuar në aktakuzat e ngritura nga Ministria serbe e Drejtësisë. Pikërisht duke u mbështetur në këto akuza të Beogradit janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar qinda luftëtarë të lirisë. 
Fushata e ndjekjes penale kundër luftëtarëve të UÇK-së nuk ka marrë fund. Përkundrazi ka paralajmërime se ajo do të rifillojë, me qëllim që të devalvohet në tërësi lufta çlirimtare, në mënyrë që të demonizohet një praktikë e tillë e luftës për liri, e cila mund të frymëzojë avangardën e popujve të shtypur e të robëruar.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …