Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, e ka cilësuar procesin e gjykatës së Hagës për ish krerët e UÇK-së, të stërzgjatur duke thënë se ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në paraburgim prej gati gjashtë vitesh. “Është zgjatur e stërzgjatur procesi në Hagë. Duke i ditur faktet dhe argumentet që gjithmonë kanë qenë në anën e krerëve, afër gjashtë vite mbahen padrejtësisht krerët e UÇK-së në Hagë. Ne e dimë se çfarë kontributi kanë dhënë ata për vendin dhe popullin tonë. Besojmë dhe shpresojmë fuqishëm që ata do të kthehen në gjirin familjar dhe në rrethin ku jetojnë dhe veprojnë, sepse ata luftuan për këtë popull”, ka deklaruar Gucati. Ai ka shtuar se veteranët dhe bashkëluftëtarët presin që procesi të përfundojë sa më shpejt dhe që drejtësia, sipas tij, të vihet në vend. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, i cili ka deklaruar se familjet e dëshmorëve presin një vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar se lufta çlirimtare e Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër. “Gjykata Speciale është gjykatë e padrejtë. Vetë krijimi i saj ka qenë i dyshimtë për faktin se është krijuar në bazë të një raporti shpifës të Dick Martyt. Tani jemi në përfundim të gjykimit dhe ne shpresojmë shumë që ata të lirohen. Është e padrejtë nëse vendoset të dënohen, sepse lufta jonë ka qenë e drejtë dhe e pastër”, ka deklaruar Jashari. Sipas tij, një vendim dënues do të interpretohej si një goditje ndaj vetë luftës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
