Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po përballet me kritika pasi vetëm pak javë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit, Qeveria ka nisur verifikimin e përfituesve të shtesave për fëmijë, për shkak të dyshimeve se mijëra persona që nuk banojnë në Kosovë kanë vazhduar të marrin përfitime nga buxheti i shtetit. Ironia që po theksohet nga kritikët lidhet me faktin se gjatë fushatës zgjedhore, Kurti u kishte bërë thirrje bashkatdhetarëve që t’i regjistronin sa më shpejt fëmijët në sistemin e gjendjes civile. “Mos harroni fëmijët t’i regjistroni në sistemin e gjendjes civile sa më herët aq më mirë”, deklaronte Kurti më 13 dhjetor 2025. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Financave, më 19 qershor ka nisur një proces i gjerë verifikimi për pastrimin e listave të përfituesve, pas dyshimeve se një numër i konsiderueshëm i përfituesve nuk janë banorë të Kosovës. Sipas të dhënave zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga diaspora, duke fituar rreth 70 për qind të votave me postë në zgjedhjet e dhjetorit dhe rreth 83 për qind në zgjedhjet e 7 qershorit. Kritikët e Qeverisë ngrenë pyetjen pse verifikimi nuk u zhvillua para zgjedhjeve, por vetëm pasi procesi zgjedhor kishte përfunduar. Ata pretendojnë se një veprim i tillë krijon perceptimin se skema e shtesave është toleruar deri në përfundimin e zgjedhjeve, ndërsa më pas ka nisur kontrolli i përfituesve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
