Përparim  Gruda: PDK nuk hyn në “teatër politik”, Kurti vazhdon të kërkojë të gjitha pushtetet

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se partia e tij mbetet e vendosur në qëndrimin për të mos marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për ta ndryshuar këtë vendim. Gruda tha se refuzimi i PDK-së nuk ka qenë i nxituar dhe as i motivuar nga inati, por rezultat i një vlerësimi politik të mirëfilltë. “S’jemi penduar për këtë vendim. Nuk është marrë me ngut, pa diskutim apo si reagim emocional. Nuk ka ndryshuar asgjë që nga zgjedhjet e 7 qershorit”, u shpreh ai. Sipas Grudës, kryeministri Kurti vazhdon të mbajë të njëjtat ambicie politike, duke synuar kontroll mbi të gjitha institucionet, përfshirë edhe pozitën e presidentit. “Ai dëshiron t’i ketë të gjitha pushtetet. Përpiqet të krijojë përshtypjen se po e ndan pushtetin me opozitën, por në realitet nuk po ndan asgjë”, deklaroi deputeti i PDK-së. Gruda kritikoi edhe formatin e takimeve politike të iniciuara nga Kurti, duke i cilësuar ato si përpjekje për të krijuar jehonë mediatike. Ai shtoi se PDK nuk do të mbështesë asnjë marrëveshje që, sipas tij, do t’i mundësonte Kurtit kontroll të plotë institucional, por njëkohësisht nuk e konsideron zgjidhje dërgimin e vendit në zgjedhje të reja. “Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me opozitën dhe do të negociojmë me partitë e tjera, jo për t’ia dorëzuar të gjitha pushtetet një njeriu të vetëm”, përfundoi Gruda.

Kontrolloni gjithashtu

Haga heq kufizimet për disa vizitorë të Hashim Thaçit, ndalesa vazhdon për katër të tjerë

Gjyqtari Christopher Gosnell ka marrë më 21 shtator vendim për ndryshimin e kufizimeve lidhur me …