Po fillon periudha e rrezikshme e “kosovarizimit” të shqiptarëve

Shpallja e konkursit për simbolet e reja të Kosovës nga kryesia e Kuvendit, përmbajtja e “pakos” së Ahtisarit, e cila parasheh formimin e një entiteti të ri me disa elemente të shtetësisë në Kosovë, dhe tërë procesi politik nëpër të cilin po kalon vendi ynë, janë problemet me të cilat po ballafaqohemi në drejtim të lëkundjes së rrezikshme të identitetit tonë kombëtar. 

Tashmë po kuptohet mirëfilli se çfarë rreziku është përgatitur për kombin shqiptar, nën maskën e krijimit të një Kosove multietnike. Politikanët tanë këtë formulë e kanë pranuar pa asnjë rezervë, ndoshta edhe duke mos e hetuar me kohë rrezikun që parashihte përkufizimi i tillë, në esencë antikombëtar.

Tash kur Kosova po konfigurohet si një krijesë, ende e patrajtë dhe e pa formë, kur KS i OKB-së po përgatitet për të përcaktuar një status special të mbikëqyrur dhe me një prani të fortë politike e ushtarake ndërkombëtare, po ndihet edhe nevoja për krijimin sa më parë të disa simboleve, të cilat do ta identifikojnë këtë, ta themi entitet me disa komponente shtetërore.
Nisur nga qëndrimi unik i bashkësisë ndërkombëtare se Kosova do të jetë një sajesë mulitetnike, kuptohet mirëfilli se ajo duhet të ketë edhe simbole multietnike, që do të thotë simbole të përziera e të tiganisura: shqiptare, serbe, turke, rome, ashkali, boshnjake, e çka jo. Dhe në këtë “kazan mulietnik” nuk mund të konceptohet asnjë identitet i mirëfilltë, edhe pse Kosova ka më shumë se 90 për qind pjesëtarë të kombit shqiptar.
Shpallja e konkursit për simbolet e Kosovës nga Kryesia e Kuvendit , është bërë sa për sy e faqe, sa për të arsyetuar punën dhe angazhimin e kuvendarëve, edhe në këtë drejtim, sepse pavarësisht nga angazhimi i tyre në përzgjedhjen e simboleve, formën, përmbajtjen, ngjyrën dhe definicionet do t’ i vendos dhe do t’i vulos një instancë ndërkombëtare, e cila mund të mos marrë fare në konsiderim asnjë propozim të kuvendarëve tanë, ashtu sikurse nuk e ka marrë parasysh as rezolutën, me të cilën, Kuvendi i Kosovës në vitin 2001 bëri përpjekje për të mos iu dhënë sllavomaqedonëve 2400 hektarë tokë të vendit tonë.

Është edhe një e vërtetë tjetër në këtë mes. Simbolet e reja të Kosovës nuk do të prekin simbolet e veçanta kombëtare, të cilat në këtë rast nuk do të kenë asgjë të përbashkët me simbolet, që do të quhen shtetërore, apo simbolet e entitetit të Kosovës. Këto simbole do të afishohen në festa kombëtare, në dasma, nëpër akademi përkujtimore dhe në aktivitete kulturore. 
Dhe pikërisht me përzgjedhjen apo imponimin nga ndërkombëtarët të simboleve të Kosovës multietnike fillon edhe periudha e rrezikshme e kosovarizimit të shqiptarëve, periudha e një shkizme të re, gjithsesi shumë e dëmshme për kombin në përgjithësi. Sepse pas disa dekadave, Kosova do të ketë një identitet autentik, që do të jetë pjellë e përzierjes kombëtare, fetare, dhe racore. Ky edhe ka qenë dhe është synimi strategjik i politikës së bashkësisë ndërkombëtare, sepse me shuarjen graduale të identiteteve kombëtare, shuhen edhe aspiratat për liri e bashkim kombëtar, shuhen edhe dallimet mes popujve dhe natyrisht se nëse ndodh kjo shuhen edhe faktorët që ndikojnë në gjenerimin e krizave të kësaj natyre.

Këto pretendime gjithsesi se janë utopike, sepse edhe për shumë vjet e mot do të ketë në Kosovës shqiptarë kokëfortë e idealistë që nuk do ta pranojnë ndërrimin e identitetit kombëtar, do të ketë edhe serbë në Kosovë, që kurrsesi nuk do të pranojnë të kosovarizohen. Sa u përket etnive të tjera ato do të jenë dekor plotësues të këtij farë multietniteti, jo vetëm virtual.

Shqiptarët e Kosovës, të ushqyer me idealizmin çlirimtar kombëtar, me vlerat autentike afirmative dhe pozitive kombëtare, tashmë të përjetësuar me idealet ademjasharjane të qëndresës dhe sakrificës për liri, nuk do të pranojnë ta ndërrojnë identitetin, por koha me siguri se do ta bëjë të veten.
Jo të gjithë shqiptarët e vendit tonë kanë pasur, apo e kanë sentiment të shenjtë kombin, atdheun dhe bashkimin kombëtar. Ashtu sikurse edhe te popujt e tjerë, edhe në mesin tonë ka shtresa lehtë të konvertueshme, të cilat do të prijnë në procesin e kosovarizimit, ashtu sikurse në kohën e Titos, kur pjesëtarë të kombeve të ndryshme regjistroheshin me përkatësi kombëtare si jugosllavë, duke pretenduar krijimin e një kombi unik pansllav, në këtë pjesë të Ballkanit.
Mendoj se “kosovarizimi” do ta ketë të njëjtin fat sikur dikur “jugosllavizimi”. Çështja e ndërrimit të simboleve, nuk është një lajm i mirë për kombin, por ky veprim mund ta përshpejtojë hapjen për trajtim të çështjes shqiptare në Ballkan. A. Q.

Kontrolloni gjithashtu

Bajraktari: Për një periudhë tejet të gjatë kohore krimet e luftës kanë qenë kompetence e autoriteteve ndërkombëtare

Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se trajtimi i krimeve të luftës në përgjithësi dhe atyre …