Brickos

Vladimir Putin

Politikanët shqiptarë nuk tregojnë gatishmëri, ose kanë frikë t’ i komentojnë deklaratat e Putinit lidhur me Kosovën

Nuk është hera e parë që kryetari i Rusisë, Vladimir Putin, përmend rastin e Kosovës, me pretendime për të arsyetuar shkëputjen e rajoneve rusisht-folëse nga ish shtetet e Bashkimit Sovjetik.

Administrata e Kremlinit deklarativisht ka qenë dhe mbetet e qartë ndaj Kosovës. Ajo nuk e pranon pavarësinë e vendit tonë, por ka bërë të ditur se do të pranojnë çdo marrëveshje që do të arrijnë Kosova dhe Serbia në fund të procesit të bisedimeve.

Parimisht, këtu nuk ka asgjë të keqe, por Putini nga ana e tij, edhe pse nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, e shfrytëzon sikur pranon edhe vetë,  si precedent dhe në këtë mënyrë arsyeton veprimet e veta në shkëputjen e rajoneve separatiste.

Dihet se në vitin 2008,  disa muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës,  kryetari rus, Dimitri Medvedev, kishte  nënshkruar një dekret për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, dy rajoneve që asokohe kërkonin  shkëputjen nga Gjeorgjia, si shtete të pavarura.

Tani pas intervenimit në Ukrainë, kryetari aktual, Vladimir Putin kërkon të shkëpusë, në fakt tashmë i ka shkëputur, dy rajonet rusisht-folëse të Donetskut e Luhanskut , jo vetëm në saje të plebishitit, që ishte zhvilluar paraprakisht,  por tani po i bën realitet edhe me forcën e armëve.

 

Ditë më parë kryetari i Rusisë, Vladimir Putin, ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Një pjesë e bisedës mes tyre, është zhvilluar edhe për Kosovën dhe sikur thuhet  luftën kundër serbëve. Putin e ka përdorur Kosovën si pretekst për ta justifikuar pushtimin rus të Donbasit dhe planet e afërta për shkëputjen e rajonit nga Ukraina. Ai ka thënë në atë rast: “Personalisht kam lexuar të gjitha dokumentet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për situatën në Kosovë. Më kujtohet mirë në vendim ku thuhet që një apo tjetër territor për ta ushtruar të drejtën e vetëvendosjes, nuk është i detyruar të kërkojë leje për të deklaruar sovranitetin. Ky është një vendim i gjykatës ndërkombëtare. Ky vendim u mbështet gjithashtu nga të gjithë, citohet të ketë thënë, kryetari i Rusisë, Vladimir Putin. Ai ka deklaruar se Luhansku dhe Donetsku, kanë të njëjtën të drejtë ashtu sikur e ka edhe Kosova, pasi tashmë është krijuar një precedent.

Kjo deklaratë e Vladimir Putinit, në rastin e Kosovës, nuk paraqet asgjë të re, pasi këtë qëndrim Rusia e ka bërë të ditur edhe shumë vjet më parë, por në situatën aktuale i referohet edhe Serbisë, për ta shkëputur veriun e Kosovës, gjithnjë  sipas analogjisë, sipas parimit të shumicës etnike.

Kryetari i Serbisë, Aleksander Vuçiq kërkon Veriun, duke i mbajtur edhe tri komunat e Kosovës Lindore, pasi politika aktuale në Prishtinë nuk pranon shkëmbim të territoreve. Në këtë rast mbetet të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, që është krijim i një republike serbe, pa emër të tillë, por me të gjitha kompetencat e një entiteti autonom brenda Kosovës, që do të ishte zgjidhka më e keqe e mundshme.

Kërkesa e BE-së dhe krejt hapur edhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që çështjet mes Kosovës e Serbisë të zgjidhen me kompromis, nënkuptojnë dy mundësitë, duke lënë hapur edhe shkëmbimin e territoreve.

Qeveria aktuale e Kosovës, po kërkon me çdo kusht ta ruajë status-quonë, sepse i frikësohet të dyja opsioneve, ndërkohë që është tejet e vetëdijshme se është futur në dialog me KOMPROMIS, dhe nuk i ikë dot, pavarësisht ankimeve të shumta që shpreh  në raport me Serbisë.

Deklaratat e kryetarit të Rusisë, Vladimir Putin, duhet të marrin përgjigje në mos për tjetër, për hir të opinionit, pasi dihet mirë se Rusia nuk  është në akord të plotë as me Serbinë, e cila ndodhet para dilemës hamletiane dhe duhet të vendos përfundimisht se kah do të pozicionohet, edhe pse vazhdon të jetë e përkëdhelura e BE-së,  e  cila po  ia lejon pozitën dualiste, por kjo nuk në rrethanat e tanishme nuk mund të zgjasë për shumë kohë.

Duke qenë në Ballkan,  e rrethuar nga të gjitha anët me shtetet anëtare të NATO-s, Serbia nuk mund të deklarohet as të pozicionohet  decidivisht  vetëm me Rusinë, përveç në rast të luftës në rajonin e Ballkanit, nga ku Rusia po bën për pjekje ta largojë dominimin e NATO-s.

Serbia është në pozitë shumë të pa lakmueshme, por ne nuk kemi një diplomaci të fortë, as përpiqemi të marrim një qëndrim unik, kombëtar për ta vënë Serbinë  para aktit të kryer.

Askush nuk e dëshiron një luftë me Serbinë, e më së paku,  ata që gjatë luftës kanë ikur nga Kosova dhe tani janë në pushtet, por  ruajtja e status-quosë, nuk i zgjidh problemet vetëm i degjeneron dhe i përkeqëson ato.

Qeveria e Kosovës ka qenë dashur ta ketë një kurs më të përmbajtur në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, por ajo nuk ka guxim të marrë qëndrim të vetin, pos atij amerikan. Ky qëndrim duhet të mbështetet në realitetin e marrëdhënieve të Kosovës me Ukrainën, e cila nuk e ka njohur as e njeh pavarësinë e Kosovës, sepse janë pikërisht rajonet separatiste të Donbasit, që e pamundësojnë njohjen. Derisa Ukraina, të paktën deri tani kërkon ta ruajë sovranitetin me rajonet ruse  brenda shtetit të vet, edhe po të dojë nuk e merr përsipër një veprim të tillë, sepse Ukraina dhe ukrainasit  e duan dhe e respektojnë  Serbinë 100 herë me tepër sesa Kosovën. Këtë e ka treguar dhe po e manifeston krejt hapur Qeveria e këtij vendi, dhe,  kjo është krejt normale po të kemi parasysh jo vetëm interesat e të dyja vendeve, por edhe vëllazërinë, përkatësinë fetare e kulturore, të dy kombeve dhe jo vetëm këto.

Përkrahja pa rezervë që Kosova e Shqipëria po i bëjnë Ukrainës, është parimore, por edhe kontradiktore, madje pa asnjë përfitim në planin e brendshëm.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

  1. 4. 2022

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …