Preng Cub Lleshi

Preng Cub Lleshi: Vallë, kjo është demokracia?!

Kaluan tanimë 28 vite nga 20 shkurti i vitit 1991, kur forcat e zeza antikomuniste, të komanduara nga ca intelektualë me bluza të bardha, nën thirrjen histerike “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, rrëzuan përmendoren e Komandantit legjendar të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe të  udhëheqësit të PPSH e të popullit shqiptar, Enver Hoxha. Ky akt vandal, siç dihet, shënoi preludin e përmbysjes së pushtetit popullor në Shqipëri, që pat lindur nga zjarri i luftës partizane fill pas 29 nëntorit të vitit 1944.

Që kishim të bënim me një akt vandal, të ideuar nga forca të zeza antipopullore, e treguan zgjedhjet e 31 marsit të këtij viti (1991) për në Kuvendin Popullor, kur mbi 70 % e shqiptarëve ja dhanë votën përsëri PPSH, partisë që kishte themeluar dhe udhëhequr pikërisht Enver Hoxha. Kjo tregonte se ishte “tërhequr zvarrë” vetëm lënda e bronxtë e monumentit të Enver Hoxhës, por jo kujtimi e lavdia e tij në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve!

Veçse projekti i zi i Ramiz Alisë, që kishte marrë vulën dhe bekimin përtej Atlantikut, do të “realizohej” më 22 mars 1992, pikërisht në atë moment kur “i zoti i shtëpisë” e kishte planifikuar djegien e shtëpisë së tij. Atëherë në krye të vendit erdhi i besuari i R. Akisë, ish-komunisti i stazhionuar Sali Berisha, i mbiquajtur vite më vonë si “Zjarrvënësi i Shqipërisë”.

Dhe, siç dëshmuan vitet pas 22 marsit të vitit 1992, epiteti “zjarrvënës i Shqipërisë”, që iu ngjit S. Berishës kishte qenë i goditur. Se, në emër të luftës për “çrrënjosjen e komunizmit”, jo vetëm u mbyllen, si jo rentabël” (?!), qindra fabrika e uzina, të cilat  ishin ndërtuar në vitet e socializmit, por edhe u shkatërruan nga themelet, duke “harruar” se ato ishin ngritur me mundin dhe djersën e shqiptarëve.

Po ja që “e shumë e endërruara demokraci pluraliste” (?!), që nisi me rrëzimin e përmendores së Enver Hoxhës e me shkatërrimin e fabrikave e të uzinave, duke lënë pa punë me mijëra punëtorë, do të vazhdonte, çuditërisht, me sulmin mbi simbolet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, mbi bustet e lapidarët, të cilët ishin ngritur në nderim të heronjëve dhe dëshmorëve, që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë nga robëria fashiste. Dhe atëherë shqiptarët e ndershëm shtruan pyetjen: Mirë se Enver Hoxhën e kishin inat si komunist, po me luftëtarët e lirisë ç`paten? Pse i rivranë? Se ata nuk ishin të gjithë komunistë!

Por çmenduria e ithtarëve të “demokracisë pluraliste”, çuditërisht, nuk mbaronte këtu. Se, pasi kishin rrëzuar e përmbysur, si komuniste, simbolet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, këta antikomunistë profashistë, u hodhen në sulm edhe kundër busteve e simboleve të periudhës së Rilindjes Kombëtare, kundër figurave të ndritura të kësaj periudhe historike, që frymëzuan aktin e madh të pavarësisë kombëtare më 28 Nëntor 1912.

Kështu, në vitet e para të “mbretërimit” të S. Berishës si President i Shqipërisë, në Korçë u rrëzua busti i Naum Veqilharxhit-hartuesit të abetares të parë në gjuhën shqipe, në Gjirokastër prishet varri i Koto Hoxhit, luftëtarit të shquar për shkollën shqipe, në Sarandë shtëpia muze ngritur në nderim të poetit të Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri, kthehet në mejhane, në Drenovë të Korçes dëmtohet busti i poetit Asdreni, në Berat përmbyset busti i Babë Dud Karbunares, në Kurbin të Krujës prishet lapidari dhe dëmtohet varri i Heroinës së Popullit Shote Galicës, në Vlorë thyhet busti i Sali Vranishtit, luftëtarit për lirinë e Shqipërisë më 1920.

Këto veprime vandaliste të turmave “pa tru”, siç i quante një poet këta shkatërrues, dëshmonin se në këto vite të mbrapshta të mbretërimit të të djathtes shqiptare, nuk kishim të bënim vetën me një veprimtari thjeshtë antikomuniste, por edhe me një veprimtari antikombëtare. Për këtë dëshmonte edhe ngritja në një nga rrugët kryesore të Tiranës, e monumentit të ish-mbretit Zog, kurora mbretërore e të cilit i ishte dorëzuar Italisë fashiste më 12 prill 1939.

Dukej se frymëzuesit e ngritjes së këtij monumenti jo vetëm e kishin “harruar” këtë të vërtetë historike, por kishin “harruar” edhe se si e vlerësonte F. Konica mbretin ikanak. Se ai, edhe pse kishte qenë ambasador i tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pat shkruar: “E përbuz mbretin Zog për këto arsye: Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë”. (Vepra 2, f 325). Dhe më tej vazhdonte: “Ahmet Zogolli, malok analfabet, pa ndonjë frymë idealizme, kish zgjedhur për pasqyrë dhe shembull të tij Esad Pashën, të cilin e imitonte jo vetëm në intrigat e jashtme e të brendshme, por gjer në mënyrën e ecjes dhe të foljes. E imitonte veçan në punën e ryshfeteve”. (Vepra 3, f. 312).

Po ja që në vitet e të ashtuquajturës “Demokraci Pluraliste” në Shqipëri ndodhi ajo që nuk ka ndodhur në asnjë vend të kontinentit Evropian pas Luftës së Dytë Botërore: Nderohen e dekorohen kolaboracionistët, ish-bashkëpunëtorët e fashizmit. Dhe faktet janë tronditëse: Hasan Lepenica, krahu i djathtë i Hysni Lepenicës, që pat vrarë heroinën e Popullit Qeriba Derri, dekorohet nga Sali Berisha me medaljen “Martir i Demokracisë”. Me medalje të tilla janë dekoruar edhe Muharrem Bajraktari, i cili pat vrarë në Kukës Heroin e Popullit, Hysen Qino nga Vranishti i Vlorës, edhe Prekë Cali, i cili, me çetën e tij, vrau në Dukagjin Heroin e Popullit Fejzi Micoli nga Bolena e Vlorës e më vonë u dekoruan edhe të tjerë nga Presidenti Nishani.

E gjithë kjo veprimtari, që vinte në kundërshtim me të vërtetat historike dhe me frymën e qytetërimit evropian, i revoltonte shqiptarët e ndershëm, të cilët nuk mund ta duronin baltën që hidhej mbi faqet më me dritë në historinë e Shqipërisë, ato të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ato të viteve të socializmit. Kjo i bënte ata të kujtonin fjalët lapidare të Fan S. Nolit: “Këtu i padituri di të gjitha… Këtu brenda një dite, si me magji, tradhtari bëhet patriot dhe patrioti tradhtar”.

Ishte kjo arsyeja që, pas vjedhjes masive të votave nga e djathta shqiptare, në dhjetor të vitit 1996, forcat e majta, të bashkuara rreth Partisë Socialiate, arriten të vijnë në pushtet në vitin 1997. “Magjikja” demokraci borgjeze, ndryshe nga ç`kishte ndodhur në vitet e mbretërimit të Sali Berishës, filloi të funksionojë. Por kjo “demokraci” nuk mund ta dispononte “çelësin magjik” të shërimit të plagëve që kishte marrë Shqipëria pas 22 marsit të vitit 1992, kur ishin shkatërruar jo vetëm fabrikat dhe uzinat, po edhe themelet e një shteti “demokratik”.

E Majta shqiptare nuk mund ta dispononte “çelësin magjik” të shërimit të plagëve në trupin e Shqipërisë, përveç të tjerave…, edhe për faktin se, siç thoshte dikur presidenti Abraham Linkoln, “Demokracia është një fjalë e bukur që politikanët e kanë shfrytëzuar vetëm me maskë”. E majta shqiptare nuk mund ta dispononte “çelësin magjik” të shërimit të plagëve që kishte marrë Shqipëria në trupin e saj pas hyrjes në rrugën kapitaliste të zhvillimit edhe sepse, siç thoshte Ëivston  Churchill, “Turpi i demokracisë është se ajo na detyron të dëgjojmë edhe mendimin e budallenjëve”, ose sepse, siç thoshte filozofi Albert Ajnshtajn, “Demokracia është një sistem shoqëror, ku dy budallenj vlejnë më shumë se një i mençur”.

Janë këto tipare të kësaj “demokracie”, aq shumë “të ëndërruar” (?!), që në këto 28 vjet, për fat të keq, i kanë ndarë shqiptarët në dy “tabore” që luftojnë, gjoja, “me mjete demokratike” për t`u bërë, si i thonë, “zot shtëpie” në Shqipëri, për të ardhur në pushtet me premtimin “për ta bërë më mirë Shqipërinë: E djathta, e përfaqësuar nga PD dhe e majta, e përfaqësuar nga PS.

Këto dy “tabore” janë ndeshur ashpër gjatë këtyre 28 viteve. Janë ndeshur, por jo “me mjete demokratike”, në vitin e zi të antishtetit, më 1997, kur drejt Vlorës u nisen forcat mercenare të S. Berishës, kur u vra Artur Rustemi. U ndeshen edhe më 21 janar të vitit 2011, kur, nën komandën e Lulëzim Bashës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u vranë katër demonstrues të pafajshëm të të Majtës shqiptare.

Këto skena të zeza të “demokracisë pluraliste” e vrisnin shpirtin e shqiptarëve të ndershëm, të cilër, të zhytur edhe në varfëri e mjerim, shtronin pyetjen: “Vallë, kjo është demokracia që kërkuam? Dhe, pas kësaj pyetje, ata kujtonin fjalët e ish-presidentit amerikan Abraham Linkoln: “Kur lapsin e kap injoranti, pushkën krimineli, pushtetin tradhëtari, vendi kthehet në një xhungël, ku nuk mund të jetonë njerëzit”.

Dhe, tek i kujtojnë këto fjalë të ish-presidentit amerikan, duke kujtuar vitet e socializmit, njerëzit e përgjegjshëm të këtij vendi shtronin pyetjen: Kur ishim më mirë, atëherë, apo sot? Dhe atdhetarët e vërtetë të këtij vendi përgjigjen e gjenin tek pohimet proverbiale të shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, i cili, pasi kishte dëgjuar shpifjet e antikomunistëve shqiptarë për vitet e socializmit, shkruante:

 “Komunizmi nuk erdhi në Shqipëri kot së koti dhe nuk u transplantua artificialisht si një organ i huaj në trupin e njeriut. Ai erdhi nga varfëria. Ishte alternativa më e mirë për të shpëtuar shqiptarët nga mjerimi i kohës së Zogut dhe i kohës së pushtimit”.

 “Regjimi që kaloi (socializmi-shënimi im), shtonte më tej ky shkrimtar, nuk e prishi genin e etnosit dhe të kulturës…Ai zhvilloi një arsim masiv për të gjithë dhe një kulturë me përmasa të gjëra. E ngriti lart ndjenjën e solidaritetit të njerëzve, përgjegjësinë qytetare, kujdesin social, dashurinë për traditën”. (Gazeta “Koha Jonë”, 25.12.1991)

Të njëjtën ide, por me një stil tjetër, përcillte edhe shkrimtari Ismail Kadare, i cili, qysh në vitin 1992, kur ishte realizuar përmbysja e rendit socialist, duke dëgjuar korin e kukuvajkave antikomuniste, shkruante: “Kur vetakuzimi teprohet, nuk është më regjimi që nxihet, por tërë kombi; dhe, kur hidhet shumë baltë, dhe kur shkatërrimi nis t`i shkulë rrënjët jo vetëm komunizmit, por krejt Shqipërisë, kjo është për të vënë alarmin”. (“Zëri i Popullit”, 04.03.1992)

Dhe kishte të drejtë shkrimtari ynë! Se edhe Agjensia Britanike e Lajmeve (REUTER), në një lajm të muajit prill, fill pas vdekjes së Enver Hoxhës, shkruante: “Nën  udheheqjen e tij (të Enver Hoxhës- shënimi im) shqiptarët krijuan nje shtet sovran, të lirë nga dominimi i huaj, gjë e pashembullt kjo në historinë e tyre…Shqipëria arriti pavarësine në fushën ekonomike dhe nivel bazë të mirëqenies materiale…u bë vend ku çmimet ulen në vend që të ngrihen dhe ku nuk ka as kriza energjetike dhe as taksa”.

Se është vërtetë  “për të vënë alarmin”, siç thoshte shkrimtari Ismail Kadare, tek i sheh pinjollët e bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe ndjekësit e tyre “pa tru”, të komanduar nga ata që në fillim të vitit 1997 i vunë zjarrin Shqipërisë, të sulen si vandalë para Kryeminitrisë. Është vërtetë “për të vënë alarmin” tek i dëgjon disa prej protestuesve të bëjnë edhe thirrje e “për të rrokur armët”, çka nuk është dëgjuar ndonjëherë në historinë e Shqipërisë! Se një veprim i tillë, në kundërshtim me normat e qytetërimit evropian, jo vetëm do të mbyllte rrugën për hapjen e negociatave për në Bashkimin Evropian, por edhe do t`i turpëronte shqiptarët në këtë fillim shekulli.

Është kjo arsyeja që shqiptarët atdhetarë e kujtojnë mendimin e Edward R. Marrow, i cili përcillte një mesazh të madh për popujt e vegjël në numër kur shkruante: “Hapi i parë për likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijonë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë  çfarë është dhe çfarë qe”.

(PRENG CUB LLESHI është autor i 17 librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …