Thirrjet për pranimin e projektit të gazit amerikan në Kosovë po shtohen, ndërsa Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Albin Kurti, vazhdon të mos japë sinjale se do të ndryshojë qëndrimin e saj. Kritikat kanë ardhur nga ish-diplomatë amerikanë, opozita, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë të energjisë, të cilët e konsiderojnë projektin me rëndësi strategjike për vendin. Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar se refuzimi i projektit të gazit të lëngshëm natyror (LNG) mund të ndikojë negativisht në interesimin e administratës amerikane për bashkëpunim me Kosovën. Sipas tij, administrata e presidentit Donald Trump ka qasje transaksionale dhe pret gatishmëri për bashkëpunim nga partnerët. Edhe partitë opozitare janë rreshtuar në mbështetje të projektit. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti se po nxit kundërshtimin ndaj projektit amerikan, ndërsa deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar reagimin e institucioneve dhe ka paralajmëruar protesta në mbështetje të partneritetit energjetik me SHBA-në. Hoti u ka bërë thirrje odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe qytetarëve që të mobilizohen në mbështetje të projektit dhe të aleancës strategjike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
