Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë të energjisë kanë bërë thirrje që Kosova ta pranojë projektin amerikan për gazin e lëngshëm natyror, duke e cilësuar atë si një mundësi me rëndësi strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike për vendin. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka vlerësuar se përfshirja në projektet amerikane të LNG-së nuk ka vetëm rëndësi energjetike, por edhe strategjike e gjeopolitike. Sipas tij, mungesa e vullnetit institucional për ta mbështetur këtë projekt mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin kryesor të vendit. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili ka deklaruar se Kosova nuk e ka luksin të refuzojë një ofertë të tillë amerikane. Ai theksoi se projekti nuk ka vetëm rëndësi ekonomike, por edhe integruese dhe gjeostrategjike, duke shtuar se historikisht mbështetja amerikane ka qenë në dobi të Kosovës. Edhe eksperti i energjisë, Luan Shllaku, e ka cilësuar refuzimin e projektit si një vendim të pajustifikueshëm. Ai rikujtoi se Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) kishte paraparë mbështetje financiare për zhvillimin e infrastrukturës energjetike në Kosovë, përfshirë edhe mundësinë e ndërtimit të gazsjellësit nga Shkupi në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
