Prof. dr. Bashkim Musliu

Prof. dr. Bashkim Musliu: Para dhe pas Epopesë së Jasharajve

Epopeja e Jasharajve është një prerje e kohës në jetën e shqiptarëve, prandaj kur flasim për kohën atë mund ta ndajmë në kohën para dhe pas Epopesë së Jasharajve.

Po si ishte jeta jonë para Epopesë, posaçërisht gjatë viteve ’90?

Shqiptarët e Kosovës kishin mbetur askushi: pa pasuri, pa dinjitet, pa shpresë, të nëpërkëmbur, të rrahur, të papërfillur. Me një fjalë as hije në diell nuk bënim.

Duke u nënshtruar shpresonim se do të shpëtonim jetën tonë, pa menduar se po humbnim gjithçka që njeriut ia mundëson të jetojë dinjitetshëm, të ndihet i gjallë, të ndihet se po jeton, sepse kishim humbur ndjenjën e të jetuarit me dinjitet.

Kërcënim ndaj lirisë sonë ishte edhe iluzioni që kishim krijuar për rrugën e fitores së lirisë.

Dukej se kishim pranuar ta dorëzonim lirinë tonë, tokën tonë në këmbim të ekzistencës sonë, pa menduar se dorëzimi i lirisë dhe tokës do të thoshte mosekzistencë.

Ne nuk e jetonim jetën, por ekzistencën.  Kishim filluar që psikologjikisht të mos e shihnim robërinë si pamundësi për ta jetuar jetën; kishim filluar të përgatiteshim me diçka që nuk i shkon natyrës njerëzore: se mund të jetohej edhe në robëri; kishim filluar t’i normalizonim raportet me robërinë, ndërsa liria shihej krejtësisht jashtë përkushtimit dhe vullnetit tonë!

Vetëdijen se praktikisht jetonim në robëri kishte filluar ta zëvendësonte vetëdija se do të ishte mirë që pushtuesi të largohej një ditë. Ne sikur shtireshim se shpresonim se kur të zbardhë dita armiku nuk do të ishte më këtu, por ishte larguar, sepse ishte vetëdijesuar se ishte pushtues!

Ne ende nuk e kuptonim se kishim fare pak për të humbur dhe kishim jashtëzakonisht shumë për të fituar.

Kishim filluar të mos besonim se do ta fitonim lirinë, por këtë nuk e deklaronim.

Kur dobësohet mendimi dhe ndjenja për luftën për liri atëherë viktimë është edhe vullneti për t’iu përkushtuar lirisë.

Ishim pajtuar të prisnim se ç’ do të ndodhte me fatin tonë.

Ishim mësuar të duronim pushtimin dhe padrejtësinë në heshtje. Filozofia e vetëmohimit ishte e huaj për ne.

Në këtë kontekst ndodhi Epopeja e Jasharjave, e cila na e ktheu besimin se kishte shpresë, besimin se do të kishim dinjitet, besimin në lirinë, besimin se mund të jetonim dhe jo vetëm të ekzistonim.

Historia jonë është përplot me flijime që mundësuan vazhdimësinë e qenies shqiptare. Pas nënshtrimit të viteve ’90 një luftë dhe një flijim prekën lirinë; flijim pas të cilit historia do të ndërronte rrjedhë; flijim pas të cilit guximi ynë do të ringjallej. Tani të rinjtë tanë, që deri para Epopesë, rreshtoheshin për të marrë pasaporta për t’u larguar nga Kosova, rreshtoheshin për të kapluar malet për të marrë armët e lirisë dhe nuk i frikësonte as kufiri më i rrezikshëm në Evropë.

Deri para Epopesë ekzistenca jonë ishte më e rëndësishme se të jetuarit, ndërsa pas Epopesë liria ishte mbi ekzistencën.

Deri në luftën e Adem Jasharit, Hamzë Jasharit dhe të bashkëluftëtarëve të tyre mbështeteshim vetëm në iluzionin se shpëtimi do të vinte vetëm nga qielli dhe jo nga toka; vetëm nga jashtë dhe jo nga brenda.

Epopeja e Jasharajve  na shndërroi mendërisht dhe emocionalisht: ndjenjën e frikës e ktheu në trimëri; ndjenjën  e pafuqisë në ndjenjën e fuqisë dhe shpresës për fitoren e lirisë.

Një oxhak nxori aq zjarr sa ta trondiste Serbinë; aq zjarr sa na i forcoi zemrat e na kthjelloi mendjen se vetëm me gjak Kosova do të vazhdonte të mbetej tokë shqiptare. Fati ynë varej shumë nga oxhaku i Jasharajve nga i cili bashkë me tymin e zjarrin dilte shpresa dhe guximi që u përhapën në gjithë botën shqiptare. Jehona emocionale e Epopesë ishte e jashtëzakonshme ashtu siç ishte i jashtëzakonshëm fundi i një fillimi madhështor.

Në fund të shekullit XX historia po provonte se sa shumë mllef ishte mbledhur; se sa e gjakonim lirinë; se sa ishim të ndrydhur; se sa ishim gati të flijonim që të jetonim me dinjitet dhe të lirë.

Kulla e Jasharajve bënte betejën jo vetëm kundër pushtuesit, por edhe kundër frikës që ishte mbjellë në popull, kundër manipulimit psikologjik, kundër vullnetit të ndrydhur, kundër besimit se fitorja do të vinte vetvetiu.

Adem Jashari u shfaq fuqishëm kur kishim filluar të humbnim ndjenjën e dinjitetit dhe krenarisë; kur të parëve tanë u ngjanim vetëm me emër.

Pa çlirimin psikologjik, pa vetëdijen se je subjekt dhe jo vetëm objekt në histori liria nuk fitohet. Epopeja e Jasharajve na çliroi nga mungesa e vetëdijes për peshën që kishim për të vendosur për fatin tonë; na çliroi së pari psikologjikish duke na e dhënë guximin të luftojmë për t’u çliruar përfundimisht. Kështu guximi individual u shndërrua në guxim kombëtar, të cilin e përfaqësonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Në vend të përfundimit

Ka ngjarje që ndikojnë në fatin e një individi; ka ngjarje që ndikojnë në fatin e një familjeje; ka ngjarje që ndikojnë në fatin e një fshati ose qyteti; ka ngjarje që ndikojnë në fatin e një kombi
Epopeja e Jasharajve është ngjarje që ka ndikuar në fatin e kombit shqiptar, që ka ndikuar në rrjedhën e historisë shqiptare.

Epopeja e Jasharajve ndikoi në mënyrë vendimtare në çlirimin e Kosovës; ndikoi në rizgjimin e shqiptarëve në Maqedoni, në Luginë të Preshevës dhe ngjalli shpresat dhe krenarinë kombëtare të të gjithë shqiptarëve kudo në botë.

Jehona e krismës së pushkëve së Jasharajave është dëgjuar më larg dhe më fuqishëm se çdo jehonë e krismës së pushkës shqiptare gjatë gjithë historisë sonë; është jehona më mobilizuese e luftës për liri gjatë historisë sonë; është jehona që ka trimëruar më së shumti shqiptarët gjatë gjithë historisë sonë.

Flijimi i Jasharajve është flijimi më madhështor dhe më i jashtëzakonshëm jo vetëm në historinë luftës së popullit shqiptar për liri, por është i jashtëzakonshëm edhe në historinë e popujve që kanë luftuar për liri; është dëshmia më e mirë dhe më e fuqishme e dashurisë sonë për liri dhe e gatishmërisë për t’u flijuar për lirinë.

Flijimi i Jasharajve do të jetë për jetë të jetëve pikë referimi për gatishmërinë tonë për të flijuar gjithçka nga vetja në emër të lirisë.

Epopeja e Jasharajve është luftë në emër të lirisë dhe në emër të kombit. Ajo është epope kombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …