Prof. dr. Sabit Syla: DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË SHQIPËRISË - I

Prof. dr. Sabit Syla: DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË SHQIPËRISË – VIII

Pjesa e tetë

 

-28-

 

Relacion mbi shtetasit shqiptarë që banojnë në Jugosllavi

Gjendja e shtetasve shqiptarë që banojnë në Jugosllavi është e paqartë dhe si rezultat i kësaj është e vështirë që të jepet një statistikë e saktë e numrit të tyre, e shpërndarjes në territorin e Jugosllavisë, e profesionit të tyre dhe të gjendjes ekonomike dhe politike në të cilën ndodhen. Si rezultat i politikës armiqësore të Qeverisë jugosllave dhe i diskriminimit dhe shtypjes që u bëhet shtetasve tanë, shumë prej tyre nuk i janë përgjigjur thirrjes së bërë nga përfaqësia jonë në vitin 1957, për t’u regjistruar në përfaqësinë tonë dhe për t’u pajisur me dokumentet përkatëse. Gjendja e shtetasve shqiptarë në momentin e tanishëm paraqitet në këtë mënyrë:

Në përfaqësinë tonë ekzistojnë regjistrat matrikull që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1950. Në këto libra janë shënuar përveç shtetasve me banim të përhershëm në Jugosllavi, edhe ata që kanë pas ardhur provizorisht, ose për studime dhe kualifikim. Kështu që, është shumë e vështirë të dallohen shtetasit që kanë qenë me banim të përhershëm në Jugosllavi sidomos nga ata që kanë ardhur me qëndrim të përkohshëm. Nga ana tjetër, në këto regjistra nuk figurojnë adresat ekzakte të tyre, por vetëm qyteti ku ata ndodhen. Duke u bazuar në të dhënat e pakta që kanë këto regjistra, ne jemi munduar që të nxjerrim listat e atyre që mendoj me se janë me banim të përhershëm këtu. Kështu, në regjistrin e vitit 1945, figurojnë të regjistruar 46 persona, në atë të vitit 1946, 228 persona, në atë të vitit 1947, 158 persona, në atë të vitit 1948, 84 persona, në atë të vitit 1949, 183 persona. Sikurse shihet, numri më i madh i shtetasve tanë ka qenë regjistruar në vitet 1946 dhe 1947, mbas kësaj ai ka filluar të bjerë bile dhe ata që kanë qenë të regjistruar në këto dy vite, më vonë i janë shmangur riregjistrimit, mbasi sikurse duket nga listat, regjistrimi përsëritej çdo vit. Një karakteristikë tjetër e regjistrimit të këtyre shtetasve është se ai është bërë në bazë të dokumenteve që kanë paraqitur ata dhe jo në bazë të çertifikatave të shtetësisë, bile ka të atillë që kanë paraqitur dokumente të lëshuara nga regjimi i zogut, ose nga autoritet e okupatorëve. Në regjistrim themelor të shtetasve që disponon tani Legata, regjistrimi i shtetasve ka filluar në vitin 1955, në të ekzistojnë të regjistruar 149, janë riatdhesuar, kurse 149 janë pajisur me pasaporta konsullore ose i kanë shkëputur lidhjet me përfaqësinë tonë. Kjo padyshim nuk pasqyron numrin e vërtetë të shtetasve tanë që jetojnë në Jugosllavi. Shumë prej tyre, duke ju frikësuar pasojave që mund të kenë nga organet jugosllave janë detyruar të marrin shtetësinë jugosllave, aq më tepër sepse organe jugosllave kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj tyre për të marrë shtetësinë jugosllave. Një pjesë e madje është riatdhesuar në Shqipëri, kurse pjesa tjetër e ruan shtetësinë, por nuk mban asnjë kontakt me Legatën, bile nuk i përgjigjet dhe letrave që ne i dërgojmë. Këta persona zakonisht janë të pajisur nga organet jugosllave me letërnjoftim special të caktuara për shtetasit e huaj, ose atyre për shtetasi që jetojnë në Jugosllavi. Shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në Legatë, nuk paraqiten asnjëherë këtu dhe zgjatjen e afatit të pasaportave konsullore e bëjnë me anën e dërgimit të tyre nëpërmjet postës. Dhe kanë ndonjë tjetër, si certifikata ose vërtitim i kërkojnë gjithashtu me anën e letrave. Kohët e fundit jugosllavët kanë marrë masa shumë rigoroze për shtetasit shqiptarë. Për dy vjet rresht, në territorin e Kosovës dhe krahinave të tjera të banuara nga shqiptarët u zhvillua e ashtuquajtura fushatë për përcaktimin e shtetësisë. Gjatë kësaj periudhe organet e UDB-së, ose mbahen në pyetje të gjithë personat që kanë pasur marrëdhënie me Shqipërinë, si para lufte ashtu dhe mbas saj. Në pyetje merreshin dhe ata persona të cilët kanë qenë në Shqipëri si vizitorë, turistë, ose për punë të tjera dhe që ishin të kombësisë shqiptare që paraluftës dhe mbas saj, kanë pasur lidhje me vendin tonë, qofshin këto miqësore apo zyrtare. Gjatë kësaj fushate, shtetasve shqiptarë që nuk paraqitnin rrezikshmëri, ose nuk kishin dyshime për jugosllavët, u bëhej thirrje bile dhe presion për të lënë shtetësinë shqiptare dhe për të marrë atë jugosllave. Kurse, personat e padëshirueshëm për ta, qofshin këta shtetas dhe duke i pajisur me flotë shpërngulje mbasi mbaheshin pak në kampet e përqendrimit, nxirreshin në kuadrin tonë, ose në vendet perëndimore. Shumë i detyronin që të kërkonin në përfaqësinë tonë riatdhesim, bile ju caktonin dhe fatin e qëndrimit të mëtejshëm në Jugosllavi.

Gjatë periudhës së viteve 1948-1953, shumë shtetas shqiptarë pa kërkesën e tyre janë konsideruar shtetas jugosllavë dhe janë pajisur me dokumente përkatëse. Ligji i ri mbi shtetësinë jugosllave, aprovuar nga Shkuptina Federative në vitin 1964, ju bën të mundur shtetasve të huaj që të marrin lehtë shtetësinë jugosllave edhe sikur organet përkatëse të shtetit, shtetas i të cilit është personi, nuk i aprovon lejen e shtetësisë së mëparshme. Deri tani nuk kemi ndonjë të dhënë se si kanë reaguar lidhur me këtë ligj shtetasit tanë. Në këtë mënyrë, paraqitet në momentin e tanishëm gjendja e shtetasve tanë në Jugosllavi. Bashkangjitur me këtë relacion, po ju dërgojmë listat e shtetasve tanë që figurojnë të regjistruar me regjistrat matrikull të viteve 1945, 1946, 1947, 1948, 1949, 1950, si dhe listën e shtetasve të regjistruar në regjistrin themelor të shtetasve, që nga viti 1955 dhe deri më sot.

Beograd, më 20/XII/1964                  I ngarkuari me punë a. i.

                            (Tahmaz Beqari)

 

 

-29-

 

Legata e RP Shqipërisë

Nr. 24

Ankara, më 10/5/1965

Ministrisë së Punëve të Jashtme

                                                                                Tiranë

Relacion mbi emigrimin e popullsisë shqiptare nga Jugosllavia në Turqi gjatë tre vjetëve të fundit

  1. Si edhe në të kaluarën edhe gjatë këtyre viteve të fundit, veprimtaria armiqësore e Qeverisë jugosllave ka vazhduar dhe vazhdon politikën e diskriminimit, për shkombëtarizimin dhe asimilimin e popullsisë shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi. Në kuadrin e veprimtarisë armiqësore për shkombëtarizimin e asimilimin e popullsisë shqiptare, një rëndësi të madhe i kushtojnë emigrimit në mënyrë të veçantë në Turqi. Për këtë qëllim ata përdorin të gjitha format e diskriminimit të kombinuara këto me presione policore, politike, ekonomike fetare etj. Për të qenë këto më të efektshme, përdorin forma e metoda sa më të stërholluar, duke ua përshtatur konditave e situatave të veçanta. Nga ndjekja e studimi që neve i kemi bërë këtij problemi, me mundësitë tona, gjendja paraqitet si më poshtë:
  2. Faktorët që influencojnë për emigrimin e shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi

     Klika e Titos si vazhduese besnike e politikës brutale të Karagjergjoviqve, për të shtrirë drejt jugut në kurriz të tokave shqiptare, edhe për t’i skllavëruar ato, ka për princip politikën e shkombëtarizimit e asimilimit të popullsisë shqiptare të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit e viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Në shërbim të këtij qëllimi, revizionistët titistë kanë vënë në përdorim të gjithë aparatin shtetërore, dhe të partisë. Një rol të madh në këtë drejtim lozin organet e diktaturës për presione e diskriminim, organet e pushtetit për presione e shantazhe ekonomike, financiare, organet e partisë në terrenin e propagandës etj. Të gjitha këto organe në mënyrë të centralizuar dhe me intensitetin më të madh u janë venë në qafë masave shqiptare për t’i mbyllur çdo portë nga ato që mund të shohin ndonjë mundësi sa më të vogël për të jetuar në tokën e tyre amtare. Krijojnë gjithfarë kombinacionesh për të gjetur ndonjë pretekst në bazë të së cilit i vihen njerëzve me gjithë farë formash për t’u imponuar që të emigrojnë.

Si rezultat i presioneve policore, ekonomike e psikologjike, masës shqiptare i bëhet jeta e padurueshme dhe njerëzit me nerva të dobëta dashtë e padashtë, marrin rrugën e emigrimit për në Turqi. Krahas organeve të mësipërme, titistët e shfrytëzojnë prapambetjen dhe sidomos sentimentet fetare të popullsisë. Nëpërmjet presioneve e demagogjisë si edhe duke përfituar nga prapambetjet e nga mungesa e formulimit të ndërgjegjes kombëtare, kanë mundur të fusin në dorë institucionet islamike e një pjese të mirë të hoxhallarëve. Në bazë të udhëzimeve të titistëve, ata bëjnë një presion psikologjik mjaft të efektshëm. Ata propagandojnë në besimtarët e tyre, se për të ruajtur fenë është e domosdoshme që të largohemi e të emigrojmë në Turqi; muhaxherllëku është hak i zotit, se në të kundërtën do të dalim fejet fare etj. Ky presion bëhet i dyanshëm: a) nga ata që banojnë në Jugosllavi, dhe b) nga ata që kanë emigruar në Turqi dhe nëpërmjet bisedave që bëjnë me vizitorë që vijnë nga Jugosllavia si dhe nëpërmjet korrespondencës.

III.  Faktorët që kanë influencuar që numri i emigrimeve është pakësuar në krahasim me të kaluarën

       Në krahasim me të kaluarën shikohet një rënie e numrit të emigrimeve nga Jugosllavia në Turqi. Për këtë kanë influencuar shumë faktorë, por më kryesorët janë këto: a) qëndrimi konsekuent i RP të Shqipërisë për demaskimin e veprimeve banditeske të revizionistëve jugosllavë, për terrorizmin, shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare, duke i detyruar ata të lënë tokën e tyre e të emigrojnë në Turqi, përfshi këtu edhe punën e Legatës me udhëzimet e MP të Jashtme pranë organeve qeveritare turke. b) Elementi patriot e sidomos rinia kosovare e inspiruar nga qëndrimi i vendosur i RP të Shqipërisë, kanë punuar intensivisht në masat e popullit, jo vetëm për të kundërshtuar politikën sllave të emigrimit të shqiptarëve në Turqi, por ata kanë bërë një punë vetëmohuese për të formuar e rritur ndërgjegjen nacionale kombëtare. Lufta e tyre konsekuente ka dhënë e po jep një kontribut të jashtëzakonshëm. Pjesa intelektuale, e sidomos rinia, ndodhet në barrikadat e para të kësaj lufte jo vetëm për të kundërshtuar politikën e emigrimit, por edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Nëpërmjet veprave letrare-artistike në prozë e në poezi, shprehin ndjenjat e tyre. c) Pjesa e pastër e elementit të imponuar nga titistët të emigrojnë në Turqi, këtu bëjnë një punë të frytshme, për t’u shpjeguar kosovarëve që vijnë nga Jugosllavia si turistë, domosdoshmërinë për të mos emigruar dhe për të qëndruar në vendin e tyre. ҫ) Gjendja e keqe ekonomike në Turqi, si: papunësia, mungesa e profesioneve, niveli i ulët kulturoro-arsimor, mosdija e gjuhës, bën që pjesa dërmuese të merret me punë të rënda fizike, e si rrjedhim edhe paga të vogla. Tek shqiptarët që vijnë nga Jugosllavia ndërrojnë mendim nga frika se nuk do të mund të jetojnë në këto kondita. d) Personat fetarë, kur shikojnë se korrupsioni ka marrë përpjesëtime të gjera edhe prestigji i fesë ka rënë, influencon tek një pjesë për të mos emigruar. e) Emigrimi masiv u bë deri në vitin 1956/1957. Në disa krahina, fshatra të tëra kanë mbetur krejtësisht ose pjesërisht të pabanuara.

  1. Gjendja aktuale e emigrimeve të shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi

      Nga studimi e verifikimi që i kemi bërë këtij problemi me mundësitë tona (do të shikohet edhe më poshtë), vërehet që gjatë vitit 1964 shënohet një ngritje kërkesash për emigrim si më poshtë: si rezultat i qëndrimit konsekuent të Partisë e Qeverisë të RPSH-së në demaskimin e veprimeve shkombëtarizuese-asimiluese të masës shqiptare në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit e në viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, Qeveria jugosllave që nga 1956/1957 ndërpreu emigrimet direkte nga viset shqiptare në Turqi, por krijuan Maqedoninë e sidomos qytetin e Shkupit si qendër transitorë, ku pasi kalonin një stazh 1-2 vjet, regjistrohen maqedonas, me kombësi turke e pastaj plotësojnë dokumentet e emigrimit për në Turqi. Pas tërmetit të Shkupit, nxorën një urdhëresë se në qytetin e Shkupit nuk do të lejohet të regjistrohet asnjë i huaj (fjala është për kosovarët), duke krijuar opinionin se edhe qendra ndërmjetëse e emigrimeve u prish. Në esencë ishte për efekt propagandistik, mbasi vetëm të gjithë qytetet e Maqedonisë janë lirë për regjistrime, por edhe qyteti e fshatrat e Shkupit të cilave nuk u sjellin asnjë lloj pengese. Kosovarët pasi shpërngulen nga Kosova dhe regjistrohen në qytetet e Republikës maqedonase, automatikisht pa as më të voglën pengesë, përgatisin dokumentet për emigrimin në Turqi. Kurse ata që banojnë në viset shqiptare, në Maqedoni, bëjnë dokumentet për emigrim, mjafton që si këta edhe kosovarët, me dy dëshmitarë pranohet ndryshimi i kombësisë nga shqiptarë në turq. Kohët e fundit flitet se jugosllavët do të ndryshojnë letërnjoftimet e popullsisë dhe shqiptarëve në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit dhe në viset shqiptare të Maqedonisë, në letërnjoftimet e reja do t’ua venë komisione jugosllave, siç kanë bërë me shqiptarët e Malit të Zi disa vjet më parë. Pas kësaj, procesi i emigrimit do të thjeshtëzohet akoma më shumë për kosovarët, mbasi nuk do të kenë nevojë më me u bë qytetarë të R. Maqedonisë, por do ndryshojnë vetëm kombësinë.

Emigrimet nga Kosova e Rrafshi i Dukagjinit

             Veprimet shkombëtarizuese jugosllave në Kosovë në mënyrë masive janë përqendruar në krahinën e Rugovës, nga qytetet e Prizrenit e Pejës. Kjo përputhet me planin e Karagjorgjeviqve, për të zbrazur nga shqiptarët Rrafshin e Dukagjinit (Pejë, Gjakovë, Prizren) që kufizohen me vendin tonë. Duke ndryshuar proporcionin e popullsisë në favor të sllavëve në këtë zonë, automatikisht pretendimet tona, për Kosovën bëhen të paefektshme. Ndërsa, në krahinat e tjera të Kosovës, shpërnguljet bëhen në forma të shkëputura ose individuale, por gjithmonë si rezultat të presioneve e diskriminimeve.

        Plani i zbrazjes komplet të krahinës trime të Rugovës nga popullsia e vetme shqiptare, ka filluar pas vizitës së xhelatit Rankoviq, para disa viteve, i cili e shpalli park nacional të gjuetisë. Që prej asaj kohe, grafiku i akteve të diskriminimit të çdo forme, filloi të ngrihet në maksimum dhe ka kapërcyer çdo normë njerëzore. Si rezultat i veprimeve banditeske të regjimit… një pjesë, këta zbresin në Kosovë dhe pjesa tjetër në Maqedoni, e prej andej emigrojnë në Turqi. Aktualisht priten të vijnë këtu 3 familje me rreth 70 anëtarë edhe 6 familje të tjera po përgatiten të vijnë nga katundi Kuqisht i Rugovës. Për shpejtimin e këtij procesi organet jugosllave kanë marrë masa të rrepta diskriminimi, duke mos i lejuar që të shesin edhe dru, e vetmja të ardhurash që u kishte mbetur për të jetuar.

Emigrimet nga viset shqiptare të Maqedonisë

         Për sa u përket veprimeve shkombëtarizuese në viset shqiptare të Maqedonisë, vëmendja kryesore në mënyrë masive është përqendruar në qytetin e Shkupit, ndërsa në rrethet e tjera të Maqedonisë në forma të shkëputura, mbasi kishin për të dëbuar, i dëbuan në vitet 1953/1957. Pas tërmetit të Shkupit, Qeveria jugosllave nëpërmjet organeve lokale u komunikoi shqiptarëve se ata që dëshirojnë, janë të lirë edhe mund të rindërtojnë banesat e tyre të shkatërruara nga tërmeti në trojet e tyre ku i kanë pasur. Pas këtij komunikimi zyrtar, shqiptarët, përfshi edhe personat e turqizuar me sakrifica e mundime të mëdha e restauruan dhe një pjesë i bënë edhe më të mira nga ato që i kishin më parë. Pas kësaj, organet lokale të pushtetit titist nën pretekstin se ndërtimet e lagjeve të banuara nga shqiptarët e një pjesë “turqish” nuk janë bërë konform planimetrisë e arkitekturës së re të Shkupit, nxorën vendime, një komision shtetëror, për të rrezuar të gjitha. Komisioni me paramendime i çmonte shumë më pak nga vlera e kostos reale. Kundërshtimeve e ankesave të popullsisë u përgjigjeshin negativisht në mënyrë të prerë. Organet e pushtetit titist me anë të këtyre veprimeve diskriminuese, të bëra me paramendim, kanë bërë që tek shqiptarët të jetë krijuar një atmosferë zemërimi e pakënaqësie dhe në pamundësi për të gjetur rrugëzgjidhje, i ka mbuluar pesimizmi dhe nuk shikojnë asnjë mundësi konkrete për të jetuar në këto kondita në tokën e tyre. Duke përfituar nga kjo gjendje shpirtërore e psikologjike, njerëzit e UDB-së të pushtetit e partisë titiste, provokonin biseda me njerëzit kryesorë, duke u paraqitur si ndërmjetës që në rast se do të emigronin në Turqi, ka mundësi që çmimin e banesave t’ua ngritin. Nëpërmjet këtyre nxitjeve dhe duke përfituar edhe nga gjendja psikologjike e masës shqiptare, shumë persona kanë dhanë pëlqimin për t’u emigruar në Turqi. Në këtë mënyrë, personave ose personat që japin pëlqimin për të emigruar në Turqi, komisioni ua riçmoi banesat, duke u dhënë shuma më të mëdha të hollash dhe krahas jo vetëm që ua likuidojnë më shpejt, por u vijnë ne ndihmë duke u dhanë presidencë për plotësimin e dokumenteve e për marrjen e pasaportave. Me këto makinacione të ulëta, titistët gjithnjë e më shumë, po tërheqin shqiptarët për të shkruar në listat e regjistrimeve për emigrim në Turqi. Nga të dhënat që kemi, rezulton se: si rrjedhim i këtyre veprimeve armiqësore të Qeverisë jugosllave, kanë arritur që vetëm nga qyteti i Shkupit janë duke u përgatitur e mbushur dokumentet dhe janë në pritje për të marrë vizat sipas thënjëve të shqiptarëve që kanë ardhur andej për të emigruar në Turqi mbi 300 familje. Nga studimi e verifikimi që i kemi bërë këtij problemi (në kuadrin e mundësive tona) rezulton se gjatë këtyre tre vjetëve të fundit nga Kosova, Rrafshi i Dukagjinit e viset shqiptare në Maqedoni, janë shpërngulur dhe kanë emigruar këtu në Turqi rreth 400 familje. Duhet theksuar se pjesa më e madhe e këtyre janë familje patriarkale që përbëhen nga 15 anëtarë e më shumë. (Pasqyra ekzakte me emra nuk është e mundur të krijojmë, mbasi shqiptarët këtu janë të shpërndarë pothuajse në të gjithë Turqinë Qendrore e Perëndimore).

  1. Qëndrimi i Qeverisë turke karshi emigrimit të shqiptarëve në Turqi

      Qeveria turke pranon të emigruar nga çdo vend, në kuadrin e këshillave të Ataturkut, mjafton që të shfaqin dëshirën për të jetuar këtu dhe Turqia tregon dashamirësinë ose bujarinë e sajë për t’i pranuar. Me gjithë se personalitetet e vendit, përfshi edhe ideologët e tyre, thonë se Turqia vuan nga shtesa e popullsisë edhe në të njëjtën kohë, pranojnë shqiptarët që nuk dinë asnjë fjalë turqisht, mjafton që formalisht të jenë regjistruar si turq. Për verifikimin se shqiptarët nëse janë ose dinë apo jo të flasin turqisht, nuk bëhet asnjë lloj kontrolli nga organet e Ambasadës në Beograd e të Konsullatës turke në Shkup, ose nga organet kufitare kur hyjnë në kufirin turk. Personat që emigrojnë këtu, vijnë me shtetësi e “kombësi” turke, automatikisht gëzojnë të drejtat e barabarta si edhe vendasit, ndërsa si privilegje u jepet që për 5 vjet të përjashtohen nga të gjitha. Vitet e fundit ka dalë një urdhëresë sipas së cilës emigrantët që vijnë nga Jugosllavia nuk lejohen të regjistrohen e të banojnë në Stamboll, Ankara dhe Izmir. Kjo është një urdhëresë e shkruar në letër, mbasi në praktikë të emigruarit plotësojnë formalitetet e regjistrimit në qytetet e sipërme, ku ata dëshirojnë, duke mos u sjellë autoritetet e vendit një lloj pengese. Si rezultat i gjendjes së keqe ekonomike dhe për papunësinë që ekziston në Turqi, kohët e fundit për të siguruar jetën e shumë shqiptarëve e sidomos kosovarëve, një pjesë e mirë nga të cilët edhe me familje kanë marrë rrugën e Evropës e sidomos në Belgjikë e në Gjermani. Ky numër në proporcion me numrin e madh të shqiptarëve vijnë duke u shtuar e kjo më shumë në të rinjtë kosovarë.

       Masa shqiptare që ka emigruar këtu në Turqi, mund të ndahet në tre grupe: 1) Besimtarët ekstremistë, që janë të zhytur thellë në islamizëm, egoistë e të palogjikë, të cilët përpiqen të influencojnë e të tërheqin sa më shumë shqiptarë, këtu ku janë edhe vetë. Kryesisht e bëjnë ketë, për t’i shërbyer fesë dhe për të lehtësuar mërzinë e tyre. Në këtë mënyrë duke u bërë tellall dhe përkrahës indirekt të jugosllavëve, arsyetojnë duke thanë se, kush bëhet muhaxhirë bën shumë sevap, sigurojnë xhenetin e dogma fetare të tjera të dëmshme e antikombëtare. 2) Indiferentët ku bëjnë pjesë, një pjesë e mirë shqiptarësh të Maqedonisë Qendrore, të cilat nga niveli i ulët arsimor, nga mungesa e ndërgjegjes kombëtare, çdo gjë e shikojnë në kuadrin e vendasve. Këto dy grupe, për karakterin e tyre, shkojnë me ritme të shpejta drejt asimilimit në turq. Ndërsa, grupi është edhe më negativ, për faktin se behën përkrahës të jugosllavëve, të cilët duke u nisur nga pozitat egoiste nxisin emigrimin e shqiptarëve në Turqi. 3) Ndërsa, grupi i fundit që përbehet afërsisht nga 1/4 e numrit të përgjithshëm të shqiptarëve, kanë emigruar ose më mirë janë dëbuar kundër dëshirës si rezultat i veprimeve diskriminuese të pushtetit titist. Këta shohin gjendjen realisht dhe reagojnë pozitivisht si për çështjen e Kosovës ashtu dhe ndaj RP të Shqipërisë. Këta trupin e kanë këtu, por zemrën e kanë në Kosovë. Këta nuk janë afruar plotësisht tek ne si përfaqësi, nga frika e xhandarit të këtushëm, i cili po të futi në dorë u merr shpirtin si në periudhën e skllavërisë. Pikërisht kundër kësaj pjese përqendrohen veprimet operativo-agjenturiale të organeve të Zbulimit jugosllav, me qëllim që të shuajnë tek këta, çdo ndjenjë kombëtare dhe simpatike ndaj vendit tonë, t’i vej në opozicion me RP të Shqipërisë, të shpejtojë procesin e asimilimit në Turqi dhe si përfundim të evitojë rrezikun që këta mund të krijojnë në raste të ndonjë situate oportune që mund t’u jepet mundësia për të luftuar kundër jugosllavëve. Nga ky grup, pjesa dërmuese rron me shpresë për t’u emigrua në vendin tonë. Këta në çdo situatë janë të gatshme të mbrojnë atdheun, bile edhe duke ardhur vetë në RP të Shqipërisë.

  1. Përmbajtja esenciale e propagandës jugosllave në radhët e kosovarëve përkundër RP të Shqipërisë

      Propaganda e revizionistëve jugosllavë kundër vendit tonë në Turqi zhvillohet në mënyrë të centralizuar nga Ambasada jugosllave nëpërmjet kuadrove dhe agjenturës së saj e ndihmuar edhe nga Konsullata në Stamboll si dhe nga organet e zbulimit e kundërzbulimit të Kosovës e Maqedonisë. Këto të fundit punojnë në mënyrë të organizuar nëpërmjet turistëve e vizitorëve që vijnë nga Jugosllavia në Turqi dhe në drejtim të atyre që shkojnë në Kosovë e Maqedoni nga Turqia.

      Nga të dhënat që disponojmë, rezulton se propaganda jugosllave që zhvillohet nga kategoria e njerëzve të sipërm, paraqitet mjaft e rrezikshme, helmatos atmosferën e emigracionit kosovar në Turqi, përkundër RP të Shqipërisë. Për sa më sipër, ata flasin kudo dhe shprehen si më poshtë: “Po të ishim të bashkuar Shqipëria me Kosovës (d.m.th. Shqipëria me Jugosllavinë) do të kishim bërë një jetë pa telashe. Fatkeqësisht shqiptarëve të Kosovës e të viseve shqiptare në Maqedoni që kanë lenë vendlindjen dhe kanë emigruar në Turqi, Shqipëri, në shtetet e Perëndimit e në thellësi të Jugosllavisë, fajtore për këto është Qeveria shqiptare, e cila ndjekë një politikë jo të rregullt me Jugosllavinë. Radio Tirana gënjen se Shqipëria vetë ja la Kosovën Jugosllavisë dhe se qenë shqiptarët ata që luftuan kundër rezistencës në Kosovë, e sidomos Rexhep Pallusha e tjerë. Po të ishte bashkuar Shqipëria me Kosovën (Jugosllavinë) do të ishte më mirë si për neve ashtu dhe për shqiptarët e Shqipërisë së vjetër, të rinjtë kosovarë nuk do të merreshin në qafë ashtu siç po merren; Shqipëria do të kishte përparuar më shumë, e të tjera parulla të këtilla armiqësore.

              Në këtë mënyrë, jugosllavët punojnë me të gjitha mjetet propagandistike intensivisht e sidomos me agjenturën e tyre, në radhët e emigracionit kosovar, për të ndikuar e mbytur çdo lloj simpatie e reagimi pozitiv në favor të RP të Shqipërisë. Për këtë qëllim, organet e UDB-së, çdo personi që i japin vizë të vijë në Turqi, i thërrasin në zyrat e tyre ku i mbajnë me orë të tëra dhe i instruktojnë për qëndrimin dhe detyrat që duhet të kryejnë për jugosllavët nga ana propagandistike e informative. U japin detyra të punojnë jo vetëm me lidhjet e tyre tek të cilët vijnë në Turqi, por i udhëzojnë që të shkojë në lokalet që frekuentohen nga shqiptarët, në shoqatën Turko-Shqiptare, ku të dëgjojnë se çfarë flasin për Jugosllavinë, për vendin e udhëheqësit tonë e tjera. Kur kthehen nga Turqia, ata janë të detyruar të paraqiten në zyrat e organeve të UDB-së për të dhënë raporte.

             Duke përfituar nga zakoni i shqiptarëve për respektin ndaj mikut dhe për nder të të cilit thërrasin edhe komshitë e tyre, agjentët e UDB-së, në mënyrë të hapur propagandojnë para tyre pikëpamjet e propagandës jugosllave. Elementi patriot me gjithë se urrejnë jugosllavët e agjentët e tyre, në shumë raste nuk mbajnë qëndrim ndaj këtyre njerëzve të paprincip me shërbim të jugosllavëve, për këto arsye: a) Po të marrin vesh jugosllavët qëndrimin e vërtetë të tyre, nuk u japin vizat e hyrjes për të shkuar në Jugosllavi tek njerëzit e tyre e miqtë. b) Sipas zakonit prapanik u vjen keq t’i kundërshtojë miqtë në shtëpinë e tij, ose nga padija nuk janë në gjendje ta kuptojnë veprimtarinë e tyre armiqësore e antishqiptare.

         Për kontrabalancimin e kësaj propagande të rrezikshme antishqiptare të jugosllavëve, përveç veprimeve tona si Legatë, ajo kërkon një punë propagandistike masive me pjesëmarrjen e organeve qendrore të propagandës e konkretisht propozojmë: 1) Të demaskohen edhe më tej veprimet kriminale të jugosllavëve si për nxitjen e emigrimeve ashtu për demaskimin e propagandës së tyre në radhët e kosovarëve kundër RP të Shqipërisë. Për këtë qëllim, të shtypen edhe broshura me format të vogla, në gjuhë të thjeshta që të jenë të kuptueshme për kosovarët dhe të mos shkruhet vendin ku janë botuar. Në këto broshura të flitet kundër Ballit Agrar, Lidhjes së Prizrenit, Lidhjes së Kosovës, për regjimet e kaluara që nuk benë gjë për Kosovën kur ata kishin fuqinë në dorë, e tjera. Kjo jo vetëm për demaskimin e tyre, por edhe në raste se nuk flitet kundra tyre, njerëz si: Qazim Prodani me shokë janë gati të thonë se këto broshura i ka botuar Balli Agrar. 2) Me qenë se Radio Tirana, kudo këtu në Turqi dëgjohet shumë mirë, do të ishte mirë të krijohej një emision për kosovarët në Turqi e Kosovë, ashtu siç bëhet për shqiptarët e Amerikës, ku nëpërmjet këtyre programeve, të demaskohen veprimet kriminale të jugosllavëve, të vihen më tepër këngë popullore të Kosovës e të Malësisë së Veriut. Ky do të ishte një mjet shumë efektiv për tërheqjen e kosovarëve, për edukimin dhe ngritjen në një shkallë më të lartë të ndjenjave kombëtare, dashurisë për RP të Shqipërisë dhe të shtimit të urrejtjes për grupet e emigracionit reaksionar. Si rrjedhim, këto veprime do të pengojnë akoma më shumë masat e emigrimit, asimilimit dhe shkombëtarizimit të jugosllavëve ndaj masës shqiptare në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit e në viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Gjithashtu, këto do të influencojnë pozitivisht edhe në masën kosovare në Turqi. 3) Nga masa shqiptare kosovare, përfshi dhe emigrantë politikë që gëzojnë besimin politik, të nxiten e të dërgohen këtu në rrugën e vizitorëve apo turistëve që të propagandojnë në interes të vendit tonë e kundër jugosllavëve. 4) Me njerëzit që do të vijnë si vizitorë e turistë, të bëhet një parapunë parapërgatitore si për qëndrimin ashtu dhe për propagandën që duhet bërë, etj.

 

-30-

 

Gjendja e popullsisë shqiptare në Kosovë

       Krahina e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit që në shumicën e literaturës së huaj njihet me emrin krahina e Kosovës dhe Metohisë është krahina me popullsinë shqiptare më të madhe në Jugosllavi, ku sundon kryesisht elementi shqiptar dhe në këtë referat do të flasim kryesisht për gjendjen e popullsisë të kësaj krahine. Por, nuk është i pakët edhe numri i shqiptarëve që banojnë në krahinat e tjera të Jugosllavisë që shtrihen në vazhdim të kufijve shtetërorë të Republikës sonë, prandaj edhe për fatin e tyre, megjithëse nuk do të flasim në të gjitha aspektet, duhet menduar se gjendja paraqitet më kritike, më e rendë se sa ajo e popullsisë së Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, ku kemi të bëjmë me një popullsi më kompakte, më homogjene e më të përqendruar. Kosova e Rrafshi i Dukagjinit që në gjuhën tonë njihet shkurtimisht me emrin Kosova, është mbiemëruar në kohën e Perandorisë turke, Kosovë e Metohi, gjoja si dy krahina të ndryshme me qëllim që të ngjallnin e zhvillonin armiqësinë midis fiseve, bajraktarëve e feudalëve, zakonet e hakmarrjes e të përbuzjes së njëri-tjetrit, të gjitha këto për interesat që dihen. Një ndarje e tillë ishte në interes të borgjezisë serbomadhe dhe sot të revizionistëve modernë, prandaj në literaturën e sotme revizioniste, ajo siguron shkurtimisht nënemrin Kosmet dhe formalisht ajo është një krahinë autonome brenda Republikës së federuar serbe, me kryeqendër Prishtinën.

      Kosova ka një sipërfaqe prej 10 700 km2 dhe me një popullsi sipas regjistrimeve të fundit të vitit 1961, prej 964 000 banorë, të cilët sipas revizionistëve, ndahen në këtë mënyrë: shqiptarë 646 630, serbë 227 020, malazezë 4%, turq 2.7% dhe të ndryshëm 2.8%. Në rrethet: Drenicë, Gjakovë, Gjilan, Gore, Graҫan, Istog, Kamenicë, Llap, Nerodimë, Pejë, Podrimë, Sitnicë, Suvorevҫ, Sharplaniu, Vuçitërnë dhe qytetet Mitrovicë, Pejë, Prishtinë e Prizren, sundon elementi shqiptar. Vetëm në Sveҫan sundon elementi serb. Në Maqedoni deri në vitin 1948, jetonin afro 200 000 shqiptarë. Ata përbënin shumicën në Gostivar, Tetovë (qytete e rrethe) dhe Groҫe Petrovski, ku ishte përqendruar gjysma e popullsisë shqiptare në Maqedoni, kurse gjysma tjetër ishte shpërndarë në Kumanovë, Shkup, Kiҫevo, Strugë, Dibër, Përlep e Ferizaj, ku përbënte pakicën e popullsisë së këtyre rretheve.

      Ekzistenca e popullsisë shqiptare në Jugosllavi me një gjuhë, territor dhe kulturë të përbashkët, siç është ajo e Maqedonisë, Kosovës e Malit të Zi në kufi dhe vazhdim të vendit tonë, flet për atë që territori i banuar prej kësaj popullsie ka qenë pjesë e pandarë e vendit tonë dhe si i tillë, ky problem është i padëshirueshëm e më preokupues si për borgjezinë serbomadhe, ashtu edhe për pasardhësit e saj revizionistët jugosllavë, të cilët për vite me radhë, nuk kanë lënë gjë pa bërë për të treguar se territoret e banuara prej popullsisë shqiptare në Jugosllavi, janë toka serbe, bile sipas tyre, krahina e Kosovës e Metohisë përbënë “Serbinë e vjetër” dhe se elementi shqiptar që banon këtu është i ardhur, “mysafir”. Për të mbrojtur këto teza shoviniste, si borgjezia serbe ashtu edhe revizionistët, kanë bërë dhe një punën sistematike e cila konsiston në dy drejtime kryesore. Nga njëra anë bëhen të gjitha përpjekjet për të vërtetuar historikisht karakterin serb të këtyre krahinave, nga ana tjetër përdoren të gjitha metodat për shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare dhe për serbizimin e këtyre viseve. Për të vërtetuar nga ana historike karakterin serb të territoreve të banuar nga shqiptarët, borgjezia shoviniste serbe dhe revizionistët jugosllavë, kanë aktivizuar një sërë historianësh, gjeografësh etj., të cilët në shkrimet e tyre duke përdorur argumente pseudoshkencore dhe duke bërë falsifikime historike, kanë ngritur një sërë tezash dhe pretendime absurde dhe të pabaza mbi këtë çështje.

     Një nga këta personalitete që njihet si shtylla e gjithë literaturës serbomadhe, ka qenë gjeografi serb, J. Cvijiç, që vazhdon të njihet edhe sot si autoritet nga revizionistët. Për të njohur qëndrimin antishkencor dhe shovinist të Cvijiçit, mjafton të përmendet pikëpamja e tij se: studimi i çështjes së kombësive të Ballkanit vështirësohet nga fakti se këtu na paska mbetur tri kombësi të dalluara dhe të individualizuara mirë në territor të përcaktuar, serbët, grekët dhe bullgarët, se ndryshe qëndron puna me shqiptarët, maqedonasit etj., të cilët akoma në shekullin XX qenka kombësi në lëvizje, të paformuara akoma. Siç shihet prej kësaj teze Cvijiçi nxjerr si përfundim se për karakterin etnik të popullsive të Shqipërisë dhe Maqedonisë, nuk mund të thuhej akoma gjë me siguri, me që lufta (këtu është për luftën ballkanike 1912-1913, kur Serbia pushtoi krahina të gjera me popullsi josllave), do të bëhej faktori vendimtar për përcaktimin definitiv të kombësisë së banorëve të tyre. Për të mohuar karakterin shqiptar të territoreve të banuar prej shqiptarëve në Jugosllavi dhe për të mbrojtur pretendimet shoviniste mbi këtë tokë, pseudoshkencëtarët serbomëdhenj, si: Civijiçi, Ostoiç, Mirkoviçi etj., në shkrimet e tyre kapen mbas problemit të prejardhjes së popullsisë shqiptare në këto krahina dhe krijojnë tezën sipas së cilës popullsia shqiptare këtu u shfaq shumë vonë dhe vetëm nga fundi i shekullit XVII dhe duke përfituar nga kryengritjet e dështuan serbe kundër turqve të viteve 1690 dhe 1737, kur shqiptarët patën mundësi t’i “invadojnë” këto krahina të favorizuar nga sunduesit turq, për arsye të besimit të tyre mysliman. Ata pranojnë se në këto krahina ka banuar dikur popullsia ilire, porse ky element, sipas tyre, u zhduk krejtësisht me ardhjen e sllavëve, se në shekullin XIV befas dhe përafërsisht shfaqet përsëri elementi shqiptar në këto krahina dhe zhduket përsëri për t’u shfaqur po aq befas në fund të shekullit XVII dhe gjatë shekullit XVIII.

     Siç shihet, në letërsinë historike serbe, vendin kryesor lidhur me prejardhjen e popullsisë shqiptare në Jugosllavi, e zë besa e emigrimit të asnjë nga brendia e Shqipërisë, sidomos nga vlerat malore, në këtë krahina në kohën e okupimit të tyre nga turqit dhe të disfatave të kryengritjeve serbe. Një sërë të dhënash historike e hedhin poshtë këtë tezë shoviniste, e cila ka për qëllim të mohojë ekzistencën e vazhdueshme të elementit shqiptar në këto krahina dhe të argumentojë karakterin serb të tyre. Dihet se popullsia sllave që zuri vend në këto krahina, si dhe në shumë krahina të tjera të gadishullit, nuk gjeti një popullsi në përgjithësi trake, ose ilire, ose romake, siç mund të kishte takuar edhe në krahina të tjera të gadishullit, por gjeti një popullsi që paraqesin tipare të veçanta karakteristike për atë formacion etnik të ri që quhen, albanë-shqiptarë. Dihet gjithashtu se kolonizimi sllav mbuloi një pjesë të madhe të popullsisë së vjetër të gadishullit, një pjesë të së cilit ai e asimiloi krejtësisht, siç ndodhi me thrakët dhe me një pjesë të madhe të popullsisë ilire. Por, aty ku popullsia e vjetër ishte ruajtur pak a shumë kompakte, mund t’i qëndrojë sllavizmit dhe jo vetëm kaq, por të asimilonte edhe popullsinë sllave që u vendos në afërsi të saj. Dëshmi për këtë është ruajtja e popullsisë greke si dhe qëndresa e popullsisë iliro-shqiptare.

      Pra, në territorin e banuar që prej së lashti prej shqiptarëve, bënin pjesë edhe krahinat shqiptare që sot ndodhen jashtë kufijve tonë shtetërorë. Elementi shqiptar në këto krahina nuk mund ta ketë origjinën në emigracione të mëvonshme, siç përpiqet ta paraqes literatura serbe, por vazhdimi direkt i një popullsie të vjetër shqiptare, e cila jetoi si pjesë e zonës kompakte shqiptare e rrethuar nga një ambient sllav. Ndërsa ky element shqiptar në pozitat e tij më të avancuara u asimilua nga ambienti sllav. Megjithatë, ky element shqiptar në pozitat e tij më të avancuara u asimilua nga ambienti sllav në Dalmacinë Jugore, Bosnjë, Rrafshin e Dukagjinit, në Kosovë, Maqedoni si dhe në brezin jugor të Malit të Zi, duke përfshirë Ulqinin dhe malësinë midis lumenjve Zeta dhe Lim.

     Një nga pasojat që solli okupacioni turk ishte islamizmi i popullsisë së krahinave të pushtuara. Fenë e re së pari e përqafuan përfaqësuesit e klasës feudale dhe më vonë me zgjerimin e pushtimit dhe me dështimin e kryengritjeve të popullsisë, islamizmi përfshiu edhe masat e fshatarësisë. Ky proces mori një zhvillim para se gjithash në Shqipëri dhe në Bosnjë, vende me kushte shoqërore e gjeografike të ngjashme, në pellgun e gjerë e pjellor të Rrafshit të Dukagjinit dhe Kosovës, që shërbente për depërtimin e mëtejshëm të sunduesve turq. Ky proces u zhvillua relativisht shpejt. Me gjithë pasojat e këtij procesi, elementi shqiptar në këto krahina nuk u zhduk. Për këtë flasin një varg burimesh historike të udhëtarëve perëndimorë që kanë kaluar në këto krahina si dhe udhëtari i njohur turk i shekullit XVII, Evlia Ҫelebia, i cili thotë se popullsia e Shkupit flet shqip dhe shpeshherë rumelisht, ndërsa P. Mazreku, thotë se qyteti i Prizrenit kishte 12 000 banorë myslimanë gati të gjithë shqiptarë dhe se Shkupi në këtë kohë përbëhej prej 20 000 myslimanë, shumica e të cilëve me origjinë shqiptare. Ky numër kaq i madh i popullsisë shqiptare në këto qendra kryesore qysh në çerekun e parë të shekullit XVII, tregon se teza kryesore e autorëve serbomëdhenj dhe revizionistë mbi emigrimin e shqiptarëve pas kryengritjeve së dështuar serbe të 1690 dhe 1737 nuk mbështet në asnjë bazë. Një tjetër argument që rrëzon tezën e historianëve serbomëdhenj dhe revizionistë dhe që vërteton karakterin autokton të popullsisë shqiptare të Kosovës, mund të nxirret nga studimi i dialektit të tyre. Po të qe se kjo popullsi të ishte shkëputur kaq vonë nga territori shqiptar që ndodhet sot brenda kufijve shtetërorë, atëherë të folurit e saj duhej të ishte thjeshtësisht një vazhdim i të folurit të Shqipërisë së Veriut. Por, dihet se të folurit e Kosovës ka një varg tiparesh të veçanta. Po kështu edhe nga pikëpamja etnografike, folklorike dhe muzikore, kultura e popullsisë shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit dhe Kosovës përbëjnë një grup më vete në gjirin e kulturës së popullsisë shqiptare, pjesë integrale e të cilit është.

          Shekulli XIX, ishte periudha e lëvizjeve kombëtare në Ballkan për çlirimin nga zgjedha turke. Si rezultat i këtyre lëvizjeve dhe faktorëve të tjerë të jashtëm, u krijuan shtetet nacionale serbe, greke dhe bullgare. Megjithatë, çështja e bashkimit kombëtar të popujve të Ballkanit nuk u realizua plotësisht për shkak të rezistencës së Perandorisë turke në shembje dhe kontradiktave të Fuqive të Mëdha si dhe nga pretendimet e shteteve ballkanike të posa formuara në këtë zonë. Kështu shohim që midis Serbisë dhe Greqisë, më 1867, në qytetin Moedling pranë Vjenës, u nënshkrua marrëveshja për copëtimin e Shqipërisë. Për të mbështetur pretendimet territoriale karshi Shqipërisë, borgjezia serbe në këtë periudhë botoi një literaturë të gjerë me anë të së cilës përpiqej të siguronte “bazat” historike dhe etnografike të nevojshme duke e quajtur këtë territor të banuar nga shqiptarët si “Serbia e vjetër”.

      Por megjithatë, numër të madh historianësh falsë, të tjerë historianë, gjeografë e diplomatë austriakë, francezë, anglezë e italianë të shekullit XIX, në shkrimet dhe veprat e tyre përfshijnë në Shqipëri edhe krahinat shqiptare të mbetura jashtë kufijve tonë shtetërorë. Kështu p.sh. Lordi E. Fritzmaurice, komisar special anglez në Stamboll, në korrespondencën e tij me ministrin e Jashtëm britanik, thekson gjithnjë karakterin shqiptar të këtyre me ministrin e Jashtme britanik, thekson gjithnjë karakterin shqiptar të këtyre krahinave. Më 1880, E. Fritzmaurice i bën të ditur ministrit të Jashtëm anglez, Granuile, se “territori i përfshirë nga kjo shprehje gjeografike (Shqipëri) koinçidoi kryesisht me dy vilajetet, të Shkodrës dhe Janinës, por shtrihet edhe në drejtim lindje dhe përfshinë dhe pjesë të vilajeteve të Manastirit dhe Prishtinës ose Kosovës. Vilajeti i Kosovës me përjashtim të një distrikti serb në lindje të Mitrovicës është shqiptar”. Edhe E. Maoramatis, konsull grek në Shkodër, në vitet 1876-1881, në disa artikuj të botuar në gazetën “Akropolis” të Athinës, përfshinë Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, si “Shqipëri Verilindore” dhe Dibrën si “Shqipëri Lindore”. Për atë kohë, ai jep shifrën e banorëve shqiptarë të rretheve: Prizren, Gjakovë, Pejë, Tetovë, Prishtinë, Gjilan, Vuçitërnë, Mitrovicë, Novi Pazar, Vrajë, Shkup e Kumanovë, në 219 500 frymë, duke mos llogaritur në këtë shifër popullsinë shqiptare që banonte në territoret që sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit ju dhanë Serbisë, Austrisë dhe Malit të Zi.

      Populli ynë u ngrit kundër planeve që po kurdiseshin prapa shpinës së tij në Kongresin e Berlinit. Krahinat e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit u bënë qendra e kësaj lëvizje të madhe patriotike që rrëmbyen në vitet 1878-1881 tërë Shqipërinë dhe si rezultat i saj, më 1878, u krijua “Lidhja e Prizrenit”, organizata e parë politike që përpiqej të realizonte kërkesat kombëtare shqiptare, ruajtjen e integritetit tokësor dhe sigurimin e autonomisë. Pas Kongresit të Berlinit, Qeveria serbe shpërtheu një fushatë të tërbuar kundër popullsisë shqiptare që banonte në territoret që ju lanë asaj. Ajo i shtroi vetes si detyrë që në këto territore të mos mbetet asnjë shqiptar. Për këtë politikë flet mirë dr. Jovan Haxhi-Vasiljeviq në veprën e tij “Lidhja shqiptare” 1909, në të cilin botohet edhe urdhri i dhënë nga qeveria organeve ekzekutive: “Sa më pak (shqiptarë dhe turq) të mbeten në vendin tonë, aq më i madh të jetë shërbimi që do t’i bëhet atdheut” dhe “sa më shumë shqiptarë që do të shpërnguli ndokush, aq më shumë merita do të fitojë kundrejt atdheut”. Edhe në vitet që pasuan më vonë, krahinat e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit mbetën qendra të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Këtu u zhvilluan luftimet kryesore kundër pushtuesve turq në vitet 1903 deri 1905 dhe 1909 deri 1912. Me kryengritjen e Kosovës dhe kërkesat e paraqitura prej tyre, u bashkuan edhe krahinat e tjera të Shqipërisë. Është i njohur sidomos roli që luajti kryengritja e madhe që shpërtheu në Kosovë në vitin 1912 kundër regjimit të xhon turqve. Kryengritjet shqiptare përgatitën terrenin për luftën ballkanike dhe për likuidimin e sundimit shekullor turk në Gadishullin Ballkanik. Kur më së fundi në vjeshtën e vitit 1912, për popullin shqiptar u duk se erdhi dita e çlirimit, në këtë kohë politika e gjerë imperialiste dhe e monarkëve shoviniste ballkanike, përgatiti një zgjedhë të re për një pjesë të madhe të popullit shqiptar. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, u ndeshën me ashpërsi nga njëra anë kërkesat e drejta të popullit shqiptar për bashkimin e tij kombëtar, dhe nga ana tjetër synimet grabitqare të qeverive shoviniste ballkanike dhe kontradiktat e blloqeve imperialiste, duke u kthyer kështu çështja e përcaktimit të kufijve të Shqipërisë në një pazarllëk për të zbutur kontradiktat e tyre. Pjesëmarrësit në këtë pazarllëk ishin të ndërgjegjshëm për karakterin e padrejtë të veprimeve të tyre, por interesat e tyre predominuan deri në fund dhe padrejtësia mbi caktimin e kufijve të Shqipërisë u bë ashtu siç dihet.

      Pas Konferencës së Londrës dhe pasi siguroi zotërimin e tokave të pushtuara, Qeveria serbe ju përvesh punës për të realizuar me çdo mënyrë shkombëtarizimin e krahinave shqiptare nga tokat e pushtuara, tashti ajo i vuri vetës për detyrë të arrinte një ndryshim rrënjësor të gjendjes, d.m.th. të zhdukte fizikisht elementin shqiptar. Si shkas ajo mori kryengritjen e shtatorit 1913, që shpërtheu në krahinën e Dibrës dhe Prizrenit. Kryengritja shqiptare u mbyt në gjak nga ana e Serbisë. Në një vend, ushtria serbe u vuri zjarr 33 fshatrave shqiptare pa u lejuar banorëve të dalin prej andej. Ushtria serbe me urdhër të Qeverisë, masakroi 120 mijë shqiptarë. Gazeta socialiste serbe “Radniҫke Novine”, botonte një letër të një ushtari, ku thuhej: “Gjithçka është kthyer në pluhur, hi dhe kufoma. Ka fshatra me 100-150-200 shtëpi ku nuk ka asnjë njeri, fjalë për fjalë asnjë njeri më”. Edhe pas Luftës së Parë Botërore, Konferencën e Paqes në Paris, nuk ndryshoi kufijtë e vitit 1913, të cilat u aprovuan definitivisht më 1912.

      Krahas territorit kundër popullsisë shqiptare dhe ndjekjeve për në Turqi, Qeveria serbe pas vitit 1920, vazhdoi me një ritëm shumë më të madh kolonizimin e këtyre krahinave me popullsi serbe, malazeze dhe boshnjake, të filluar qysh më 1912-1913. Për të ilustruar pasojat e këtij kolonizimi, mjafton të citojmë disa shifra që jep G. Kristiq, komisar i reformës agrare në librin me titull: “Kolonizimi i Serbisë Qendrore”, botuar në Sarajevë, më 1928. Duke folur për krahinën ai thotë: “Në 25 407 familje në Krahinën e Kosovës, më 1919, vetëm 6 311 ishin serbë” dhe më poshtë “Përqindja e elementit të ndryshëm për të njëjtën vit paraqitej si vijon: 24% serbë, 72% myslimanë (shqiptarë, sepse në Kosovë nuk ka turq…), 3.5% ciganë dhe 0.5% izraelit”. Pastaj ai vazhdon: “Statistika jonë mbi Kosovën tregon se neve kemi pasur, në pikëpamje nacionale, rezultate të mëdha. Kjo nuk është akoma gjë, sepse në fund të vitit 1927 elementi ynë nacional në krahinën e Kosovës (distrikti i Prishtinës) ka mundur të rritet nga 24% që ishte më 1919, 59% myslimanë: 3.5% ciganë dhe 0.5% izraelitë”.

     Politika shoviniste që ndoqi borgjezinë serbomadhe karshi popullsisë shqiptare në Jugosllavi, e vazhdoi me zell edhe klika revizioniste e Titos menjëherë pasi erdhi në fuqi. Metodat e kombëtarizimit dhe të serbizimit të këtyre krahinave, ajo i vuri në zbatim në përshtatje me konditat e reja të krijuara si në situatën e brendshme të vendit, ashtu edhe në atë të jashtme. Nga njëra anë ajo përdori demagogjinë e pafund dhe nga ana tjetër egërsinë e madhe shoviniste e cila shfaqet me të gjithë ashpërsinë tonë nacionalçlirimtare nga Kosova. Nën pretekstin gjoja të spastrimit të elementit reaksionar, me dhjetëra mijëra shqiptarë, gjetën vdekjen në mënyrë më mizore. Përmendim disa shembullin nga kjo kasaphane.

     Në Mitrovicë kur hyri Brigada VX e Kosmetit, u pushkatuan mbi 2 000 vetë, prej qytetit dhe katundeve të afërta. Në qytetin e Vuçitërnës u gjenden 400 vetë të vrarë. Në nëntor të vitit 1944, prej Kosovës deri në Tetovë, u pushkatuan më shumë se 1 000 vetë, duke i lënë arave dhe hendeqeve. Në Gostivar, oficerët e UDB-së pasi nxorën nga kazermat, vranë 300 shqiptarë. Në muajin dhjetor 1944, po në këtë qytet u arrestuan 70 vetë, të cilët u pushkatuan në një kodër të quajtur Gradishtuan. Më 7 nëntor 1944, në stacionin e monopolit të duhanit në Tetovë, u grumbulluan rreth 10 000 shqiptarë, dhe në të njëjtën natë nga këta u pushkatuan 1 200 vetë. Në katundin Kerҫevë u vranë 320 burra. Nga Shkupi u morën 300 djem shqiptarë me pretekst se do t’i dërgonin në një repart ushtarak, porse nuk u kthyen më në shtëpitë e tyre. Në Gjilan u pushkatuan 1 000 vetë, ndërsa në Skënderaj u gjenden 250 shqiptarë të varur dhe të vrarë dhe në katundin Polon të Ferizajt u pushkatuan 28 vetë përpara familjeve të tyre. Afër Prishtinës në vendin e quajtur Tombace u pushkatuan mbi 200 vetë, kurse në një ditë brenda në Prishtinë, 70 vetë. Në Pejë, prej dhjetorit 1944 deri në fillim të vitit 1946, u vranë 200 burra shqiptarë. Në rrethin e Shkupit u bënë masakra të mëdha. Në katundin Bojane të këtij rrethi, u vranë 76 bursa dhe 30 gra e fëmijë, ndërsa në katundin tjetër Blaco, të gjithë burrat (160 vetë) dhe 50 fëmijë. Thuhet se këtij katundi pas masakrave ju vu zjarrit. Më së fundi është i njohur krimi që u bë mbi mijëra shqiptarë gjatë rrugës Prizren-Ulqin. Por, masakrat dhe territori i viteve 1944, 1945, 1946, kundër popullsisë shqiptare në Jugosllavi, nuk ishin as të parat dhe as të fundit. Ato kanë vazhduar edhe më vonë dhe në vitin 1955-1956 morën një karakter mjaft të ashpër. Nën pretekstin e grumbullimit të armëve, Qeveria jugosllave në dimrin e vitit 1955/56, filloi një terror tjetër në Kosovë, ku popullata fizikisht iu nënshtrua torturave në masë dhe me këtë rast i likuiduan shqiptarët e larguar ose arratisur nga Jugosllavia.

Popullsia shqiptare në Jugosllavi dhe shtrirja e saj

     Ashpërsimi i kontradiktave midis Fuqive të Mëdha dhe kërkesat shoviniste që shpërthyen nga shtetet e posa krijuara të Ballkanit në shekullin XIX, u bënë shkak që në këtë periudhë të shtohen botimet mbi problemin e kombësive në Gadishullin Ballkanik. U botuan harta etnografike nga një varg shkencëtaresh me origjinë franceze, angleze, gjermane, ruse, italiane etj., dhe krahas tyre u dhanë edhe një varg tabelash statistikore mbi popullsinë e këtyre krahinave. Me gjithë pikëpamjet dhe interesat e kundërta që mund të kenë hartuesit e këtyre hartave dhe tabelave statistikore, shumica e tyre konkordojnë në faktin që e konsiderojnë territorin prej Dibrës e deri Tetovë, Prishtinë dhe Mitrovicë dhe prej këndej në Plavë, Guci e deri në veri të Ulqinit si territor të banuar kryesisht prej popullsisë shqiptare.

     Në Jugosllavi, regjistrime të plota të popullsisë janë bërë në vitet 1921, 1931, 1948, dhe 1961. Për shkak të situatave në të cilat janë bërë këto regjistrime, si bazë më e saktë është ajo e 15 marsit 1946. Për sa i përket numrit të përgjithshëm të popullsisë shqiptare që banon në Jugosllavi, nuk mund të flitet në mënyrë të saktë pasi të dy regjistrimet në fuqi që kanë bërë, regjistrime të nisura nga qëllime të caktuara shoviniste, kanë bërë të gjitha përpjekjet që një pjesë të mirë të popullsisë shqiptare, ta konsiderojnë turke. Duke u nisur edhe nga rrethanat politike të asaj kohe, supozohet se të dhënat që kanë dalë nga regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë së 15 marsit 1948, mund të paraqesin pak a shumë një pasqyrë më të saktë të numrit të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, në krahasim me regjistrimet e tjera. Këto rezultatet u botuan në librin “Konacni Rezultati Popisa Stanovnistvaod 15 Marta 1948-Knjiga IX-Stanovnistvo Ponarodnisti Beograd 1954”.

      Më 31 mars 1953, në gjithë Jugosllavinë kishte 754 245 shqiptarë që zinin 4.55 të numrit të përgjithshëm të popullsisë së vendit. Nga ky numër, në Serbi jetonin 563 513 vetë, ose 8.1% e popullsisë së republikës. Në Maqedoni jetonin 162 524 vetë, ose 12.5% të popullsisë së kësaj republike. Në Mal të Zi jetonin 23 460, ose 5.6% e popullsisë së republikës. Numri i shqiptarëve në republikat e tjera ishte ndër 1.5000 vetë për secilin. Gjendja e pakicës turke në Jugosllavi sipas këtyre dy regjistrimeve paraqitet ai vijon: në regjistrimin e 15 marsit 1948, kishte në gjithë Jugosllavinë 97 954 vetë të kombësisë turke, që zinin 0.6% të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe si kombësi vendin e katërt. Në regjistrimet e 31 marsit 1953, numri i përgjithshëm i popullsisë turke u rrit në 259 535 vetë dhe që zinte 1.5% të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Nga krahasimi i këtyre të dhënave, dalin këto përfundime: prej vitit 1948 deri në vitin 1953, popullsia me kombësi shqiptare në Jugosllavi u shtuan vetëm 3 914 vetë, dhe përqindja e pjesëmarrjes së sajë në numrin e përgjithshëm të popullsisë ra nga 4.8% në 4.5%, ndërsa popullsia me kombësi turke gjatë të njëjtës periudhë u shtua në 161 581, dhe përqindja e pjesëmarrjes së saj në numrin e përgjithshëm të popullsisë u rrit nga 0.6 në 1.5%.

      Gjendja e popullsisë në krahinën e Kosovës kishte një popullsi prej 727 820 banorësh. Sipas kombësive, ky numër ndahej në këtë mënyrë: shqiptarë 493 242 vetë, serbë 171 911 vetë, malazezë 28 030 vetë, kroat 5 290 vetë, jugosllavë të papërcaktuar 9 639 vetë, turq 1 315 vetë, ciganë 11 230 vetë. Më 31 mars 1953, gjendja kishte ndryshuar si vijon: popullsia 808 141 banorë, nga këta: shqiptarë 524559, serbë 189 839, malazezë 31 343, kroat 6 201, jugosllavë të papërcaktuar 6 241, turq 34 583, ciganë 11 904. Nga të dhënat e lartpërmendura, del se prej vitit 1948 deri 1953 popullsia shqiptare e Kosovës pati një shtesë prej 26 317 vetë, ndërsa popullsia shqiptare me kombësi turke që sipas të dhënave të vitit 1948 në këtë krahinë ishte 1 315, u rrit në 34 583. Statistikat që u përmenden më lart, mbi gjendjen e popullsisë shqiptare dhe turke në Jugosllavi, tregojnë fare qartë punën që bëjnë revizionistët jugosllavë për ta shndërruar popullsinë shqiptare në atë të kombësisë turke. Për të justifikuar falsifikimet që janë bërë në këtë drejtim, në regjistrimet e 31 marsit 1953, revizionistët në botimet që u përmendën më lart deklarojnë se gjoja në regjistrimet e vitit 1984 një numër i konsiderueshëm turqish u deklaruan si shqiptarë, ndërsa në ato të vitit 1953 u deklaruan ashtu siç ishin, turq. Kuptohet se një justifikim i tillë është absurd dhe pa asnjë bazë.

Emigrimi i shqiptarëve jashtë dhe brenda Jugosllavisë

       Shkombëtarizimi i territoreve të banuar nga shqiptarët me anë të emigracionit në masë të popullsisë jashtë Jugosllavisë, ka qenë një nga metodat më të preferuara si të borgjezisë serbe ashtu edhe për revizionistët e sotëm. Ky emigracion është bërë në drejtim të Turqisë, në marrëveshje me Qeverinë turke dhe nënë maskën e emigracionit nga Jugosllavia të popullsisë me kombësi turke. Në këtë drejtim është shfrytëzuar shumë çështja e besimit. Pasi konsoliduan pushtetin e vetë në krahinat e Kosovës me anë të territorit, Qeveria serbe pas vitit 1924, krahas metodave të vjetra të kombëtarizimit ndërmori edhe aksionin e ndjekjes së popullsisë shqiptare nga tokat e tyre. Për këtë qëllim u shfrytëzua marrëveshja që lidhi Qeveria serbe me Qeverinë turke në vitin 1926, mbi riatdhesimin e popullsisë turke nga Jugosllavia, në kuadrin e së cilës mijëra shqiptarë u detyruan të shkojnë në Turqi duke u konsideruar si turq. Kjo ishte shpërngulja e parë e madhe e shqiptarëve për Turqi. Sipas shtypit turk, të datës 7 prill 1926, në bazë të kësaj marrëveshje nga Jugosllavia duhej të emigronin në Turqi 3-400 000 vetë. Sipas një llogaritje të bërë, Legata shqiptare në Ankara, në vitin 1928 në Turqi gjendeshin 27-30 mijë familje shqiptare të shpërngulura nga Kosova, duke përfshirë edhe ata shqiptarë që kishin emigruar pas vitit 1913. Shpërngulja e madhe e lartpërmendur u pasua pas 10 vjetësh nga një tjetër, mbas nënshkrimit të marrëveshjes së re turko-jugosllave në vitin 1938, në bazë të së cilës parashikohej riatdhesimi i 250 000 vetëve të ashtuquajtur turq. Gazeta turke “Vatan” e datës 12/VII/1938 me rastin e mbylljes së kësaj marrëveshjeje, publikonte një komunikatë zyrtare si dhe një artikull, në të cilin thuhej se 250 000 emigrantë do të arrinin nga Jugosllavia dhe se transporti i tyre do të fillonte pas 6 muajsh. E njëjta gazetë botonte edhe një deklaratë të delegacionit jugosllav që nënshkroi marrëveshjen, në të cilën gjithashtu përmendej shifra e lartë si dhe njoftime të tjera mbi përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje. Shpërngulja e tretë e madhe e shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi, u bë më 1948, dhe sidomos duke filluar nga vitet ‘51-‘52. Nuk është bërë e mundur akoma të dihet me siguri përfundimi i ndonjë marrëveshje midis Turqisë dhe Jugosllavisë mbi këtë çështje, por se supozohet që një marrëveshje e tillë të jetë përfunduar, ndryshe një emigracion kaq masiv nuk mund të kuptohet.

      Sipas statistikave zyrtare turke, njoftuar nga Legata jonë në Ankara, del se në Turqi jetojnë 280 000 shqiptarë të ikur nga Jugosllavia, të vendosur kryesisht në Stamboll, Izmir, Ankara e gjetkë. Duke marrë parasysh numrin e emigranteve që është dhënë me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve të vitit 1926, 1938 si dhe emigrimet mbas Luftës së Dytë arrihet në përfundim se numri i shqiptarëve të emigruar nga Jugosllavia në Turqi duket shumë më i madh nga ajo sa japin statistikat zyrtare turke. Gazeta turke “Xhumhurijet”, datë 06. IV. 1937, njoftonte se 200 000 emigrantë të rinj të ardhur nga Jugosllavia në Turqi, janë vendosur në vilajetin Nush.

      Nga të dhëna që kanë emigrimet më të shumta të shqiptarëve për Turqi, bëhen nga krahinat e Maqedonisë. Nga të njëjtat burime rezulton se edhe nga krahina e Kosovës, megjithëse më pak, kanë emigruar për Turqi. Kështu p.sh. nga rrethi i Prizrenit janë larguar 500 familje dhe vetëm nga katundi Mamushë 150, nga rrethi i Gjilanit më shumë se 80 familje, nga i Prishtinës rreth 500, ndërsa nga Mitrovica 900 veta dhe Peja 200 vetë. Sipas një informate, në janar të vitit 1956, u nisën nga stacioni i trenit të Shkupit, me tren ekspres, përnjëherësh 200 familje shqiptare.

       Përveç këtyre pak të dhënave që u përmenden më lartë, të marra nga burime të ndryshme, mbi këtë çështje ekzistojnë edhe burime zyrtare jugosllave. Kështu p.sh. deri në vitin 1958, gazeta “Nova Makedonia” që del në Shkup, çdo ditë publikonte në faqet e saj njoftimet e Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë mbi kërkesat që ishin bërë nga persona të ndryshëm për t’i liruar nga shtetësia jugosllave me qëllim emigrimi. Sipas një analize të bërë nga Legata në Beograd, numri mesatar i këtyre kërkesave për çdo muaj arrinte në 900-1 000. Botimi i këtyre njoftimeve u ndërpre në vitin 1958, kur shtypi jonë foli mbi këtë çështje. Veç kësaj, më 1959, Legata jonë në Turqi, sipas udhëzimeve të Ministrisë tonë, ndërhyri pranë autoriteteve turke për të mos pranuar emigrimin e shqiptarëve për në Turqi dhe Qeveria turke dha sigurime disa herë se, duke kuptuar drejt ndjenjat tona kombëtare, do të merrte masa për të ndaluar këtë emigrim duke vazhduar një kontroll të fortë mbi kombësinë e personave emigrantë.

       Organet jugosllave jo vetëm nxitin emigrimin e shqiptareve për në Turqi, por krijojnë edhe lehtësira materiale duke u vënë mjete transporti në dispozicion me çmime më të ulëta, duke i lejuar në doganë të marrin me vete edhe pajisjet shtëpiake, që disponojnë etj., deri në njohjen e dokumenteve false për lënien e shtetësisë dhe kalimin e kufirit. Më 1958, një fshehtësi tjetër krijuan ata me taksën për lënien e shtetësisë jugosllave, e cila u ul nga 12 000 dinarë që ishte më parë, në 2 000 dinarë për person dhe në vitin 1963 kjo taksë u hoq fare. Duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të shqiptarëve si dhe përbërjen patriarkale të familjeve të tyre, kjo është një lehtësi e madhe. Për turqizmin e shqiptarëve të Kosovës, revizionistët jugosllavë kanë përdorur të gjitha mjetet. Në mes të vitit 1952, në Kosovë u njoh zyrtarisht ekzistenca e një minoriteti turk me të gjitha të drejtat politike e kulturore, gjuhë dhe hapjen e shkollave. Iniciator i këtij plani ka qenë sekretari i Partisë të saj kohe, Gjeko Pajkoviq me Predrog Ajtiqin e Dushon Mugoshën. Me këtë rast, Gjako Pajkoviqi, në mbledhjen e Kuvendit për Kosovën e Metohinë, deklaroi: “Këtu në Kosovë e Metohi ekziston minoriteti turk, njerëzit flasin turqisht nëpër qytete. Ne do t’i lemë njerëzit të vendosin lirisht për kombësinë që duan. Secili të vendosën kombësinë që ndjenë vetë. Ata deri tani nuk e kanë bërë këtë se kanë pas presion nga shqiptarët, tash është detyra e komitëve dhe e arterieve të lidhjes socialiste me ndihmua që të ngjallet ky minoritet. Ja bie fjala, unë, thotë Gjoka, po ta ndiej vetën amerikan, bëhem amerikan”. Dhe mbas kësaj deklarate e këtij vendimi, ngjau ajo që në regjistrimet e vitit 1933, një shumicë e madhe shqiptarësh u detyruan të regjistrohen në kombësi turke.

     Në shkombëtarizimin e krahinave shqiptare të Jugosllavisë, një vend të rëndësishëm zë nga ana tjetër edhe nxitja e emigrimit të shqiptareve në krahina të tjera të Jugosllavisë si dhe kolonizimi i ri i krahinave shqiptare me elementin sllav. Gjendja e mjerueshme ekonomike, ardhur si rezultat i prapambetjes industriale dhe pronësisë shumë të vogël të tokës e ka detyruar gjithmonë shqiptarin kosovar të emigrojë për punë në krahina të ndryshme më të zhvilluara dhe më të pasura të Jugosllavisë. Në qytete të ndryshme të Jugosllavisë, si: Beograd, Zagreb, Lubjanë, Sarajevë etj., ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh të cilët në përgjithësi merren me punë të rënda krahu ose hamej, druvar, qymyrxhi, fshesaxhinj etj., porse një pjesë e mirë e këtyre nuk është instaluar defintivisht në këto qendra dhe familjet i kanë në vendlindje. Kolonizimi i ri i krahinave shqiptare me elementin sllav është një proces i vazhdueshëm dhe mjaft i rrezikshëm që po përdorin revizionistët. Ky proces zhvillohet në dy drejtime. Në qytetet dhe qendrat industriale, popullsia sllave po shtohet duke prurë këtu nga vende të tjera personel inxhinierë-teknikë, forcë punëtore të kualifikuar si dhe kuadër bujqësor, arsimor, shëndetësor, oficerë dhe personel administrativ të cilët me një unë paraprake mund të sigurohen edhe në vend, por me qëllim në këtë drejtim nuk merren masat e duhura. Kolonizimi i fshatit që është proces më i vështirë aktualisht bëhet me rastin e emigrimeve të shqiptarëve për në Turqi, tokën e të cilëve e blejnë ekonomitë sllave.

Pasqyrë e shkurtër e gjendjes ekonomike në Kosovë

      Siç thamë, sipërfaqja e territorit të Krahinës së Kosovës arrin në 10 690 km2, nga kjo 33% është e punueshme, 46% janë pyje e male dhe 19% e papunueshme (lumenj, moçale e sipërfaqe të banueshme). Megjithëse që nga çlirimi i Jugosllavisë, kanë kaluar 20 vjet, Krahina e Kosovës që është aq e pasur në burime natyrale, sidomos në qymyr, plumb dhe prodhime bujqësore, ka mbetur një nga krahinat më të prapambetura të Jugosllavisë, me industri shumë të vogël, bujqësi të prapambetur, me një nivel jetese shumë të ulët etj. Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, 70% e popullsisë merret me bujqësi, ndërsa popullsia aktive d.m.th. në punë është 33.2% në krahasim me 46.3% që është mesatarja e gjithë Jugosllavisë dhe 48% ajo e sllovenëve. Vetë drejtuesit e sotëm të kësaj krahine, kanë deklaruar se gjendja e popullsisë së krahinës është më e dobët se në të gjithë vendin dhe mund t’i ngjasë afërsisht asaj të Birmanisë dhe Mallajës.

      Për shumë vjet me radhë, revizionistët nuk i kushtuan asnjë kujdes zhvillimit industrial të kësaj krahine, por se vetëm shfrytëzuan ato pak ndërmarrje që ekzistonin qysh para lufte dhe sidomos industrinë minerale. Si rezultat i kësaj politike në fund të 15 vjetëve të pasluftës industria e Kosovës jepte vetëm 2% të prodhimit të përgjithshëm industrial të Jugosllavisë, kurse përqindja e popullsisë së saj në atë të gjithë Jugosllavisë, siç thamë rrinte 5%. Si rezultat i kësaj gjendje, numri i popullsisë së Kosovës që ishte në marrëdhënie pune me sektorin shtetëror përbënte vetëm 3.6%, kurse për gjithë Jugosllavinë mesatarja arrinte në 14.3%. Numri i punëtorëve dhe nëpunësve në Kosovë sipas një deklarate të Fadil Hoxhës kishte arritur atëherë në 50 000 vetë, ose 1 për 19 vetë.

     Pjesëmarrja e gruas në punë në këtë krahinë është shumë e vogël. Mesatarja e pjesëmarrjes së gruas në punë për gjithë Jugosllavinë është 27.0%, ndërsa në Kosovë ajo arriti në 15.4%. Megjithatë të dhënat e përmendura, për gjithë krahinën nuk paraqesin gjendjen reale të popullsisë shqiptare, sepse në ndërmarrjet industriale dhe ndërmarrjet e tjera shtetërore në radhë të parë preferohet elementi serb dhe malazez. Ja dy shembuj: Në kombinatin tjerjes në Prishtinë punojnë 640 punëtorë, nga të cilët vetëm 89 janë shqiptarë. Teknikët në këtë fabrikë janë të gjithë dhe ka vetëm dy mjeshtër shqiptarë. Në qendrën e monopolit të duhanit në Gjilan nga 800 punëtorë, vetëm 50 janë shqiptarë. Kjo gjendje ka krijuar një papunësi kronike në këtë krahinë gjë që nuk e fsheh  as vetë shtypi i vendit. Qendrat qe janë prekur më tepër nga papunësia janë: Gjakova, Prizreni, Gjilani, Istogu, etj.

     Gjendja e fshatarësisë në Kosovë dhe veçanërisht ajo e fshatarit shqiptar paraqitet e mjerueshme. Ekonomia bujqësore pothuajse është më e shpërndarë në gjithë Jugosllavinë, për shkak të dendësisë së madhe të popullsisë në këto krahina që është 75.5 për K2, 30% e të gjithë ekonomive bujqësore kanë vetëm nga 1 hektarë tokë, ndërsa 9% e ekonomive nuk kanë fare tokë. Ashtu si në sektorin e industrisë edhe në bujqësi, gjatë 15 viteve të para nuk u morë ndonjë masë e rëndësishme për të nxjerrë ekonominë bujqësore të kësaj krahine nga prapambetja dhe në përgjithësi punimi i tokës bëhet në një mënyrë primitive. Sipas të dhënave të shtypit të krahinës, 42.1% e ekonomive bujqësore nuk kanë asnjë kafshë pune dhe për punimin e tokës bëhen spekulime të mëdha nga ana e ekonomive kulake. Në këtë mënyrë, rendimenti për hektar në kulturat bujqësore në këtë krahinë është më i ulëti nga republikat e tjera.

      Nga fundi i vitit 1956, Qeveria jugosllave hartoi planet për ngritjen e disa veprave industriale në Kosovë dhe kryesisht në drejtim të shfrytëzimit të pasurive të nëntokës. Kjo u bë në kuadrin e interesave të Jugosllavisë, për furnizimin e industrisë sllovene e kroate me lëndë të parë. Kështu p.sh. u hap miniera e Obiliqit që ka gjysmën e rezervave të qymyrit për gjithë Jugosllavisë dhe u ngrit fabrika e superfosfatit në Mitrovicë për të shfrytëzuar mbeturinat e minierës së Trepçës. Por, krahas këtyre veprave revizionistët u detyruan të ngrenë në Prizren, Gjakovë e Pejë edhe disa fabrika të veshmbathjes dhe kjo u bë për dy qëllime: e para, për ta bindur popullsinë e Kosovës se zhvillimit i industrisë aty s’ka karakter të njëanshëm, kolonizues sikurse është frytëzimi maksimal i burimeve të lëndës së parë dhe, e dyta, për të kundërbalancuar influencën që ushtori në popullsinë kosovare zhvillimi me ritme aq të shpejta i industrisë së vendit tonë, duke përfshirë degë të reja si ajo e tekstileve. Por, duke ndërtuar këto objekte, Qeveria jugosllave krijon kushte të tjera për kolonizimin e Kosovës. Kuadri specialist e drejtues për shfrytëzimin e këtyre objekteve bile dhe pjesa më e madhe e kryepunëtorëve të thjeshtë, janë sjell nga Mali i Zi dhe Serbia ku janë përgatitur në kurse e shkolla, ndërsa elementi shqiptar ka mbetur në nivelin e punëtorit të krahut që shet fuqinë e tij për 15 000 dinarë në muaj. Krahas këtyre punimeve, popullsia shqiptare punon në shtrimin e disa rrugëve të reja që po hapen tani për të pakësuar deri në një masë numrin e madh të të papunëve.

      Karakteristikë e zhvillimit të industrisë në Kosovë është se ajo zhvillohet në atë mënyrë që të jetë e varur nga ekonomia jugosllave. Kështu p.sh, aty nuk prodhohen të gjitha asortimentet e ndryshme. Një pjesë e tyre shkon për t’u përpunuar në republikat e tjera. Kjo mbartësi paraqitet në shumë fora, ose lënda e parë nuk gjendet në vend, ose ajo ndodhet aty dhe duhet të përpunohet në objekte të tjera që ndodhen në thellësi të Jugosllavisë. Sipas statistikave zyrtare jugosllave shpërndarja e tokës sipas formave të punës paraqitet në këtë: sektori i quajtur shoqëror ka pas 113 ekonomi bujqësore, prej të cilave 15 kanë shtetërore me 33 000 hektarë tokë dhe 85 janë kooperativa, ose siç i quajnë ata “zadruga” me 48 000 hektarë. Numri i ekonomive private arrin në 103 000 me 436 000 hektarë, sipërfaqja e punueshme në të gjithë Kosovën arrin në 376 000 hektarë prej të cilave 40 000 ose 10% i përkasin të ashtuquajturit sektor shoqëror.

      Duke ndjekur edhe në fushën e bujqësisë politikën e shkombëtarizimit të Krahinës së Kosovës, kryesisht me anë të shpërnguljes së fshatarëve që përbëjnë shumicën e popullsisë, në Kosovës viteve të fundit i është dhënë rëndësi shpronësimit të tokës së fshatarëve me anë të krijimit të ashtuquajturave kombinate ushqimore. I tillë është p.sh. kombinati “Progresi” i Prizrenit me 8 000 hektarë tokë të punueshme që solli shpronësimin e 6 000 familjeve fshatare shumica e të cilave ishin shqiptarë, ose kombinati “Kosmot-Eksport” i Prishtinës me një sipërfaqe pothuaj të njëllojtë. Shtypi jugosllav nxit fshatarët të shesin tokat e tyre e të largohen për në vise të tjera ku gjoja ka punë më të rehatshme. Në këtë mënyrë gjatë dy viteve të fundit ky kombinat e rriti sipërfaqen e tij nga 1 493 hektarë që e kish në fillim në 7 569 hektarë më 1963 dhe ky vazhdon, ndërsa fshatarësia shqiptare e pronësuar mbush qytetet e zhvilluar të Jugosllavisë me fuqi punëtore të lirë për punë të thjeshta ose vazhdon të emigrojë në Turqi e gjetkë. Kombinate të tilla ka edhe në Gjakovë e vende të tjera. Ato janë transformuar në ndërmarrje bujqësore specialiste, sepse nuk punojnë vetëm tokat e tyre, por edhe të fshatarëve privatë, u japin kredi atyre të cilët kur ata s’janë në gjendje t’i shesin detyrohen t’ia shesin tokën kombinatit.

      Për sa i përket formave të kooperativës bujqësore, në Kosovë ka shumë lloje të tilla, por kryesoret janë: forma e parë është kur fshatari kooperon në kooperativën të gjithë tokën e tij. Në këtë rast fshatari paguan mjetet e punës që vendos kooperativa, agronomin, plehrat kimike, farën që është përdorur për t’u mbjellë në tokën e tij. Prej prodhimeve bujqësore, fshatari merr atë pjesë që i mbetet mbasi ti ketë shlyer kooperativës të gjitha këto detyrime. Vlerësimi i prodhimit të tokës së tij, nuk bëhet sipas prodhimit që është marrë pikërisht nga ajo tokë, por nga prodhimi që është marrë në të gjitha tokat e kooperativës së kategorisë së tokës që i përket fshatarit. (Sa për sqarim: tokat në Kosovë janë ndarë në 3 kategori dhe për çdo kategori është caktuar vlefta në kg që i takon festarit. Kështu ai mund të marrë nga 500 deri në 1 000 grurë hektarë, dhe kjo varet sipas kategorisë së tokës). Borxhin fshatari është i detyruar t’ia lajë kooperativës në natyrë me prodhime bujqësore. Forma e dytë është kur fshatari kooperon me dyqanin një pjesë të tokës së tij. Edhe në këtë rast të ardhurat ndahen si në rastin e parë. Kurse forma e tretë e kooperimit është ajo kur dyqanxhiu i shet fshatarit farën, plehun kimik dhe teknikën bujqësore, në këtë rast fshatari kontrakton me dyqanin që tepricën e prodhimeve përveç shpërblimit për farën, plehun dhe mjetet teknike, t’ia shesë dyqanin me çmimet e garantuara shtetërore.

      Tani kohët e fundit po zbatohet edhe një formë tjetër, d.m.th. fshatari i fal tokën kooperativës, kurse kooperativa i çel një kredi të cilën ai e len me pensionin që i cakton kooperativa. Në këtë rast, fshatari ka të drejtë të mbajë një parcelë prej afro një dynym toke, e cila caktohet sipas kurorave që ka në familje. Nga tokat që i ka falur kooperativës, fshatari nuk merr asgjë nga të ardhurat e saj. Në qoftë se toka i shitet kombinati bujqësor, ky garantohet që t’ ju sigurojë fshatarëve punë në kombinat ose në qytete të ndryshme të Jugosllavisë. Në të gjitha këto forma fshatari përveç borxheve që i ka kooperativës, duhet të paguajë të gjitha taksat të caktuara nga shteti njëlloj sikur të merrte vetë të gjitha prodhimit bujqësore. Edhe në sektorin e shëndetësisë, krahina e Kosovës ka mbetur shumë prapa në krahasim me rajonet e tjerë të vendit. Përveç tuberkulozit, sëmundje të tjera të përhapura janë malarja, dizenteria, tifoja, sëmundjet e lëkurës, etj. Si rezultat i kësaj gjendjeje, përqindja e mortalitetit në popullsinë shqiptare të Jugosllavisë është shumë e lartë dhe përfaqëson më se dyfishin e mesatares së gjithë Jugosllavisë (10.6% për 1 000 vetë, me 22 8% në 1 000 vetë). Është shumë i lartë sidomos mortaliteti infantil (mesatarja jugosllave 10.2 në fëmijë, ndërsa në shqiptarët 26.3 në 100 fëmijë 1-14 vjeç). Të gjitha këto vërtetojnë atë se niveli i jetesës në Jugosllavi e veçanërisht në popullsinë shqiptare është shumë i ulët. Papunësia, ngritja e vazhdueshme e çmimeve të artikujve industriale, rrënimi i vazhdueshëm i fshatarësisë së mesme e të varfër nën konkurrencën kapitaliste të industrisë, kanë krijuar një gjendje të vështirë pasigurie për jetën e punonjësve jugosllavë të qytetit e të fshatit. Kaosi, anarkia në prodhim, krizat, konkurrenca, zhvillimi pa plan e i pabarabartë, karakteristika për ekonominë kapitaliste shfaqen çdo ditë në të gjithë degët e ekonomisë jugosllave, në marrëdhëniet midis republikave, ndërmarrjeve dhe në çdo ndërmarrje të veçantë. Kostoja e jetesës vjen vazhdimisht duke u pritur, pakënaqësia duke u shtuar dhe, me gjithë regjimin policor që sundon atje, nuk kanë qenë të pakta rastet e shpërthimit të grevave nga ana e punëtorëve si p.sh. në Nish, ose ato të punëtorëve të hekurudhave e të minierave të qymyrit të cilave revizionistët u kanë vënë një emër tjetër “Largim nga puna”.

      Çështja e nivelit të jetesës së masave punonjës në Jugosllavi ka preokupuar seriozisht udhëheqësit titistë, sepse pakënaqësia ka marrë përpjesëtime të gjëra si në qytet ashtu edhe në fshat, prandaj për të dalë nga qorrsokaku, udhëheqësit titistë kohë pas kohe detyrohen të bëjnë ndonjëfarë kritike. Titoja për të qetësuar përkohësisht zemërimin e popullit, si demagog i regjur që është, u detyrua të mbajë fjalimin e Splitit, në maj 1962, ku ai kritikoi drejtorët e ndërmarrjeve dhe disa njerëz të “pandërgjegjshëm” të cilët me veprimtarinë e tyre paskëshin sjellë të metat që ekzistonin në ekonominë jugosllave dhe si rrjedhim, me marrjen e disa masave, punët do të ndreqeshin. Çfarë ndodhi pas vitit 1962? Sipas statistikave jugosllave, numri i të papunëve në Jugosllavi është mbi 200 000, numri i atyre që emigrojnë në vendet e Evropës Perëndimore dhe deri në Australi për çdo vit arrin mbi 10 000, çmimet e mallrave të konsumit gjatë katër vjetëve të fundit, janë ngritur mbi 90 për qind, vetëm gjatë vitit të fundit ato u ngritën në 14-22 për qind etj. Nga ana tjetër, sipas gazetave jugosllave “Rad” dhe Politika” të mars-prillit 1964 del se në disa anketa që janë bërë midis punëtorëve të ndërmarrjeve më të fuqishme industriale 40 për qind e punëtorëve marrin jo më tepër se 25 000 dinarë në muaj dhe një punëtori që disponon 4m2 sipërfaqe të banueshme për çdo anëtar të familjes i duhej të paguante mesatarisht 3 200 dinarë në muaj qira. Në këto anketa, pyetjes se sa mallra të reja për veshmbathje blinin punëtorët, këta përgjigjeshin: “Rregullojmë të vjetrat, i rregullojmë dhe i arnojmë”, kurse për shpenzimet e jetës kulturore në një anketë thuhej: “Në kinema shkoj kur nuk ha darkë, mua s’më mjafton rroga për ushqim, si do më dalë të blej libra”. Punëtori i kualifikuar Dragomir Staojakoviq, në fabrikën “Radko Pavlloviq”, të Nishit, ku punon prej më se 16 vjetësh thotë se “merr 16 500 dinarë në muaj, kam grua dhe fëmijë, gruaja ka katër vjet që kërkon punë, paguaj për dhomën 3 300 dinarë në muaj dhe për shlyerjen e kredisë 6 500 dinarë, për të ngrënë mbeten ato teprojnë. Asnjë vit në jetë time nuk kam bërë lejen jashtë shtëpisë, ndërsa në kinema për herë të fundit kam qenë në vitin 1939”. Shembull si këto janë të panumërta dhe për të dalë nga situatat e vështira të cilave ndeshen revizionistët, këto lozin përsëri kartat. Këto radhë jo kundër drejtorëve, sepse asaj demagogjie i doli boja, por kundër vetë ndërmarrjeve, kundër fitimeve të tyre të paligjshme me anën e ngritjes së pareshtur të çmimeve. Për këtë, në muajin mars 1965 Veçe Ekzekutive Federale mori vendimin që çmimet e artikujve të ndryshëm të mos ngrihen nivelin e 22 marsit 1965, d.m.th. bllokimi i çmimeve në atë nivel.

      Çfarë ndodhi pas kësaj në Jugosllavi? Ndodhi ajo që do të ndodhte në çdo vend tjetër kapitaliste d.m.th në dallavere, poshtërsia, etj., çmimet do të ngriheshin pa tjetër. Gazeta “Borba” datë 8 prill 1965, në një njoftim me titull: “Për shumë prodhime të reja, çmime të reja”, vinte në dukje se gjatë 10 ditëve, mbas vendimit të Veҫes. Ekzekutive mbi bllokimin e çmimeve, disa fabrika e ndërmarrje nxorën “prodhime të reja” të cilat sipas justifikimeve duhet të kenë çmime të reja. Vetëm në Serbi, dyqanet e mëdha numëronin 596 artikuj të tillë”, kurse “Na-me” në Zagreb paraqiti 2 000 “prodhime të reja”. Ҫ’ndodhi në ndërmarrjet e tjera në këtë periudhë: “Ndërmarrja Kroacia pa ngritur çmimet formalisht, realizoi fitime të paligjshme në tjetër rrugë, duke pakësuar sasinë e vezëve në artikujt e pastiçerive pati një fitim prej afro 30 000 dinarësh, një tjetër fabrikë duke pakësuar sasinë e mjaltit realizoi 75 000 dinarë, kurse frigoriferi i Gjakovës shiti mishin e lopës në vend të mishit, kurse të viçit duke realizuar fitime të tjera”. Shembull si ato që përmendëm për Jugosllavinë për Kosovën ka shumë dhe më flagrante dhe më prekëse. Mjafton të thuhet se në Prizren e në Dibër numri i kosaxhinjve dhe i llustraxhinjve (kuptohet që këta janë privatë), pa përmendur artizanët, janë aq të shumtë sa nga mungesa e xhiros nuk kanë veçse një orë punë në ditë. Me mijëra artizanë, nëpër kasolle të vogla, me kapital një gërshetë e një ҫekiҫ, të lënë në mëshirën e fatit punojnë sikurse në vendet kapitaliste 14-16 orë në ditë, vetëm për të siguruar minimumin e jetesës. Nëpër krahina nuk të sheh syri veçse fshatarë të rreckosur, të zbathur, me qylaf të bardhë tërë djersë të parruar prej kushedi sa kohë, të kërrusur e të trembur shkojnë nëpër fushë me frikë se nuk kanë ҫ’ të shpien në shtëpi për të ngrënë.

      Pjesëmarrja e popullsisë shqiptare në organet e pushtetit dhe në administratën shtetërore

      Me gjithë kalimin e Jugosllavisë në Kampin e Imperializmit e të reaksionit dhe të zhvillimit të kapitalizmit në Jugosllavi, LKJ dhe partitë e klasës punëtore që kanë tradhtuar marksizëm-leninizmin vazhdojnë të pretendojnë se në Jugosllavi pushteti është në duart e popullit dhe këtë përpiqen ta argumentojmë me karakterin gjoja demokratik të parimeve mbi të cilën mbështetet kushtetuta jugosllave dhe ligji mbi zgjedhjet. Prandaj, si në kushtetutën e Jugosllavisë ashtu edhe në atë të RS të Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, bëhet fjalë edhe për sigurimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Jugosllavi, mbi të drejtën për t’u përfaqësuar në organet e zgjedhura, aparatin ekzekutiv, të drejtën e arsimit nacional, të përdorimit të gjuhës nacionale, etj. Por, në fakt ushtrimi i këtyre të drejtave nga ana e popullsisë shqiptare ka mbetur vetëm formal dhe pjesërisht zbatohet në mënyrë gjysmake dhe për oportunitet politikë, midis asaj pakice të popullsisë shqiptare që është kthyer në shërbëtore besnike e revizionizmit jugosllav e që ka tradhtuar interesat nacionale.

      Një nga fushat ku duket qartë shkelja e të drejtave nacionalet e pakicës shqiptare dhe ku manifestohen hapur tendencat sunduese serbomadhe, është ajo e pjesëmarrjes në organet e zgjedhura të pushtetit dhe në aparatin administrativ qendror dhe krahinor. Sipas të dhënave zyrtare aktualisht popullësia shqiptare në Jugosllavi përfaqëson rreth 5% të popullsisë së Jugosllavisë, kurse përfaqësuesit e popullsisë shqiptare në të dy dhomat e skupshtinës federale zënë 3% të vendeve, në skupshtinën e RS të Serbisë vendet e përfaqësueseve të Krahinës Autonome të Kosovës, janë ndarë në numër të barabartë midis shqiptarëve dhe jugosllavëve, megjithëse në këtë krahinë popullsia shqiptare përbën 67% të gjithë popullsisë dhe ajo jugosllave vetëm 27.5%, diferenca konsiderohet turq e të ndryshëm siç përmendëm në fillim. Ky disproporcion i përfaqësimit në organet e zgjedhura nuk ekziston vetëm në organet qendrore porse edhe në organet e krahinës. Në këshillin krahinor të Kosovë-Metohisë, përfaqësuesit shqiptare zënë 54% të vendeve, ndërsa përfaqësuesit jugosllavë 42%. Diferenca është turq e të ndryshëm. Por, gjendja e pjesëmarrjes së shqiptarëve në drejtim të vendit paraqitet akoma më keq në organet e administratës së krahinës dhe të ndërmarrjeve së shërbimit publik, ku nëpunësit me kombësi sllave zënë 56%, ndërsa ata me kombësi shqiptare zënë 30.2%. Revizionistët jugosllavë përpiqen ta shpjegojnë këtë fenomen me prapambetjesh kulturore të pakicës shqiptare. Por, a nuk ka qenë e mjaftueshme periudha 20-vjeçare për të nxjerrë këtë pakicë nga prapambetja në qoftë se ky është me të vërtetë shkaku?

      Për pjesëmarrjen elementit shqiptar në administratën e zonave që i kap Republika e Maqedonisë, nuk janë botuar të dhëna të plota, por dihet se në rrethin e Tetovës shqiptarët përbëjnë 65% të gjithë popullësisë, ndërsa pjesëmarrja e tyre në organet e administratës është 25.9%. Pjesëmarrja e elementit shqiptar në organet e administratës federale pothuajse është nullë. Në vitin 1959, në Beograd u botua një libër i titulluar “Adresari i organeve të instituteve federale”. Ky botim përmban emrat e kuadrit drejtues të organeve të administratës shtetërore, të organeve ekonomike qendrore, organizatave të masave si dhe instituteve të tjera të rëndësishme. Në të janë botuar emrat e rreth 1.200 kuadrove. Midis tyre nuk ka asnjë të kombësisë shqiptare.

     Në krahinën e Kosovës ka disa sektorë të administratës së vendit, ku pjesëmarrja e elementit shqiptar në to është pothuajse e përjashtuar. Kështu p.sh. në organet gjyqësore në përgjithësi kuadri është jugosllav që nga kryetarët e gjyqeve, anëtarët, prokuroret, avokatët etj., dhe shumë rrallë ka ndonjë gjyqtar shqiptar, por edhe këta zënë vende vetëm në gjyqet e kundërvajtjeve. Mbi këtë çështje, nuk janë botuar të dhëna zyrtare por se një konkluzion i tillë nxirret fare mirë duke analizuar proceset në shtypin e vendit. Në këto raste botohen edhe emrat e trupit gjykues, ose të kryetarit të gjyqit dhe prokurorit. Shpeshherë, me qëllim që të mashtrojnë publikun, revizionistët caktojnë në krye të komiteteve ekzekutive si kryetarë ose nënkryetarë, persona nga pakica shqiptare dhe të tillë ka në një sërë komunash dhe qytetet porse përbërja e kuadrit tjetër të administratës në përqindjen më të madhe mbetet prej serbëve. Kështu p.sh. në komunën e Ferizajt ku kryetari është shqiptar dhe ka rreth 10 nëpunës, sipas një informacioni 93% e tyre janë serbë e malazeze dhe vetëm 7% shqiptarë. Përveç kësaj duhet shënuar se edhe atje ku ka shqiptarë në organet e pushtetit, ato zënë vendet më të ulëta. Postet drejtuese në organet e administratës ekonomike të Krahinës janë plotësisht në duart e serbëve dhe malazezëve. Kuadri i kualifikuar shqiptar në të zë një përqindje të parëndësishme.

     Kushtetuta jugosllave ju garanton pakicave nacionale arsim e kulturë në gjuhën e tyre kombëtare, ndonëse periudha që ka kaluar nga mbarimi i luftës e deri sot dhe sidomos kjo e vjetëve të fundit ka treguar se revizionistët karshi pakicës shqiptare ndjekin një politikë antimarksiste dhe shoviniste, qëllimi i së cilës është që ta mbajnë në injorancë popullsinë shqiptare në mënyrë që ta shfrytëzojnë dhe shkombëtarizojnë më kollaj, që ajo të mos krijojë inteligjencën e saj. Politika kulturore-arsimore e Qeverisë jugosllave në Kosovë, në vija të përgjithshme, aktualisht mund të karakterizohet si vijon: ecje drejt likuidimit të arsimit shqip, me hapa të shpejta e definitive, ecje drejt serbizimit. Kurse nga ana teknike, hë për hë e në mënyrë të kufizuar ecje edhe drejt turqizmit të arsimit, në masat e rinisë të futet kultura serbe e të ecët drejt likuidimit gradual të kulturës shqiptare, në objektivin që të shuhet ndjenja kombëtare e kësaj pakice. E gjithë kjo politikë po realizohet më mjete dhe metoda të shumëllojshme. Nga viti në vit mbyllen shkolla fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe, duke i shndërruar në shkolla serbe të përziera. Duke filluar nga viti 1952 në Kosovë u çelen një numër shkolla turqisht, megjithëse sipas regjistrimeve të popullsisë në vitin 1948 në Kosovë kishte gjithsej vetëm 1 500 banorë turq.

     Tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë nuk janë gjë tjetër veçse tekstet serbisht të përkthyera. Mësimi i gjuhës serbe nga nxënësit shqiptarë fillon qysh në klasën e dytë. Për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve e shkollave bëhen investime shumë të vogla. Për përgatitjen e kualifikimin e kuadrit bëhet shumë pak. Arsimi i detyruar nuk realizohet në një përqindje të ngeshme. Bursat për fëmijët shqiptarë janë të pakta dhe më në fund gjendja e keqe ekonomike ka një influencë të madhe në përmbajtjen kulturore të popullsisë shqiptare në Jugosllavi. Metoda më e përhapur për likuidimin e arsimit shqip që po zhvillohet në Jugosllavi është mbyllja e shkollave shqipe dhe kthimi i tyre në shkolla të përziera. Me anë të kësaj synohet të arrihen disa objektiva të caktuara nga të cilat më kryesore janë: 1) Të ecet gradualisht drejt serbizimit të plotë të shkollave në Kosovë. 2) Të lihen pa arsim një numër i konsiderueshëm i fëmijëve shqiptarë, sepse me bashkimin e këtyre shkollave krijohen vështirësi të reja për popullsinë shqiptare. 3) Të kalojë administrimin e shkollave në duart e serbëve. 4) Të serbizohen plotësisht programet shkollore. Zbatimi i një politike të tillë dokumentohet nga vetë të dhënat që ka botuar shërbimi statistikor jugosllav si dhe nga organet e shtypit e propagandës dhe fjalime e deklarata të personaliteteve të ndryshme. Në vitin 1953, për të treguar gjoja të drejtat që kishin fituar pakicat nacionale, në Beograd u botua një libër me titull: “Nacionalne Manjine u Jugosllavi” prej Ljubisha Stojkoviç dhe Milosh Martiç. Në faqen 122 të këtij libri, thuhet se në vitin 1952 kishte 623 shkolla shqipe me 81 438 nxënës. Pas 5 vjetësh, d.m.th. në vitin 1957, sipas një fjalimi të Fadil Hoxhës, botuar në gazetën “Rilindja”, 21 mars 1957, në vitin arsimor 1956/57 funksiononin 747 shkolla nga të cilat 345 në gjuhën shqipe dhe 237 të përziera, në të cilat mësojnë gjithsej 81 427 nxënës shqiptarë. Një vit e gjysmë mbas këtij fjalimi, në një artikull të botuar në gazetën “Rilindja”, 19 tetor 1958, thuhet se në Kosovë ka 268 shkolla në gjuhën shqipe dhe 149 të përziera, në të cilat mësojnë 83 212 nxënës të kombësisë shqiptare. Nga këto të dhëna del se prej vitit 1952 deri në vitin 1959, shkollat shqipe nga 623 u ulën në 268, d.m.th. se gjatë kësaj periudhe u mbyllën 355 shkolla shqipe dhe numri i fëmijëve u shtua vetëm 1 800 në 7 vjet. Ky proces vazhdon me një shpejtësi më të madhe viteve të fundit, por demaskimi që i kemi bërë në veprimtarinë revizioniste për kombëtarizimin e popullsisë shqiptare, i ka vënë ata të jenë të matur në botimin e këtyre statistikave.

     Gjendja e arsimit të mesëm shqip paraqitet akoma më keq. Në vitin 1959 numri i shkollave të kësaj kategorie ishte 7, d.m.th. baras me atë të vitit 1952, kurse numri i nxënëseve 699 ose 142 më tepër se sa 7 vjet më parë dhe numri i arsimtarëve shqiptarë 55 ose 76 më pak se në vitin 1952. Edhe këto shkolla janë shndërruar të gjitha në të përziera d.m.th. se në shkollat e mesme serbe janë çelur paralelet shqipe, në të cilat venë ata që dëshirojnë. Në përgjithësi kuadri drejtues i tyre ka kaluar në duart e serbëve dhe mundësia e akordimit të bursave për fëmijët shqiptarë është pakësuar. Disa të dhëna të tjera statistikore jugosllave tregojnë se shpenzimet për një shkollë fillore në Kosovë janë baras me më pak se gjysmën e shpenzimeve për mbajtjen e një shkolle të tillë në Slloveni, kurse për një shkollë të mesme këto shpenzime në Kosovë janë pothuajse tri herë më pak. Në shtypin krahinor të Kosovës, shpeshherë janë botuar të dhëna që tregojnë gjendjen e keqe të shkollave në këtë krahinë. Këto të dhëna konsistojnë në mungesën e arsimtarëve dhe punë e pamjaftueshme për kualifikimin e tyre, në gjendjen e keqe të banesave shkollore dhe ngushtësinë e vendit, në pajisjen e dobët të shkollave, në mungesën e fondeve, në rezultatet shumë të dobëta mësimore, në frekuentimin e pakët nga nxënësit, etj. Edhe në sektorin kulturoro-artistik, Krahina e Kosovës qëndron shumë mbrapa rajoneve të tjera të Jugosllavisë. Në të gjithë krahinën ka vetëm një grup teatral profesionist me 46 vetë duke përfshirë serbët dhe shqiptarët. Kolektivi shqiptar është shumë i vogël dhe shfaqjet e tij janë në nivelin e grupeve amatore. Në Prishtinë, më parë ekzistonte një shkollë për aktorë, porse ajo u mbyll.

     Analfabetizmi për masat shqiptare në Jugosllavi mbetet gjithnjë një plagë e pashëruar. Statistika zyrtare deri në vitin 1958, jep shifrën 54.8 % analfabetë për turp në popullsinë e Kosovës. Në elementin shqiptar kjo përqindje duhet të jetë më e lartë. Vetëm në të rinjtë, 10-14 vjeç përqindja e analfabetizmit është rreth 30%. Sipas këtyre statistikave përqindja e analfabetizmit në gjithë Jugosllavinë është 25.5%.

     Në Jugosllavi, kundrejt pakicës shqiptare padrejtësia është edhe në drejtim të ruajtjes së pronës personale. Fshatari shqiptar i Kosovës nuk e ka ndjerë asnjëherë veten zot të tokës së tij. Përveç grabitjeve të mëdha të tokës së tyre gjatë regjimit të krajlëve, ai edhe pas Luftës së Dytë Botërore, ju nënshtrua një grabitje tjetër të shoqëruar me terror të egër. Reforma agrare që u bë në Jugosllavi dhe Ligji i 10 hektarëshit, në Kosovë goditi pakicën shqiptare. Me këtë rast nuk u pronësuan vetëm ekonomitë e mëdha, por edhe ekonomitë që kishin sasi toke në limitin e caktuar dhe nën të. Kjo politikë zbatohej nën pretekstin e dendësisë së madhe të popullsisë së kësaj krahine. Por është i njohur edhe fakti se nga reforma agrare kryesisht përfitoi elementi sllav, ndërsa masat e gjëra shqiptare mbetën me parcelat e tyre të vogla. Megjithatë, fshatari shqiptar në Jugosllavi akoma edhe sot nuk e ndjen veten të sigurt në parcelën e vogël të tij, sepse procesi i grabitjes së tokës nga sllavët vazhdon. Ky proces nuk ka tiparet e një fushate, por sido qoftë ai ekziston dhe në këtë drejtim përdoren metoda të shumëllojta. Këtë e tregojnë një sërë të dhënash që janë marrë nga burime të ndryshme. Së pari grabiten pronat e përbashkëta të fshatrave shqiptare dhe këto përdoren për të ngritur koloni të reja serbe dhe malazeze. Kështu p.sh. ndodh në fushën e Shishmanit Bokes dhe rrafshit ku janë ngritur fshatra malazeze ose në fushat e Luguc Necit që më parë kanë qenë pronë e shumë fshatrave të komunës së Punashecit, tashti kanë rënë në duart e 50 familjeve malazeze. Në vitin 1919, në 10 fshatrat e komunës së Ferizajt ndodheshin 240 familje serbe, deri sot atyre u janë shtuar gati po aq familje të tjera.

      Toka personale e fshatarëve shqiptarë grabitet me pretekstin se e kanë të tepërt. Mbi grabitjet e tokës së Shqiptarëve në Kosovë kanë folur edhe vizitorë të ndryshëm nga kjo krahinë kur kanë shkuar në Legatën tonë në Beograd, bile disa herë shqiptarët i janë drejtuar edhe me letër Legatës dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e saj për t’u kthyer tokën. Me qenë se gjykatat në Kosovë janë në duart e serbëve, konfliktet mbi pronësinë e tokës në pjesën dërmuese zgjidhen në favor të Jugosllavisë.

      Dispozitat kushtetuese në Krahinën Autonome të Kosovës e Metohisë, parashikojnë përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare në të gjithë aktivitetin politik, ekonomik dhe kulturoro-shoqëror të krahinës. Në fakt, kjo e drejtë në kushtet e krijuara nga regjimi titist kur në administratë 74% e nëpunësve janë serbë, në shumë drejtime ka mbetur formale dhe në disa raste e zbatohet në mënyrë gjysmake. Në administratë lutjet nuk pranohen në gjuhën shqipe ose certifikatat e gjendjes civile që i drejtohen Legatës nga shqiptarë që banojnë në Kosovë janë të plotësuara në serbisht. Në administratën gjyqësore, e gjithë procedura zhvillohet në gjuhën serbe. Në mbledhjet publike ku asistojnë edhe serbë e malazezë pothuajse flitet vetëm serbisht bile edhe folësit shqiptarë detyrohen të flasin po në këtë gjuhë. Për sy e faqe, tabelat e zyrave dhe shkollave janë të shkruara në të dy gjuhët, por tabelat e dyqaneve, ndërmarrjeve ekonomike, reklamat, shenjat e ndryshme konvencionale etj., që deri në vitin 1948 ishin në shqip, tani në të gjithë krahinën janë vetëm në serbisht. Edhe etiketat e eksponateve të muzeut të shkencave të natyrës në Prishtinë janë të shkruara vetëm në serbisht.

       Përveç terrorit të egër që u zhvillua mbas çlirimit mbi pakicën shqiptare në Jugosllavi dhe fushatës gjakësore për grumbullimin e armëve në vitin 1956, ajo i është nënshtruar ndjekjeve të vazhdueshme policore nga ana e organeve jugosllave me qëllim që të shuhet çdo shenjë patriotike që guxon të shfaqet midis tyre. Arrestimet, burgosjet janë të shumta, por do të përmendim vetëm një pjesë të vogël. Në dhjetor të vitit 1956, në Tetovë u arrestua një grup intelektualësh shqiptarë prej 7 vetash për arsye se guxuan të festonin ditën e 28 Nëntorit. Midis të arrestuarve ishte, Reif Malaziu, student në Beograd. Thuhet se në procesin gjyqësor që u zhvillua në Shkup, Reifi, demaskoi qëllimet e procesit dhe mbrojti të drejtat e pakicave. Nga fundi i vitit 1956, në Shkup u arrestuan një grup nxënësish shqiptarë të normales, të cilët u dënuan me 2-3 vjet për shkak se kishin biseduar mbi politikën arsimore në pakicën shqiptare dhe emigrimet në Turqi. Gjithashtu, nga fundi i vitit 1956, në Prishtinë është dënuar një grup studentësh dhe arsimtarësh prej 10 vetash me pretekst se kishin uruar njëri-tjetrit, festën e 28 Nëntorit dhe u akuzuan se kishin organizatë të fshehtë. Më 1 maj 1957, në Gjakovë nxënës dhe arsimtarë dolën nëpër rrugë me flamurin kombëtar nëpër duar. Më 12 maj, UDB-ja arrestoi një grup nga pjesëmarrësit e këtyre manifestimeve të cilët u dënuan me 5-12 vjet burg dhe në të njëjtën kohë u mbyll gjimnazi, i cili u rihap si rezultat i rezistencës së popullsisë shqiptare. Në muajin mars 1958, në qytetin e Pejës, u arrestua një grup të rinjsh prej 6 vetash me pretekst se kanë ngjitur parulla kundër regjimit. Arrestime të tjera ka pasur vazhdimisht si në krahinën e Kosovës ashtu edhe në Maqedoni. Përveç kësaj, UDB-ja kurdisi kundër shqiptarëve që ajo i konsideron të padëshirueshëm, lloj-lloj provokacione dhe presione me qëllim që t’i thyejë ose t’ bëjë të emigrojnë në Turqi. Por, këto masa policore janë vetëm njëra anë e trajtimit të keq të shqiptarëve në Jugosllavi. Për shqiptarët në elementin sllav ekziston një përbuzje e theksuar. Ai e konsideron atë si të prapambetur, fanatik, i zoti që të merret vetëm me punë të rënda fizike. Këto pikëpamje të ushqyera nga borgjezia vazhdojnë të sundojnë edhe sot nën regjimin titist. Si rezultat i një politike të tillë për shqiptarët, me përjashtim të klikës së privilegjuar, nuk ka punë në poste me rëndësi, si në administratë ashtu edhe në ekonomi dhe se shumica dërmuese e tyre përdoret si punëtor krahu.

Ndjenjat patriotike në masat shqiptare në Jugosllavi

      Me gjithë terrorin e madh dhe masat policore dhe shkombëtarizuese që zbaton Qeveria jugosllave mbi shqiptarët për të zhdukur ndjenjat patriotike dhe dashurinë për atdheun e tyre mëmë, mund të thuhet se ajo në përgjithësi nuk ia ka rritur dot këtij qëllimi, bile ato kanë dhënë rezultat negativ për të, sepse kanë shtuar akoma më tepër urrejtjen që prej kohësh ka ekzistuar në zemrat e tyre. Qëndrimi për një kohë i divizioneve tona pas luftës, në territoret e banuara prej popullsisë shqiptare e lidhi mjaft këtë me atdheun mëmëdheun dhe ngjalli në ta shpresat për zgjedhjen të fatit të tyre. Ky moment kujtohet mjaft edhe sot nga kosovarët. Fjalimet e kohëve të fundit të udhëheqësve tanë dhe artikujt e shtypit mbi gjendjen e pakicës shqiptare në Jugosllavi dhe të drejtat e tyre veç të tjerave kanë qenë për masat shqiptare një nxitje për t’i mbajtur lart ndjenjat patriotike. Ndjenjat patriotike të shqiptarëve dhe rezistenca që i bëjnë ata politikës jugosllave të kombëtarizimit kohët e fundit janë pasqyruar edhe në manifestime publike e sidomos sekrete. Ato janë dukur në mënyrë të qartë gjatë vizitave që kanë bërë shokët e Legatës sonë në këto territore, ku gjatë takimeve shqiptarët kanë shprehur dashurinë e madhe për Shqipërinë dhe udhëheqësit tonë.

     Metodat që përdorin revizionistët për të dobësuar ndjenjat patriotike në pakicën shqiptare janë ndryshme. Në Kosovë nuk bëhet asgjë për të njohur traditat patriotike të popullsisë shqiptare të kësaj krahine. Deri tani është bërë një punë shumë e vogël për të mos thënë asgjë në drejtim të grumbullimit, ruajtjes dhe popullarizimit të traditave dhe pasurisë kulturore të kësaj pakice. Një punë sistematike bëhet sidomos në drejtim të rinisë shqiptare. Asaj nuk i flitet mbi historinë, artin dhe letërsinë shqipe veçse në mënyrë të përciptë dhe sipas tezave të tyre shoviniste. I riu shqiptar në shkollë është i detyruar të mësojë historinë e krahinës sipas teksteve serbe ku thuhet se: “Të parët tanë janë serbët e vjetër”. Një punë të gjerë bëjnë revizionistët edhe me anën e korruptimit të elementit të ndryshëm shqiptar duke i bërë ata vegla të politikës së tyre dhe duke i rekrutuar ata në organizatat politike. Në drejtim të turqizmit të pakicës shqiptare, përveç metodave të njohura përdoret edhe kleri muhamedan. Së fundi, një vend të rëndësishëm zë edhe propaganda e madhe që bëhet në Kosovë dhe në tërë Jugosllavinë kundër vendit tonë.

Qëndrimi i Partisë sonë ndaj çështjes së Kosovës

      Partia jonë që në krijimin e saj, gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe tërë periudhës së ndërtimit të socializmit, në vendin tonë ka mbajtur mbi çështjen e Kosovës një qëndrim konsekuent, marksist-leninist dhe internacionalist. Partisë sonë i është bërë në fillim një punë e madhe kundër urrejtjes, mosbesimit e përçarjes që kishin futur klikat sunduese shoviniste serbomëdha midis popullsisë shqiptare, nga njëra anë dhe popullsive të tjera të Jugosllavisë, kryesisht popullsive serbe e malazeze nga ana tjetër. Një punë të tillë intensive Partia jonë ka bërë edhe kundër okupatorëve e shërbëtoreve të tyre, organizatave reaksionar tradhtare në vendin tonë, për të demaskuar planet e tyre që synonin, nëpërmjet çështjes së Kosovës të izolonin luftën e Partisë sonë nga ajo që zhvillonin popujt e vendeve fqinjë dhe gjithë vendet e koalicionit antihitlerian, duke e paraqitur luftën tonë si të frymëzuar nga jashtë.

      Marksizëm-leninizmi na mëson së çështja nacionale nuk mund të zgjidhet veçse nën pushtetin e diktaturës së proletariatit, veçse kur të jenë likuiduar klasat. Prandaj Komiteti Qendror i Partisë sonë duke u nisur nga këto mësime, për t’i ardhur në ndihmë popullit vëlla kosovar e mësoi këtë që të luftojë bashkë me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorëve, me qëllim që nëpërmjet luftës së tij jo vetëm të kontribuonte në çështjen e përgjithshme të çlirimit të popujve nga zgjedhja nazifashiste, por edhe të bëhej i aftë dhe me autoritet për të fituar të drejtat e tij nacionale si minoritet shqiptar. Në mars 1943 shoku Enver, duke demaskuar lodrat e fashizmit e të shërbëtorëve të tij që deshën ta përdorin çështjen e Kosovës si mjet përçarjeje, ka shkruar në “Zëri i popullit”: “Këta dy popuj (shqiptarë, jugosllavë) që po i vret një armik duhet të vëllazërohen dhe vëllazërimi sjell lirinë. Nga kjo luftë heroike që do të bëjë populli i Kosovës kundër fashizmit, kundër Merlikave, kundër Mihailoviqëve, do të lindë liria e vërtetë e Kosovës”. Partia jonë i bëri vazhdimisht thirrje popullit trim vëlla kosovar të hidhej në luftë, që të organizohej në këshilla nacionalçlirimtare e në ҫeta partizane dhe për këtë ajo dha një ndihmë internacionaliste jo vetëm me qëndrimin e saj parimor konsekuentë, me shkrimet e panumërta të “Zërit të popullit” e “Bashkimit” drejtuar popullit të Kosovës, por edhe me ndihmë praktike komunistët shqiptarë, në shumicë mësues që punonin në Kosovë si edhe shokë e tjerë që u dërguan që këtej, posaçërisht u vunë në shërbim të popullit të Kosovës duke kryer kështu detyrën internacionaliste të Partisë sonë. Brigadat tona partizane të Divizionit V dhe VI sulmuese që luftuan përtej kufijve tonë, krahas armiqve fashistë, dhanë një kontribut shumë të rëndësishëm bile vendimtar për mobilizimin e të gjitha forcave të popullsisë shqiptare në Jugosllavi në luftë kundër fashizmit, për të qetësuar zemërimin e popullsisë shqiptare kundrejt serbo-malazezëve që i kishin vrarë, djegur e shkatërruar e për të ngjallur besimin ndër ta, se lëvizja nacionalçlirimtare jugosllave është një lëvizje popullore e të drejtave të popullit kosovar.

      Fjala e urtë, ndihma dhe thirrjet e vazhdueshme luftarake e revolucionare të Partisë sonë drejtuar popullit vëlla kosovar që të hedhë në luftë krah për krah me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë, janë shprehje e qartë e qëndrimit të drejtë e konsekuentë marksist-leninist dhe internacionalist të Partisë sonë. Jeta dhe faktet treguan se ҫ’demagogji e poshtërsi ishin deklaratat e vazhdueshme e bombastike të Partisë Komuniste Jugosllave gjatë luftës nacionalçlirimtare për lirinë, barazinë nacionale dhe vetëvendosjen e kombësive të ndryshme të cilat do të zgjidheshin me drejtësi vetëm me luftën e përbashkët nacionalçlirimtare. Deklaratat false si këto, bëri edhe vetë personalisht tradhtari Tito, në tetor të vitit 1943, kur ai foli mbi këtë çështja në drejtim të Kosovës e Metohisë. “Populli kosovar gjatë tërë jetës së tij ka luftuar për t’u bashkuar me mëmëdheun e tij – Shqipërinë. Ky vullnet i tij është pasqyruar edhe në rezolutën e Konferencës së parë Nacionalçlirimtare që u mbajt, në janar të vitit 1944, për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit është një krahinë e banuar në shumicë nga populli shqiptar i cili, si gjithmonë ashtu edhe sot dëshiron me u bashkua me Shqipërinë. Rruga e vetme që populli shqiptar i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit të bashkohet me Shqipërinë. Është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit gjakësor të tij, sepse kjo është e vetmja rrugë për të fituar lirinë”. Duke futur këtë përmbajtje në rezolucionin e Konferencës Nacionalçlirimtare, udhëheqësit e atëhershëm të luftës së popullit kosovar shprehin në të vërtetë aspiratat më të thella e më të zjarrta të pranonin, por ishin edhe frymëzues të saj, sepse tradhtia e tyre nuk ishte zbuluar akoma dhe ata vazhdonin të spekulonin në sinqeritetin e Partisë sonë dhe në ndjenjat nacionale të popullsisë shqiptare të Kosovës.

     Në vitin 1955, qarqet drejtuese jugosllave filluan të kristalizojnë qëndrimin e tyre antimarksist e antishqiptar, sikurse në të gjitha marrëdhëniet tona, edhe në çështjen e Kosovës duke shpallur planet e copëtimit të kësaj krahine në dy pjesë: Metohia, e cila duhej t’i bashkohej Malit të Zi dhe Kosova e cila duhej t’i bashkohej Serbisë. Por, ata u detyruan të heqin dorë nga ky plan jo vetëm për shkak të rezistencës së popullit kosovar e të qëndrimit marksist-leninist të Partisë sonë, por edhe nga qëndrimi i disa elementëve të shëndoshë e internacionalistë në udhëheqjen e popullit kosovar me në krye sekretarin e Partisë, Miladin Popoviq. Mbas vrasjes së Miladin Popoviqit nga ana e agjentëve të UDB-së dhe terrorit që shpërtheu kundrejt popullsisë shqiptare të Kosovës nga pasardhësit i tij Gojka Pajkoriq, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, në qershor të vitit 1945, Këshilli Krahinor Nacionalçlirimtar, kundër dëshirës së popullsisë shqiptare, vendosi bashkimin e Kosovës e të Metohisë me Republikën e Serbisë duke e shpallur këtë si një vendim të përfaqësive të popullit të Kosovës e Metohisë.

      Partia jonë nuk ka ndërhyrë kurrë ndonjëherë në punët e brendshme të Partisë e të shteti jugosllav për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por ajo nuk ka hequr e nuk do të heqë kurrë nga lufta parimore marksiste-leniniste që popullsia shqiptare në Jugosllavi t’i sigurohen të drejtat e saj si pakicë nacionale duke demaskuar deri në fund politikën shoviniste, terrorin, internimet, shpërnguljet dhe zhdukjen fizike të popullsisë shqiptare. Çështja e Kosovës është një çështje e vetë popullsisë së asaj që do të zgjidhet vetëm mbasi të jetë përmbysur gjithë sistemi mbi të cilin mbështetet sot klika revizioniste e Beogradit. Në Kongresin IV, të Partisë sonë, shoku Enver tha: “Tragjedia e popullsisë shqiptare që jeton në Jugosllavi është njohur nga të gjithë. Partia jonë ka ngritur e do të ngrejë zërin e saj kundër ndjekjeve, shpërnguljeve në Turqi dhe kundër vëllezërve tanë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Rrafshit të Dukagjinit. Partia jonë këtë e bën si një detyrë të lartë humanitare duke u nisur nga pozita marksiste-leniniste. Ajo do ta bëjë këtë përderisa popullsisë shqiptare prej 1 milion frymësh, t’i sigurohen në Jugosllavi të drejtat e plota që i përkasin si pakicë kombëtare, në bazë të parimeve dhe të së drejtës ndërkombëtare”. Ky ka qenë dhe është qëndrimi ynë zyrtar në rrugë shtetërore i njohur publikisht, por në rrugë Partie, Partia jonë as s’ka hequr, as nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj që populli kosovar të lihet i lirë, të bashkohet me mëmëdheun e tij. Këtë gjë e ka nxitur Partia jonë më 1946, atëherë kur ne, me sinqeritetin komunist mendonim se marrëdhëniet midis dy partive në përgjithësi duhej të ishin mbi baza të shëndosha. Partia do ta shtrojë edhe në të ardhmen këtë problem atëherë kur në Jugosllavi të jetë përmbysur klika sunduese revizioniste dhe popullsia shqiptare së bashku me popujt e tjerë të Jugosllavisë të kenë zhdukur shtypjen politike, nacionale dhe shfrytëzimin e njeriut prej njeriut. Ajo do ta shtrojë këtë mbi bazën e parimeve internacionaliste që karakterizojnë marrëdhëniet midis partive të vërteta marksiste-leniniste dhe fakti i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë do të përcaktohet nga vetë vullneti që do të shfaqë lirisht populli shqiptar i asaj krahine. Është e qartë se këtu kishim të bënim me një tradhti, me një aspekt të asaj tradhtie të madhe antikomuniste e antipunëtore në shkallë ndërkombëtare që u zbulua plotësisht dy vjet më vonë.

Kontrolloni gjithashtu

Sabit SYLA

Prof. dr. Sabit Syla: DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË SHQIPËRISË – IX

Pjesa e nëntë     -31-   Ministria e Punëve të Jashtme                                   Tepër sekret Legata …