Në moshën 79 vjeçare ndërroi jetë drejtori i Radios-Kosova e Lirë, profesor, Ahmet Qeriqi

Radio-Kosova e Lirë më 4 janar 2024 mbush 25 vjet të jetës, gjashtë muaj të kohës së luftës dhe 24 vjet e gjysmë të pas luftës

Në këtë çerek-shekulli jubilar, Radio Kosova e Lirë po përballet me vështirësi, si gjithherë, por ende funksionon, tani duke çaluar më shumë se në vitet paraprake. Ky zë i lirisë së Kosovës ka qenë dhe ka mbetur në shënjestër  të forcave të territ, si në kohën e luftës, (Janar-Qershor 1999) kur sulmohej e bombardohej nga ushtria e kryekriminelit serb, Millosheviq, por edhe pas luftës  nga mbetjet e ish regjimeve dhe nga injorimi që iu bë, nga ata që do të duhej ta ndihmonin më së shumti. Megjithatë falë qytetarëve liridashës, donatorëve, firmave të ndryshme dhe një segmenti të zyrtarëve me prejardhje nga lufta e UÇK-së, zëri jehonë i krismave të Legjendarit Adem Jashari dhe i çlirimtarëve të Kosovës, vazhdon të transmetojë program ditor informativ, tematik, kulturor me përmbajtje të mirëfillta kombëtare, ashtu sikur në ditën e parë të transmetimit.

Në dy vitet e fundit, Radio-Kosova e Lirë është përballur edhe me probleme të “trashëgimisë” së saj, të cilën nuk e njohin institucionet e sotme të Kosovës. Kërkesa e ligjshme e Drejtorisë  së Radios për ta marrë në përkujdesje “Bunkerin” në Majën e Pallanikut, duke i kërkuar fillimisht komunës së Drenasit të na japë në shfrytëzim 15 ari tokë gurinore, e refuzua me arsyetimin  se prona i takon Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.

Kërkesa jonë drejtuar kësaj Agjencie u refuzua me “arsyetimin” absurd se vendi në Majën e Pallanikut qenka Zonë e veçantë e luftës, pikërisht sepse aty ka transmetuar program Radio-Kosova e lirë. Agjencia e pyjeve e njeh Bunkerin si  Zonë të veten, por nuk e njeh Radion-Kosova e lirë si trashëguese legjitime.

Kjo është njësoj sikur ta njohësh UÇK-në por jo TMK-së e FSK-së si trashëgimtare të saj. Të përkujtojmë me këtë rast se Radio-Kosova e Lirë është themeluar me vendim të SHP të UÇK-së, qysh në nëntor të vitit 1998 dhe statusi i saj nuk  është vënë në dyshim as është marrë vendim për abrogim.

Komuna e Drenasit, në kohën e Qeverisë së Përkohshme, Radios-Kosova e Lirë ia ndarë 5 ari tokë, në fshatin Berishë, ku tani është Shtëpia-Muze e Radios, Po ashtu, edhe komuna e Lypjani, në parim ka pranuar ta marrë në mbrojtje selinë e parë të Radios, në fshatin Krojmir.

Duke shfrytëzuar këtë refuzim pronësie të Radios Kosova e Lirë nga Drejtoria e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës  një segment i stafit të kohës së luftës, ka ndërhyrë pa lejen e Drejtorisë dhe e ka përvetësuar Bunkerin, pastaj në bashkëpunim me Agjencinë  për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, e ka ngritur “Bunkerin”, të cilin mbase edhe e merr në mbrojtje.

Kjo ndodhi, jo rastësisht  pikërisht në kohën kur u sëmura dhe u diagnostifikova nga mjekët  me një sëmundje të pashërueshme.

Tani ky segment i ish-stafit,  që në Radion Kosova e lirë kanë punuar vetëm  nga gjashtë muaj dhe pas luftës janë larguar,  sepse nuk u ka mjaftuar paga 300 marka në muaj, por kanë punuar  atje ku i kanë marrë dhe i marrin  nga 3000 e më shumë, po pretendojnë  ta promovojë vetveten madje edhe si themelues të Radios dhe “kuadro të jashtëzakonshëm”,  pa të cilët nuk do të kishte funksionuar Radio Kosova e Lirë.

Kjo paraqitje e tyre në intervista e biseda para opinionit, madje edhe në mediet që luftën e UÇK-së e kanë quajtur fashiste, ndërsa Radion-Kosova e Lirë e kanë halë në sy, nuk është vetëm për krekosje, për rrahje gjoksi, për të treguar se kush ka qenë kryesori  në të vërtetë, e kush i emëruari,  pretendon të lë për t u nënkuptuar se ata e njohin vetëm Radion Kosova e Lirë janar-qershor 1999, sa paskan qenë jo vetëm kryesorët, por edhe më meritorët. 25 vjet të tjera nuk po ekzistuakan edhe pse  kanë vjelë favore e favore për vetet e tyre, në emër të Radios, të cilës nuk i kanë dhënë asgjë prej gjëje, por kanë rrëmbyer në emër të saj pa u kursyer, në asnjë segment përfitimi.

Pse aq shumë rrahin gjoks disa ish anëtarë të stafit të RKL-së, për të treguar vetëm veprat e tyre dhe në përpjekje për të përvetësuar meritat e gjithë të tjerëve?

Do të mundohem të bëj disa sqarime   tani për tani, ndërsa prej  një Janarit  të vitit 2024 do të botohet në vazhdime vepra ime dokumentare,  “Kronikë lufte”, pjesa e dytë 1 Janar-21 qershor 1999. Në këtë kronikë dokumentare, të cilën e kam  shkruar natë për natë në 400 ditët e luftës së UÇK-së, ku unë kam qenë i pranishëm, faktohen e dokumentohen  të gjitha ndodhitë e dëshmitë ditore, puna dhe aktiviteti i gjithsecilit, përpjekjet për sabotim, sikur është rasti i prishjes me qëllim të telefonit satelitor, nga dy anëtarë të Kosovapresit, vetëm të mos e  marrë në shërbim Radioja, deri te përpjekja për dezertim e ndodhi të tjera, jo vetëm të lavdishme, sikur tani ia veshin  vetes, ata që flasin për meritat e tyre, për gjashtë muaj të kohës së luftës.

Kjo është arsyeja që të botohet pjesa e dytë e  Kronikës  në faqen zyrtare të RKL-së, prej 1 janarit deri më 21 qershor 1999. Secili nga këta që sot rrahin gjoks dhe përditë  përpiqen  ta promovojnë vetveten, do të përballen me realitetin e ndodhur dhe të regjistruar, jo vetëm si fotografi, por si përshkrim besnik, real, faktik, ditor, dokumentar, i të gjitha atyre që kanë ndodhur dhe  që nuk mund të kundërshtohen me asnjë mënyrë, mund vetëm të injorohen nga mëria, xhelozia dhe egoja e sëmurë për promovim të vetvetes.

Meqë, as pas 25 viteve, nga anëtarë të caktuar të ish stafit, nuk po ndalen përpjekjet për përvetësim, manipulim, keqinterpretim, gënjeshtra e mashtrime të opinionit, lidhur me funksionimin e Radios Kosova e Lirë, gjatë luftës,  dhe,  duke i injoruar 25 vitet e saj të pas luftës, në Kronikë janë evidentuar të gjitha, ngjarjet e çdo dite ashtu sikur kanë ndodhur. Pres të dëshmohet e kundërta nëse ka fakte të shkruara e të dokumentuara  të kohës, e jo vetëm mburrje, iluzione, imagjinatë, eufori e egocentrizëm, përpjekje për protagonizëm,

 

Ahmet Qeriqi

Dhjetor 2023

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …