Radio-Kosova e Lirë “pushtuese” e lirisë e jo pushtuese objektesh

Fushata  e egër e disa medieve shqipshkruese e shqipfolëse të Kosovës kundër vlerave të luftës së UÇK-së, kohëve të fundit është drejtuar në veçanti kundër Radi0s-Kosova e Lirë, zëdhënësja e zërit të lirisë  gjatë luftës dhe trashëgimtarja e paepur e vlerave më të fisnikëruara informative e kulturore të kombit.


Edhe pse kritikët, shpifësit dhe gënjeshtarët në këtë rast  janë emra që nuk i njeh as mëhalla apo familja e tyre, në të shumtën anonimë, të cilët shkarravisin nëpër portale pa adresë, ata përfaqësojnë mendësinë retrograde të përpjekjeve për rikthimin e kohës së bashkim vëllazërimit, nën maskën e multietnicitetit. Dihet se kush qëndron prapa këtyre zërave agresivë, këtyre “trimoshëve” të cilëve gjatë kohës së luftës iu kishte rrëshqitur nën këmbë toka e përgjakur e Atdheut, ndërsa pas luftës pezmin për ikjen e tyre e kishin zbrazur kundër UÇK-së, e cila u kishte sjellë lirinë, por shumicës prej tyre iu kishte prishur gjumin shekullor të skllavërisë dhe bashkëjetesës së panatyrshme me kombet e kombësitë e ish-Jugosllavisë.


 


Për hir të informimit të asaj pjese të opinionit, e cila nuk ka sa duhet informacion, drejtoria e Radios-Kosova e Lirë, sqaron se prej 11 korrikut të vitit 1999, selinë e vet e ka në një objekt-vetëshërbim të ish-Voçarit, më vonë ndërmarrja tregtare, URATA. Objekti ndodhet në lagjen “Bregu i Diellit”, rruga Thimi Mitko nr. 6 në Prishtinë.


Prej kohës kur jemi vendosur e deri tani kemi bashkëpunuar me drejtorët e Voçarit-Uratës. Ata na e kanë lënë në shfrytëzim një pjesë të këtij objekti, të cilin e kanë shfrytëzuar edhe partitë politike.


Në adresë të Radios-Kosova e Lirë, prej korrikut të vitit 1999 e deri tani, në shtator të vitit 2012, nuk ka ardhur asnjë shkresë zyrtare lidhur me lirimin e objektit. Nuk kemi marrë asnjë padi private apo zyrtare lidhur me këtë objekt, një pjesë të cilit e shfrytëzon edhe Radio-Kosova e Lirë.


Në kohën kur Urata ka kaluar në procesin e likuidimit, kemi kontaktuar me zyrtarët e AKP-së. Ata kanë kërkuar qiranë, të cilën e kemi paguar dhe e paguajmë rregullisht.


Kjo është tërë e vërteta zyrtare, e cila argumentohet në këto relacione.


Në objektin ku ndodhet Radio-Kosova e Lirë  punon edhe  Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së, e cila deri tani  ka nxjerrë në dritë 14 vëllime të monografisë “Feniksët e Lirisë”.


 


Liridashësit e Kosovës e dinë se në çfarë kushte ka punuar dhe punon Radio-Kosova e Lirë dhe kjo nuk është diçka që mund të fshihet. Po ashtu dihet diskriminimi që i ka bërë dhe vazhdon t i bëjë Radios-Kosova e Lirë Komisioni i Pavarur i Medieve, duke i reduktuar fuqinë transmetuese dhe duke mos ia njohur të drejtën legjitime të mbulimit me valë të territorit të Kosovës, meqë kjo radio dëgjohet nga familjet e dëshmorëve, nga veteranët e invalidët, që shtrihen në tërë territorin e vendit dhe jo vetëm në kryeqytet.


 


Radion-Kosova e Lirë nuk ka ndihmuar financiarisht asnjë organizatë e huaj apo vendore, për shkak se ka prejardhje nga UÇK-ja. RKL-ja nuk financohet nga buxheti i Kosovës ashtu si RTK-ja, Ansambli Shota, apo mediume të tjera multietnike. Kontratat që ka lidhë Radio-Kosova e lirë me disa ministri dhe kuvende komunale janë kontrata legjitime për shërbimet që kemi kryer dhe kryejmë në këtë drejtim, ashti sikur të gjitha mediet.


 


Zërat e drejtuar kundër Radios-Kosova e Lirë aktualizohen sa herë që ne demaskojmë politikat antikombëtare të disa medieve multietnike, sa herë që thumbojmë të kaluarën antikombëtare të individëve të caktuar, qofshin këta edhe ministra apo deputetë, me prejardhje nga ish regjimet, sa herë që zbulojmë fakte relevante lidhur me bashkëpunimin e këtyre dhe të tillëve me qarqet serbe, sa herë që demaskojmë dëshmitarët bashkëpunues të EULEX-it, sa herë që zbulojmë emrat e gazetarëve që bashkëpunojnë me Dik Martin, Beogradin e Athinën zyrtare.


Këtë aktivitet patriotik të Radios-Kosova e Lirë nuk kanë arritur ta shuajnë, as ta ndalojnë topat apo avionët e Milosheviqit, nuk kanë arritur ta ndërpresin UNMIK-u, as EULEX-i dhe nuk do të ketë forcë, e cila do ta ngufasë zërin e lirisë, sepse ai zë ka filluar së kumbuari në jehonën e armës çlirimtare të Adem Jasharit, ka kumbuar në frontet dhe bunkerët e luftës çlirimtare dhe është bërë pjesë emblematike e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në mbrojte të zërit të Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapress kanë rënë sa e sa dëshmorë, në mesin e tyre edhe tre gazetarë e reporterë.


Karvani, i cili rrugëton pandashëm drejt  çlirimit të të gjitha trojeve shqiptare dhe bashkimit të tyre në një Shqipëri të vetme është koncepti dhe programi  i Radios-Kosova e Lirë, është alfa dhe omega e saj. Këtë aspiratë, këtë rrugë historike dhe të natyrshme nuk e ndalojnë zërat e sorrashkinave, as zërat e mekur dhe eunukët e multietnicitetit as yshtjet e ndërsyerjet që vijnë nga Beogradi, as gazetarët nga Serbia, që habiten sesi është e mundur që 13 vjet pas luftës ende në Kosovë të zërohet singla e UÇK-së dhe radioja e saj.


Radio-Kosova e Lirë ka folur dhe ju flet për lirinë e Kosovës dhe bashkimin e kombit.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …