Ragip Shala: Beteja politike për Kosovën Republikë (Në 30-Vjetorin e demonstratës në Therandë dhe Prizren

Fillimi i viteve 80-të Evropën do ta gjente në kulmin e Luftës së ftohtë. Polarizimi I kontinentit në mes paktit NATO dhe të Varshavës pasqyrohej akoma përmes Murit të Berlinit, që ndante jo vetëm gjermanët, po gjithë popujt evropianë.  Në këto rrethana tendosjeje, para portës së demokracive perëndimore do të shquheshin dy ngjarje të rëndësishme: Lëvizja e Solidarnostit me Leh Valensën në krye në Poloni dhe demonstratat popullore të Pranverës 81 në Kosovë. Ndonëse me shkaqe të ndryshme në dukje (lëvizja polake kishte karakter social) të dyja përfaqësonin kontestimin e rendit komunist në Europë i cili deklaronte me triumfalizëm se i kishte zgjidhur tashmë të gjitha problemet sociale e nacionale të popujve. Në anën tjetër, që të dyja lëvizjet përfunduan me çlirim nacional: polakët nga tutela ruso-sovjetike, ndërsa kosovarët nga pushtimi afro 90-vjeçar serb.


RSFJ, e dominuar nga hegjemonizmi serb, do ta fillonte theqafjen e vet në Pranverën kosovare të 81-tës. Tërë periudha pas okupimit serb të Kosovës më 1912 përbën një terror të vazhdueshëm ushtarako-policor. Ashtu si Mbreteria SKS, edhe RSFJ-ja nuk do ta ndalte politikën e terrorit mbi Kosovën.


 


Në fillim të viteve 80-të KSA e Kosovës ishte vendi më i pazhvilluar në RSFJ. Ndonëse rezervat e thëngjillit arrinin në 70% në nivel federate, ndërsa mineralet e plumbit, të hekurit e nikelit arrinin në rreth 20%, Kosova ishte shumë e varfër. Derisa mesatarja e të ardhurave për kokë banori në RSFJ ishte 2000$, në Kosovë mezi arrinte në 500$.


KSA e Kosovës në Federatën Jugosllave ishte e pabarabartë në shumë drejtime:  në ekonomi, politikë, arsim, shëndetësi, sport etj.


Pozita e Kosovës në RSFJ ishte thjeshtë një pozitë koloniale. Situata e rëndë politike e ekonomike e Kosovës do të çonte drejt një beteje politike për Kosovën Republikë. Në sistemin politik dhe ekonomik të RSFJ-së dominonte shovinizmi dhe hegjemonizmi serb. Nën maskën e “Vëllazërim-Bashkimit të kombeve dhe kombësive”, Jugosllavia ishte në fakt thjeshtë një Serbosllavi. Të hipnotizuar nga mashtrimi serb, brenda saj do të deklaroheshin më se 4 milionë jugosllavë. Ka pasur edhe mjaft shqiptarë të kësaj kategorie. Përkundër shqipfolësve të privilegjuar jugosllavë, rinia shkollore dhe ajo studentore, me një të ardhme të errët sociale e nacionale, do të përfshihej nga vrulli i shpërthimit.


Me 11 Mars 1981 në Qendrën e Studentëve në Prishtinë do të niste beteja politike për Kosovën Republikë. Shumë shpejt frontet e asaj beteje do të zgjeroheshin anë e mbanë Kosovës.


Pranvera e 81-tës do të trokasë edhe në Suharekë.


 


 


Lëvizja artistike dhe ilegale në Suharekë


 


Qyteza e Suharekës në fillim të viteve të 80-ta ishte një qendër takimesh të shumta të nivelit krahinor dhe federativ. Aty organizoheshin manifestime si: “Shtigjeve të Revolucionit” në Carralevë, që  tubonin “pionierët” dhe “rininë e Titos” nga e tërë RSFJ-ja, dhe Lidhja e ferialistëve jugosllavë, të cilët vit për vit takoheshin në Suharekë, si dhe manifestimet për pritjen dhe përcjelljen e Stafetës së Titos. Bashkë me shumë takime të tjera, këto Suharekën do ta bënin një qendër ku “po kalitej Vëllazërimi i Kombeve dhe Kombësive të RSFJ-së.


LRS-ja e Suharekës organizonte dhe dërgonte anembanë RSFJ-së të rinj për aksione punuese. Takimet kulturore e sportive ishin të përbashkëta, mes rinisë shqiptare dhe asaj serbe, por gjuha e komunikimit ishte gjithmonë serbishtja.


Të gjitha këto do të kishin ndikim jo të vogël në rininë shkollore suharekase. Edhe në QAMO-n “Jeta e Re”, si dhe në Shtëpinë e Kulturës në Suharekë, organizoheshin aktivitete kulturore dhe artistike. Kështu, krahas kuizeve të diturisë, orëve letrare, koncerteve me muzikë kombëtare, do të organizoheshin edhe shfaqje teatrale. Në shtëpinë e Kulturës funksiononte teatri amator i qytetit, kurse në QAMO-n “Jeta e Re” grupi dramatik. Për dallim nga aktivitetet që ishin te perbashkëta, aktivitetet dramatike ishin të ndara. Krahas mësimeve, shumë gjimnazistë do të shfaqnin talentin e tyre në artin dramatik dhe jo vetëm në të?!


Gjatë fundviteve 1970 deri më 1980, teatri amator i qytetit do të sillte në repertor këto drama:


              “Epoka para gjyqit” të Ekrem Kryeziut,


              “Mulliri i Kostë Bardhit” të Naum Priftit,


              “Agu-n” e Din Mehmetit,


              “Kryet e hudhrës” të Kristë Berishës


 


Me një grupim të veçantë aktorial nga ky teatër në këtë periudhë u përgatit dhe u vu në skenë edhe drama “Gurët e Kreshanës” e Loni Papës (nën regji të Bislim Elshanit) që i bënte jehonë luftës së Azem Bejtës dhe Shote Galicës.


Kurse në QAMO-n “Jeta e Re”


              “Cuca e Maleve”


              “Toka e jonë”


              “Sikur të isha djalë”


              “Mosha e bardhë”


              “Shtëpia në bulevard”


              “Një mësim për jetën”


Në shtëpinë e kulturës në Suharekë do të shfaqej drama “Horizontet e reja” me autor dhe regjisor Afrim Morinën kurse në Studençan nga i njëjti regjisor dramat “Mallkimi I gjakut” dhe “Toka e përgjakur”. Pastaj do të shfaqej edhe drama “Baca i Gjetajve” te teatrit “Migjeni” nga Shkodra. Aktiviteteve të LRS-së dhe LKJ-së së Suharekës për kalitjen e “Vëllazërim-bashkimit” e të patriotizmit jugosllav do t’i kundërvihej një aktivitet i veçantë i Lëvizjes kulturore artistike kombëtare.


Aktorët e shfaqjeve teatrore nuk do të jenë vetëm aktorë artistikë, por edhe aktorë politikë. Provat në përgatitjen e shfaqjeve teatrore do të bëhen pikëtakimet jo vetëm të lëvizjes artistike por dhe të lëvizjes ilegale.


Të frymëzuar nga manifestimet e shumta për 100-Vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shumë aktivistë kulturorë e artistikë do të bëheshim më vonë aktorë politikë.


Aty do njiheshim në mes vete, do ta zbulonim njëri-tjetrin, jo vetëm si aktorë artistikë….Duke fituar besimin reciprok, filluam të mendonim krejtësisht ndryshe nga “rinia e Titos”.


Librat e ndaluar nga regjimi shovinist serb do t’i këmbenim dorë në dorë, kurse bisedat në mes nesh do të ishin të guximshme për tema të ndryshme.


Leximin e literaturës ilegale do ta bënim pasion. Aty do të lexonim dhe kuptonim për bëmat e zeza të shovinizmit serb ndaj popullit shqiptar. Aty do të gjenim demaskimin e “Vëllazërim-Bashkimit” dhe të “drejtat e barabarta” të kombeve dhe kombësive të RSFJ-së në kurriz të popullit shqiptar.


              Do të mësonim për shfrytëzimin dhe eksploatimin e minierave të Kosovës.


              Përndjekjen e shqiptarëve nga Toplica e Kosanica


              Traktatin e fshehtë të Londrës


              Shpërnguljet e dhunshme në Turqi


              Projektet e Çubrilloviqit


              Masakrën e Tivarit e Trogirit


              Konferencën e Bujanit


              Terrorin e Tito-Rankoviqit mbi popullin shqiptar


              Qëndresën e Adem Demaçit


Ne truallin e lëvizjes artistike dalëngadalë do të lindte një lëvizje ilegale autentike e veçantë nga organizimet ilegale anembanë Kosovës.


Duke kultivuar atdhedashurinë, ne abstenonim në aktivitetet e strukturave të pushtetit serbo-sllav. Injoronim, nënçmonim dhe përqeshnim “pionierët e Titos”. Kështu që krijonim një shkëputje, një hendek, të rinisë shkollore nga pushteti komunal titist i Suharekës.


Salla e Shtëpisë së kulturës në Suharekë qe shndërruar në një tribunë ku jo vetëm që ushtronim rolet artistike, por edhe ato ilegale.


Aktivitetet konkrete të lëvizjes ilegale në kuadër të lëvizjes artistike do të dalin në sipërfaqe në nëntor të vitit 1979. Në teatrin amator të qytetit përgatitej drama “Mulliri i Kostë Bardhit” me këta aktorë:


              Fadil Vata


              Ibrahim Shala


              Imer Bala


              Beqir Bekteshi


              Shemsije Elshani


              Murat Bytytci


              Shpresa Baraliu


              Fadilete Shala


              Naser Selimi


              Halil Krasniqi


              Dashurije Syla etj.


Shfaqja e dramës do të ndalohej, kurse disa aktorë të shfaqjes do të arrestoheshin dhe dënoheshin me burg për “veprimtari armiqësore  nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”.


Në mbarim të vitit 1980 në teatrin e qytetit do të sillet në repertor drama “Agu” nën regjinë e Alush Sahitajt me këta aktorë:


              Ymer Bala


              Rexhep Morina


              Beqir Bekteshi


              Fadilete Shala


              Ragip Shala


              Ton Kabashi etj


Shfaqja e dramës do të ndalohej në pranverën e 81-tës kurse prej pushtetit ushtarako-policor do të arrestoheshin dhe torturoheshin shumë aktorë. Nën akuzën:”veprimtari armiqësore kundër rregullimit kushtetues te RSFJ-së”


Në QAMO-n “Jeta e Re” në këtë periudhë grupi dramatik do të përgatiste dramën “Cuca e maleve” në regjine e Alush Sahitajt me këta aktorë:


              Ymer Bala


              Rexhep Morina


              Rrahime Hoxha


              Ragip Shala


              Myrvete Kryeziu


              Ferdeze Kicaj


              Zyrafete Kryeziu


              Islam Spahiu


              Bajram Berisha


              Adem Kicaj etj.


Edhe drama “Cuca e maleve” në pranverën e 81-tës do të ndalohej së shfaquri.


Ymer Bala tanimë ndodhej prapa grilave, kurse disa aktorë do të torturoheshin në stacionet e policisë të Suahrekës dhe të Duhlës:


              Rrahime Hoxha


              Bajram Berisha


              Ragip Shala etj.


Duke qenë shumica e aktorëve të njëjtë, si në teatrin e qytetit si në grupin dramatik QAMO “Jeta e Re” ne tanimë ishim një trup i vetëm.


Rrethi i lëvizjes artistike nuk përbëhej vetëm nga aktorët e shfaqjes teatrore por edhe nga aktorë të kauzës kombëtare.


Kështu në mes të asaj lëvizjeje do të jenë:


              Kadri Veselaj


              Xhemajli Rexha


              Haki Qatani


              Ymer Veselaj


              Safete Sylaj


              Hafir Shala


              Mejdi Gega


              Fadil Ndreca


              Smajl Morina


              Ruzhdi Krasniqi


              Nesim Morina etj


Të gjithë këta gjimnaziste në QAMO “Jeta e Re” në Suharekë do të përbënin lëvizjen artistike dhe ilegale.


Pa dyshim njëri nga aktorët më aktivë të asaj lëvizjeje ka qenë Kadri Veselaj. Ai do të na bëhej boshti magnetik ku të gjithë ne do të silleshim përreth tij. Kadriu do të na furnizonte me libra të botuar në Tiranë. Do të na furnizonte me literature ilegale si:


              “Liria” të OMLK-së


              “Bashkimi” të Fronitit të kuq popullor


Shumë net do t’i kalonim në kullën e tij ku nën tingujt e kitarës që i binte ai vetë, do të këndonim dhe bisedonim deri në mëngjes. Radio Tirana, Radio Kukësi, TVSH-ja me emisionet:


              “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”


              “Teatri në ekran”


              Koncertet e trupave profesionale artistike


do të ndikonin tek ne në vetëdijesim dhe frymëzim për kauzën tonë kombëtare.


Lëvizja artistike do të bëhej lëvizje ilegale. Një rol të veçantë në shndërrimin e lëvizjes artistike në ilegale do të ketë Ymer Bala dhe Alush Sahitaj.


Me 12 Mars 1981 për demonstratën në qendrën e studentëve në Prishtinë do të më njoftonte Alush Sahitaj. Gjithë pasditen në klasën e katërt të kulturologjisë do të kalonim duke i pëshpëritur njëri-tjetrit rreth demonstratës. Gjatë ditëve në vazhdim në mesin e aktorëve të lëvizjes do të shtohej entuziazmi për aktivitete konkrete.


 


A mund ta bënim edhe ne dhe si do ta bënim?


Kjo ishte pyetja kryesore në mes nesh. Këto tema do t’i diskutonim edhe në kullën e Kadri Veselajt. Idetë dhe iniciativat për të organizuar demonstrata në Suharekë kanë qenë të shumanshme dhe gjithëpërfshirëse. Do t’i veçoja tri  iniciativa:


              Biseda konkrete e autorit të këtij shkrimi me Kadri Veselajn


              Bisedën e Ymer Balës me “Naxhijen”, një studente e ardhur nga Prishtina.


              Biseda në mes Haki Çatanit dhe Xhemajli Rexhës


Nga nismat e këtyre tri bisedave do të lindte ideja që të organizohej demonstrata, jo në Suharekë por në Prizren, si një qendër më e madhe gravituese. Kadriu ndante mendimin që suksesi i demonstratës do të varej me prezencën e Studenteve të Shkollës se Lartë Pedagogjike të Prizrenit. Kurse Xhemajli Rexhaj dhe Haki Çatani e arsyetonin me praninë në Prizren të selisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në mesin e shumë aktorëve ziente vrulli rinor dhe pothuajse të gjithë frymonin në një ritëm. Kadri Veselaj do të lëvizte pa ndalë, sa në Suharekë sa gjetiu…


Kurse Xhemajli Rexha dhe Haki Çatani do të shkojnë tri herë në oborrin e SHLP në Prizren për të biseduar me studentët e atjeshëm. Njoftimin për demonstratë në Prizren do ta shpërndajnë Kadriu dhe Ymeri.


 


E Mërkurë, 25 Mars 1981


Në parkun e qytetit, përballë SHLP-së, të parët do të mbërrinin Xhemajli Rexha e Haki Çatani, pastaj Kadri Veselaj, Ymer Bala, Rexhep Morina, Nait Thaqi, Ymer Veselaj, Islam Spahiu, Rrahime Hoxha, Myrvete Kryeziu etj. Kurse përskaj parkut do të qëndrojnë: Shyqri Duraku, profesor në gjimnazin e Suharekës, Alush Sahitaj, mësimdhënës dhe regjisor në Suharekë, Bekim Duraku me të fejuarën e tij, Ragip Shala etj. Këtë numër do ta shtonte edhe Mejdi Gega me disa gjimnaziste të Suharekës, si dhe Jakup Tafallari – gjimnaziste nga Prizreni.


Në brendi të parkut do të qëndrojnë edhe studentë të SHLP si: Nexhmije Demiri, Halim Buqaj, Begzat Gashi, Fatmir Zekolli dhe disa studentë të tjerë.


Thirrjen e parë të kumbueshme do ta bënte Xhemajli Rexha, pastaj letrën do ta lexonte Nexhmije Demiri. Duke pasur në ballë Ymer Balajn, Nexhmije Demirin, Kadri Veselajn, Halim Buqajn, Fatmir Zekollin, Xhemajli Rexhën etj. demonstruesit do ta vazhdonin demonstrimin nga parku në brendi të qytetit. “Bashkim, Bashkim”, ”Kushte, Kushte” kanë qenë brohoritjet e demonstruesve, bashkë me thirrjen për Kosovën Republikë.


Demonstrata e Prizrenit është e dyta në Kosovë pas 11 Marsit 1981 në Prishtinë. Dita e Mërkurë do të hyjë si dita e demonstratave në Kosovë:


E Mërkurë – 11 Mars 1981


E Mërkurë – 25 Mars 1981


E Mërkurë  – 1 Prill 1981


 


Tri të Mërkura – tri demonstrata të mëdha për Kosovën Republikë.


 


Pas demonstratës së 2 prillit në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të Kosovës, Kryesia e RSFJ-së do të shpallte gjendje të jashtëzakonshme. Pushteti ushtarako-policor do të ndalonte procesin mësimor në tërë Kosovën për dy javë.


Në Suharekë dhe Prizren do të pasonin arrestimet. Do të arrestoheshin: Ymer Bala, Kadri Veselaj, Begzat Gashi, Fatmir Zekolli, Halim Buqaj etj. Kurse nga procesi mësimor do të përjashtoheshin fillimisht Prof. Ramadan Shala, ndërsa më vonë edhe Mehmet Sopi, Alush Sahitaj, Bajram Kurti, Sejdi Gega, Bislim Elshani (dy të fundit pas burgosjes) etj. Nëpër bodrumet e stacioneve të policisë do të maltretoheshin e torturoheshin shumë të rinj: nxënës, studentë, punëtorë, bujq etj.


Kah fundi i Prillit do të rifillonte procesi mësimor. Aktivitetet kulturore-sportive do të ndaloheshin tërësisht. Ndonëse të hendikepuar (pa Kadri Veselajn e Ymer Balën), ne aktorët e lëvizjes nuk do të ndalnim aktivitetin. Kështu, të martën, me 19 Maj 1981, në orën 12:35, në mes të tregut, afër stacionit të autobusëve, do të ketë një përpjekje për demonstrim. Disa dhjetëra gjimnaziste do të ngrinim zërin me:


“Poshtë Milicia Serbe”, pas një rrëmuje të vogël, demonstrata mbeti vetëm në tentative, megjithatë ishte një pikë uji për betejen politike… Në këtë kohë shfaqet në skene struktura e mirëfilltë ilegale në përbërje të:


              Afrim Morinës


              Bislim Elshanit


              Sejdi Gegës


              Hazir Morinës


              Halil Morinës, etj


Nga takimet e asaj strukture ilegale do të vijë deri te organizimi i demonstratës së 26 Majit 1981 në Suharekë. Pavarësisht që në prag të demonstratës do të arrestohej Afrim Morina, demonstrata nuk do të dështonte. Do të fillonte me këngën: “Eja mblidhuni këtu, këtu” duke marshuar mes përmes Suharekës. Thirrja për Kosovën Republikë do të jetë e fuqishme. Në këtë demonstratë shumica do të jenë gjimnaziste të Suharekës, si dhe studentë të SHLP-së nga Prizreni. Natyrisht bërthamën e demonstruesve do ta përbënin aktorë të lëvizjes së Suharekës. Shërbimet e UDB-së përmes njësiteve speciale të policisë do të arrestonin: Sejdi Gegen, Bislim Elshanin, Mejdi Gegen, Sylejman Gashin, Fadil Ndrecen etj.


Në hyrje dhe dalje të Suharekës do të instaloheshin njësitet federative të policisë. Qetësi e zymtë do të bjerë në Suharekë. Kurse heshtjen kohë pas kohe do ta thyente zhurma e avionëve luftarakë. Maturantëve të gjeneratës së 81-tës do t’u ndalohej mbrëmja e maturës. Përndjekjet, arrestimet, diferencimet, izolimet do të bëheshin dukuri e përditshme. Megjithatë, beteja për Republikën e Kosovës nuk do ndalej…


Në mëngjesin e 30 majit në hyrjet e të gjitha lagjeve të fshatit Banjë do të vezullojnë parullat: “Kosova Republikë”,


Në Suharekë rinia shkollore nuk do ta ndalte hovin. Gjurmëve të lëvizjes artistike dhe ilegale të viteve 1979-1981 do të vazhdonin aktorët e rinj në krye me veteranin Rexhep Morina, të pasuar nga Haki Çatani, Abedin Bala, Feim Bala, Ruzhdi Cikaqi, Blerim Kuqi, Xhavit Syla, Enver Spahiu, Jashar Bala, Feim Morina, Sabit Shala etj.


Si rezultat i veprimtarisë së kësaj lëvizjeje në Suharekë do të organizoheshin demonstrata edhe me 1982 dhe 1983. Arrestimet dhe burgosjet nuk do të ndaleshin. Për “veprimtari armiqësore nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar” do të dënohen Rexhep Morina, Haki Çatani, Musli Shala, Hajrush Krasniqi, Mark Kajtazi e shumë të tjerë. Shumë pjesëtarë të asaj lëvizjeje të viteve 80-të nuk do ta ndalnin veprimtarinë patriotike për asnjë çast. Duke u rreshtuar në radhët e LPK-së, dhe LKÇK-së, lindja dhe rritja e UÇK-së do të kalonte edhe nëpër duart tona.


Nga kjo plejadë e viteve të 80-ta kanë rënë këta dëshmorë:


              Fadil Vata, njëri ndër krerët e LPK-së, i shpallur dëshmor për shkak të aktivitetit të palodhshëm ilegal dhe dëmtimeve trupore që e çuan në vdekje.


Pastaj dëshmorë të rënë në luftën e UÇK-së:


              Xhemajli Rexha


              Xhavit Syla


              Feim Morina


Kurse martirë:


              Hafir Shala


              Ruzhdi Krasniqi


Beteja politike për Republikën e Kosovës, e filluar me demonstratat e pranverës 1981, do të kurorëzohet përmes luftës së UÇK-së me shpalljen dhe pranimin ndërkombëtar të Pavarësisë së Kosovës me 2008.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …