Brickos

Avdullah Hoti thotë se kanë punuar aq shumë sa që një qeveri për një mandat të plotë nuk do të mund të punonte

Ramiz Tafilaj: Letër drejtuar Kryeministrit të Kosovës


Kryeministër Hoti, në delegacionin tuaj do duhej të ishte edhe Faton Bislimi

 

Takimi në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Washington, DC këtë javë është mundësi e jashtëzakonshme për sforcim të pozitës së Kosovës, duke i qëndruar besnik miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duke pasur parasysh investimin madhor politik, ushtarak e besa edhe financiar që SHBA-të kanë bërë në Kosovë.  Përderisa ka shumë zëra kritikë ndaj delegacionit që do të përfaqësojë Kosovën në Shtëpinë e Bardhë, ajo që vërehet më së shumti është që në përgjithësi këto kritika janë thuajse ekskluzivisht të motivuara apo të bazuara politikisht.

Si qytetar amerikan, por mbi të gjitha si shqiptar i Kosovës që thuajse gjysmë shekulli e kam kaluar në SHBA, asnjëherë nuk kam qëndruar inferior ndaj çështjes sonë kombëtare, por asnjëherë as edhe që kam qenë politikisht i angazhuar, e aq më pak në ndonjë parti politike. Fokusi im primar në ndihmë të Kosovës dhe kauzës sonë kombëtare ka qenë gjithherë tek arsimimi. Andaj, ndihem krenar që shtëpia ime ka shërbyer si vatër e qëndrimit dhe zhvillimit akademik të studentëve meritorë nga Kosova, disa prej të cilëve sot na zbardhin fytyrën neve si komb me të arriturat e tyre në profesionet e tyre, qoftë këtu në SHBA, apo tjetërkund.

Nga përvoja ime personale, dhe angazhimi me komunitetin tonë këtu në SHBA, unë ndihem paksa i zhgënjyer me përbërjen e delegacionit të Kosovës në bisedimet e Shtëpisë së Bardhë. Çdo respekt për Kryeministrin Hoti dhe secilin anëtar të delegacionit, por po ta vendosim dorën në zemër dhe të flasim çiltër e pa asnjë ngarkesë politike a partiake, por vetëm me interesin nacional në mendje, atëherë nuk mund të mos them se është gabim historik që në këtë delegacion nuk është përfshirë njëri nga figurat e reja politike të Kosovës, por me një bagazh të jashtëzakonshëm këtu në Amerikë.

Faton Bislimi, tanimë deputet i Kuvendit të Kosovës, për ata që nuk e dijnë, është figurë kyçe e lobit shqiptaro-amerikan, dhe krah i djathtë i Kongresistit Dio Guardi, njeriut që ka ndërtuar e mirëmbajtur tash e tri dekada marrëdhëniet speciale në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Fatoni ka të paktën dy dekada përvojë lobimi e bashkëpunimi me figurat më të rëndësishme të politikbërjes amerikane në Washington, DC. Fatoni mund të mos jetë i njohur për këta anëtarët e delegacionit të Kosovës, por ai është i njohur për shumë zyrtarë të lartë në Washington, DC, duke përfshirë edhe ish-Zëvendës Presidentin Joe Biden, Senatorin Bob Dole, dhe figura tjera të pazëvendësueshme që ishin boshti i përkrahjes politike ndaj Kosovës gjatë viteve të 1990-ta dhe në të 2000-at, e të cilët nuk jetojnë më, por me të cilët Fatoni ka pasur mundësi të punojë si Kongresistët Ben Gilman, Tom Lantos, Henry Hyde, etj.

Fatoni, me prejardhje nga Gjilani, ka qenë shqiptari i parë nga Kosova që ka arrit të jetë pjesë e stafit të Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Kongresit të SHBA-ve në fillim të viteve 2000, dhe të dëshmojë edhe në Seanca dëgjimore të Kongresit të SHBA-ve për çështjen e Kosovës, si dhe të jetë një ndër bartësit kyç të organizimit të disa dëgjimeve me rëndësi të posaçme për pavarësinë e Kosovës. Pos lidhjeve e përvojës me Kongresin e SHBA-ve, Fatoni ka krijuar bashkëpunim dhe miqësi edhe me zyrtarë të lartë të Administratës dhe Departamentit të Shtetit, duke sjellë në tavolinë të tyre çështjen e Luginës së Preshevës zyrtarisht për herë të parë para pesë viteve, për shembull.

Përvoja e Fatonit në Capitol Hill dhe njohuritë e tij të dorës së parë për  mënyrën e funksionimit të politikës në SHBA janë aset i paçmuar. Shtoja kësaj edhe përgatitjen e tij akademike — studimet universitare të mbaruara me nderimet me të larta akademike në Texas, magjistraturën në zhvillim ndërkombëtar në Harvard, magjistraturën e dytë në marrëdhënie ndërkombëtare në Canada, si dhe së fundi doktoraturën në shkenca politike. Sikur krejt kjo të mos mjaftonte, Fatoni është një nga oratorët më të mirë dhe elokuenca e të shprehurit të tij në anglisht nuk dallon nga cilido amerikan i kalibrit më të lartë profesional.

Personaliteti i tij është vlerësuar lartë dhe në shumë sfera. Akademikisht, ai është fitues i një sërë çmimesh prestigjioze në Amerikë e ndër to do veçoja atë të “Kennedy Fellowship” në Harvard, apo edhe atyre për lidership si ajo “Marshall Memorial Fellowship” nga German Marshall Fund of the US në Washington, DC. Lista e çmimeve që nderojnë Fatonin është e gjatë, por më e gjatë se kjo listë është lista e veprimeve dhe kontributeve të tij për kauzën kombëtare, në disa prej të cilave kam qenë vet dëshmitar. Ai sot vazhdon të shërbej si anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe anëtar i Komitetit Këshillëdhënës Strategjik për Diplomaci Qytetare pranë German Marshall Fund of the US.

Pos të shprehurit elokuent, Fatoni ka edhe aftësi të jashtëzakonshme të të shkruarit. Ai është autor i disa librave, por mbi të gjitha është ndër shqiptarët e paktë që kanë arrit të mbrojnë kauzën kombëtare në gazetat më prestigjioze amerikane si Washington Times, për shembull, sa herë që në shkrime të tyre është cenua Kosova.  Dhe, mos të harrojmë, Fatoni që sot është deputet i Kosovës, ishte student i të njëjtit program në Harvard me Vuk Jeremiqin e Serbisë dhe nga kolegët e vet dhe profesorët është vlerësuar se sa herë ka debatuar për Kosovën qoftë me Jeremiqin por besa edhe me Tadiqin në një ngjarje publike në Harvard, Fatoni ka dalë fitues dhe jo vetëm.

Për fund, e bëra këtë shkrim e këtë reagim jo për t’i thurë lëvdata Fatonit, sepse krejt çfarë kam thënë këtu është faktike, dhe ka shumë më shumë se kaq, e qe kësaj herë nuk po i cekë, por për të treguar se Kosova ka djem e vajza shumë të përgatitura që diplomatikisht e politikisht jo vetëm që i bëjnë ballë Serbisë fuqishëm, por këtë e bëjnë duke sforcuar edhe miqësinë edhe përkrahjen e Amerikës për neve. Nëse Qeveria e Kosovës nuk ia ka njohtë këto atribute e virtyte Fatonit, prandaj edhe nuk e ka në delegacionin e vet, ky është gabim i Qeverisë. Por nëse ia ka njohtë këto, dhe përsëri ka krijua delegacion prej disave që Washingtonin e shohin si mundësi për foto-op, ky është gabim i pafalshëm.

Nëse Qeveria ka dikë në delegacion që për së afërmi ka përvojën dhe kredencialet e Fatonit, unë do të isha shumë i lumtur. Por, nuk po shoh që ka! Interesin kombëtar të Kosovës duhet ta mbrojmë me dinjitet dhe me profesionalizëm, me guxim dhe me mençuri. Më vjen keq që një aset kombëtar si Faton Bislimi, delegacioni i Kosovës nuk e ka me veti!

( Ramiz Tafilaj-Aktivist i dekoruar me Çmimin për Arritje Jetësore nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njëherit President i Shtëpisë Botuese, Jalifat Publishing.)

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Fronti Europian stacionin e radhës e ka pasur qytetin e Kërçovës, ku para një numri …