Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do ta merrte në konsideratë kandidimin për president të vendit nëse një propozim i tillë do të vinte nga partitë opozitare. Në një prononcim për mediat, Haradinaj tha se, duke pasur parasysh sfidat me të cilat po përballet Kosova, ai do ta shqyrtonte seriozisht një kandidaturë të mundshme. “Nëse opozita do të më propozonte, do ta shqyrtoja mundësinë e kandidimit”, u shpreh ai. Haradinaj theksoi se vendi ndodhet përballë sfidave të mëdha politike dhe institucionale, duke shtuar se vendimi i tij do të varej nga rrethanat dhe nga një propozim konkret. “Kosova është në sfida të mëdha, në vështirësi të mëdha. Nëse opozita do të më propozonte në rast të një gare për president në seancë, do ta shqyrtoja nëse do të kandidoja apo jo”, deklaroi ai. Megjithatë, lideri i AAK-së sqaroi se aktualisht nuk është kandidat për postin e presidentit. “Ju e dini, unë s’kam qenë kandidat për president, nuk jam as sot”, përfundoi Ramush Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
