Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për herë të parë në mënyrë më emocionale për kalimin nga jeta ushtarake në politikë, duke e cilësuar atë periudhë si një nga sfidat më të mëdha personale pas luftës. Haradinaj kujtoi kohën kur vendosi të largohej nga uniforma dhe të hynte në jetën politike, pas angazhimit të gjatë në luftë dhe në strukturat e pasluftës, përfshirë Trupat Mbrojtëse të Kosovës. “Ka qenë një moment jo shumë i lehtë me e zhvesh uniformën, isha mësuar me uniformë. Uniforma dhe unë ishim bërë një”, tha Haradinaj, duke shtuar se dilema e tij kryesore në atë kohë ishte se si mund t’i shërbente më shumë vendit. Ai tregoi se, pavarësisht mungesës së përvojës politike, vendosi të mos i bashkohej ndonjë partie ekzistuese, por të krijonte një subjekt të ri politik. Sipas Haradinajt, mbështetja që mori nga njerëzit e afërt dhe qytetarët ishte vendimtare për themelimin e Aleancës. “Mora guximin, pa ndonjë përvojë politike paraprake, ta krijojmë një koncept të ri politik”, u shpreh ai. Haradinaj rikujtoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u themelua më 2 maj të vitit 2000, parti të cilën ai e ka udhëhequr që nga krijimi i saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
