Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza ka mbajtur takim me qytetarë dhe strukturat e partisë në Prishtina, ku tha se mbështetja që po merr subjekti i tij po rritet çdo ditë në gjithë Kosovën. Hamza deklaroi se atmosfera në kryeqytet ishte dëshmi e qartë e kërkesës së qytetarëve për ndryshim politik dhe institucional. “Prishtina na dha shumë energji, besim dhe dashuri në misionin tonë për t’i thënë STOP krizës dhe për ta ndryshuar Kosovën”, tha ai. Sipas tij, gjatë takimeve me qytetarë nëpër vend po vërehet qartë pakënaqësia me gjendjen ekonomike dhe sociale, si dhe shqetësimi për të ardhmen. “Në mesin e shumë qytetarëve, pamë nga afër lodhjen nga krizat, shqetësimin për të ardhmen dhe dëshirën për ndryshim”, u shpreh Hamza. Ai theksoi se qytetarët presin institucione që fokusohen në problemet reale të jetës së përditshme, duke përmendur çmimet, pagat, perspektivën për të rinjtë dhe mirëqenien e familjeve. Hamza përfundoi duke thënë se zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë momenti kur qytetarët do të vendosin për ndryshimin që, sipas tij, Kosova ka nevojë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
