Raporti i Arqipeshkvit të Shkupit, Llazër Mjeda, dërguar Vatikanit për krimet serbe mbi shqiptarët gjatë Luftërave Ballkanike

Raporti i Arqipeshkvit të Shkupit, Llazër Mjeda, dërguar Vatikanit për krimet serbe mbi shqiptarët gjatë Luftërave Ballkanike

Llazër Mjeda (1869 – 1935), shërbeu si arqipeshkv në Ipeshkvinë e Shkupit  prej vitit 1909 deri më 1921, kur u kthye në vendlindjen e tij, në Shkodër, në detyrën e arqipeshkvit, deri në vdekje. Gjatë kohës së Luftës Ballkanike, ishte i detyruar t’i raportonte Vatikanit për ngjarjet në dioçezën e Shkupit e Prizrenit.  Një raport mbi krimet e ushtrisë serbe të kryera në dioçezën e tij, Mjeda ia kishte dërguar Vatikanit më 24 janar 1913. Të dhënat që përmbante raporti i Mjedës, i kishte marrë më vonë publicisti austriak, Leo Fondlih dhe i kishte përfshirë në librin e tij,  “Golgota Shqiptare”, të botuar në vitin 1914.

 

Ja raporti i Llazër Mjedës, dërguar Vatikanit:

 

“Besoj se  do të ju ndihmoj shkelqësi, me këtë raport të përgatitur me ndihmën e bashkëpunëtorëve të mi,  klerikët Gjyzepe Ramaj dhe Don Paskal Krasniqi, të cilët më kanë informuar për krimet e ushtrisë serbe kundër shqiptarëve, të kryera në Dioçezën tim. Këtu janë përmendur vetëm një numër i vogël i mizorive të kryera në viset e okupuara nga Serbia. Klerikët e kanë vështirë të marrin të gjitha informatat, sepse  komunikimi midis ekzarkive është ndërprerë dhe është rrezik i madh të flitet për to.  Kjo që është shkruar këtu, janë nga deklarata autentike të dëshmitarëve të atyre ngjarjeve, apo prej një numri të madh të njerëzve.

Ushtria serbe ka raportuar se si i ka sulmuar fshatrat shqiptare. Një zyrtar i ushtrisë serbe ka treguar kështu:  Ata që nuk kishin ikur para së të vinim ne, ishin fshehur nëpër tavanet e shtëpive. Kur i kemi vërejtur,  kemi filluar  djegien e shtëpive dhe fshatrave, dhe kur flaka  kaplonte tavanet, ata dilnin nga strehimi. Kur dilnin, duke ikur nga flaka, ne i vrisnim me pushkë, ndërsa për fëmijët e vegjël nuk harxhonim municione, për ta i përdornim bajonetat. Sipas tregimit të ushtarit serb, këtë e paskan bërë për shkak se dikush prej  atyre shtëpive paska gjuajtur mbi ushtrinë.

Siç dihet, në Shkup ushtria serbe ka hyrë pa ndonjë rezistencë as luftë. Por, pesëmbëdhjetë ditë rresht, për çdo natë i hidhnin nga urat e Vardarit nga 20 – 30 shqiptarë. Në Kalanë prapa qytetit është hapur një gropë e madhe, në të cilën janë hedhur trupat e më se njëqind myslimanëve. Gropa tjetër gjendet në Kisella Voda, jo larg  qytetit të Shkupit, në të cilën deri tash janë hedhur trupat e tetëdhjetë shqiptarëve.  Shqiptarët e plagosur janë lënë nëpër spitale të vdesin nga uria, e të shumtë janë ata që i kanë përpirë valët e Vardarit.  Një ushtar (serb,v.j.) më ka tregua se një ditë i kishin zënë 130 robër, prej të cilëve  vetëm një ishte i plagosur; ditën e dytë kishin mbetur tetëdhjetë, ndërsa ditën e tretë vetëm 30, dhe pas kësaj dite askush nuk e di se ku kanë mbaruar.  Një natë u vranë  dy shqiptarë të cilët po kalonin qetas rrugës kryesore. I vrau një komandant i dehur, i cili paraprakisht kishte pirë në hotel.  Korpusi i inxhienerisë së ushtrisë serbe e kishte sjellë në vendin e krimit një kali të ngordhur, që ky të ishte shkak i vrasjes. Tre shqiptarë u therën me bajoneta në afërsi të Vardarit, vetëm pse kishin guxuar të kalojnë magjistralës publike.  Një numër i madh i trupave janë hedhur nëpër bunare; janë 38-40 puse  të mbushura me trupa të shqiptarëve. Kriminelët mendje sëmurë vjedhin, plaçkitin, dhunojnë gratë në mënyrën më barbare. Burrat detyrohen t’ua mbajnë llampat e të shohin se si po ua dhunojnë gratë e vajzat, madje edhe aso të moshës  12 vjeçe. Një serb i ri, i cili mezi qëndronte në këmbë, tha: Sa keq që po i vrasim me bajoneta, por përndryshe do të shpenzonim municion.

Ç’ është më keq, serbët e  Shkupit i pritën ushtarët me raki, e kur këta deheshin, sulmonin e hynin nëpër shtëpi të shqiptarëve e kryenin krime gjithëfarësh. Pesë fshatra të rrethinës së Shkupit u dogjën tërësisht, ndërsa flaka e tyre shihej nga qyteti tri ditë rresht.

Në Tërstenik janë vrarë 60 vendas, në Gurçiq 10, në Siriniq 32, në Verban 20, në Lubizhdë 19 dhe në  50 familje të Komogllavës u vranë të gjithë meshkujt.  Kur ka kaluar ushtria serbe nëpër këto anë, vendasit kishin dalë për t’i përshëndetur, që pastaj i lidhën dhe i vranë pamëshirshëm. Ata që shpëtuan nga pushkatimi, përfunduan të therur me bajoneta.

Në Tetovë 85 shqiptarë që u gjetën në shtëpitë e tyre, u vranë. Edhe atje, sikur në Shkup, plaçkitje dhe krime tjera. Në Gostivar komandanti serb kishte kërkuar 200 dukatë, nëse duan ta shpëtojnë qytetin. Pasi qytetarët kishin tubuar dhe ia kishin dorëzuar arin e kërkuar, në atë qytet ishin vrarë vetëm 6 veta, por dy fshatra të rrethit të Gostivarit nuk kishin shpëtuar.  Për Mitrovicën nuk kemi informata se çfarë po ndodhë atje, ndonëse flitet se po ndodhin masakra të llahtarshme.

Në Ferizaj vetëm tre myslimanë mbi moshën 15 vjeçare kanë shpëtuar. Atje është zhvilluar një luftë e ashpër për 24 orë rresht dhe janë vrarë edhe shumë ushtarë serbë. Një serb më ka thënë se janë vrarë 1200 shqiptarë në fshatrat e rrethit të Ferizaj.  Gratë janë dhunuar.

Edhe në Gjilan, ndonëse nuk ka pasur luftime, kanë ndodhur masakra dhe plaçkitje. Në Prishtinë vlerësohet se janë vrarë mbi 5000 shqiptarë. Thonë se atje, shqiptarët të udhëhequr nga një oficer turk kanë keqpërdorë flamurin e bardhë, dhe pastaj kanë vrarë një numër të madh të ushtarëve serbë, e këta pastaj janë hakmarrë.

Në Loshkobare, afër Ferizajt, janë vrarë tetë  shqiptarë katolikë, të cilët ishin duke hecur rrugës së vet, të paarmatosur.

Qyteti i Prizrenit është dorëzuar pa luftë, por kjo nuk i ka shpëtuar qytetarët nga masakrat.

Qyteti është përplot ushtarë dhe banda komitësh të cilët vrasin pa pyetur, vetëm nëse shohin se je shqiptar. Për disa ditë nuk u është lejuar as varrosja e  rreth 400  të vrarëve. Plaçkitjet, vjedhjet e  dhunimi i femrave sikur gjithandej ku ka hyrë ushtria serbe.

Komandanti Bozhidar Jankoviq, me revole në dorë i ka detyruar prijësit e qytetit t’i dërgojnë mbretit Petar urimet e tyre. Ishte festa e  Bajramit dhe në qytet kishin arritur 800 desh e dele (për kurban,v.j.), të cilat i konfiskoi ushtria për nevojat e veta dhe nuk iu la festimin e Bajramit.

Komandanti u kishte urdhëruar ushtarëve të marshojnë në drejtim të Lumës, por ata nuk kishin mjaft kuaj, prandaj i mblodhën 200 burra të ri shqiptarë, të cilëve iu ngarkuan në shpinë nga 50 kg ushqime e gjëra tjera, dhe natën nëpër rrugë me baltë i detyruan të udhëtojnë më se shtatë orë. Një grua katolike që kishte ardhur në Prizren bashkë me djalin e saj dhe dy kushërinj, për të blerë gjësende për fejesën e vajzës, i torturuan keq. Ajo kishte marrë te komandanti leje,  që të mos pengohej gjatë kthimit, por sapo kanë arritur në fshatin Zhur, i kanë ndalë ushria, të cilët s’kanë dashur të dëgjojnë për lejen me shkrim, i kanë lidhur që të katërt, ua kanë konrolluar rrobat e blera, duke i rrahur me kondak pushke i kanë sjellë deri te gropa, të tre burrat i kanë pushkatuar e hedhur në gropë. Gruaja i kishte lutur ushtarët që ta vrasin edhe atë, pasi ia vranë djalin, por nuk e vranë, vetëmse e kishin lidhur për një druri, e një ushtarë ia kishte marrë nga “torba” një simite (bukë), në të cilën ia kishte futur dy fyshekë të pushkës, duke i fajësuar të vrarët se paskan kontrabanduar fishkë në bukë. Pas tre ditëve që e kishin mbajtur gruan të lidhur, e shpiejnë në Prizren, e fusin në burg, me akuzë se ka bartur fishekë në bukë.

Bukëpjekësin Gjoni, i biri i Prekës, në Prizren, e vranë ushtarët, ngase e kishin gjetur një pushkë mbështetur për muri jashtë furrës, të cilën e kishte lënë një  ushtar serb.  Në Prizren qytetarët vriteshin edhe vetëm sa për t’ua marrë këpucët. Një ushtarë kishe thënë: duhet ta dini që plani ynë është të shkatërrojmë shqiptarët. Shumë fshatra në rrethin e Prizrenit janë djegur në flakë, ndërsa njerëzit janë vrarë. Tri fshatra të banuara me shqiptarë katolikë janë djegur, me pretekst se këta e kanë përkrahur Austrinë, armikun e Serbisë. Ushtarët kanë hyrë në shtëpitë e katolikëve, kanë hangër e pirë deri sa janë dehur, i kanë detyruar gratë të vallëzojnë dhe i kanë dhunuar e vrarë. Kur  ishte informuar se fiset e Lumës nuk do ta lejonin ushtrinë serbe të kalojë andej, komandanti B. Jankoviq i kishte shpallur “racë e ulët”, të cilët duhet vrarë të gjithë. Ushtria serbe gjatë kalimit, kishte djegur 27 fshatra, duke mos kursyer as gra e fëmijë. Fëmijët i merrnin prej duarëve të nënave, i futnin në kashtë dhe i digjinin për së gjalli. Me bajoneta shqyenin barkun e shtatzënave dhe vrisnin fëmijët e palindur. Këtë s’mund ta merr njeriu me mend, por është e vërtetë. Katërqind njerëz të Lumës ishin dorëzuar, me shpresë se do shpëtonin gjallë, por ata ushtria i kishte dërguar në Prizren dhe atje thereshin nga 40 deri 60 veta për çdo ditë, deri sa i vranë të gjithë. Një dëshmitar tregon se rreth Prizrenit janë mbi 1500 kufoma të pa varrosura, dhe kjo është arsyeja që ushtria nuk lejon gazetarët e huaj të hyjnë në Prizren.

Nga Peja me rrethinë nuk kemi lajme, por besojmë se edhe atje i ka gjetur fati i njëjtë. Rasti i Gjakovës është i jashtëzakonshëm dhe rrëqethës. Ushtarëve u janë lënë duartë e lira të bëjnë ç’të duan me njerëzit, me gratë e më fëmijët dhe të plaçkitin çfarë të duan. Ajte së pari ka hyrë ushtria malazeze, e pastaj ajo serbe. Famullitari i Shkupit më ka treguar, se si i paska thënë një ushtar serb që ka ardhur pas ushtrisë malazeze, se ka parë  gra e fëmijë të prerë. Një ushtar tjetër serb, duke menduar se jam vendas i tij, me shumë enthusiazëm më tha se pak fshatra të rajonit të Tetovës, Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Gjilanit, Ferizajt, Prizrenit, Gjakovës dhe të Pejës kanë mbetur pa i djegur. Atyre gjithkund ua kemi futur flakën. Kjo është e vetmja mënyrë t’i qerojmë haspet me shqiptarët, ka thënë ushtari serb. Një oficer serb ka pohuar se 75% të shqiptarëve duhet të vritën. Vetëm ne Vilajetin e Kosovës, deri më tash numri i të vrarëve ka arritur në 25000. Thonë se të krishterët e lirë duhet t’i zhdukin myslimanët barbarë. Gjithësesi kjo mund të quhet luftë kryqëzate pravosllave për zhdukjen e shqiptarëve”, përfundon raporti i  arqipeshkvit të Shkupit, Llazër Mjeda, dërguar Vatikanit më 24 janar 1913, dokument ky që mbanë shënimin:  Lazzaro Miedia, Archbishop of Skopje, In:Archivio della Sakra Congregazione di Propaganda Fide, Rome, APF, Nuova Serie, Rub.109 Vienna 1913,, p.176-182; Translated from the Italian by Robert Elsie.

(Ekskluzivisht për Radio Kosova e Lirë, e përgatiti   Adil FETAHU)

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti nga Zvicra: Të hiqen kufijtë midis nesh siç i hoqi Europa dhe të bëhemi bashkë në BE

Salla përplot në Cyrih të Zvicrës mirëpriti liderin e shqiptarëve, Ali Ahmeti, i cili u …