REL: Shqiptarët nga disa shtete të Ballkanit, ishin aktivë në luftimet e fundit në Siri, që çuan në rrëzimin e pushtetit të Assadit

Të gjithë shqiptarët që luftuan regjimin e Assadit në Siri, ishin shpallur ‘terroristë’, dhe disa  ishin dënuar me burg, në Prishtinë, Shkup e në Tiranë,  ndërsa tani shumë luftëtarë shqiptarë  morën pjesë në çlirimin e Sirisë nga gjakatari e krimineli, Bashar al-Assad.

Shqiptarët nga disa shtete të Ballkanit Perëndimor janë parë aktivë në luftimet e fundit në Siri, që çuan në rrëzimin e pushtetit atje. Luftëtarët besohet se janë grupuar në një njësit shqipfolës brenda koalicionit Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe aleatë të saj, të cilët në fillim të dhjetorit, çuan në rrëzimin e pushtetit të presidentit Bashar al-Assad.

Xhemati Alban” është emri me të cilin grupi i luftëtarëve shqiptarë e ka identifikuar veten në publik, veçanërisht në rrjete sociale. Shqiptarët, megjithatë, përbëjnë vetëm një pjesë të vogël në mesin e qindra luftëtarëve të huaj në radhët e grupit rebel që mori pushtetin. Vetë HTS-ja dhe grupet aleate, besohet të kenë rreth 10 mijë luftëtarë në total.

Ajo është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, dhe më parë ka qenë e lidhur me Al-Kaidën. Me marrjen e pushtetit rishtazi, kjo aleancë është zotuar për tolerancë dhe gjithëpërfshirje, ndonëse ka shqetësime për lidhjet e tyre me grupe terroriste.

Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë që vepron në Uashington dhe bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Kundërterrorizëm, në Hagë, thotë se ky grup ka qenë aktiv në Siri që prej vitit 2012, ndonëse jo zyrtarisht me këtë emër si Xhemati Alban, por komponentët e tij, personat që e kanë formuar këtë grup më vonë e kanë përdorur këtë si emër Xhemati Alban. Sipas tij, Xhemati Alban është i përbërë prej dhjetëra personave, ka strukturë komanduese etnike shqiptare dhe bëhet fjalë për “një grup islamist xhihadist dhe të strukturuar i mirë”. “Personat që janë anëtarë të këtij grupi, vijnë kryesisht nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut por edhe nga trevat e tjera shqiptare në Ballkan, dhe nga diaspora”, thotë ai.

“Udhëheqësi i grupit shqiptar atje, është një 48-vjeçar, nga Shkupi i cili njihet me emrin Abu Qatade al-Albani. Emri i vërtetë i tij është Abdul Jashari dhe ka pasur funksione të larta këshilluese me komandantin e HTS-së”, thotë Shtuni.

Abdul Jashari që nga viti 2016 është i sanksionuar nga SHBA-ja. Sipas vendimit të Thesarit, ky këshilltar ushtarak është sanksionuar si njëri nga liderët e Al-Nusrës, degë e Al-Kaidës në Siri, dhe ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve për familjet e luftëtarëve të Nusrës. Grupi ka qenë mjaft aktiv në rrjetet sociale, veçanërisht në Telegram, duke publikuar progresin e betejave dhe madje video e foto të ushtarëve, kryesisht të maskuar. Një video e verifikuar nga REL-i, e datës 30 nëntor, tregon një ushtar që flet shqip duke qëndruar në një kala në qytetin e vjetër të Aleppos, i dyti më i madhi në Siri. Videoja u xhirua në ditën kur HTS-ja mori kontrollin e qytetit veriperëndimor. Personi i paidentifikuar, në gjuhën shqipe flet për çlirimin e Aleppos, duke u lutur edhe për çlirime të tjera nga “shtypja e madhe”, teksa i referohet regjimit të Assadit. I njëjti ushtar mban një shenjë dalluese të “Albanian Tactical”, i cili besohet të jetë një nëngrup i Xhematit Alban, i fokusuar në trajnime.

“Xhemati Alban është i ndarë në disa grupe të cilat janë të specializuara: njëri për minahedhje, tjetri është grup snajperistësh dhe pastaj kemi edhe këtë grupin trajnues i cili quhet Albanian Tactical”, thotë Shtuni.

Ai shton se grupi i shqiptarëve dhe udhëheqësia e tij kanë një rëndësi të veçantë në kuadër të HTS-së. REL-i ka identifikuar disa grupe të Telegramit që variojnë nga qindra në mijëra ndjekës dhe që publikojnë aktivitetet e ushtarëve militantë në Siri. Shumica e përmbajtjes së postimeve është në gjuhën shqipe, e po ashtu ka të shpërndara edhe disa video ku ushtarët flasin shqip dhe tregojnë pamje nga qytete të ndryshme të Sirisë, në veçanti pas aksioneve të fundit për rrëzimin e pushtetit atje.

Autoritetet e Kosovës nuk i janë përgjigjur Radios Evropa e Lirë për numrin e luftëtarëve aktualë nga Kosova në Siri dhe as pjesëmarrjen e tyre në koalicionin HTS. Mirëpo, të dhënat e mëparshme tregojnë se mbi 350 persona besohet të kenë shkuar në Siri që nga viti 2011, kryesisht për t’iu bashkuar grupit ekstremist, Shteti Islamik. Kosova ka miratuar Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës në vitin 2015, derisa që nga viti 2019 u organizuan disa operacione riatdhesimi, me të cilat u rikthyen qindra persona.

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se pas proceseve gjyqësore, rreth 42 të burgosur për pjesëmarrje në luftëra të huaja kanë kaluar nëpër institucionet e tij korrektuese. Aktualisht, në institucionet korrektuese ndodhen 7 prej tyre. Më herët është thënë se rreth 100 kosovarë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe Irakut.

Deri në shpartallimin e Shtetit Islamik në fund të vitit 2017, shumica e kosovarëve në Siri jetonin në territoret që kontrolloheshin nga ky grup. Lavdrim Muhaxheri, militant i Shtetit Islamik, i cili u deklarua se është vrarë, njihej si udhëheqës i shqiptarëve në formacionet terroriste të Shtetit Islamik. Edhe nga vendet e tjera të rajonit, shqiptarë etnikë u dyndën në Siri për t’iu bashkuar grupit ekstremist të Shtetit Islamik (IS) dhe Frontit Nusra, dega siriane e Al-Kaidës. Mes tyre ishte një shqiptar etnik nga Maqedonia e Veriut, i cili luftoi në Siri për katër vjet deri në vitin 2020 dhe më pas u kthye në Evropë. “Isha i ri, u mashtruam nga video në internet”, tha ai për Radion Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti për arsye sigurie. “Pastaj ramë në kontakte me disa nga Turqia, dhe u nisëm (për në Siri). Ishte vetëvrasje. Mezi arritëm të ikim nga aty”, shtoi burri, i cili nuk zbuloi grupin të cilit ai iu bashkua.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, aktualisht në fushat e betejës në Siri dhe Irak po marrin pjesë gjithsej 4 shtetas maqedonas. Kjo ministri, po ashtu, konfirmoi se ekzistojnë grupe të ndara etnikisht, përfshirë në këtë rast Xhematin Alban, me anëtarë shqiptarë të disa shteteve të Ballkanit. Samet Shabani, nga organizata Horizon Civitas, e cila merret me zbatimin e plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut, thotë se fenomeni i rekrutimeve të shqiptarëve në luftërat në Lindjen e Mesme “është në rënie të konsiderueshme në 8 vjetët e fundit”. Maqedonia e Veriut po ashtu e ka kategorizuar si vepër penale pjesëmarrjen në konflikte të armatosura të huaja.

 “Andaj, vlerësoj se nëse do të ketë bashkëngjitje të mëtutjeshme në Lindjen e Mesme, do të jenë për motive të migrimit të përjetshëm në të ashtuquajturat ‘tokat e premtuara’ se sa për motive luftarake”, thotë Shabani.

Përveç luftëtarëve aktivë shqiptarë, në Siri gjenden edhe pjesëtarë të familjeve të tyre. Mes tyre është Eva Dumani nga Shqipëria, e cila ishte 8 vjeç kur babai i saj, Shkëlzeni, e mori në Siri në vitin 2013 dhe iu bashkua Shteti Islamik. Babai i saj, ndonëse ndiqet ligjërisht në Shqipëri, besohet të jetë vrarë në Siri.

Vendndodhja e Evës, tani 21 vjeç, nuk dihet, megjithëse jetimët dhe të vejat e militantëve të IS-it shpesh mbahen në kampe nga grupet rivale. Xhetan Ndregjoni nga Tirana, daja i Evës, i tha Radios Evropa e Lirë se ai flet me mbesën e tij në mënyrë sporadike “edhe pse ajo heziton të tregojë vendndodhjen ose situatën e saj të saktë”. “Shkruan një fjalë tani, një pas disa orësh ose ditësh”. “Disa herë kam dashur të nisem për në Siri, por s’e di nëse mbesa ka presion dhe nuk guxon të thotë se dëshiron të ikë apo është radikalizuar dhe nuk do që të largohet” , tha Ndregjoni.

Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë i tha REL-it se beson që në Siri “aktualisht gjenden 30 shtetas shqiptarë”, por nuk dha më shumë detaje. Në luftime në Siri kanë marrë pjesë edhe shtetasit e Bosnjës. Njëri prej tyre, i cili jeton në Siri që nga viti 2013, është në mesin e disa dhjetëra boshnjakëve që besohet të jenë atje. Duke folur në kushte anonimiteti për arsye sigurie, ai e përshkroi veten si një ish “hipi” i cili iu kthye salafizmit, një sekt ultraradikal nën islamin sunit. Ai tha se u zhvendos në Siri për të luftuar kundër Qeverisë së Asadit dhe për të ndihmuar “çlirimin e popullit të Sirisë”.

“Isha në disa grupe”, tha ai pa specifikuar. “Mendoj se ishte më e lehtë për mua, sepse nuk kisha koncept të luftës”.

Burri tha se hoqi dorë nga luftimet në vitin 2018, duke u martuar me një grua vendase dhe duke kaluar në jetën civile në provincën veriperëndimore të Idlibit, një bastion i HTS-së. Shumë evropianë që iu bashkuan grupeve të armatosura në Siri u radikalizuan në internet ose u joshën nga rekrutuesit vendas. Të tjerët ishin të motivuar nga besimet fetare dhe ideja e xhihadit, ose luftës së shenjtë. Disa u tërhoqën nga paratë e ofruara nga grupet militante. Adrian Shtuni nga Qendra Ndërkombëtare Kundër Terrorizmit, nuk beson se tani mund të rriten interesat e luftëtarëve shqiptarë për t’u kthyer në vendet e tyre, edhe pas rënies së regjimit të Assadit.

“Nuk jam i sigurt që ata do të donin të ktheheshin, pasi këta persona janë të fokusuar, kanë një prapavijë xhihadiste, kanë rrezikuar jetën për synimet e tyre ideologjike, të cilat nuk i kanë fshehur”, thotë ai, duke shtuar se disa prej tyre mund të kenë ambicie për pozita në qeverisjen e re në Siri.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …