Rexhë Bajram Rexhaj (26.12.1969 - 13.4.1999)

Rexhë Bajram Rexhaj (26.12.1969 – 13.4.1999)

Erëblina tashmë ka filluar klasën e parë dhe ka marrë shumë pesa në fletoret e saj dhe në ditar. Edhe më e vogël, ajo kishte mësuar aq shkronja sa për të shkruar emrin e babait të vet dëshmor, por sot edhe u reciton vargje “babit” dhe shokëve të tij të rënë. Dhe për të mësuar e recituar sot e lirë, për t’u rritur e lirë e me dinjitet, Erëblina e tij (e lindur vetëm dy muaj para se të binte) dhe të gjitha Erëblinat e tjera të Kosovës, dëshmori Rexhë Rexhaj kishte kapur armën dhe ishte radhitur në radhët e Ushtris Çlirimtare të Kosovës për t’i dalur përballë pushtuesit shekullor serb, për ta dëbuar atë nga kjo tokë që po digjej e po rënkonte nën këmbën e tij.

Dëshmori Rexhë Rexhaj ka lindur më 26 dhjetor të vitit 1969, në Jabllanicë të Vogël të Pejës. Prindërve të tij, Bajramit e Zizës, u lindën edhe tetë fëmijë të tjerë: Rama, Salihu, Binaku, Kreshniku, Remzia, Mehria, Mahia dhe Arbëresha. Vëllezërit dhe motrat do të krijojnë te vëllai i madh, Rexha, ndjenjën e vetëbesimit personal, por edhe frymën e përgjegjësisë e të iniciativës për lojë, për mësim, për punë, e në fund edhe për luftë. Disa prej vëllezërve e motrave, ai do t’i ketë edhe bashkëluftëtarë të radhëve të UÇK-së. Salihu e Remzia ishin pjesëtarë të brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, ndërsa në radhët e UÇK-së kyçen edhe Rama e Binaku. Më 15 prill të vitit 1999, vetëm dy ditë pas rënies së vëllait, Rexhës, në luftimet e zhvilluara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në frontin e Koshares, plagoset nga granata edhe, Rama, i cili kishte lënë mërgimin për të shkuar në front. Ai dërgohet për shërim në Tiranë. Arbëresha, po ashtu, gjatë luftës u angazhua në ambulancën e fshatit për t’u ofruar ndihmë të plagosurve.
Shkollën fillore, dëshmori Rexhë Rexhaj e kryen në fshatin e lindjes, kurse të mesmen në Pejë. Pas përfundimit të shkollës së mesme, në prag të shpërthimit të luftës në Slloveni e Kroaci, ku rolin kryesor për të shkelur vullnetin e popujve të këtyre vendeve për pavarësi e kishte armata jugosllave, detyrohet të shkojë në shërbimin ushtarak, në radhët e kësaj armate. Disa muaj shërben në qytetin e Ohrit në Maqedoni, derisa i krijohen rrethanat e përshtatshme për të braktisur radhët e kësaj armate, e për t’u kthyer në familje. Mirëpo, pasi informohet për praninë e tij në familje, policia serbe e kërkon Rexhën në shtëpi, kurse të atin, Bajramin e fton për bisedë në stacionin policor të Ozdrimit. Ky interesim dhe presion policor, e detyron Rexhën të emigrojë në vendet perëndimore, me ç’rast shkon në Gjermani. Atje qëndron deri në vitin 1997, gjatë së cilës kohë punon punë të ndryshme fizike dhe ndihmon ekonomikisht familjen në Kosovë. Në vitin 1997, organet gjermane e kthejnë në Kosovë, megjithëse ai kishte ikur nga këtu që t’u shpëtonte pasojave të ndjekjes policore, e cila zbatohej ndaj të rinjve shqiptarë dhe mund ta priste arrestimi. Pas kthimit në Kosovë detyrohet t’u shmanget kontakteve me policinë serbe dhe të jetë shumë i vëmendshëm gjatë levizjeve në fshat e rrethinë.
Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimi nga ajo i luftës çlirimtare në zonën e Drenicës, e pastaj edhe në atë të Dukagjinit, te dëshmori Rexhë Rexhaj ngjallën shpresën dhe shtuan besimin për fitoren e shpejtë kundër pushtuesit serb. Prandaj, duke qenë edhe në kontakt dhe nën ndikimin e drejtpërdrejtë të stërnipit Naser Shatri, nga Tomoci i Burimit, i cili tashmë ishte kthyer nga mërgimi dhe ishte kyçur aktivisht në UÇK, që në fillim shpreh gatishmërinë të kyçet në radhët e kësaj ushtrie e ta ndihmojë çlirimin e vendit. Deri me formimin e Brigadës 133 të UÇK-së, më 10 janar të vitit 1999, ai kryen detyra të caktuara të logjistikës dhe të vëzhgimit të terrenit. Me formimin e Brigadës 133, edhe në pozitat strategjike përreth Jabllanicës së Vogël, formohen pikat ushtarake, si, “Te Kodrat e Radafcit”, “Te Varret”, në “Dydesh” (mal në periferi të fshatit) e të tjera. Nga këto pika, dëshmori Rexhë Rexhaj, me bashkëluftëtarët si Sali Rexhaj, Kamer Rexhaj, Milazim Rexhaj, Sali Blakaj, Enver Blakaj, Haki Rexhaj e shumë të tjerë, do t’i sfidojë shumë herë forcat e pushtuesit serb, e sidomos pas 24 marsit të vitit 1999, kur këto forca luftonin për jetë a vdekje, të vetëdijshme se ditët e tyre në Kosovë ishin të numëruara. Ai ishte i pajisur me mitraloz të tipit gulinov, por edhe me automatik e me bomba dore.
Në fillim të muajit prill të vitit 1999, militarët serbë intensifikuan operacionet ushtarake në zonën e veprimit të brigadës 133 “Adrian Krasniqi”. Këto operacione përfshinë edhe Jabllanicën e Vogël dhe fshatrat përreth. Forcat serbe, të vendosura në Vitomiricë, granatuan pozicionet e UÇK-së edhe më 9 Prill. Nga këto granatime ra dëshmori Elez Berisha, nga fshati Ruhot i komunës së Pejës dhe u plagosën 11 luftëtarë të tjerë, ndër ta edhe Kadrush Elezaj, Vedat Ahmet Rexhaj, Xhavit Nimon Elezaj, Gazmend Mujaj, Behxhet Mavraj, Eshref Osmanaj e të tjerë.
Katër ditë më vonë, më 13 prill 1999, forcat serbe, ndërmarrin operacione frontale edhe me këmbësori kundër pozicioneve të UÇK-së këtë pjesë të Zonës Operative të Dukagjinit. Tashmë popullsia civile e fshatrave të kësaj treve ishte shpërngulur nga shtëpitë e veta dhe ishte strehuar në male e në vendet e mbrojtura nga UÇK-ja. Atë ditë, nga këmbësoria serbe rrethohet edhe Jabllanica e Vogël. Nën rrethim vëhen edhe pjesëtarët e UÇK-së. Shkëmbimi i zjarrit bëhet në afërsi të vogël. Gjatë këtij rrethimi, në afërsi të pozicioneve të veta bie dëshmori Rexhë Rexhaj. Nga rrebeshi i luftimeve, atë ditë, në Jabllanicë të Vogël bie edhe Xhafer Shatri nga fshati Tomoc i Burimit (ish-Istog), i cili një ditë më parë, te familja e Rexhës, nipash i së cilës ishte, kishte sjellur anëtarët e familjes së vet, per strehim.
Pas ndërprerjes së luftimeve dhe largimit të këmbësorisë serbe, te vendi ku bie luftëtari i lirisë, Rexhë Rexhaj, i pari arrin i ati, Bajrami. Ai gjen të birin të rënë. Akrepat e orës në dorën e tij kishin ndaluar te numrat 16.30. Në pamundësi për të ndërmarrë diçka më shumë, birit të rënë ia hedh përsipër jelekun që ai, vitë më parë, ia kishte dërguar nga Gjermania. Dy ditë më pas, Bajrami arrin ta tërheqë trupin e të birit dëshmor dhe atë e varros te vendi i quajtur “Livadhi i Spahisë”, në të njëjtin varr me trupin e të nipit, Xhaferit.
Rivarrimi i dëshmorit Rexhë Rexhaj u bë më 26 qershor të vitit 1999, në varrezat e fshatit, nga bashkëluftatarët, me ceremoni ushtarake. Mbi varrin e tij është ngritur permendorja që simbolizon sakrificën sublime të bërë për kauzën e shenjtë të lirisë së atdheut. Në shenjë nderimi të veprës së tij, familjes së dëshmorit i janë dhuruar mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, SHFDUÇK e të tjera. Ndërsa, lavdisë së tij, sot e përherë do t’i përulet kombi, brez pas brezi. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …