Halil Ukë Ukaj (16.1.1974-13.4.1999)

Halil Ukë Ukaj (16.1.1974-13.4.1999)

Halil Ukaj lindi më 16 janar 1974 në fshatin Cerovik të komunës së Klinës nga nënë Hava dhe babai Uka. Ai rrjedh nga një familje me tradita kombëtare. Të parët e Halilit asnjëherë nuk janë pajtuar me regjimet shtypëse të Beogradit, por gjithmonë ua kanë kthyer pushkën dhe kanë luftuar për të drejtat e tyre kombëtare. Këtë traditë kombëtare e kanë vazhduar edhe gjyshi i Halilit-Ymeri, i cili ka qenë i burgosur dhe i ndjekur nga regjimi sllavo-komunist pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, si dhe babai i Halilit, Ukë Ukaj, ndërsa xhaxhai i Halilit, Latif Ukaj, është marrë me aktivitet ilegal kombëtar , në mënyrë të organizuar qysh prej vitit 1993, duke sjellë armë nga Shqipëria, për zhvillimin e aksioneve të parapara në Kosovë. Mu për këtë arsye, në tetor të vitit 1993, shtëpia e Ukajve bastiset nga 15 policë serbë, në mesin e të cilëve ka qenë edhe shqipfolësi, komandanti i policisë në Kijevë, Beqir Gashi, të cilët kanë kërkuar 5 automatikë dhe një revole belge.Në momentin e bastisjes, pasi aty nuk ka qëlluar asnjë prej burrave, është rrahur deri në alivanosje e shoqja e Latifit, Shemsie Ukaj, e cila, me gjithë torturat e përjetuara, nuk ka pranuar asnjë kërkesë të policisë serbe. Gjatë bastisjes janë rrahur gjyshja e Halilit dhe motra e tij, Lavdërie Ukaj, kurse vajzën 3-4 muajshe e kanë rrëmbyer, duke iu kërcënuar se do ta mbysin, nëse nuk i dorëzojnë armët e fshehura.
I rritur dhe i edukuar në një frymë të shëndoshë atdhetare, Halili që në moshën e re i ndien thellë në shpirt padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar nga regjimi i Beogradit.Andaj ai me kohë do të përcaktohet me tërë qenien e tij për çlirimin e Kosovës dhe të trojeve të tjera të robëruara të atdheut.
Shkollën fillore Halili e kreu në vendlindje dhe në Kijevë, kurse të mesmen-gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës, me sukses të shkëlqyeshëm. Për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, nuk pati mundësi t’i vazhdojë studimet, por u mor me tregti të imët për t’i ndihmuar familjes disaanëtarëshe.
Në vitin 1997, Halil Ukaj iu bashkua celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat ishin formuar në këtë trevë e të cilat i kishin futur frikën në palc pushtuesit serb. Nga këto celula Halili me shokë ndërmori disa aksione të suksesshme kundër aparatit shtypës të regjimit serb.
Kur në mars të vitit 1998 Shtabi i UÇK-së lëshon Urdhëresë për furnizim me armë nga Shqipëria, Halili këtë e mori si obligim kombëtar dhe këtë detyrë e kreu me një përgjegjësi të lartë.
Më 15 prill të vitit 1998, atëherë kur lufta ishte shkallëzuar dhe kur armiku kishte ndërmarrë ofensiva të ashpra, Halil Ukaj do të bëhet pjesëtar i rregullt i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në brigadën “Mujë Krasniqi”, komandant i së cilës ka qenë Mirush Dakaj-“Korbi”, Zona Operative e Drenicës. Halili ka marrë pjesë drejtpërsëdrejti në shumë beteja kundër formacioneve të ndryshme të ushtrisë serbe, në të cilat ka treguar aftësi, sakrificë dhe trimëri të rrallë .
Më 8 maj 1998, në Gjurgjicë zhvillohet një betejë e ashpër kundër ushtrisë serbe. Në këtë betejë Halil Ukaj inkuadrohet pas 40 minutash, por me ardhjen e tij, sipas pohimeve të bashkëluftëtarëve të Halilit, luftimet zgjasin edhe 6 orë. Ndërkohë zihet edhe Gryka e Llapushnikut nga pjesëtarët e UÇK-së, në të cilën ka marrë pjesë dhe ka dhënë kontribut të veçantë edhe Halili. Më 25 korrik 1998, njësitë e UÇK-së kanë sulmuar katër autoblinda te Ura e Llazicës, kurse më 1 gusht të po këtij viti në Baicë kanë sulmuar një minibus të mbushur përplot me paramilitarë serbë. Ndërkohë pjesëtarët e ushtrisë sonë kanë sulmuar edhe një minibus të ushtrisë serbe, i cili nga bregu i Kijevës me armë të rënda ka sulmuar fshatin Mleqan dhe ambulancën e Cerovikut me ç’rast e kanë rrokullisur minibusin e armikut. Në të gjitha aksionet e lartpërmendura ka marrë pjesë edhe Halil Ukaj me shokë, duke treguar heroizëm të pashoq.
Më 2 gusht 1998, kur ushtria e policia serbe ndërmorën një ofensivë të ashpër, duke djegur e duke bërë shkrumb e hi dyzet fshatra të Klinës, Halil Ukaj me bashkëluftëtarët tërhiqet në malet e Vuçakut për të mbrojtur më se dyqind civilë , të cilët ishin strehuar aty. Njësitë e UÇK-së, në të cilat ishte edhe Halili, ndërmarrin një kundërsulm dhe i detyrojnë forcat serbe që të tërhiqen nga rrethimi i civilëve me sa më pak viktima. Gjatë kësaj ofensive të furishme të forcave armike, janë vrarë, masakruar dhe plagosur dhjetëra civilë shqiptarë.Gjatë këtyre granatimeve është plagosur edhe ushtari i UÇK-së Halil Ukaj, i cili ka marrë plagë në krah dhe në këmbë. Edhe pse i plagosur, pa iu shëruar ende plagët, Halili iu bashkohet shokëve të luftës në betejat që zhvillohen kundër ushtrisë serbe në fshatrat Vërmicë, Përçevë e Gllarevë. Përveç në beteja frontale, Halili ka marrë pjesë në sulmet e disa veturave të policisë serbe.
Duke qenë në dijeni për heroizmin që kishte treguar Halil Ukaj gjatë luftimeve kundër forcave të armikut në vitin 1998, Shtabi i Zonës Operative të Drenicës, më 15 janar 1999 e dërgon në kursin e togë- skuadrës në Negroc, të cilin kurs e kryen me sukses shembullor .Pas kryerjes së këtij kursi, Halili emërohet epror skuadre. Siç rrëfejnë bashkëluftëtarët e tij, Halili si epror ushtarak i skuadrës ka qenë shumë i dashur dhe i respektuar.
Më 13 prill 1999, ushtria kriminale serbe, e tërbuar nga sulmet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nga bombardimet e NATO-s, sulmon njësitë e UÇK-së në fshatin Tërdefc. Njësitë e UÇK-së tërhiqen në malet e Gollubocit, ku ishin të strehuar mbi 2oo civilë, nga të cilët me armë 70 veta. Ushtria serbe iu bie në gjurmë dhe fillon t’i gjuajë me tërë arsenalin, duke iu afruar civilëve shqiptarë. Duke parë rrezikun që iu kanosej civilëve shqiptarë, Halil Ukaj me shokë iu kundërvihet sulmeve të armikut. Luftimet zhvillohen ballë për ballë me armikun në një distancë shumë të vogël dhe në kushte të pabarabarta sa i përket armatimit, sepse ushtarëve të UÇK-së kishte filluar t’u harxhohej municioni. Një situatë e tillë, ndoshta, ka ndikuar që një numër i shokëve të Halilit të tërhiqen nga fronti, ndërsa ai qëndron si luan deri në harxhimin e fishekut të fundit duke i mbrojtur të tjerët. Në orën 12 të 13 prillit 1999, një tromblon i ushtrisë serbe e qëllon në kraharor me ç’rast pushon së rrahuri zemra e këtij trimi të lirisë. Në këto luftime janë vrarë edhe bashkëluftëtari i Halilit, Çaush Dakaj, dhe civilët : Muharrem Dakaj, Aziz Dakaj dhe Urim Agushi, si dhe tre djem të Lagjes Maloku të Plloçicës. Nga familja e ngushtë Ukaj janë vrarë edhe vëllai i gjyshit Ymer, Haxhi Sylë Ukaj, më 2 korrik 1998, gjatë bombardimeve me helikopter të shtëpisë së tyre nga njësitë serbe, dhe vëllai i Ukës, përkatësisht axha i Halilit, Latif Ukaj, më 7 qershor 1999, në Sankoc, gjatë dëbimit me dhunë të shqiptarëve.
Për vrasjen e djalit, babai Ukë Ukaj, edhe ky pjesëtar i UÇK-së, kupton pas dy ditësh, edhe pse disa persona e kishin ditur që nga momenti i rënies. Halili varroset në vendin e rënies, kurse pas çlirimit në varrezat e fshatit Cerovik. Halili la pas veti, pos prindërve, edhe një vëlla, Mehmetin, dhe pesë motra: Zelfia, Lavdia, Shpresa, Bukuria dhe Safetja, të cilët do të jenë përherë krenarë për veprën e madhërishme të vëllait të tyre dëshmor.
Për Halilin janë shkruar artikuj dhe fejtone në gazetën Rilindja dhe janë dhënë emisione të posaçme në Radion Kosova e Lirë dhe në radiot lokale të Klinës. Halili ka lënë një ditar lufte, rrobat e luftës, këpucët, gjoksoren me tre karikatorë, diplomën mbi kursin e kryer ushtarak dhe automatikun me të cilin ka luftuar. Të gjitha këto ruhen në Muzeun e Kosovës. (SH. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …