Brickos

Rexhep Qosja: Situatës i bëjnë dëm intelektualët servilë

Është profesor universiteti; dhe shkencëtar. Është ulur karshi gazetares, dikur spikere, kurse tani edhe spikere edhe gazetare.


E ka mbushur mirë karrigen.


Flet gjithnjë duke qeshur.


Dhe, ashtu, i shkrirë në gas, thotë, pa e pyetur gazetarja, se i do shumë e i lexon shpesh, Konicën dhe Fishtën. Vetëm ata të dy, nuk përmend tjetërkënd -as Naimin, as Nolin, as Lasgushin, as Migjenin! Nuk ka dyshim se Konicën e Fishtën nuk i lexon pse janë të mëdhenj (ç’është e vërteta i dyti shkrimtar i madh, kurse i pari mesatar), por pse, ia merr mendja atij, profesorit dhe shkencëtarit tonë, është e leverdishme të thotë se i do shumë dhe i lexon shpesh!


Shihet: është i lumtur.


Sikur të ma falte vetëm një pjesë të vogël të asaj lumturie, ndoshta, do të pajtohesha me shumë çka shoh e dëgjoj sot në jetën tonë, sidomos, në jetën tonë politike. Por, kështu siç jam, pa atë lumturinë e tij, nuk po mund të pajtohem me gjithë çka shoh e dëgjoj, sado mospajtimi më sjell shumë goditje, fyerje, denoncime, gënjeshtra me të cilat bëhen përpjekje të më kyçet goja! Kot. Jam mësuar t’i duroj. Dhe, t’i dëshiroj, sepse e di se sa më tepër të më sulmojnë sot aq më shumë do të jem i çmuar e i dashur nesër, prej brezave të ardhshëm. Pse jo? Do të kuptojnë se për ta, për brezat e ardhshëm, bëj betejat kundër gënjeshtrave, mashtrimeve, padrejtësive, korrupsionit, dhunës e dhunëtarëve. Dëshiroj që ata, brezat e ardhshëm, të mos jetojnë me gënjeshtra, e ndër gënjeshtra, mashtrime, padrejtësi, korrupsion, dhunë si ne, sot dhe deri sot.


Intelektuali, profesori, shkencëtari, që është ulur karshi gazetares, i shkrirë në gas, flet për demonstratat në përgjithësi, kurse për demonstratat e 21 janarit në veçanti.


Nuk mund ta di a e kanë thirrur të flasë apo është paraqitur vullnetarisht që të flasë për to.


Prej të gjitha atyre që thotë në bashkëbisedim me gazetaren, e cila njëkohësisht është edhe spikere, në mendje më nguliten dy tema: popullizmi dhe politizimi, në të vërtetë përkufizimet që u bën ai popullizmit dhe politizmit.


Të them pa u vonuar: edhe popullizmin, edhe politizimin i shpjegon dhe i përkufizon jo siç është e vërteta, jo siç mendon, ndoshta, edhe vetë, por siç i përgjigjet pushtetit, atyre për hir të të cilëve merr pjesë në emision!


 


Popullizmi, thotë, natyrisht i buzëqeshur, të çon në rrugë të gabuar!


Dhe, si shembull me të cilin do të donte ta bënte të bindshëm këtë përkufizim, i merr pikërisht demonstratat e 21 janarit, për dënimin e të cilave është ftuar apo është paraqitur vullnetarisht që të flasë në televizion.


Meqenëse në demonstratat, në protestat, në grevat është i përmbajtur popullizmi; dhe, meqenëse demonstratat, protestat, grevat janë shprehje e popullizmit, atëherë për të dy këto arsye demonstratat, protestat, grevat janë një e keqe politike dhe shoqërore, që do të duhej të mos ndodhë!


Çka të them për përkufizimin që intelektuali ynë, profesori ynë, që dëgjoj, i bën popullizmit?


Nuk besoj se ai, intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj në televizion sot, nuk e di se demonstratat, protestat, grevat, në përgjithësi, prandaj edhe protesta e ndodhur e 21 janarit, janë institucione të rëndësishme të demokracisë, të pranuara si të tilla, si demokratike, në kushtetutat e të gjitha vendeve demokratike.


Nuk besoj se intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, nuk e di dhe nuk e sheh se në shumë vende në kontinentin evropian dhe në kontinente të tjera shumë shpesh bëhen demonstrata, protesta, greve, të cilat, në të shumtën e herave, e përmirësojnë gjendjen e atyre që çohen në demonstrata, në protesta, që hyjnë në greva.


Nuk besoj se intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, nuk e di se në sajë të demonstratave, protestave, grevave janë zgjidhur dhe vazhdojnë të zgjidhen çështje për hir të të cilave edhe bëhen ato demonstrata, protesta, greva.


Nuk besoj se intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, nuk e di se me demonstrata, protesta, greva shumëherë dhe shumëkund i është kontribuar dhe vazhdon t’i kontribuohet shumë demokracisë: zhvillimit, ngritjes, përshtrirjes së saj. Nuk besoj se intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion nuk e di se edhe çështje të mëdha kombëtare janë ngritur , janë ndërkombëtarizuar dhe, më në fund, janë zgjidhur, duke sjellë pavarësinë e disa kombeve, në sajë të demonstratave, protestave dhe grevave.


Pse, atëherë, i dënon ai demonstratat?


Intelektuali ynë dhe shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, i dënon demonstratat, protestat dhe grevat, sepse , duke i dënuar ato, do që t’i urojë ata që demonstruesit, protestuesit dhe grevistët i heshtin apo edhe i lajnë në gjak! Si më 21 janar!


 


E thash se përpos për popullizmin, intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj e dëgjoj në televizion sot, flet edhe për politizimin, në të vërtetë bën një përkufizim të politizimit, ashtu siç e bëri edhe përkufizimin e popullizmit.


Dhe, thotë shkurt: politizim ka në shtresat e ulta. Pikërisht kështu: politizim ka jo në shtresat e larta po në shtresat e ulta. Domethënë: politizimi është një e keqe që karakterizon vetëm shtresat e ulta! E shtresë e ultë, dihet, janë fshatarët, punëtorët, zanatlinjtë, nëpunësit e vegjël, në përgjithësi të pangriturit! Skamnorët! Sigurt do të thotë, me buzëqeshtje edhe tani, se si të pangritur që janë, si skamnorë që janë ata edhe shfrytëzohen për demonstrata, për popullizëm, prej njerëzve të ndryshëm të politikës, që janë kundër atyre që ai, intelektuali ynë, shkencëtari ynë uron: që të jenë gjithmonë në pushtet! Qoftë dhe kur vrasin demonstrues siç vranë më 21 janar.


Duke folur për politizimin prej të cilit vuajnë vetëm “shtresat e ulta”, intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, shton: ne jemi Evropë! Domethënë: pikërisht pse “jemi Evropë” as në shtresat tona të ulta nuk guxon të ketë politizim siç s’paska në Evropë!


Prej shpjegimeve të këtilla që jep intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, rrjedh përfundimi: në Evropë nuk ka politizim të “shtresave të ulta”, sepse politizimi, në këtë mes politika, është privilegj vetëm i shtresave të larta: i shtresave të larta sikundër është ky intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj në televizion sot dhe siç janë ata të cilëve ai do t’u servilizojë sa më barkazi me këto shpjegime të tij jo vetëm kundërdemokratike, por edhe fyese ndaj “shtresave të ulta”, ndaj fshatarëve, punëtorëve, zanatlinjve, nëpunësve të vegjël, ndaj prindërve të shumë pjesëtarëve të “shtresave të larta”, madje, ndaj prindërve të shumë pushtetarëve të cilëve ai u serviloset aq barkazi!


Pse intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj e dëgjoj në televizion sot, e shvlerëson aq shumë politizimin? Pse intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj në televizion sot, ua merr të drejtën “shtresave të ulta” që të mendojnë politikisht, që të kenë bindjet e tyre politike, që t’i shprehin edhe me demonstrata, protesta dhe greva përkatësitë dhe dëshirat e tyre politike?


 


Pse intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj e dëgjoj në televizion sot, çohet kundër të drejtës demokratike të qytetarëve për t’u çuar në demonstrata, në protesta, në greva, duke i quajtur këto prodhuese të popullizmit: të popullizmit që, thotë ai, të çon në rrugë të gabuar?


Ka vetëm një përgjigje të sigurt në këto dy pyetje: sepse është servil; sepse do që t’i servilizojë pushtetit të përtashëm në përgjithësi, kurse ndonjë pushtetari të përtashëm në veçanti; sepse është mësuar që me servilizëm ndaj pushtetit në përgjithësi, kurse ndaj ndonjë pushtetari në veçanti, të përfitojë, t’i shtojë leverditë, që mund t’i ketë të ndryshme. Ato e bëjnë të lumtur. Dhe, le ta bëjnë.


 


Duke e dëgjuar intelektualin tonë, shkencëtarin tonë, që shikoj dhe dëgjoj në televizion sot, se çka flet për demonstratat, për popullizmin dhe për politizimin e “shtresave të ulta”, aq shumë të nënçmuara prej tij, mendja më kthehet në Kosovën e kohës së komunizmit dhe në demonstratat, protestat, grevat e shpeshta që bëheshin kundër regjimit serb. Edhe atëherë disa intelektualë, shkencëtarë, shkrimtarë e krijues të tjerë pa kërkesë apo, me kërkesë të komitetit të LKK-së, ngriheshin kundër popullizmit, që nuk ishte nocion shpesh i përdorur e, në mënyrë të veçantë, kundër politizimit. Jo njëherë i kam dëgjuar disa prej tyre duke thënë se nuk duhet të politizohen njerëzit, nuk duhet të politizohet populli; dhe, nuk duhet të politizohen njerëzit, nuk duhet të politizohet populli, sepse ka kush merret me politikë, janë të merituarit e politikës, udhëheqjet politike që merren me politikë! Çka do të bëhej po të merreshin të gjithë me politikë? Nuk do të kishte kush të punonte: as në fabrika, as në ara e livadhe, as në arsim, as në shëndetësi!


Pse këta intelektualë – shkencëtarë, shkrimtarë e krijues të tjerë ngriheshin kundër të ashtuquajturit politizim? Pse thoshin se nuk pajtohen që të gjithë të fusin hundën në politikë? Pse thoshin se ka kush merret me politikë edhe për ta, në vend të tyre?



Ka vetëm një përgjigje të sigurt: sepse ishin intelektualë servilë dhe donin t’i servilizonin pushtetit komunist. Ishte koha kur shqiptarët, më së shumti studentët, punëtorët, fshatarët, kur e kur edhe nxënës të shkollave të mesme, bënin demonstrata, protesta, greva kundër politikës së shtypjes e të dhunës së pushtetit serb e me të edhe të pushtetit jugosllav ndaj shqiptarëve në Kosovë.


Nuk është e nevojshme të flitet tani se sa i madh, se sa vendimtar ishte roli i këtyre demonstratave, protestave, grevave për ardhmërinë e Kosovës, për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës. Është e padyshimtë se pa to Kosova nuk do të ishte çka është sot: Kosovë e lirë, e pavarur dhe gati sovrane. Dhe, nuk do të ishte çka është sot, sepse pa to nuk do të krijohej as Ushtria Çlirimatre e Kosovës, që e çliroi Kosovën.


 


Të ngrihesh kundër demonstratave, protestave, grevave siç ka ndodhur dhe siç po ndodh të ngrihen disa intelektualë, shkencëtarë e krijues tanë të tjerë, siç u ngrit kundër demonstratave dhe kundër politizimit “të shtresave të ulta” intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj në televizion sot, domethënë të ngrihesh kundër demokracisë pa të cilën nuk ka liri, domethënë të vihesh në shërbim të regjimeve edhe kur ato shpërdorojnë demokracinë, edhe kur ato shkelin Kushtetutën e vendit, edhe kur ato e humnerojnë kulturën politike dhe kulturën në përgjithësi, edhe kur ato i bëjnë mjete të tyre gënjeshtrën dhe dhunën, edhe kur ato vrasin protestues që protestojnë kundër korrupsionit dhe dhunës së tyre, siç vranë më 21 janar!


Tiranët, despotët, diktatorët nuk i bën të tillë natyra; nuk i bën të tillë i Madhi Zot. Jo. Tiranët, despotët, diktatorët i bëjnë të tillë servilët, lajkatarët, puthadorësit – kjo faunë rrëshqanësish njerëzorë, që aq shumë rrenën, mashtrimin dhe dhunën e ka frymëzuar dhe e ka bërë të mundshme në jetën tonë.


Pas rënies së komunizmit servilizmi ndaj pushtetit do të duhej të ishte komprometuar njëherë e përgjithshmonë në jetën tonë politike, kurse servilët, lajkatarët, puthadorësit, do të duhej të kishin marrë mësimin e duhur. Por, sikundër po shihet, jo vetëm prej servilizmit të intelektualit tonë, të shkencëtarit tonë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, që nuk do të përtonte t’i servilizonte as kolonelit të çmendur të Libisë, siç s’po përton t’i servilizojë kryeministrit delikuent dhe parak të Shqipërisë, kjo nuk ka ndodhur: as servilizmi nuk është komprometuar, as servilët, puthadorësit e të pushtetshmëve nuk kanë marrë mësimin e duhur, në sajë të të cilit do të duhej t’u drejtohej kurrizi aq shumë i përtokur.


Servilë, puthadorës, sot, ndoshta, mund të ketë pak më pak se në kohën e komunizmit, por aftësia e tyre për të servilizuar, për t’u përtokur është përsosur. E kuptueshme: sasia e djeshme e servilizmit ka sjellë cilësinë e sotme të servilizmit, që aq mjeshtërisht, aq artistikisht, aq puthadorshëm e tregoi intelektuali ynë, profesori ynë, shkencëtari ynë, që shikova e dëgjova në televizion sot, e që aq shumë i do e aq shpesh i lexon vetëm Konicën dhe Fishtën! As Naimin, as Nolin, as Lasgushin, as Migjenin, por vetëm Konicën e Fishtën!


Medet për ne! Medet për mua! Pesëdhjetë vjet bëj punë Sizifi: të gjitha betejat kundër servilizmit i kam humbur! Shkolla jonë e servilizmit po tregohet shumë më ndikuese dhe shumë më e çmuar se vepra ime!


Prishtinë, 6.3.2011


(Artikull i botuar në Gazetën Shqiptare) 

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …