Mora pjesë në Festën e Çlirimit të Zerqanit më 3 gusht, 2026
Përshëndes gjithë të pranishmit, që kanë ardhur të përkujtojnë këtë datë historike të Çlirimit të ish-n/Prefekturës të Zerqanit!
Falenderoj znj. Festime Mjeshtrin, që kujdeset për përkujtimin e datave historike, si dhe kryetarin e Komitetit të Veteranëve të rrethit të Bulqizës, z. Xhevat Jella, që është kujdesur për përkujtimin e kësaj date!
Festimi i datave të çlirimit të krahinave e rretheve nga pushtuesit nazifashist ka rëndësi si për brezin që e ka përjetuar apo ka mësuar më vonë, por edhe për brezat e rinj, që të mësojnë nga e kaluara për të mbrojtur mëmëdheun.
Si është çliruar Zerqani, sipas dokumenteve arkivore e kujtimeve të veteranëve dhe të fshatarëve të atyre viteve?
Me datën 2 gusht 1943 katër çetat partizane të Batalionit Partizan të Dibrës ishin në fshatin Sopot, ngjitur me Zerqanin.
Haxhi Lleshi, komandant i Batalionit Partizan të Dibrës, thotë: “Nesër të gjitha çetat e Batalionit Partizan të Dibrës, do të luftojmë për çlirimin e Zerqanit”.
Ahmet Cami, komandant i çetës partizane të Gollobordës i përgjigjet: “Nuk ka nevojë të sulmojmë nesër, sepse z/prefekti Pajazit Përvizi, që e kam mik, ka dhënë dorëheqjen dhe komandanti i ushtrisë, që e kam shok, ka shpërndarë ushtrinë. Kështu që nuk do të bëjmë luftë me popullin, por do të futemi të gjitha çetat paqësisht”. Ashtu u futën partizanët paraditen e 3 gushtit 1943 pa luftë si triumfatorë dhe u pritën nga populli me duartrokitje e buqeta me lule.
Është meritë e Ahmet Camit që popullsia e Zerqanit e përjetoi çlirimin e n/ Prefekturës paqësisht.
(PS: Kam lexuar në Fondin personal të ish/komandantit të Batalionit Partizan të Dibrës që, ka sajuar e manipuluar dhe shtrembëruar realitetin, sikur është bërë luftë dhe e denigron e shpif për Ahmet Camin dhe se e kishte kërcënuar Ahmetin.
E kush guxonte ta kërcënonte Ahmet Camin?!?!”
Pas shpine apo pas vdekjes të Ahmet Camit ka shkruar sipas mendimeve dhe fsntazisë së tij.
Në kërkim të Ditarit të LANÇ të babait tim, Ahmet Camit, u njoha me Fondin e tij personal si me shpifjet, deformimet e manipulimet dhe akuzat që ka bërë ndaj Ahmet Camit dhe gjithë fisit Cami, që i ka quajtur amiq e tradhëtarë, që i ka lënë lënë.
Unë bëra një botim të posaçëm, që bëja sqarimet dhe faktet sipas arkivit. Atë botim e kam depozituar vetëm në Bibliotekën e Arkivit, ku kam shënuar, se të drejtën për publikim e ka autori, dmth, Tefta Cami.
Kur publikoi gazeta “Panorama” materiale nga Fondi personal i tij, u detyrova t’i publikoj materialet e botimit tim, duke dhënë sqarimet e nevojshme. Me shkrimet e lëna në Fondin e tij mendoj, se ka synuar, që të mohojë kontributin e Ahmet Camit, për të nxjerrë veten e tij si të parë.
Edhe kryetari i Komitetit të Veteranëve të Bulqizës, z. Xhevat Jella, duke iu përmbajtur maketit të Historisë të LANÇ të popullit të Dibrës të hartuar prej tij e bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë, Sul Baholli para viteve ‘70, që familja ime dhe 4-5 veteranë të Dibrës kanë qenë kundra, që ata i përjashtuan nga partia.
z. Xhevat ka deklaruar, se “Çeta Partizane e Gollobordës është krijuar në fund të gushtit 1943”. Sipas tij dëshmori i çetës së Gollobordës, Mexhit Tola, që është vrarë në betejën e Sofroçanit, është futur në çetën e Gollobordës pas rënies dëshmorë. Sa qesharake është ky manipulim!?
I kam çuar një mesazh, që të bëhet një takim e diskutim me historianë e veteranë, ku të jemë e pranishme edhe unë për Çetën e Gollobordës.
z. Xhevat Jella organizon një sesion të mbyllur më 24 korrik në Gjoricë pa më ftuar mua dhe kush ka qenë e ç’është thënë nuk dihet.
Ja kam bërë të qartë, se dibranët nuk pritën të vijnë misionarët nga Beogradi, për t’u organizuar e luftuar kundër forcave pushtuese fashiste italiane, sipas dokumenteve të Arkivit dhe dëshmive të kujtimeve të veteranëve të Çetës Partizane të Gollobordës me komandant Ahmet Camin, që i ka mbledhur Mois Cami dhe janë botuar në librin me titull:
Ditar Autentik i burgut si Antifashist i Ahmet Fetah Cami në vitet prill1 941-korrik1942 .. Ky libër përmban ditarin e burgut të Ahmet Camit dhe kujtime e studime për LANÇ në atë krahinë. Këtë botim ia kam dhanë edhe Komitetit të Veteranëve të rrethit të Bulqizës prej vitesh.
Çeta atdhetare e Malit të Gollobordës është krijuar në janar të vitit 1940 nga Ahmet Feta Cami dhe Uke Dan Cami, që ishte kryetar i Malit të Gollobordës. E krijuan sipas traditës të baballarëve të tyre, që kishin çeta gjatë Luftës të Parë Botërore. Ishte çetë, që kishte luftëtarë nga disa fshatra: Golovisht e Viçisht, Gjoricë, Shupenzë, Homesh, Luzni, Tërnovë, Dibër e Madhe etj.
Në fund të marsit dhe me 2-3 prillë çeta bën dy aksione, që fusin në pushkatim 8 vetë (7 Cami dhe 1 nga Luznia). Me që ishin të palidhur e natën, skuadra e fashidtëve italian te pushkatimit arritën të pushkatonin vetëm Ejup Shahin Camin, Musa Rrahman Camin e Mexhit Lezin. Të tjerët janë larguar. Në muajin prill 1941-korrik 1942 arrestojnë 19 burra e djem Cami.-Janë listat në Arkivin e MPB të atyre viteve, që janë venë fotokopje në libër.
Në maj të vitit 1943 Ahmet Cami e kthen çetën në çetë partizane dhe ndahet Ahmet Cami me Uke Dan Camin me marrëvedhje. Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptarë botim i ASHSH, në vitin 1985 edhe çeta partizane e Gollobordës radhitet me çetat e tjera partizane të Shqipërisë.
Mendoj, që kryetari i Veteranëve të rrethit të Bulqizës, të shkojë e t’i studiojë e verifikojë në AQSH.
Ndërsa për formacionet partizane si të Batalioneve e Brigadave të rretheve të tjera ka materiale arkivore të vendeve e datave të formimit dhe emrat e drejtuesve.
Vetëm për Batalionin Partizan të Dibrës një personazh i panjohur, Pali Carapuli ka futur një material për Batalionin e Dibrës në vitet 1980.
Kryetarin e Veteanëve të Bulqizës e kam ftuar në Sesionin Shkencor, që është zhvilluar në tetor 2023 për kontributin në histori të fisit Cami, ku përfshihej edhe Çeta Antifashiste Partizane të Gollobordës. Me atë rast është dhënë edhe një Dokumentarë. Por zotërinjtë Xhevat Jella dhe Veli Miftari nuk erdhën, me pretekstin, siç më tha z. Miftari merrte pjesë e referonte z.Halil Rama.
U befasova e trishtova nga ajo përgjigje. Ç’bëhet kështu? Në vend që të gjejnë pikat që i bashkojnë, i shikojnë e trajtojnë me urrejtje e si armiq drejtuesit e Shoqatës tjetër të Veteranëve. Këto qëndrime sektare nuk kanë të bëjnë me traditën e bukur të shqiptarëve.
Në Duhet të mësojmë nga aksioni i Kosovës që, para fillimit të Luftës kundër sulmeve të divizionit pushtuese “patkoi” të Serbisë, organizuan pajtimin e gjaqeve të drejtuar nga një grup intelektualësh të shquar patriotë e veteranë dhe të drejtuar nga akademiku i shquar Andon Çeta. Kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri gjatë LANÇ-re.
Këto përvoja të bashkimit të popullit shqiptarë duhet të na udhëheqin në çdo kohë, për ta mbrojtur Shqipërinë e për të arritur bashkimin e kombit shqiptarë. Ideali i shqiptarëve nuk janë fetë e patirat, por shqiptaria që na bashkon.
Ne pasardhësit e veteranëve duhet të punojmë, që të ngjallim dashurinë e respektit dhe mirëkuptimin në familje e shoqëri, ndjenjat e solidaritetit e të bashkëpunimin, ndjenjat e ndihmës e të mbështetjes për njeri-tjetrin. Na duhet të jemi të vendosur, që të mos ketë urrejtje e hakmarrje nga ASNJË shqiptarë!
X
Në vitin 1943 forcat naziste gjermane futen nga Dibra e Madhe në Shqipëri nëpërmjet Bllatës dhe Urës të Spiles.
Më 8 shtator 1943 – Italia kapitulloi
dhe më 12 shtator 1943 – Divizioni italian „Firence“ fillon të largohet nga Dibra e Madhe në drejtim të Shqipërisë, nëpër Bllatë–Ura e Topojanit–Bulqizë dhe Ura e Spiles–Maqellarë–Çerenec–Bulqizë.
Në vjeshtën e vitit 1943, forcat gjermane fillojnë operacionet në zonën e Dibrës dhe kalojnë drejt territorit shqiptar. Një nga goditjet kryesore në Dibër të Madhe ndodhi më 31 tetor 1943, kur forcat gjermane sulmuan qytetin.
Më 16–21 nëntor 1943, u zhvillua operacioni i madh gjermano-ballist në zonën e Dibrës; më 17 nëntor Dibra e Madhe u dogj dhe u plaçkit.
Një pjesë e forcave naziste të Divizionit gjerman kalojnë nga Ura e Spiles e futen në Shqipëri në Miresh e Tërbaç. Prej Mireshit forcat gjermane janë shoqëruar nga Mahmut Përvizi, që u ka thënë gjermanëve:” Fshatrat nga do të kalojmë të mos preken, se janë krahina ime!”
Kalojnë fshatin Tërbaç dhe qëndrojnë në Golovisht. Spërkasin me lëndë djegëse gjithë avllinë e shtëpisë të Ahmet Camit, për ta djegur.
Del nëna ime Bejaze në dritaren e katit të parë dhe i thotë Mahmut Përvizit, që e kishte dajë: “A ty të paska ra rradha të djegish fëmijët e Ahmet Camit?”
Mahmut Përvizi e ngushëllon për Ahmet Fet Camin e Fasli Fet Camin, që kishin rënë dëshmorë! U thotë gjermanëve:”Të mos digjet kjo shtëpi, se janë vrarë të gjithë burrat dhe kanë mbetur vetëm gra e fëmijë!”
Forcat naziste gjermane kalojnë fshatrat Çerenec e Mallkastër, Strikçan e Sopot dhe në fshatin Zerqan djegin shtëpitë e Riza Novakut e të Arif Casulës, se ishin partizanë.
Arrijnë në Martanesh. Siç më ka thënë ish-partizania e Batalionit partizan të Martaneshit, Zene Koxherja:”Ne u dualëm forcave gjermane me armë dhe një pjesë, që nuk kishim armë kuftuam me lopata e sopata dhe cfurqe. Prandaj e dogjën Martaneshin, sepse bëmë rezistencë. Më vranë edhe vëllain, që studionte në Itali dhe kishte ardhur për të luftuar në Shqipëri”.
-E pyeta: “Është shkruar, se ju shpëtoi Çeta Partizane e Zogje.”
-“Çfarë shpëtimi!- M’u përgjigj, Zenia: Gjermanët për një kohë të shkurtër na bënë shkrum”.
z. Ilirir Koxheri më ka shkruar për personalitetin e dëshmorit Hysen Koxheri:
”Hysen Koxheri, xhaxhai im, ka lindur në vitin 1920 dhe është pushkatuar nga nazistët gjerman në Kampin e Prishtinës më 1944.
Pas mbarimit të shkolles fillore me ndihmen e një mësusi Elbasanas që ishte në Martanesh, shkoi në shkollën Normale në Elbasan dhe nga aty në një shkollë karabinjerie në Itali. Kthehet gjatë luftës në vendlindje dhe inkuadrohet në Çetën e Martaneshit dhe më vonë në Batalionin e Martaneshit.
Kur erdhën forcat italiane të Divizionit “Firence” në Martanesh Hxseni u ndodh aty. Forcat italiane u shpërndanë në të gjithë krahinën duke bërë plaçkitje,djegie,marrje bagëtish e gjërave të florinjta të grave etj.
Te parin që kapën ishte Hajdar Zhaboli i cili po punonte tokën, por kishte veshur një kostum karabinjeri i cili ishte bërë gjithë baltë. Duke menduar se ai e kishte vrarë karabinjerin dhe i kishte marrë kostumin deshin ta pushkatonin aty. Nderhyn Hyseni që dinte italisht dhe e shpëton Hajdarin. Pas kontrollit të të gjitha fshatrave dhe grabitjes së gjërave në kthim morën të gjithë burrat që ndodheshin nëpër shtëpia dhe i çuan në Nerkru (Krasta e sotme)dhe i rreshtuan për t’i pashkatuar. Këtu ndërhyn përsëri Hysen Koxheri dhe i bind italianët, që të mos i pushkatonin mbi 50 burra nga krahina.
Por italianët për t’u siguruare e morën peng Hysenin deri në Bulqizë ku, jo vetëm nuk e lëshuan, por edhe e futën në një gazermë. Hyseni, duke shfrytëzuar errësirën e natës arrin të hapë një dalje nga mbrapa gazermës dhe të largohet.
Më vone Hysen Koxheri dërgohet me detyrë nga Baba Faja në Tiranë së bashku me Koli Priftin i cili, Koli me të ardhur në Tiranë, e tradhëton Hysenin tek gjermanët dhe vetë bashkohet me ta. Pas arrestimit Hyseni dërgohet në Kampin e Prishtinës, ku pushkatohet me 103 shokë të tjerë. Është dëshmorë i LANÇ-e.”
(PS: Në Kampin e Prishtinës është pushkatuar edhe komisari i Çetës Partizane “Ahmet Cami”, Spiro Velko.)
Kur isha për vizitë në Kosovë si ministre e Arsimit dhe Kulturës e ftuar prej tyre nga 6-10 tetor 1980 kam bërë homazhe dhe kam vënë një kurorë tek varrezat e Kampit të Prishtinës)
Nuk e di se ç’dekorata ka, por duhet propozuar për “Dekorata e Artë e Shqiponjës”.
X
Festa e Zerqanit festohej shumë bukur në Sistemin e kaluar. Vinin nga të gjitha fshatrat e Grykës të Madhe dhe të Grykës të Vogël. Visheshin me kostumet kombëtare gratë e vajzat dhe mbushnin të gjitha livadhet, që ndodhen rreth e rrotull të rrethuara me hije e ujra të ftohtë. Hapeshin dyqane veshmbathje, ushqimore dhe të pijeve alkolike e të lëngjeve freskuese të frutave, që prodhoheshin në Ndërmarrjen Shtetërore të Përpunimit të Frutave e Perimeve dhe të Bylmetrave në qytetin e Peshkopis.
Pasi mbaheshin fjalimet, bëhej një koncert me karakter kombëtarë. Për herë të parë kam ardhur në Festën e Zerqanit më 3 gusht 1953, ku ka kënduar edhe “Artistja e Popullit” soprania e talentuar Tefta Tashko bashkë me këngëtarë e valltarë të tjerë, dmth, ajo ka qenë e pranishme e ka lënë gjurmë në Zerqan.
Familjet uleshin për piknik nën hijet e pemëve e hanin drekën. Shpesh mblidheshin 2-3 familje dhe gëzonin e buzëqeshnin së bashku.
Në Festën e Zerqanit shiheshin e takoheshin për herë të parë të rinj e të reja, bëheshin fejesa e lidheshin miqësi midis fshatrave e krahinave të ndryshme, duke thyer tabutë e fejesave e martesave vetëm brënda krahinës. Kjo hapje ka ndikuar për shkëmbim përvojash midis krahinave dhe për një emancipim të përgjithëshëm.
X
Kur erdha sot, u mahnita nga veshjet me kostume kombëtare të vajzave dhe djemve, që këndonin këngë dhe kërcenin valle popullore.
Do t’i sugjeroj Bashkisë të Bulqizës që:
I- Veshja e nuseve dhe të vajzave të Zerqanit, Grykës së Madhe.
II-Vallja katërshe e vajzave të Zerqanit
T’i propozohen Ministrisë të Kulturës, që t’i miratojë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Nevojë për Mbrojtje Urgjente, si dhe t’ia dërgojë propozimin UNESCO-s
Për çdo ndërtim e ndryshim të fshatit Njësia Administrative e Zerqanit duhet të marrë mendimin e komunitetit, banorëve të fshatit.
Do dëshiroja që edhe fshati Zerqan të propozohej, që të bënte
pjesë në zonën shqiptare të Trashëgimisë Kulturore që të mbrohej me ligj nga shteti, nëse do të ishte me kalldrëm si dikurë dhe me çesmet origjinale në çdo lagje.
Por drejtuesit e Këshillit të Komunës të Zerqanit i kanë betonuar rrugët dhe e ngjitën depozitën e ujit në lartësi mbi 10 metra nga burimi në tokën e një pronari pa pyetur e paguar pasardhëset e pronarit. Për t’u ngjitur uji nga burimi e kanë bërë me pompë e korrent. Nuk e kuptoj, se si i kanë bërë e zbatuar këto lloj projektesh të mbrapshta.
X
Më ka bërë përshtypje që në fëmijëri që Zerqani si dhe gjithë fshatrat e Grykës të Madhe përdorin shprehjet:”A mun erdhe, o lum! Ç’do të të jap, o lum?! Do të të bëj këtë, o lum!
Çdo gjë vazhdojnë ta shoqërojnë
me thirrjen: “o, lum!”
Kjo thirrje shpreh ndjenjën e dashurisë të vëtetë, të sinqeritetit e çiltërsisë, të solidaritetit e bashkëpunimit dhe, mbi të gjitha, të zemrës të hapur të zonjës të shtëpisë për miqtë e mikeshat.
Kjo dashuri e mirëkuptim na duhet ta ruajmë dhe ta shprehim kudo në marrëdhëniet familjare e shoqërore, në punë e familje dhe në çdo marrëdhënie!
Prandaj ta duam e mbështesim njeri-tjetrin! Ta duam familjen e të afërmit! Ta duam e zhvillojm fshatin! Ta duam e ta mbrojmë Shqipërinë! Ta duam e ta mbrojmë kombin shqiptarë!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë e u bashkoftë kombi shqiptarë!
Tefta Cami
Zerqan, e hënë, 3 gusht, 2026
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
