84 vjet më parë -më 25 gusht 1942, në Tiranë u themelua gazeta “Zëri i Popullit” nga Enver Hoxha, i cili ishte edhe kryeredaktori i parë i saj.
Fillimet e saj i kishte nëpërmjet buletineve, të cilat u bënë tribunë e vegjëlisë për t’iu përgjigjur thirrjes së PKSh-së, të udhëhequr nga Komandanti Enver Hoxha, për pjesëmarrjen e tyre, duke rrokur armët në luftën kundër nazifashizmit dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
“Zëri i Popullit” u shërbeu njerëzve të thjeshtë si mjet informimi dhe mobilizimi, sepse pa informimin dhe mobilizimin e masave popullore nuk do të kishte as fitore.
Kjo gazetë luajti një rol shumë të madh në përgatitjen e kryengritjes së armatosur të popullit shqiptar, nën udhëheqjen e PKSh-së, me në krye kolosin Enver Hoxha, e cila u bë tmerr për armikun dhe u kurorëzua me sukses me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Gazeta “Zëri i Popullit” luajti një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por edhe gjatë periudhës së ndërtimit të socializmit.
Kjo gazetë, gjatë periudhës së Epokës së Lavdishme Enveriane, shërbeu si një nga mjetet më të rëndësishme të informimit, duke shpalosur djersën, punën, sukseset dhe fitoret e arritura nga populli shqiptar gjatë realizimit të planeve pesëvjeçare për ndërtimin e Shqipërisë së Re, nën udhëheqjen e PPSH-së, me në krye Arkitektin e madh, Vizionarin e popullit shqiptar, Enver Hoxha.
Ajo, njëkohësisht, u bë një tribunë e rëndësishme jo vetëm për popullin shqiptar brenda Shqipërisë, por edhe për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe shoqërore të shqiptarëve matanë kufirit.
Roli i saj i çmuar ishte jo vetëm për shqiptarët brenda dhe matanë kufirit, por ajo u bë tribunë e së vërtetës për proletariatin ndërkombëtar, duke u shërbyer si armë popujve që luftonin kundër kolonializmit, për liri dhe pavarësi, si dhe për ndërtimin e një shoqërie të re pa shtypje dhe shfrytëzim, për një shoqëri progresive në interes të masave popullore.
Këtë rol të çmuar gazeta “Zëri i Popullit” e luajti vetëm në Epokën e Lavdishme Enveriane.
Në postkomunizëm, Partia Socialiste, siç grabiti çdo gjë që i përkiste PPSH-së, grabiti edhe emrin e kësaj gazete, të cilin, në vitet e para të krijimit të kësaj force gjoja të majtë, e përdori për interesat e saj.
Por sot PS-ja, fatkeqësisht dhe paturpësisht, ka hequr dorë prej kësaj gazete, duke tradhtuar haptazi interesat e së majtës, së cilës gjoja pretendonte t’i përkiste dhe ta mbronte.
Por populli dhe shqiptarët e ndershëm i njohin mirë ata dhe nuk gënjehen më nga demagogjia e tyre.
Ata e dinë mirë se sot ajo forcë e majtë që pretendohej se ishte në të kaluarën është kthyer tërësisht djathtas, duke shprehur interesat e oligarkisë financiare dhe të borgjezisë së madhe.
Sot, jo vetëm që nuk ekziston gazeta “Zëri i Popullit”, e cila duhet të ishte një gazetë e fuqishme që të pasqyronte zhvillimet politike, sociale, ekonomike, kulturore dhe kombëtare të vendit, por ajo ka pushuar së qeni, sepse i tremb “Zëri i Popullit”.
Fatkeqësisht, zërin e popullit nuk e dëgjon askush.
Politikanët interesohen gjoja për ta vetëm në kohë fushatash elektorale.
Këtë e bëjnë derisa t’ua marrin votat atyre.
Por më vonë, kur marrin pushtetin, nuk duan më të dinë për ta, as nuk pyesin dhe as nuk kujtohet kush për ta.
Shqiptarët e ndershëm do ta kujtojnë dhe do ta nderojnë me përulësi gazetën “Zëri i Popullit” dhe do t’i jenë gjithmonë mirënjohës për rolin e saj historik dhe të pazëvendësueshëm!
Lavdi gazetës “Zëri i Popullit” në Epokën e Lavdishme Enveriane!
Lavdi Komandantit Strateg Enver Hoxha!
Shpresa Bajraktari
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
