leoni

Turqia

Rexhep Tajip Erdogan: Turqia nuk e përkrah anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Kryetari turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka bërë me dije se vendi i tij nuk e përkrah anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Ai ka thënë se Turqia mund ta përdorë statusin e saj si anëtare e aleancës ushtarake perëndimore për të vënë veto kundër pranimit të të dyja vendeve. “Ne po ndjekim me kujdes zhvillimet në lidhje me Suedinë dhe Finlandën, por nuk jemi të një opinioni të favorshëm”, u tha Erdogani gazetarëve. Udhëheqësi turk e shpjegoi kundërshtimin e tij duke përmendur mbështetjen e supozuar të Suedisë dhe vendeve të tjera skandinave për militantët kurdë dhe të tjerët që Turqia i konsideron si terroristë.

Ai akuzoi gjithashtu Greqinë, një aleate e NATO-s, për përdorimin e aleancës kundër Turqisë, duke thënë se Ankaraja nuk dëshiron përsëritjen e atij “gabimi”, raporton REL. Erdogani nuk tha drejtpërdrejt se ai do të bllokonte çdo përpjekje për pranim që dy vendet nordike mund të bënin, por NATO i merr të gjitha vendimet e saj me konsensus, që do të thotë se secili nga 30 vendet anëtare ka një veto të mundshme se kush mund të bashkohet.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Finlanda dhe Suedia, nëse do të aplikojnë zyrtarisht për t’u bashkuar me organizatën më të madhe të sigurisë në botë, do të priten me krahë hapur. Procedura e anëtarësimit mund të bëhet brenda “dy javësh”, kanë thënë disa zyrtarë të NATO-s, megjithëse mund të duhen rreth 6 muaj që vendet anëtare të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit. Ndërkohë, një raport i Qeverisë suedeze mbi situatën e ndryshuar të sigurisë, me të cilën përballet vendi nordik pas pushtimit rus të Ukrainës, thotë se Moska do të reagonte negativisht ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO dhe do të nisë disa kundërmasa. Analiza e politikës së sigurisë e Qeverisë suedeze, e cila do të përdoret si bazë për kabinetin e kryeministres Magdalena Andersson për të vendosur nëse do të kërkojë anëtarësimin në aleancën ushtarake perëndimore, iu prezantua ligjvënësve suedezë të premten. Partia Social Demokratike në pushtet e Suedisë, e udhëhequr nga Andersson, pritet të zbulojë vendimin e saj të dielën.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …