RKL

RKL: Beogradi e Kremlini kanë intensifikuar fushatën kundër Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht

Fillimi i këtij vitit në Kosovë shënon një shkallëzim të ri të situatës së sigurisë në vend, në radhë të parë nga paaftësia shumëvjeçare e kreut politik dhe institucional të vendit në drejtim të forcimit të Shtetit të Kosovës, por edhe nga presioni sistematik i Serbisë, Rusisë dhe i një segmenti të BE-së që iu ka bërë dhe po i bëhet Kosovës, me qëllim të diskreditimit të pavarësisë së saj dhe përpjekjeve konstante të Kremlinit zyrtar për ta mbajtur Ballkanin gjithnjë si fuqi baroti  dhe Serbinë si xhandarin e Kremlinit e të BE-së.

 

Kremlini zyrtar ka reaguar kundër Qeverisë së Shqipërisë duke nënvizuar se: “deklaratat e kryeministrit Edi Rama për Serbinë, në lidhje me Kosovën dhe Maqedoninë, janë ato  që mund të shkaktojnë konflikte të reja etnike në Ballkan, thuhet në një kumtesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Madje thuhet se ato  rrezikojnë integritetin territorial të shumë shteteve të rajonit. Kemi përcjell deklaratën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama më 14 janar, që ka të bëjë me përfshirjen e Partisë së tij Socialiste në procesin e krijimit të UÇK-së dhe luftës për Kosovës, si dhe kontributin e kësaj partie në procesin e miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, me të cilin gjuha shqipe mori statusin e gjuhës së dytë zyrtare”, thuhet mes tjerash në kumtesën e Ministrisë  së Jashtme të Rusisë. Kjo deklaratë u publikua në akord me kërcënimet që vinë nga ministria e Mbrojtjes së Serbisë, lidhur me vrasjen ditë më parë të serbit, Oliver Ivanoviq, edhe pse dyshimet se atë e kanë vrarë serbët janë të tejdukshme kudo në Serbi dhe në opinionin ndërkombëtar.

Këto kurdisje, kësaj radhe janë të akorduara në të gjitha nivelet. Rusia përmes rusofilëve serbë dhe një segmenti të Qeverisë e të Shtetit të Serbisë krejt hapur organizon banda mercenarësh diversantë, ashtu sikur bëri në Mal të Zi, kur u përpoq të merrte me dhunë pushtetin, ashtu sikur bënë edhe në Kuvendin e Maqedonisë, me rastin e emërimit të Talat Xhaferit, në postin e kryekuvendarit, kur militantët e VMRO-DPMNE-së rrahën e përgjaken deputetët shqiptarë dhe sllavomaqedonas, me qëllim për ta penguar koalicionin qeveritar të partive shqiptare me partinë Socialdemokrate të Zoran Zaevit, i cili u kishte premtuar shqiptarëve barazinë e gjuhës shqipe.

Kurdisja e vrasjes së Oliver Ivanoviqit ka një prapavijë të rrezikshme, sepse nuk është ky rasti i parë që Beogradi cakton paraprakisht “qengjin e flijimit”, apo sikur i thonë ata “kokën e turkut” për të arritur qëllimet. Tashmë të gjithë e dinë se kush e ka vrarë Ivanoviqin. Për përgatitjen e sulmit ai ishte i paralajmëruar dhe këtë e ka pranuar sa e sa herë. Ishte një vrasje me paralajmërim dhe me paramendim, kjo nuk do koment, ashtu sikur dihet mirëfilli edhe pretendimi, apo “pazari” për ta shitur sa më shtrenjtë kokën e Ivanoviqit. Dhe tani për tani Serbia e ka arritur këtë. Me pretekst kundër vrasjes së politikanëve serbë, ajo do të kërkojë ta kontrollojë veriun, madje edhe me ndonjë intervenim të mundshëm ushtarak, nëse merr leje nga Rusia zyrtare, si dhe të ankohet në BE se Kosova është e paaftë t’ i mbrojë serbët në veri, andaj duhet të themelohet i ashtuquajturi Asociacion i komunave serbe, jo sipas Kushtetutës së Kosovës e Ahtisarit, por sipas kërkesave që i ka shtuar Serbia, në Bruksel më 19 prill të vitit 2013 dhe të cilat i kanë nënshkruar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me vrasjen e Ivanoviqit janë bërë përpjekje që të joshën politikanët e ish nomenklaturës së bashkim vëllazërimit, në mënyrë që kjo vrasje t’i ofrojë disa qarqe shqiptare rreth idesë së përbashkësisë. Ishte i menjëhershëm reagimi i multimilionerit Veton Surroi, i cili kërkoi që një delegacion e deputetëve shqiptarë  të Kuvendit të Kosovës të marrë pjesë në varrimin e mikut të tij, Ivanoviq, me të cilin ai ka pasur miqësi edhe pse Ivanoviq me bandën e tij kriminale e cila akuzohet se ka vrarë 39 shqiptarë gjatë kohës së Luftës në Mitrovicë,  ndërsa  10 të tjerë pas luftës kur edhe kanë dëbuar nga veriu i qytetit rreth 12. 000 shqiptarë.

Lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, Ministria e Punëve të Brendshme në Serbi i ka dërguar kërkesë EULEX-it dhe misionit të UNMIK-ut në Kosovë për të përfshirë organet serbe në hetimin e vrasjes. Drejtori i Policisë, Vladimir Rebiq dhe Byroja Qendrore Kombëtare e Interpolit në Beograd e cila është pjesë e Ministrisë, i dërgoi një kërkesë të përsëritur EULEX-it dhe UNMIK-ut në të cilën është insistuar të përfshihet MUP-i serb në hetime, në mënyrë që të gjenden autorët e këtij krimi të rëndë. Është e nevojshme që policia serbe të përfshihet në hetim si dhe të informohet për të gjitha masat dhe veprimet e ndërmarra deri tani. Më herët ministrja e Drejtësisë në Serbi, Nela Kuburoviq ka thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje nga EULEX për kërkesën që Serbia të marrë pjesë në hetimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Këtë kërkesë të  shtetit të Serbisë që t’i kryejë hetimet për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi e ka interpretuar si “ndihmë” që ky shtet mund të japë në zbardhjen e rastit. Thaçi ka njoftuar se gjatë një bisede telefonike me Aleksander Vuçiqin, janë dakorduar për shumë çështje. Një çështje e veçantë, e cila u diskutua ndërmjet dy kryetarëve, ishte edhe vrasja e serbit, Ivanoviq. Lidhur me këtë çështje kryetari Thaçi ka siguruar Vuçiqin e Serbisë  se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje, ka thënë ai.

Pavarësisht përgjigjes lakonike të kryetarit Thaçi, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se Serbisë nuk do t’ i lejohet të marrë përsipër hetimin e rastit, sepse kjo shkel sovranitetin e Kosovës në veri, edhe pse dihet fare mirë se Shteti i Kosovës vetëm në mënyrë simbolike  e improvizuese e kontrollon veriun, por nuk ka kurrfarë sovraniteti të cilin do ta pranonin serbët e atjeshëm dhe Beogradi zyrtar.

Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka thënë se Ushtria e Serbisë është e gatshme dhe e aftësuar materialisht e me kuadro, mirë e armatosur dhe e pajisur që të zbatojë çdo urdhër të kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe të organeve shtetërore në mbrojtje të territorit, të rendit kushtetues, të paqes dhe të stabilitetit të gjithë hapësirës së Serbisë, duke lënë të nënkuptohet se Kosova është pjesë integrale e asaj hapësire. Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, duke  folur për deklaratën e Aleksandar Vulinit ka thënë se kjo forcë vazhdon të garantojë një mjedis të sigurt dhe të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, nën dispozitat e rezolutës së OKB-së 1244 për të gjithë qytetarët e të gjitha etniteteve.  Dihet se rezoluta në të cilën thirret KFOR-i, pranon sovranitetin e Serbisë në Kosovë dhe kjo bën që Serbia të insistojë fillimisht ta marrë sovranitetin në Veri, duke pretenduar se atje Kosova nuk ka sovranitet dhe serbët nuk pranojnë që të qeverisën nga Prishtina zyrtare.

Serbia zyrtare kërkon të lejohet në hetojë rastin në veri, me qëllim për të zhdukur gjurmët e vrasësit apo vrasësve, meqë ajo si urdhërdhënëse paraprakisht i ka ndërmarrë të gjitha masat për të mos lejuar të zbulohet rasti. Por ajo do të vazhdojë të përpiqet të  realizojë synimet, të cilat e kanë shtyrë në këtë lloj të veprimeve, që nuk janë të parat, por nuk do të jenë as të fundit.  Ajo ka llogaritur mirë në faktin se Policia dhe Prokuroria e Kosovës nuk do të jetë në gjendje të zbulojë qoftë edhe një pistë të vetme të hetimeve, për shkak se kriminelët, me rastin e vrasjes së kriminelit nuk kanë lënë kurrfarë gjurmësh, meqë  gjithçka është llogaritur me mjeshtri, profesionalizëm, ashtu sikur zakonisht trajtohen rastet e vrasjeve të tilla.

“Lotët e krokodilit” që po derdh Serbia për Ivanoviqin i di mjaft mirë krejt opinioni në Serbi, por serbët e dinë po ashtu se Qeveria e tyre e ka shitur shumë shtrenjtë kokën e Ivanoviqit, në dobi të shtetit dhe synimeve për t’u kthyer në Kosovë. Serbia  llogaritë në ndihmën e Rusisë, e cila nuk i ka munguar kurrë dhe përmes Serbisë ka filluar të shtrijë edhe më shumë ndikimin e saj në Ballkan. Kritikat që Kremlini ia ka drejtuar Qeverisë në Shqipëri, nuk janë thjesht kritika për shpenzim ditor, por ato kanë një prapavijë të rrezikshme edhe për faktin se gjendja e rëndë sigurisë, lufta politike, përçarjet dhe yshtjet kundër njëri-tjetrit po acarohen gjithnjë e më shumë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Këto përçarje e mosmarrëveshje të brendshme i shkojnë në dobi qarqeve antishqiptare në Serbi e Greqi dhe ato me siguri se ashtu sikur kanë përfituar në të kaluarën, ashtu do të përfitojnë edhe në të ardhmen. Greqia tashmë i ka realizuar të gjitha qëllimet, ndërsa Serbia pret që me ndihmën e Rusisë të realizojë ato të kishte humbur me bombardimet e NATO-s në vitin 1999.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …