RKL: EULEX-i shtrin “pushtetin” për sundimin e ligjit edhe në Shqipëri

Me pranimin paraprak të kryeministrit Sali Berisha dhe me aprovimin unanim të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, merr leje zyrtare për fillimin e hetimeve në territorin e Shqipërisë, në lidhje me pretendimet se gjatë luftës në Kosovë, në njërin prej spitaleve të UÇK-së, në Burrel, qenkan kryer trafiqe organesh, duke u bazuar në raportin e kryesuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti. Por disa juriste të kontaktuar nga “Top-Channel” pohojnë se ky ligj cenon drejtpërsëdrejti të drejtat dhe liritë e garantuara me kushtetutë të qytetarëve shqiptarë.


 


Problemet nisin që me nenin 9-të këtij ligji, ku e ashtuquajtura  task-forcë  e EULEX-it dikton hapat që duhet të ndërmarrë gjyqësori në Shqipëri “Autoritetet gjyqësore lokale, në rastin e veprave penale kundra njerëzimit, krimeve të luftës ose krimeve të tjera të rënda kundër vlerave që mbrohen nga drejtësia ndërkombëtare, tentativave për kryerjen e tyre si dhe bashkëpunimin në kryerjen e këtyre veprave penale nuk mund të refuzojë letër-kërkesat me shkakun se ato përbëjnë vepra penale me karakter politik”. Ky nen vlerësohet nga juristët si një imponim sesi duhet të sillen gjyqtarët shqiptarë kur në fakt është vetë Bashkimi Evropian që në të gjitha raportet e saj vlerëson dhe kërkon që gjyqësori është një pushtet i pavarur, raporton Top Channel.


 


Edhe neni 15 i këtij ligji, për kontrollet dhe arrestimet në territorin shqiptar sipas juristëve, janë tejet shqetësues. “Task Forca Hetimore Speciale e EULEX-it ka autoritet të pavarur: të dëgjojë dëshmitarë, ekspertë dhe persona të akuzuar në Shqipëri; të kontrollojë mjedise; të marrë prova të tjera dhe të mbajë çdo dhe të gjitha materialet që janë të rëndësishme për hetimin dhe gjykimin, në pajtim me këtë ligj. Të ndërmarrë ato veprime dhe aktivitete të tjera që mund të jenë të nevojshme për përfundimin e hetimit dhe përgatitjen e zhvillimin e ndjekjes penale në gjykim, në pajtim me kufizimet e përcaktuara në pikën 4, të këtij neni. Këto veprime mund të ndërmerren, sipas rastit, për përfundimin e hetimit dhe përgatitjen e zhvillimin e ndjekjes penale në gjykim, edhe nëse këto nuk cenojnë vullnetin e lirë të individit”, shkruhet në dokument. Juristët e komentojnë këtë nen si jo të plotë, pasi nëse task-forca e EULEX arreston një shtetas shqiptar me dyshimin e përfshirjes në tregtinë e organeve dhe më pas rezulton se ky person është i pafajshëm, për shkak të gabimeve të EULEX, duhet të jetë shteti shqiptar që të marre përsipër dëmshpërblimin e tij.


Një tjetër pikë që sjell dyshime dhe lë shume hapësirë për interpretim është edhe mënyra e ndalimit ose arrestimit të personave në territorin shqiptar, të cilët mund të kryhen në përputhje me legjislacionin shqiptar, por në të njëjtën kohë në ligj thuhet se autoritetet shqiptare mund të asistojnë në aktivitetin e task-forcës, nëse këtë e kërkon kjo e fundit.


 


Qeveria e Shqipërisë, servile dhe  e vetë-nënshtruar ndaj Bashkimit Evropian, nuk e ka për pesë para që për hir të disa lavdërimeve  dhe  kurtuazisë fodulle diplomatike, ta bëjë pre derri vendin dhe qytetarët e saj, të cilët padrejtësisht do t’ iu nënshtrohen dyshimeve  hetimeve dhe  keqtrajtimeve të Prokurorisë së Serbisë, në dosjet e të cilave bazohet Dik Marti dhe EULEX-i. Duke u mbështetur në dosje të tilla EULEX-i ka hetuar, ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar qindra shqiptarë, ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për shkak se kanë qenë pjesëmarrës në luftë dhe për shkak se kanë vrarë serbë apo kolaboracionistë shqipfolës. Leja, që Qeveria e Shqipërisë i ka dhënë EULEX-it për hetime shkel kushtetutën e vendit, devalvon sovranitetin dhe shkel moralin kombëtar të shqiptarëve, duke lejuar të vihet në dyshim lufta kombëtare për çlirim nga barbaroidët serbë.


Me veprime të tilla nënshkruese, Berisha pretendon të mbetet më tej në pushtet, tani kur po kritikohet nga BE-ja dhe nga Amerika. Për interesat të tij, ai po vepron ashtu sikur kanë vepruar dikur: Ahmet Zogu, Esat Pashë Toptani, Ceno beg Kryeziu, Xhafer Deva  e bashkëpunëtorë të tjerë të serbëve, italianëve e grekëve.


 


Me lejen e shtetit shqiptar, Serbia po arrin, që përmes EULEX-it, të shtrijë hetimet e paragjykuara edhe në Shqipëri, ku edhe kanë filluar dyshimet e para për, sikur thuhet,  trafik organesh, disa vite më parë. Ishin pikërisht disa përkthyes e gazetarë të korruptuar  shqiptarë, të cilët kryen hetime të pavarura, vetë-tiposën disa njolla të zeza, lansuan disa të pavërteta, në mënyrë që mediet e Beogradit dhe ato që e mbështesin politikën antishqiptare të Serbisë,  të krijojnë tema sensacionale për gjoja trafikim të organeve nga UÇK-ja, gjatë kohës së luftës. Se a ka pasur  mundësi minimale për të ndërmarrë veprime të tilla kirurgjike në shtëpinë përdhese të një fshati, në Shqipëri, këtë ide monstruoze e  kanë injoruar edhe kirurgët serbë të Beogradit. Por as kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka fakti që Serbia nga banka e akuzuar për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit, ka arritur të bëhet prokurore, duke fajësuar viktimat shqiptare, myslimane dhe kroate, që paskan kryer krime kundër serbëve, duke akuzuar NATO-n si organizatë ushtarake terroriste po ashtu edhe UÇK-në. Serbia ka arritur mjaft në këtë luftë jo vetëm propaganduese, falë mungesës së gatishmërisë së politikanëve shqiptarë për kundërpërgjigje dhe kundërvënie, falë qeveritarëve tanë në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, të cilët mbrojnë interesat e pronat e tyre po jo interesin kombëtar të shqiptarëve.


 


Fushata kundër UÇK-së madje edhe në Kosovë tashmë e ka arritur kulmin. Për çdo ditë gazetat e njohura për shkrime sensacionale si “Koha Ditore”, “Bota Sot” “Zëri” dhe disa portale pirateske, që vjedhin shkrime autoriale dhe rrojnë si mizat e kalit, qëndisin faqet e tyre me lajme sensacionale, duke u mbështetur në burime anonime, madje në burime shumë të sigurta, pasi që tashmë janë siguruar se me heqjen e neneve penale 37 e 38 të kodit të Ri penal të Kosovës, ata marrin rolin e gazetarëve hetues, ( jo hulumtues) që punojnë për shërbimin sekret të mediumit, i cili i paguan sipas “prurjeve”, pavarësisht vërtetësisë së fakteve.


 


Fushata lidhur me pretendimet fashistoide të Dik Martit, të Beogradit dhe Kremlinit  po bëhet në kohën kur Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës, tashmë iu kanë nënshtruar politikave “të moderuara” dhe  “të emancipuara” të Bashkimit Evropian, i cili kërkon modelimin e një Kosove të vërtetë multietnike, tërësisht anacionale, me qëllim për të lënë anash dhe për të harruar krejtësisht të kaluarën, për hir të pajtimit të shqiptarëve me serbët, edhe pse janë serbët ata që nuk e duan pajtimin, sepse  për politikanët kurriz-kërrusur  shqiptarë, tashmë ishte harruar moti armiqësia shekullore, krimet monstruoze, dhe pësimet fatale që  kemi pësuar nga fqinjët grabitqarë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …