RKL

RKL: Gjykata Speciale në krizë serioze me vetveten dhe me publikun, me pretendime për ta rishkruar historinë e Kosovës

Praktika e  mbylljes së plotë  së seancave me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve, shpjegon më së miri se Gjykata e mbiquajtur, Speciale, në Hagë, ka krizë të rëndë përbrenda vetes, jo për fatin e dëshmitarëve, apo pasojat eventuale që pretendohet se mund të kenë ata,  por për faktin se shumica syresh janë të instruktuar, dhe po të zbulohet rastësisht vetëm njëri prej tyre, gjatë ndonjë seance, mjafton që të devalvohet e të diskreditohet  përfundimisht tërë procesi.

Sforcimi i faktit se Gjykata, qenka aq shumë humane dhe aq shumë po u kujdeska për fatin e  dëshmitarëve të mbrojtur, pa identitet publik dhe pa asnjë pikë njerëzie,  është një kurdisje që tregon se “lepuri është diku gjetiu”. Gjykata, në këtë mënyrë po paragjykon rrezikun për jetën e tyre nëse ata zbulohen, edhe pse ka të dhëna se të gjithë dihen me emër e mbiemër, përveç ndoshta disa dëshmitarëve serbë, të cilët jetojnë në Serbi dhe nuk mund të vërtetohet me asgjë se ata qenkan të rrezikuar. Shumica dërrmuese e dëshmitarëve të mbrojtur janë shqipfolës, madje ka  edhe  nga radhët e UÇK-së, të atyre që vetë mund të kenë bërë ndonjë krim individual dhe për të mos dalë para  gjyqit kanë pranuar të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Gjykatës Speciale. Të tillët do të  përpiqen që krimet e tyre t’ ia veshin kreut të luftës.

Fakti se Gjykata, në mënyre tejet ekstreme po pretendon “t’ i ruajë aq shumë” dëshmitarët e mbrojtur, tregon edhe mosbesimin që ajo ka për tërë procesin, i cili mund të dështojë, ashtu sikur dështoi raporti me akuza  imagjinare, pa asnjë fakt i Dik Martit, për gjoja trafikim të organeve të serbëve nga UÇK-ja, raport për të cilin tashmë dihet botërisht se ishte ideuar, mbështetur e financuar  nga qarqe serbe e ruse. Ishte pikërisht Raporti Dik Marti, në Këshillin e Evropës, që prodhoi Gjykatën Speciale, të cilën e mbështetën sidomos autoritetet e disa shteteve të Evropës, të cilat kishin qenë kundër intervenimit të NATO-së mbi makinerinë vrastare e barbare të regjimit të Millosheviqit, në vitin 1999.

Po ashtu defilimi në një marsh paqësor, në Prishtinë me 2 prill 2023, ku morën pjesë më shumë se 100 mijë qytetarë të Kosovës, ka ushtruar një ndikim të fuqishëm, gjithë-popullor që  i ka treguar Gjykatës Speciale se  po përpiqet ta dënojë tërë një popull, duke u mbështetur në dëshmitarë të mbrojtur, të instruktuar, në njerëz që për përfitime materiale dhe për të mos i zbuluar biografitë e tyre si bashkëpunëtorët të Serbisë,  kanë pranuar të ndërrojnë edhe identitet, komb,  gjuhë fe e kulturë.

Një gjykatë Speciale, e cila ka paraparë të ndajë drejtësi duke u mbështetur në të dhënat e dëshmitarëve, të cilët nuk kanë guxim të ballafaqohen me të vërtetën, ballë për ballë, në gjyq, sikur është praktikë  elementare, juridike  në tërë botën e civilizuar, ku i dëmtuari, viktima, ballafaqohet me personin e caktuar të dyshuar për krim, është  vetëm gjykatë e njëanshme politike, në rastin tonë, gjykatë që përpiqet të  shpallë fajtorë e të dënojë vetëm shqiptarë, dhe e cila pavarësisht mungesës së fakteve, përpiqet që përmes

personave të instruktuar të bëjë gjyq dhe të dënojë krerët e një lufte të drejtë, çlirimtare, kundër kriminelit më të madh që ka njohur  Evropa, pas Luftës së Dytë Botërore, sikur ishte regjimi i Millosheviqit, regjim i trashëguar nacionalist-shovinist, edhe tani nga dy njerëzit më të afërt të tij, sikur janë kryetari i Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, të vetmit që nuk i vënë sanksione Rusisë dhe në anën tjetër përkëdhelen nga Brukseli, mjerisht edhe nga autoritete të caktuara amerikane.

Pretendimet e Gjykatës Speciale shkojnë deri atje sa kërcënojnë edhe suksesin e NATO-s kundër Serbisë,  e cila kishte shkaktuar tri luftëra në ish-Jugosllavinë e kohës dhe kishte vrarë e masakruar qindra mijëra

boshnjakë, kroatë dhe shqiptarë në vitet 90 të shekullit të kaluar. Në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka autoritete që besojnë se gjykimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në

Gjykatën Speciale, është ndërmarrë  me qëllim që ta rishkruajnë historinë e luftës së fundit. Duke shkruar  lidhur me pretendimet e Prokurorisë së kësaj gjykate,  gazeta britanike, “The Guardian” dhe ajo amerikane,  “New York Times”, kanë shkruar se  gjykimi  në Hagë ka të bëjë me rishkrimin e historisë. Edhe e përjavshmja britanike “The Sunday Times”, i ka kushtuar një artikull fillimit të procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët kanë nisur betejën e tyre të fundit me drejtësinë në Hagë të Holandës, sikur janë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Artikulli fillon me faktin se intervenimi i NATO-s në Kosovë në mars të vitit 1999 ishte definuar si përgjigje kundrejt krimeve serbe të luftës dhe mizorive ndaj popullit shqiptar të Kosovës, që ridefinoi ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit si ndërhyrje në baza humanitare. Gjykata Speciale me veprimet dhe pretendimet e saj, sado që në mënyrë të rafinuar është bërë avokate e regjimit të Millosheviqit. Ajo edhe nëse shpallë fajtorët dhe dënon krerët e UÇK-së, nuk mund ta zhbëjë intervenimin e NATO-s, as luftën e UÇK-së që i solli liri e pavarësi Kosovës.

Gjykata Speciale  është themeluar edhe për përfitime materiale, dukuri kjo që është alfa e botës globale, kapitaliste e mafioze. Janë grumbulluar afër një miliardë euro për gjykatësit, prokurorët, avokatët dhe tërë personelin e Gjykatës Speciale, andaj dështimi i mundshëm do të kishte jo vetëm kosto por edhe përgjegjësi penale, po të kishte drejtësi, të njëmendtë çfarë e pretendon në letër kjo dhe gjykata të tilla. Kjo gjykatë parasheh edhe një burim të madh përfitimi financiar nga ata të pretendohen apo shtiren si “viktima” të UÇK-së. Vetëm për “viktimat” e Salih Mustafës, gjykata kërkon 200 mijë euro nga Qeveria e Kosovës.

Gjykata Speciale, deri tani ka shqiptuar tri dënime, kundër veteranëve  të UÇK-së, ndëshkime krejtësisht të padrejta, pa paraqitur fakte reale, por duke u mbështetur kryesisht në dëshmitarë të mbrojtur dhe paraprakisht  të instruktuar.

Ahmet Qeriqi

17. 4. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i ZOD, gjatë luftës, Sami Lushtaku, rrëfen momentet me komandantin. Ilaz Kodra, në 25-vjetorin e rënies së tij

Në 25-vjetorin e rënies së komandantit Ilaz Kodra, bashkëluftëtari i Ilaz Kodrës, Sami Lushtaku, ka …