RKL

RKL: Hashim Thaçi kryetar i Kosovës, përçanë përfundimisht LDK-në, një pjesë të PDK-së, ndërsa forcon fuqishëm opozitën

Votimi në Kuvendin e Kosovës, më 27 shkurt 2016 i kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, në postin e kryetarit të Shtetit, ka nxjerrë në sipërfaqe shumë kontradikta, që janë pasuar dhe do të pasohen me thellimin ekstrem të krizës në vend.

Të gjithë analistët e matur dhe me përvojë kishin paralajmëruar se figura e Hashim Thaçit, nuk kontestohet për shkak të prejardhjes së tij politike, as si kryetari i PDK-së, aktualisht  si  partia më e madhe në vend, as për shkak të biografisë së tij, të paraqitur herë bardh e zi, herë me ngjyra të ndryshme, por thjesht sepse nuk është personalitet unifikues, nuk është i pranueshëm për shumicën në Kosovë, edhe pse  ky realitet është fakultativ dhe jo obligativ. (As Ibrahim Rugova nuk pati më shumë vota, në zgjedhjet për postin e kryetarit, madje edhe pas të gjitha makinacioneve, ai mezi kaloi pragun me dy deputetë më shumë dhe me një votë për veten). Thaçi u zgjodh kryetar i Kosovës, në radhë të parë sipas marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK dhe kjo është formula që është vënë në jetë, pavarësisht të gjithave sa kanë ndodhur dhe do të ndodhin.

I njohur për ekzibicione dhe befasi, Hashim Thaçi, në të gjitha situatat e acaruara dhe të jashtëzakonshme ka dalë fitues për veten e vet dhe “trojkën” që e pason në çdo moment, pavarësisht si vepron. Duke pasur përkrahjen pa rezervë të treshit: Veseli, Haliti, Syla dhe ndikimit që kjo treshe ka ushtruar dhe ushtron në politikën e Kosovës, duke marrë përkrahjen pa rezervë të kundërshtarit numër një, nga radhët e partisë rivale, Isa Mustafa, duke pasur mbështetjen pa rezervë të të gjithë ambasadorëve të akredituar në Kosovë, pse jo edhe përkrahjen e Beogradit zyrtar, përkrahjen po ashtu pa rezervë të BE-së, Hashim Thaçi është figura më dominuese në politikën e Kosovës, mjerisht me përkrahje maksimale nga të huajt dhe përkrahje  minimale nga vota e popullit.

Konstatimet i mbështesin në këto fakte:

Hashim Thaçi nuk e ka përkrahjen e familjes emblematike të kombit, familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari, pavarësisht arsyeve dhe  këndit të interpretimit. Nuk e ka përkrahjen, as besimin  e disa prej shokëve më të njohur të luftës, në radhë, e ka kundërshtimin e  Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, Daut Haradinajt e shumë personaliteteve të tjera që kanë bërë emër në luftë dhe pas luftës, në mos më shumë, sa Hashim Thaçi po se po. Viteve të fundit nuk e ka pasur përkrahjen e Bacë Adem Demaçit as të profesor Rexhep Qosjes. Natyrisht se ai ka përkrahjen e Adem Grabovcit dhe disave si ai, mirëpo  ku krahasohet Grabovci me personalitetet që përmendëm?

Thaçit tanimë nuk i duhet përkrahja e elektoratit, sepse ai edhe nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme. Ato, që ka synuar për t’i arritur tashmë i ka arritur, por ka lënë pas shumë pluhur.

Po ashtu Thaçi tashmë  nuk ka të bëjë më me marrëveshjet e tjera, që parashihet të arrihen në Bruksel. Nuk do të ketë shumë punë as me implementimin e tyre, as me asociacionin serb, as me demarkacionin, sepse si kryetar i Shtetit ka kompetenca dhe angazhime të tjera.

Me ekzibicionet e tij në politikë, të cilat i kanë vënë dhe i vënë në jetë të gjithë politikanët me ndonjë përjashtim, Hashim Thaçi njihet për kapërcim të suksesshëm të situatave. Ai tashmë është “rehatuar” nëse e lënë rehat, Dik Marty, Gjykata Speciale, Beogradi e Moska zyrtare, BE-ja dhe qarqet e njohura antishqiptare.

Posti i kryetarit të Shtetit nuk i siguron imunitet, nëse paditet për krime lufte, pavarësisht se nuk ka faj, ashtu sikur nuk ka faj asnjë ushtar apo epror i UÇK-së që ka luftuar kundër regjimit kriminal serb të Milosheviqit dhe bashkëpunëtorëve të atij regjimi. Nëse, Hashim Thaçi ka pranuar të jetë dëshmitar bashkëpunues dhe i mbrojtur  i Gjykatës, sikur kanë pranuar disa të tjerë, kjo është diçka krejt tjetër, por nuk mund të jetë dëshmitar pa identitet gjatë gjykimeve të pritshme. Ndoshta gjykata në pajtim me BE-së dhe faktorët vendimmarrës ndërkombëtar janë pajtuar për një përjashtim i mundshëm nga rregullat.

Opinioni ka vërejtur se me rastin e shpalljes së radhës së tretë të rezultatit të votimit, në kohën kur salla u mbush me duartrokitje dhe brohoritje nga deputetët e PDK-së, nuk pati asnjë duartrokitje apo brohoritje nga deputetët e LDK-së, edhe pse të gjithë, nën një presion të jashtëzakonshëm nga kryetari i partisë Isa Mustafa, kishin votuar Thaçin, madje edhe disa nga ata që ishin betuar e stër-betuar se kurrë nuk do ta votonin. Thaçi nuk e ka përkrahjen shpirtërore  as të Isa Mustafës, i cili e urren më shumë se bashkë-partiakët e tij, por për hir të pushtetit, për hir të favoreve që ofron veshja me pushtet dhe përfitimeve të paskajshme, ai veproi, jo sipas bindjes e parimeve, por sipas rastit e përfitimit. Asnjë deputet i LDK-së, as shumica dërrmuese e anëtarësisë së kësaj partie nuk kanë konsideratë për kryetarin të cilin e kanë votuar, jo sepse Thaçi është i tillë sikur pretendojnë ata, por për shkak të propagandës 18-vjeçare të LDK-së kundër pjesës më të madhe të kreut të luftës së UÇK-së, sidomos kundër Hashim Thaçit dhe tre shokëve të tij.

Thaçin nuk e do as Lista serbe dhe asnjë serb i Kosovës madje as ministri i tij i dikurshëm, Rashiq, edhe pse deputetët serbë i mundësuan kuorumin, me kushtëzime.

Thaçin nuk e do edhe një pjesë e shprehur e elektoratit të PDK-së. Mendoj se një e treta e elektoratit nuk ka respekt për Thaçin, por ka vepruar sipas thënies së popullit: “Bjen në punë e të dua për dhunë”.

Thaçin jo vetëm që nuk e do, por e urren tejmase e tërë opozita,  jo vetëm Vetëvendosja.

Më këtë analizë, që mund të interpretohet edhe si paragjykuese, mund të përfundojmë  se kryetarin, Hashim Thaçi nuk e do shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës. Derisa të jetë në postin e kryetarit, ai do të jetë në krahun e PDK-së, pavarësisht dorëheqjes  dhe kjo do të shkaktojë revoltën e partive të tjera, sepse ai gjatë tërë mandatit do të jetë kryetar partiak.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi ratifikon kredinë prej 60 milionë eurosh për “Prishtina 2030”

Me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin …