Njëra nga temat e takimit mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, pritet të jetë çështja e dialogut Kosovë Serbi

RKL: Koalicioni i mundshëm pas zgjedhor mes LDK-së e Vetëvendosjes do të jetë “Fitore e Pirros” për LDK-në

LDK-ja është partia më e vjetër politike, legale,  në Kosovë, pse jo dhe “partia mëmë”, nga e cila kanë dalë shumica e elektoratit të partive të tjera politike. Por LDK-ja tanimë nuk është Lëvizje, sikur ‘shitej” se ishte dikur dhe nuk është as partia që mund t’ i fitojë e vetme zgjedhjet, sikur i kishte fituar dikur. Riciklimi i shpeshtë, ikja e kuadrove dhe elektoratit, paraqitja e vetvetes si viktimë qysh nga fillimi, ka bërë që kjo parti të radhitet në mesin e tri partive të mëdha, por kurrsesi nuk e disponon forcën e dikurshme elektorale.

LDK-ja sot, është e bindur në fitore, në radhë të parë për shkak se është trajtuar dhe po trajtohet e vet-trajtohet si viktimë, me apo pa të drejtë. Prishja e njëanshme e  koalicionit nga ana e PDK-së, rrëzimi i parakohshëm dhe i panevojshëm  i Qeverisë Mustafa, bëri që kjo parti me të drejtë të ndihet e viktimizuar, e përdorur dhe e keqpërdorur. Në një situatë të tillë, LDK-ja u gjend në udhëkryq,  meqë me të drejtë kishin ngritur  kokë ata që  kishin qenë kundër koalicionit me PDK-në.

Bashkëpunimi i LDK-së me partitë e tjera vazhdimisht është bërë mbi kurriz të saj dhe nga të gjitha Qeveritë e pas luftës, kjo parti vetëm njëherë ka marrë drejtimin e Qeverisë, në pazar politik me PDK-në për ta votuar kryetarin e saj, Hashim Thaçi,  në postin e kryetarit të Shtetit.

Madje edhe kur ka bërë koalicion  me AAK-në, e cila asokohe  nuk kishte as dhjetë deputetë, ajo i kishte “dhuruar” qeverinë partnerit të koalicionit.

Në segment të bashkëpunimit me partitë e tjera, LDK-ja në vazhdimësi ka qenë e diskriminuar, jo vetëm sepse është treguar tolerante me qëllim për të mos dështuar rendi dhe Shteti, por edhe për shkak se duke luajtur rolin e viktimës, prej mbarimit të luftës, ajo edhe është trajtuar dhe  në një segment mjaft të shprehur vazhdon të trajtohet si e tillë.

Por tani LDK-ja ka fituar një përparësi në të gjitha segmentet. Ajo për dallim nga të gjitha partitë në Kosovë, por edhe në rajon, ka zgjedhur femër,  kandidaten për kryeministre, e cila edhe ashtu ka qenë deputetja më e votuar në parti, me siguri se deputetja më e votuar femër, në vend.

Po kështu, kreu i kësaj partie me mjaft mund e maturi organizative arriti një unitet të nevojshëm, i cili nuk u lejua të çonte në një shkizmë të dytë, pas asaj të ndodhi me krahun shkizmatik të Nexhat Dacit, në Kuvendin e Pestë të saj.

Duke qenë se doli fituese në zgjedhjet e fundit vendore, LDK-ja i ka konsoliduar radhët në pjesën më të madhe të vendit dhe me të drejtë pret të jetë partia e parë në vend, edhe pse vota është e fshehtë  dhe kurrë nuk i dihet.

LDK-në e ka forcuar shumë edhe “vardisja” që i ka vërë Vetëvendosja për koalicion parazgjedhor, meqë është krijuar bindja se kjo parti do të jetë e para. Po ashtu të gjitha partitë të cilat e kanë stigmatizuar e përçmuar janë treguar të gatshme, deri ne servilizëm të bashkëpunojnë me të.

Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa,   u ka numëruar të gjithëve kritikat, denoncimet, urrejtjet, sulmet, mashtrimet dhe dashur pa dashur, ka dalë “i larë politikisht”, pavarësisht  të gjitha etiketimeve me vend e pa vend.

Të gjitha sondazhet, para-llogaritjet, parashikimet bëjnë të besojmë se radhitja e fitimtarëve do të jetë: LDK-Vetëvendosje-PDK. Nëse kjo formulë bëhet realitet më 6 tetor, atëherë do të fillojë “beteja” vendimtare për të lidhur koalicion pas-zgjedhor, i cili do të burojë nga forca elektorale e cilës do parti e koalicion.

Koalicioni i shumëpërfolur dhe i shumë dëshiruar nga Vetëvendosja me LDK-në do të jetë një sfidë e pa përballueshme për LDK-në, sepse Albin Kurti nuk do të heq dorë nga kërkesa për ta marrë postin e kryeministrit. Dhe përderisa të dyja partitë kanë vënë vija të kuqe ndaj PDK-së, atëherë  ato do të kërkojnë koalicione të tjera me leverdi në pazarin politik, i cili me siguri  se do të na marrë një kohë të gjatë derisa të vendosen definitivisht fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019.

Koalicioni, LDK-Vetëvendosje mund ta fitojë shumicën, por do të jetë tepër i vështirë koordinimi i brendshëm, sepse Vetëvendosja hapur ka shfaqur orekset, për ta marrë drejtimin e Qeverisë. Nëse LDK-ja detyrohet ta pranojë kushtin e Vetëvendosjes, fitorja e saj do të jetë sikur ajo që njihet me emrin, “Fitore e Pirros”, e cila arrihet me sakrifica aq të dhembshme, sa që dyshohet të jetë fitore.

Parashikimet në raste të tilla, nuk është e thënë të jenë apo të trajtohen si paragjykime, por një gjë është më se e sigurte, se gara aq e madhe dhe aq fanatike për të korrë fitore, as është bërë as bëhet për të fituar Kosova e Shqiptaria, ( ashtu sikur çirren me hipokrizi të gjithë zhurmuesit dhe konkurrentët) por për ta marrë në “qeverisje” buxhetin e Shtetit, për ta zhvatur atë, jo për qytetarët  e vendit të cilët nuk votojnë dhe që janë shumica, por për të rehatuar klanet, militantët, ata që kanë sjellë më shumë vota, ata që janë pehlivanë të lindur e mujsharë të kalitur në ndarjen e buxhetit, në duar të  fitimtarëve të zgjedhjeve. Kjo logjikë e qeverisjes autarkike, kjo luftë e pa kompromis për ta përvetësuar e uzurpuar paranë publike, është finalja, të cilën e ëndërrojnë e synojnë dhe  me në fund e marrin fitimtarët, kurdoherë mujsharë, kurdoherë plaçkitës, pavarësisht se çfarë emrash kanë dhe cilat parti apo koalicione i përfaqësojnë.

Lufta politike në Kosovë dhe në të gjitha shtetet në tranzicion është luftë për dominim, pasurim enorm të paktën për katër vjet,  zhvatje të parasë publike, plaçkë nga tenderët, zënie me punë të militantëve, të akrabave, të farës e të fisit, ashtu sikur ndodh kudo në regjimet kapitaliste, veçmas në regjimet e egra feudo kapitaliste që mbretërojnë në vendet e Ballkanit e më gjerë.

Ata që nuk marrin pjesë në zgjedhje, meqë as u kanë besuar as u besojnë mujsharëve të politikës, të gjithë oligarkë pa dallim, nuk kanë çka humbin as çka fitojnë as për çka të ankohen. Ata mbase presin ditën kur një sistem tjetër, një rend tjetër më i afërt me njeriun, më i përshtatshëm dhe më i drejtë ndaj secilit, do të konkurrojë dhe do të marrë përsipër realizimin e rendit të barazisë, sundimit të ligjit, demokracisë sociale dhe mirëqenies së vërtetë shoqërore kombëtare e njerëzore. Deri atëherë le të hedhin valle, ujqit  e politikave grabitçare.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …